KONCEPTI QYTETAR DHE SHQIPTARËT E NDERSHËM

????????????????????????????????????

KONCEPTI QYTETAR DHE SHQIPTARËT E NDERSHËM

Nga Xhelal Zejneli

Në vitet 1985-1990 shtypi i Beogradit vuri në përdorim shprehjen shqiptar i ndershëm. Sipas serbëve, i ndershëm quhej ai shqiptar i cili shante Shqipërinë dhe lëvdonte Jugosllavinë.

Gjatë periudhës së pluralizmit, d.m.th. prej viti 1991 e deri më sot, edhe pushtetarët sllavo-maqedonas u përpoqën të rekrutojnë në radhët e veta, të afirmojnë dhe të shpërblejnë atë soj shqiptari i cili do ta pranonte konceptin qytetar të ndërtimit të Maqedonisë.

Ky farë shqiptari i cili pandeh apo i cili punon dhe vepron për një Maqedoni – shtet qytetar, nuk ka dallim thelbësor nga shqiptari i ndershëm i shtypit të Beogradit.

Shqiptarët e ndershëm:

– Janë vegla, mjete, instrumente të sllavo-maqedonasve;

– Janë shërbëtorë dhe argatë të sllavo-maqedonasve;

– Janë spiunë dhe tradhtarë të kombit;

– Janë antishqiptarë dhe antikombëtarë;

– Janë të mirë, të përshtatshëm dhe të pranueshëm për sllavo-maqedonasit.

A ka edhe sot, si dikur, shqiptarë të ndershëm? Në Maqedoni dhe në Mal të Zi edhe sot ka shqiptarë të ndershëm, pikërisht si në serbosllavi në vitet ’80 të shekullit XX. Numri i tyre kurrë s’ka qenë i madh. Numri i tyre është numëruar në gishta. Por shtetet sllave të sipërthëna bëjnë të pamundurën që të krijojnë, të kultivojnë shqiptarë të ndershëm, për t’i paraqitur pastaj si përfaqësues të popullit shqiptar.

Boshti antishqiptar i krimit Shkupi-Beogradi-Titogradi (Podgorica) i joshte shqiptarët e ndershëm me të mira materiale, me pozita politike dhe shoqërore, me karrierë. Kjo strategji e kohës së komunizmit të Josip Brozit vazhdoi edhe në periudhën e pluralizmit dhe të demokracisë.

Për të mos shkaktuar huti ndër lexues, sintagmën e lartpërmendur duhet shkruar në thonjëza, pra “shqiptar i ndershëm”.           

Shqiptarët e ndershëm i gjen aty ku nuk i gjen dot shqiptarët shqiptarë. I gjen nëpër do komisione dhe kabinete ku nuk mund të hyjë shqiptari shqiptar.    

Shqiptari i ndershëm s’ka ndjenjë shqiptari. Ai shndërrohet në rrëqebull, në mercenar. Është i shitur dhe i blerë për para, për njëfarë karriere. Është kërmill që ngjitet deri në maje të plepit për arsye se nuk ka kurriz. Është jokërbishtor, butak dhe poltron. Ideal s’ka, ka synim. Objektiv i tij është realizimi i interesit meskin. Ai s’është formuar në frymën e shqiptarisë, të prejardhjes ilire, të autoktonisë, të vjetërsisë së gjuhës, të lashtësisë së popullit, të pastërtisë së racës, të luftërave të Gjergjit, të idealit të rilindësve, të madhështisë së Nënë Terezës, të universalizmit të Kadaresë, të qëndresës së Adem Demaçit, të vizionit politik properëndimor të Ibrahim Rugovës, të qëndresës epike të Adem Jasharit, të luftërave heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Me konceptin qytetar të shtetit sllavo-maqedonasit nënkuptojnë: Të gjithë jemi të barabartë, por shteti dhe pushteti, sot e mot, janë në duart e mia. Në duart e mia janë: ushtria, policia, punët e jashtme, ekonomia, financat, kultura, mënyra e investimeve, grandet, arsimi, shëndetësia, doganat, shërbimi sekret, diplomacia … Gjuha shtetërore është imja. Të miat janë edhe flamuri dhe himni. Ti s’je veçse lidhëse në rripin tim të brezit.

Ndonjëherë flitet edhe për shoqëri multietnike. Këtë farë shoqërie multietnike shqiptarët e dinë që nga koha e Josip Brozit. Ai e quante vëllazërim-bashkim. Ishte një parullë e komunistëve të Brozit që thoshte: “Ruajeni vëllazërim-bashkimin si bebëzën e syrit”. Në fillim të viteve ’90 të qindvjeçarit XX, krijesa artificiale Jugosllavia e AVNOJ-ti (KAÇKJ) apo Jugosllavia e Titos u shpërbë në gjak. Vëllazërim-bashkimi s’e shpëtoi dot.                    

Me shpërbërjen e amalgamës jugosllave në vitin 1991, nga amalgama jugosllave u shkëput edhe Maqedonia. Sipas Kiro Gligorovit dhe VMRO-së, trashëgues të shtetësisë së Maqedonisë janë vetëm sllavo-maqedonasit. Shqiptarët ndërkaq nuk përfilleshin fare. 

Qëndrimi i VMRO-istëve është i qartë: mbartës të shtetësisë në Maqedoni janë sllavo-maqedonasit, të tjerët ndërkaq janë pakicë e cila duhet t’i nënshtrohet dhe t’i bindet popullit shtetformues.

LSDM-istët duket sikur mendojnë pak më butë, por në thelb shtetësia përsëri mbetet në duart e sllavo-maqedonasve. Sipas tyre, çështja shqiptare në Maqedoni është e mbyllur, ndaj tani është koha për ndërtimin e shtetit sipas konceptit qytetar.

Për ta sendërtuar këtë farë koncepti qytetar, pushtetarët, qeveritarët dhe shërbimet e tyre kanë vënë nën kontroll edhe një pjesë të konsiderueshme të mediumeve – studio televizive, gazeta ditore, revista dhe portale.

Pjesë e kësaj infrastrukture janë edhe të ashtuquajturit këshilltarë të kabineteve të pushtetarëve si dhe një pjesë e analistëve politikë.

Kontrollimi i këtillë i mediumeve dhe censura e pushtetarëve të sotëm të Maqedonisë ta përkujton kohën e gjeneral Zhdanovit* në Bashkimin Sovjetik të Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinit (1879-1953).

Ata të cilët e kundërshtonin dhe e kundërshtojnë krijimin e një Maqedonie sipas konceptit qytetar, cilësoheshin dhe vazhdojnë të cilësohen si nacionalistë apo si individë me pikëpamje radikale dhe ekstremiste. Për këta thonë se janë kundër bashkëjetesës me popullin sllavo-maqedonas. Por duhet thënë se pala sllavo-maqedonase me bashkëjetesë nënkupton që i tërë pushteti të jetë në duart e tyre, shqiptarët ndërkaq të jenë dekor në qeveri, pikërisht si në vitin 1991.

Zgjedhjet  e 21 prillit të vitit 2019 ia bënë me dije kryeministrit Zoran Zaev, LSDM-së,  opinionit sllavo-maqedonas dhe faktorit ndërkombëtar se Maqedonia:

– s’është dhe s’mund të jetë shtet qytetar; dhe

– kurrë s’ka për të qenë shtet qytetar.

Zgjedhjet e lartpërmendura dëshmuan se Maqedonia është shtet dyetnik, i përbërë prej dy bashkësive etnike – shqiptarëve dhe sllavo-maqedonasve. Vetëm barazia e plotë midis tyre e stabilizon atë. Asnjë bashkësi etnike në botë që posedon kapacitet shtetformues nuk cilësohet si 20 përqindësh.

*   *   *

Shënim: Andrej Aleksandroviç Zhdanov (1896-1948) ka qenë politikan sovjetik. Stalini e konsideronte si trashëgimtar të vet. Ideologjia e tij njihet si zhdanovizëm. Promovonte realizmin socialist në letërsi. Në vitin 1949, i biri Jurij u martua me të bijën e Stalinit – Svetllanën. Martesa e tyre zgjati deri në vitin 1960.

Më 2 maj 2019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura