KRIJIMI, SHKRIMI DHE PËRPJEKJA PËR RISHKRIM TË HISTORISË SË KOSOVËS!

KRIJIMI, SHKRIMI DHE PËRPJEKJA PËR RISHKRIM TË HISTORISË SË KOSOVËS!

Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 21 shkurt 2022

Kur të tjerët ta shkruajnë historinë

Shqiptarët , pavarësisht ku kanë jetuar dhe ku jetojnë kanë problem me historinë sepse asnjëherë nuk iu shkon për shtati prandaj lindin ngatërresat, sidomos gjatë interpretimit të saj. Historia e shqiptarëve është si lëkura e leopardit, në periudha të caktuara kohore është e ndriçuar apo pjesërisht e ndriçuar kurse në periudha tjera është krejtësisht e pandriçuar, errësirë informative dhe kjo errësirë zgjatë me shekuj të tërë. Historia jonë është kaq shekuj nën Perandorinë romake, nën Bizantin, nën Perandorinë Otomane, nën bullgarët, italianët, gjermanët, jugosllavët, kinezët dhe të tjerëve prandaj, më shumë apo kryesisht kemi qenë kontribues të historisë për ata që na kanë mbajtur në robëri se që kemi krijuar historinë tonë. Është një listë e gjatë e shqiptarëve që kanë krijuar emër dhe famë duke shërbyer të tjerëve se që kanë shërbyer për popullin dhe vendin e tyre. Po ndalemi te historia më e re në Shqipëri dhe në Kosovë. Para luftës së dytë botërore historia e shqiptarëve dhe e Shqipërisë përshtatej me ata që ishin në pushtet të cilët fillimisht ishin patriotë kurse pasi Shqipëria u shndërrua dhunshëm në mbretëri, pa asnjë traditë mbretërore, patriotët që e shpallën Pavarësinë e Shqipërisë u ndoqën dhe u përndoqën nga Ahmet Zogu si tradhëtarë , një pjesë e të cilëve u vranë dhe u arrestuan, qoftë nga regjimi i Zogut ashtu edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Me ikjen nga Shqipëria pas sulmit të Italisë fashiste edhe Ahmet Zogu u shpall tradhëtar. Pas luftës së dytë botërore e tërë historia e Shqipërisë u shkrua sipas standardit të Enver Hoxhës dhe Partisë së Punës së Shqipërisë, deri kur u shemb sistemi komunist. Pastaj historia e Shqipërisë shkruhej sipas rrethanave të reja përkatësisht sipas standardeve të demokracisë së pakonsoliduar dhe Sali Berishës, Fatos Nanos dhe tash sipas Edvin Ramës. Në këtë mënyrë historia e Shqipërisë u bë si lakërori me disa petë ku secili që vinte në pushtet e mbulonte petën e historisë paraprake me petën e vet të historisë së glorifikuar dhe pa asnjë mbështetje shkencore . Kjo ka shkaktuar shumë probleme në Shqipëri e që po shkakton edhe sot shumë probleme aq më parë që ka prodhuar shumë pasoja edhe në Kosovë dhe vendet tjera ku jetojnë shqiptarët.

As Kosova nuk bënë përjashtim

Sa i përket historisë, Kosova ishte në pozitë më të vështirë , në njërën anë ishte ndikimi i madh i Shqipërisë komuniste kurse , në anën tjetër ndikimi jugosllav dhe i Titos. Patriotët e vërtetë dhe nacionalistët midis përzgjedhjes për Enver Hoxhën apo Josip Broz Titon , përcaktoheshin për Enver Hoxhën prandaj thuaja të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë në ish – Jugosllavi , pavarësisht bindjeve politike nga regjimi jugosllav dhe serb cilësoheshin dhe dënoheshin si enveristë . Komunistët shqiptarë të Kosovës ishin rreshtuar në krahë të Titos dhe udhëheqësve të Serbisë dhe punonin , edhe kundër Shqipërisë sikur edhe kundër popullit shqiptar të Kosovës deri në pjesëmarrje aktive në krime kundër shqiptarëve si në Drenicë , Masakra e Tivarit , në Llap , në Anamoravë , në Prizren ku nënshkruan që Kosova të mbetej në Jugosllavi dhe krime të tjera të panumërta. Këta ishin kriminelë të komunizmit sllav dhe serb dhe për krimet e asnjëherë nuk dhanë përgjegjësi ndërkaq që të mirat  më të mëdha i gëzuan në kohën kur do të duhej t’i nënshtroheshin përgjegjësisë administrative dhe penale, në kohën pas përfundimit të luftës së të Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës.  Se cila ka qenë historia e Kosovës nga viti 1945  e deri në vitin 1990, të gjithë që kanë jetuar në atë kohë e kanë të qartë; histori që glorifikon komunizmin jugosllav dhe serb dhe që e heshtë apo nëpërkëmb historinë e vërtetë të shqiptarëve të Kosovës. Ishin “heronjë“ ata që e dëmtuan fort Kosovën shqiptarët , qoftë si politikanë të shitur, anëtarë të OZNS-së, të UDB-së, hetues që përgjakën duart me gjakun e patriotëve  të vërtetë, prokurorë dhe gjykatës, intelektualë dhe historianë të shitur dhe llaskucë dhe të tjerë. Po cila ishte dhe është historia e sotme e Kosovës thuaja 23 vjet pas përfundimit të luftës dhe 14 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ? Nuk ka ndryshime cilësore dhe nuk përmbanë historinë e vërtetë për faktin se shumica e atyre që e shkruan historinë e Kosovës pra vitit 1998, tash, në rrethana të reja dhe përshtatëse e shkruan një histori që të bënë të vjellësh. Lufta e UÇK-së është në margjina , kontribuesit kryesorë si Baca Adem Demaçi, Shaban Polluzha , Fazli Grajçeci , Xheladin Rekaliu, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Hoxhë Idriz Gjilani , Gjon Serreçi dhe Marie Shllaku, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Agim Ramadani dhe Salih Çekaj ,  Shaban , Adem  dhe Hamëz Jashari dhe shumë të tjerë përmenden vetëm për qëllime politike , qoftë  gjatë paraqitjeve publike për vota , ashtu edhe në librat e historisë . Realisht , definicioni i Kosovës si shtet multietnik , me , së paku 93% shqiptarë , llaskucëria ndaj ndërkombëtarëve dhe lufta kundër bartësve kryesorë të luftës së Lavdishme të UÇK-së e ka krijuar një perceptim se të jeshë patriot është diçka e keqe , të lidhin me hajni dhe krim të organizuar pikërisht nga ata që nuk kanë bërë asgjë për këtë vend dhe këtë popull , për më keq tërë kohën kanë qenë , edhe kundër luftës si dhe kundër popullit gjuhën e të cilit e flasin . Prandaj edhe nuk mund ta keni një histori tjetër , një histori kombëtare që pasqyron realisht ngjarjet , rezistencën , luftën dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës , që nga viti 1945 e deri më sot. Historinë më të re dhe më të lavdishme të shqiptarëve dhe të Kosovës e shkruan këta që e bënë luftën e fundit në Kosovë , në rrethana dhe kushte jashtëzakonisht të pabarabarta kundër një shteti të fuqishëm , me një armatë të fuqishme dhe me armatim modern dhe të sofistikuar. E bënë kryesisht ish të burgosurit politikë apo edhe ata që u përndoqën nga regjimi jugosllav , serb dhe shqipfolësit e vendit . Shtetet që më vonë e përkrahën luftën ekzistonin me qindra vjet dhe , në shumë raste më shumë e dëmtuan popullin shqiptar se që e ndihmuan. Edhe NATO nuk ishte themeluar në vitin 1998 për të intervenuar në vitin 1999 . Po të mos ishte lufta e vazhdueshme dhe e vendosur çlirimtare e shqiptarëve dhe qytetarëve tjerë të Kosovës dhe të viseve tjera ku jetojnë shqiptarët , as nuk do të kishim përkrahje ndërkombëtare e as nuk do të kishte bombardim të NATO-së. Ata që e kundërshtuan dhe e luftuan luftën çlirimtare mendojnë ndryshe . Po këta , edhe sot janë përndjekësit më të mëdhenj të patriotëve shqiptarë dhe mohuesit më të mëdhenj të luftës çlrimtare të UÇK-së. Po këta sajuan dhe sajojnë dosje për ata që u keqtrajtuan nga Tribunali i Hagës , gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe këta që brutalisht po dhunohen nga Gjykata Raciste Speciale në Hagë.   Pasi u liruam nga llogoret e ish – Jugosllavisë shumica e vazhduan aktivitetin politik dhe patriotik . Nuk kishim përkrahje ndërkombëtare . Madje , në takimin që në vitin 1990 e patën në Beograd Baca Adem Demaçi , Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi me sekretarin e Shtetit , Xhejms Bejker iu bë e ditur se SHBA –të e përkrahin integritetin territorial të Jugosllavisë dhe se shqiptarët e Kosovës duhet të kërkojnë zgjidhje dhe të drejta brenda këtij integriteti territorial duke e përjashtuar çdo ndarje nga ish – Jugosllavia. Veton Surroi është gjallë , ekziston edhe incizimi i atij takimi se çka folën Baca Adem Demaçi , Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi. Zhvillimet pas Konferencës së Rambujesë janë kryesisht të favorshme për Kosovën , jo pse delegacioni i Kosovë e nënshkroi Marrëveshjen por pse Serbia dhe Millosheviqi , në saje të vlerësimeve  të gabuara e refuzoi nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje. Merreni me mend po ta nënshkruante Serbia këtë Marrëveshje ?! Një Marrëveshje e tillë e nënshkruar do ta legjitimonte ndërkombëtarisht praninë e Serbisë në Kosovë dhe kjo më nuk do të zhbëhej. Shiheni , një Asociacion i komunave serbe në Kosovë çfarë problemi po na shkakton . E tash krahasojeni me Rambujenë !  Nga kjo situatë të gjithë bëhen të mençur , të gjithë bëhen trima dhe të gjithë janë patriotë , edhe ata që ishin pjesë e delegacionit të cilët me robë , me shtëpi e me qenë dhe me thi i kishin shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë. Dhe të gjithë morën të drejtën ta pushkatojnë publikisht Bacën Adem Demaçi që e kundërshtoi këtë Marrëveshje. Dhe , po të njëjtit  sot e shkruajnë dhe e rishkruajnë historinë e Kosovës .

Shpallja e pavarësisë

Më së lehti dhe më përmbajtësore do të ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës në muajin qershor 1999. Serbia ishte në nokdaun , gjendja në terren ishte fakti më bindës për përkrahësit e pavarësisë dhe po të bëhej në atë kohë , sot do ta kishim harruar problemin me Serbinë. Po ndërkombëtarët tirrnin lesh duke i dhënë kohë dhe duke ndihmuar Serbinë në konsolidimin politik , ekonomik , ushtarak dhe shtetëror . Në vitin 2008 përkatësisht me 17 shkurt 2008 u shpallë një pavarësi e mbikëqyrur e Kosovës , nën kujdestari të ndërkombëtarëve duke i lënë Serbisë hapësirë të ndërhyjë papengueshëm në punët e brendshme të kosovës përmes decentralizimit në baza etnike , zonave të mbrojtura , vendet  e rezervuara dhe një ligji çoroditës diskriminues që quhej diskriminimi pozitiv . Të gjitha këto e minonin  dhe e defunksionalizonin pavarësinë e Kosovës duke e rrezikuar integritetin territorial dhe duke mos e lejuar shtrirjen e sovranitetit brenda këtij integriteti territorial. E tash , kush do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë ? ! Në një vend normal ku vlerësohet sakrifica , integriteti i personalitetit dhe reputacionin vendor dhe ndërkombëtar , Baca Adem Demaçi do të duhej të ishte ai që do ta lexonte Deklaratën e Pavarësisë. Po këto nuk ishin kritere që vlerësoheshin andaj mbetën tre persona , kandidatë të mundshëm për ta lexuar Deklaratën e Pavarësisë ; Fatmir Sejdiu , president , Jakup Krasniqi , kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe Hashim Thaçi , kryeminster. Fatmir Sejdiu ishte përjashtuar menjëherë dhe ishte vendosur që këtë ta bëjë Hashim Thaçi sepse as Jakup Krasniqin nuk e lejuan . Këto janë fakte që nuk mund të mohohen nga askush pavarësisht rrethanave të reja. Çdo përpjekje  për ta mohuar këtë fakt është përpjekje për rishkrim të historisë dhe falsifikim i të vërtetës. Është antinjerëzore , është antikombëtare dhe kundër çdo logjike të shëndoshë.  Këto përpjekje nuk dallojnë aspak nga përpjekjet që po i bënë Gjykata Raciste Speciale për rishkrim të historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve përme kriminalizimit të një lufte çlirimtare . Përralla janë pohimet se nuk po dënohet UÇK-ë por individët brenda saj për faktin se nuk ka mbetur udhëheqës politik apo ushtarak i UÇK-së që nuk është arrestuar , gjykuar apo dënuar nga Tribunali i Hagës , gjykatat e UNMIK-ut , EULEX-it , gjykatat e Serbisë dhe tash Gjykata Speciale Raciste . Sa më shumë mundosheni ta mëshehni këtë të vërtetë ajo bëhet më e madhe dhe më e lavdishme ! Albin Kurti , me më shumë se 50% të votave , në asnjë mënyrë nuk është dashur të anashkalojë kontributin e atyre që e krijuan dhe shkruan historinë dhe që e lexuan Deklaratën e Pavarësisë sepse nuk i bënë aspak nder , as si kryeminister , as si poltikan , as si njeri e as si shqiptar . As opozita nuk është dashur ta lëshojë seancën solemne të 17 shkurtit 2022 aq më parë që në mesin e opozitës ishin shumë personalitete që e krijuan dhe e shkruan historinë më të re të Kosovës . Kjo ishte e turpshme , ishte e papranueshme dhe e pafalshme , sikur mohimi i kontributit të atyre që po mbahen si pengje në Hagë , të tjerëve që kontribuan për këtë histori , qoftë edhe shumë gjysmake e që ishin edhe në radhët e opozitës dhe , në një numër më të vogël edhe të opozites. Dikush e feston mbrëmjen e matures edhe pas 50 vjetëve , të tjerët edhe përvjetorin e martesës pas gjithashtu 50 vjetëve por as të parët e as të dytët nuk mund ta rikthejnë ditën e matures dhe të martesës në dimensionin dhe emocionin e asaj dite , vetëm mund ta simulojnë këtë ditë. Edhe tani mund të simulohet Leximi i Deklaratës së një Pavarësie tjetër dhe në vend të Hashim Thaçit mund ta caktoni kend të doni i cili nuk e ka as emrin Hashim e as mbiemrin Thaçi. Por ky simulim nuk e ndryshon historinë dhe nuk e rikthen emocionin përveç se e mundëson një hakmarrje , qoftë edhe virtuale dhe të simuluar , si akt jashtëzakonisht i ulët njerëzor. Njeriu i pushtetshëm kur e ka pushtetin absolut duhet të tregohet modest dhe i papushtetshëm sikur që njeriu i mençur nuk e shpërdorë mençurinë për hakmarrje dhe ndëshkim të atyre që nuk kanë pushtet dhe nuk janë shumë të mençur . Kjo është  ligësi dhe fundi asnjëherë nuk do të jetë i mirë. Mos u kënaqni me varfërinë e të tjerëve dhe mos u gëzoni në fatkeqësinë e të tjerëve .  Sepse , edhe të parën si dhe të dytën do ta keni para dere . Albin Kurti duhet të merret me të tashmën dhe të ardhmën dhe në këtë kontekst duhet të kërkojë bashkëpunëtorë , si nga pozita që e ka 100 % nën kontrollë por edhe nga opozita që aktualisht më së paku i ngjanë opozitës por që Albin Kurti mund ta shndërrojë në opozitë të fuqishme nëse vzhdon ta shpërfillë aktualisht dhe historikisht. Proceset që e presin Kosovën nuk mund të mbulohen vetëm me kapelën e Albin Kurtit dhe përgjegjësia është e madhe dhe e padurueshme vetëm për një person. Pastaj , as Borrelli dhe Lajçaku përkundër simpatisë antologjike për një marrëveshje të favorshme për Serbinë e kanë të qartë se pa opoziten nuk do të ketë marrëveshje përfundimtare .  Albin Kurti , si kryeminister me më shumë se 50% të votave ka përgjegjësi që më shumë të punojë me opoziten se me poziten. Nuk ka rrugë tjetër ! Edhe një ditë nëse vonohet marrëveshja , për Kosovën do të jetë një ofertë më e keqe ndërkaq që marrëveshja nuk ka alternativë , nuk po na ofrojnë një alternativë tjetër !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura