KULTURË: PENA E BEDRI TAHIRIT PËRJETËSON LAVDINË TONË KOMBËTARE

Pashtriku.org, 30. 06. 2015 – Këto ditë doli nga shtypi libri “Pena e Bedri Tahirit përjetëson lavdinë tonë kombëtare”, përmbledhje me shkrime vlerësuese për disa nga veprat e Bedri Tahirit, mbarshtruar me kujdes e përkushtim nga autorët e palodhur Xhemail PECI e Xhevahir CIRONGU
Në vend të parathënies

Ky libër që po botohet me shkrime të përmbledhura, me të cilat mëtohet të nderohet dhe të vlerësohet drejt kontributi i pamohueshëm i shkrimtarit, studiuesit, publicistit, profesorit dhe veprimtarit të shquar, BedriTahiri, është një përpjekje e qëlluar për të vënë në pah vlerat dhe rëndësinë e shkrimeve me të cilat ai ka përjetësuar historinë dhe trimat që e bën atë me hir o me pahir.
Në shkrimet e përmbledhura në këtë libër, si ai i prof. dr. ZenunGjocajt: Lapidar publicistiko-letrar i luftës për liri (për librin e dr. Zenun Gjocajt dhe të XhavitAliut, të titulluar “Opusi krijues i Bedri Tahirit”); ai i prof. dr. Ibrahim Gashit “Një libër me vlerë kushtuar Parisë së Drenicës” (përkitazi me librin e Bedri Tahirit,Ramadan Zymer Bajraktari-Përfaqësues i Drenicës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit); shkrimi i Dr. Mehmet Rukiqit “BedriTahiri shkruan shkurt e shqip”, për veprën monografiko-letrare Xhemë Tërnafci-Sugari i Çetës së AzemGalicës); vështrimi i publicistit, poetit dhe shkrimtait Xhevahir Cirongut: “Tregimtari që gatuan vargun me baltën e vendlindjes, dhe ndez zjarr si gur stralli kur e lexon atë” (përkitazi me shkrimet dhe reportazhet e përmbledhura nga autori Bedri Tahiri nën titullin Gur i diellit shenjtëror) si dhe vështrimi tjetër “Nëpër udhëkryqet e historisë mbetën gurë diamantesh” (lidhur me librin Atdhetarizmi jeton në përjetësi); shkrimi i Izet Abdylit “Përmendorja në vepër”, për veprën Përmendorja që mungon (kushtuar Ahmet Delisë); ai i Shpend Topallajt “Bedri Tahiri, shkrimtari që mban ndezur zjarrin e lirisë” (lidhur me librin Atdhetarizmi jeton në përjetësi), vlerësimi i Prof. dr. Nusret Pllanës “Kujtesa popullore për historinë e një lufte“(për librin Lufta e Drenicës sipas rrëfimeve të Asllan Jasharit), tri shkrimet për librin “JASHAR JASHARI- Komandant DURAKU” (Habib Mustafa: “Një libër i çmuar për historiografinë tonë”, Ma. Sc.Mentor Hasani “Monografi që na ka munguar”, Ma. Sc. Ardian Jashari “Dokument me vlerë për brezat e ardhshëm”) si dhe në dy vështrimet e autorit të këtyre rreshtave: “Tregimtaria poetike e Bedri Tahirit” (për veprën Gur i diellit shenjtëror), dhe “Bedri Tahiri dhe pena që përjetëson lavdinë e trimërive të burrave të dheut të arbërit” (për veprën Përmendorja që mungon), shprehet vlerësimi i drejtë ndaj vlerave të shumta që ngërthejnë në vete veprat monografi të Bedri Tahirit, çmohet lart përmendorja e fjalës që në vete ngërthen vlera të mirëfillta ideo-estetike, por gjithsesi shprehet hapur edhe mirënohja dhe falenderimi për kontributin e tij të rëndësishëm, për përkushtimin e tij të veçantë dhe për porosinë e madhe që autori shpalos nga këto vepra.
Së këndejmi, prof. dr. Zenun Gjocaj ka theksuar me të drejtë vlerësime nga letra e prof. dr. Herman Ollberg-ut nga Insbruck (Austri), si dhe të Nadir Zhablakut (Shkodër) lidhur me veprën dhe kontributin meritor të Bedri Tahirit. Ndërkaq, fjala vjen publicisti, poeti dhe shkrimtari Xhevahir Cirongu ka vënë në dukje faktin e rëndësishëm se tregimet e shkrimtarit Bedri Tahiri janë:“Tregime me rrënjë te gjaku i shqiptraizmës”, dhe se:“Bedriu pikëtakohet me zgjimin e ëndrrës së madhe, Shqipëri!”

Publicisti Xhevahir Cirongu është ndalur me thekse të veçanta tek lartësimi që Bedri Tahiri i ka bërë familjes atdhetare Kapiti, si dhe përshkrimit të pikëtakimeve të luftëtarëve të lirisë tek restoranti “Drenica”, pronë e familjes mëmëdhetare Kapiti.
Shkrimtari Xhevahir Cirongu ka vënë në pah se veprën Atdhetarizmi jeton në përjetësi, jo rastësisht autori ia ka kushtuar:“Sabri Kapitit dhe familjes së tij për kontributin e dhënë për çështjen kombëtare”, duke nënvizuar më tej se Bedri Tahiri e ka quajtur me të drejtë pinjollin e kësaj dere të madhe, Skënder Kapitin:“Një botë e tërë e pazbuluar.”
Në penën e këtij kronisti që flet me zë gjaku, parakalojnë levendët e lirisë së mëmëdheut: Ahmet Delia, Hys Popova, Azem e Shote Galica, Shaqir Smaka, Hasan Prishtina- Truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, kryeluftëtarë dhe luftëtarë, prijës të lirisë dhe bashkëluftëtarë të tyre të përbetuar, parakolon një popull i tërë, i thjeshtë, por martir dhe liridashës.
Në tregimet, në skicat, në shkrimet, në reportazhet, në kronikat me portrete epike të këtij shkrimtari, shpaloset vetë historia. Shpalosen betejat e përgjakshme, qëndresa në rrethim dhe figurat madhore që e bënë historinë e këtij vendi.
Me stilin e tij të qartë, me fjalën e tij të gjallë e gjithë kolorit, me tregimtarinë e tij poetike, me përshkrimet e shumta e me detajet e figurave historike, BedriTahiri ka gërshetuar në veprën e tij historinë dhe epikën legjendare, traditën dhe botën e prirjes së tij të theksuar letrare, duke shkrirë kështu të djeshmen me të sotmen, e duke i folur përmes këtyre të dyjave të nesërmes sonë, të pritmes sonë.
Në veprën e tij letrare dhe në publicistikë, në monografitë kushtuar figurave historike, Bedri Tahiri flet me levendët e lavdisë së Shqipërisë. Është pushka ajo që e frymëzon penën e këtij shkrimtari. Është tregimtaria e tij poetike ajo që përjetëson kronikat e kohëve me qëndismë vetëtimash sipër. Mbishkrimet e shekujve vihen si emblema ilire, duke folur me gjuhën e qartë të kujtesës historike. Ato ligjërojnë që të përcëllojnë me flakën e tyre ndriçuese ditë të bardha për brezat që vijnë. E shkrimatri është ai që vë firmën e tij, është gjithmonë ai që e vë dorën në zemër e zemrën në letër: Eshtrat tresin, e shkrimet mbesin. Duke shpalosur kronikat e gjakut të derdhur rrëke, ai ngre kështu në kujtesën kombëtare emra të skalitur në mermerin monumental, përmbi të cilin shiu i mallit e lagë ylberin: Shamibardha është vetë Lokemadhja që e puthë mermerin, e kronisti i tokës bujare të gjakut dëshmon për historinë.
Pena e BedriTahirit është penë që e përjetëson lavdinë, është penë që nderon dhe lartëson heronjtë e mëmëdheut, të cilit i dolën zot fateve të tokës që i lindi dhe i rriti.
Pena e BedriTahirit është gjithmonë një penë e përmallshme, të cilën e gëzon dasma dhe rilindja e jetës. Ajo është pena që ngre përmendore trimash me yllësinë e fjalës së bukur shqipe, në mermerin e saj.
Ai është kronisti i kohëve kreshnike, e Drenica në penën e tij ngritet herë si feniks prej hiri e herë si salamander prej zjarri. Drenica është Kështjella e Pamposhtur, sepse atë e mbrojnë Vranakontët me gjokset e tyre si shkëmb graniti, sepse atë e lajnë me gjak fatosat e kombit. Sepse në galerinë e portreteve të shumta epike që ka nxjerrur sofra dhe votra e Arbërisë së Vogël, Herkuli e bashkë me të edhe Prometheu dhe Anteu, shkrihen në qëndresën mitike të Ahmet Delisë.
BedriTahiri është një arkiv i gjallë. Në kronikat e tij liria flet me zë gjaku. Prometheu del për të satën herë nga mitet, Gjergj Elez Alia del nga legjendat, sepse lukunia e ujqve të qartur shfaqet në Pragun e Shenjtë të Plisabardhëve. E sa herë që koha u kërkon plisave ta ngrejnë një Përkrenare, shfaqet ajo figurë epike, ajo figurë legjendare, ajo figurë aq e dashur, shfaqet dhe rishfaqet Vranakonti i kronikave të Marin Barletit. Shfaqet tribuni popullor: Ahmet Delia kryekomandant i vullnetarëve e simbol i qëndresës heroike, mishërim i prijësit të mençur e i tribunit popullor, figurë kjo e cila nuk i ka munguar kurrë këtij trualli jetik. E një kronikë gjaku flet sa një akademi: Sos për mua e sos për ti, po për gjithë Shqipëri! Ahmet Delia është vetë Vranakonti, e Mursel Ahmeti është koka tjetër kryengritëse e shqiponjës. Shqiponjë e lirisë, e cila ka hyrë nën bekimin hyjnor mijëra vjet më parë se Cerberët e përtej Tunës të shkelnin përdhunisht mbi tokat tona, mbi vatrat tona e mbi sofrat tona.
Kronika epike dhe kujtimet e kalldrëmeve me gjurmë gjaku flasin për mijëvejçarët. Trungu Ilir pikon gjak. E pena që përjetëson kështu figurat kombëtare në Baba Tomorrin e Përjetësisë, vihet në shërbim të një vizioni dhe misioni historik: Atdhetarizmi jeton në Përjetësi.
Takohen kështu në mijëvjeçarë, në kapërcyell të shekujve, krijuesi dhe koha. E në kristale mendimesh ngritet libri si një obelisk i përjetshëm. Në mes rri kronika me zë gjaku, nderuar dhe lartësuar aq denjësisht, atë që Lasgush Poradeci e ka pagëzuar: Pelerinata e Gjakut.
Pra, pena e Bedri Tahirit përjetëson flakadanët e lirisë, pishtarët që rrinë si sogjetarë amshimi në horizontin e ardhmërisë sonë.
Pikërisht, siç e tha në fjalët si xhevahire, publicisti, poeti e shkrimtari Xhevahir Cirongu:“Tregime me rrënjë te gjaku i shqiptarizmës…Bedriu pikëtakohet me zgjimin e ëndrrës së madhe, Shqipëri!”
Shqipëri!
Lajtmotivi i penës së tij.
Gjithsesi, një emër që Bedr iTahiri e ka thellë në zemër!…
Xhemail PECI – Londër, 20 prill 2015
***

Plagët e shekujve u kthyen në këngë lirie

Shkrimtari Bedri Tahiri me shkrimet e tija plot rrezatim dielli, të larë me vesën e mëngjeseve, në çdo fjalë të shkruar shqipe nëpër veprat e botuara deri më tani; gjen penën e këtij njeriu atdhetar e intelektual, të cilën e ka ngjyer me gjakun e dëshmorëve të atdheut, prandaj ai nuk rresht për asnjë çast duke gjurmuar si një “meteor” nëpër rrugëtimin historik të popullit tonë. Ai e ngacmon plagën e shekujve që ende kullon, e vazhdon pa u ndalur tutje rrugëtimin e tij nëpër faqet e lavdishme të qëndresës së popullit shqiptar që ka sakrifikuar duke falur edhe gjakun për lirinë e atdheun. Këtë plagëdhimbje, s’duhet harruar, sepse aty qëndron liria që gëzojmë sot, ai e ndjen deri në skutat e zemrës së tij.
Edhe në këtë përmbledhje të shkrimeve që formëzon një libër dinjitoz të titulluar “Pena e Bedri Tahirit përjeton lavdinë tonë kombëtare”, shpalosen si një det i kaltër vlerësimet e dhjetëra autorëve, të cilët japin mendimet e tyre filozofike dhe historike rreth disa shkrimeve e botimeve që ka publikuar deri më tani shkrimtari BedriTahiri.
E vërteta është triumfatore në çdo kohë. Ajo, duke qënë e tillë s’ndalet para vështirësive dhe i thërret kujtesës historike për të qënë pjesë e jetës. Një gjë të tillë, na sjell në këtë fillimshekulli të 21- të, edhe shkrimtari Bedri Tahiri.
Historia është e pakthyeshme, prandaj nuk është e lehtë që t’i kthesh shpinën asaj. Shkrimet e paraqitura në libër, na japin qartë sintezën e mendimeve rreth embrionit udhërrëfyes letrar e historik që shpalos autori me shkrimet e botuara, të cilat janë të stacionuara tek liria e atdhut. Pikërisht, këtu gjendet forca e fuqia e shpirtit të popullit tonë, njëkohësisht aty merr forcë edhe vetë shkrimtari kur merr penën e shkruan për heronjtë e kombit, për njerëzit e thjeshtë, si dje ashtu edhe sot; që mbi të gjitha, dashuria për atdheun është dashuria më shtrenjtë, sepse aty gjen shërim plaga e zemrës.
Te Atdheu i lirë agon dita e shpresës me rreze dielli, dhe plagët e shekujve kthehen në këngë lirie!
Në gjithë oazin e mendimeve që pasqyrohen nëpërmjet shkrimeve të autorëve për shkrimtarin Bedri Tahiri në këtë libër, lexuesi do zbulojë shkallë- shkallë lartësitë vlerësuese dhe mesazhet e fuqishme se dashuria për atdheun dhe lirinë nuk vdesin kurrë. Këtu qëndron magjia e së vërtetës, prandaj shkruajnë shkrimtarët, poetët, piktorët që pikturojnë, këngëtarët që këndojnë, gjithë krijuesit, sepse ata me krijimet e tyre zgjojnë ëndrrat e botës së njerëzve, u japin shpresë, dritë që ndriçojnë rrugën e jetës së tyre.
Duke u hedhur një vështrim përmbajtjeve të gjithë shkrimeve të këtyre autorëve, shkëputëm citate prej tyre, me qëllim që lexuesi të informohet shkurtimisht, mbase ato do t’i mbeten në memorien e tij, por edhe për ta nxitur që librit t’i shkojë deri në fund për ta lexuar.
Më konkretisht:
Prof. dr. Zenun GJOCAJ:“…BedriTahirit nuk i mjaftoi të jetë vetëm edukator e mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë në procesin edukativo- arsimor se, shpesh fjalët i merr era. Talenti për krijimtari letrare e nxori më tej se mësimdhënia dhe e shpuri në shkrime publicistike e letrare, kryesisht në trajtimin artistik të figurave të shquara letrare të qindvjetëshit të fundit, siç janë: AhmetDelia, HysPopova, Shotë dhe AzemGalica, ShaqirSmaka, e deri te heroi legjendar Adem Jashari…’’
Prof. dr. Ibrahim GASHI:”…Figura qendrore e këtij studimi monografik, RamadanZymer Bajraktari (1851-1912), është prezantuar në kontekstin më të drejtë të mundshëm, përmes kontributit të tij që ka dhënë në Lëvizjen çlirimtare në vitet e rëdësishme të Krizës Lindore (1877-1878), kur shqiptarët po luftonin, që duke e forcuar dhe dëshmuar identitetin e tyre kombëtar, të realizonin të drejtën për të pasur shtetin e tyre. Me këtë Lëvizje, e cila kulmoi me krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881)”.
Dr. Mehmet RUKIQI:“…Autori Bedri Tahiri, jep një pasqyrë për frymën luftarake e liridashëse, pothuajse, të të gjithë trimave të kohës së Azem Galicës, siç ishte Xhemë Tërnafci. Ngjashëm me komandantin, Xhema dëshmoi njohuri strategjike e profesionale të artit luftarak. Ishte ndër luftëtarët më të njohur, në kohën e tij, dhe bartës më i famshëm i kujtimeve, me vlera historike”.
Xhevahir CIRONGU:“…Tregimtari që gatuan vargun me baltën e vendlindjes, dhe ndez zjarr si gur stralli kur e lexon atë…Simbolika e gurit përfaqëson qëndresën e shqiptarit në shekuj për liri e pavarësi ndaj pushtuesve grabitqarë të trojeve tona shekullore. Kurse dielli është shpirti miqësor i shqiptarëve, edhe ndaj fqinjëve. Por, balta e tokës sonë që është më e ëmbël se mjalti, në shkrimet e autorit na jepet e gatuar me gjakun e derdhur në shekuj të shqiptarëve, saqë pema e lirisë i ka rrënjët aty, dhe mesazhi është i qartë: Për të mos u vyshkur kurrë kjo pemë në shekuj. Prandaj, shkrimtari e tregimtari BedriTahiri, i ka bashkangjitur gurin, baltën e flamurin edhe në vargjet prozaike…”.
Fatime KULLI:“…Gjeografia e veprave të tij është e plotë, ajo përfshin gjithë Trojet Etnike Shqiptare. Madje, edhe vetë idetë e veprave të tij bartin mesazhe të qarta dhe të gjitha nënkuptojnë synimet tona shekullore që konsistojnë në ribashkimin tonë kombëtar…”.
Xhemail PECI : « Në misionin aq fisnik që toka bujare e gjakut vë mbi shpatullat e misionarëve të lirisë, shkrimtari dhe intelektuali BedriTahiri na kujton për të satën herë se po u harruan të rënët, të gjallët nuk kanë vlerë. Me tregimtarinë e tij poetike, BedriTahiri e nderon, e lartëson dhe e përjetëson, atë që LasgushPoradeci e ka quajtur: PELERINATA E GJAKUT. Profesori, shkrimtari, kronisti e lajmëtari i lirisë BedriTahiri, i ka vënë vetes një mision sa të lartësuar po aq edhe fisnik: për të mos lënë pa shkruar për çdo pikë gjaku, për të mos lënë emër trimi pa e gdhendur në kronikat e tij, për të mos lënë levendët e lirisë së Shqipërisë pa i nderuar, pa i lartësuar e pa i përjetësuar në një mënyrë kaq të përkushtuar…’
Izet ABDYLI: »Qënëhyrjetëlibrit, si një prolog, na jepdetajenga historia e Drenicës dhe bëmave të luftëtarëve të kësa jtreve, duke u ndalur më shumë te beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe akti heroik i Millosh Kopiliqit…Sa e sa luftëtarëve të lirisë u mungojnë përmendoret, andaj vetëm pena e çmuar dhe zell ipër ta gjurmuar të kaluarën e tyre, historinë, faktet e dëshmitë siç ka bërëautori i këtij libri, BedriTahiri, bën që atë përmendore që nuk kemi mundur ta skalisim në gur apo bronz, ta skalisim në libër’’.
Shpendi TOPOLLAJ: “Kjo është edhe arsyeja pse autori i librit e gjen të udhës që të qortojë indiferentizmin e pushtetit ndaj asaj që bëri familja e SadriKapitit dhe propozon që Hotel “Drenica” të bëhet Muze, propozim të cilit i janë bashkuar edhe shumë individë dhe shoqata të ndryshme, pasi kështu nderohet e gjithë Kosova, Shqipëria dhe ato epopeja që shkroi me gjak UÇK- ja…”.
Enver S. MORINA: “Rileximi i librit te BedriTahiritAtdhetarizmi jeton në përjetësim, shpërfaq edhe një herë kontributin e familjes atdhetare te Kapitëve përgjatë afër një shekulli jo vetëm në Durrësin e gërshetimit të kohërave….dhe në veprën “Atdhetarizmi jeton në përjetësi” autori shkruan se “DRENICA” është një përfaqësi e Kosovës në Shqipëri dhe Kapitët përfaqësues të denjë të saj…”.
Prof. dr. Nusret PLLANA: “Vepra më e re e autorit BedriTahiri, Lufta e Drenicës, sipas rrëfimit të AsllanJasharit, lexuesit i vë përpara një mënyrë tjetër t.ë trajtimit të ngjarjeve historike, të zhvilluara brenda një treve të caktuar, siç është Drenica, duke shpaluar me kujdes dhe me qartësi anën themelore të asaj lufte: luftë për liri kombëtare…Shqiptarët e kësaj pjese të gjeografisë kombëtare, të Kosovës pra, duhej ta prisnin Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me Komandantin e saj Legjendar, Adem Jasharin, për ta vlerësuar drejt Luftën e Drenicës dhe Komandantin e saj, Shaban Palluzhën, edhe pse dilemat historike vazhdojnë edhe më tutje…”.

Habib MUSTAFA: “Duke vlerësuar veprimtarinë botuese të prof. BedriTahirit, mu kujtua Leonardo De Martinin, i cili për Jeronim De Radën kishte shkruar: Atë që e bëri Skënderbeu me shpatë, Ti e bëre me penë, o i madhi De Radë”. Edhe unë, ka kohë që kam bërë një krahasim në mes dy galicasve: AzemGalicës dhe BedriTahirit. Derisa AzemGalica, gjatë viteve 1912- 1924, me pushkë dhe me trimëri, u bë i njohur në Galicë, në Drenicë, në Kosovë, në Shqipëri dhe në të gjitha viset e banuara me shqiptarë, BedriTahiri u bë i njohur me penën e tij, duke botuar mbi 30 vepra, kryesisht me tematkë historike atdhetare”.

Ma. Sc. Mentor HASANI: “Në këtë libër prof. BedriTahiri, me qasjen e tij profesionale ka paraqitur sakrificën e atdhetarit Jashar Jashari, tashmë dëshmor i kombit, i cili dha një kontribut specifik dhe shumë të çmuar për Kosovën dhe lirinë e saj… Libri “JASHAR JASHARI- Komandant DURAKU” nga fillimi e deri në fund është shkruar me përkushtim për atë periudhë historike që është taban i fuqishëm i gjithë zhvillimeve në vend, për atë periudhë të lavdishme të historisë sonë kombëtare. Ajo ishte koha më e artë e një gjenerate me gatishmëri të lartë guximi, angazhimi e flijimi për liri, për komb e për atdhe”.

Ma. Sc. Ardian JASHARI: “Pas asaj që u tha më lartë, lirshëm mund të vijmë në konkludim se krijuesi i Monografisë “JASHAR JASHARI-Komandant “DURAKU”, studiusi Bedri Tahiri, ka përdorur elemente faktike, duke u bazuar kryesisht në historinë gojore, që tashmë është duke u zbatuar në tërë botën. Kjo faktografi, e përcjell me një kujdes të shtuar letrar, i ka dhënë ngjyrë historiko-letrare librit, që e bënë atë një dokument të vlefshëm për brezat që do merren me historinë e Kosovës dhe luftën e UÇK-së”.

* * *

Dhe, në fund, shkrimtarit BedriTahirit iu urojmë shëndet e jetë, që edhe në të ardhmen të na sjelli vepra të tjera historike e letrare edhe më të arrira, të cilat të mbeten pjesë e trashëgimisë së historisë e kulturës së kombit tonë nëpër breza.

Xhevahir CIRONGU – Durrës, më 28 prill 2015
(Kontakti: [email protected])
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura