MOIKOM ZEQO: DORËSHKRIMI “OFELIA ME MJEKËR”

 Tiranë, 11. 03. 2013 – (Tregim) – Në djerrkohën e sotme, ku ritmi është vetëm tautologji dhe vulgariteti modern është një stilistikë e zbrazët: rend ceremonial bizantin i shndërruar në sfilatat, apo striptizën e klubeve të natës, kur të gjithë jemi skllevër të Demonit televiziv-hakmarrje teologjike e denjë dhe e pashmangshme e Berklit të harruar dhe naiv, mua, shkruesit të padenjë të këtyre fjalëve, më pëlqen të jem një skeptik gati kanibal i librave, prova e mashtrimit, që Zoti thuhet e tundoi kinse, duke e ndaluar Adamin analfabet në Edenin e parahistorisë së mrekullueshme, d.m.th. në pafundësinë e Hiçit, pa dyshime.Po çdo skeptik është dyshimtar, nga kjo pikëpamje Dekarti nuk ndryshonte shumë nga inkuizitorët jezuitë spanjollë (a nuk qe edhe çifuti Ajnshtajn një hetues dhe denoncues i pamoralshëm dhe i parespektueshëm i lordit të rëndë dhe të pafuqishëm Njutonit (?),) ndaj pranova ta lexoj qysh në dorëshkrim librin “Ofelia me mjekër” të Makabe Zaharias jo aq nga mirëdashja, se sa nga dëshpërimi. Kam të drejtë të mos ngushëllohem. Dorëshkrimin për shumë ditë dhe net nuk e preka me dorë. Ndruhesha që kritika dhe llogjika e pamëshirshme të zbutej dhe të harlisej nga lirika e neveritjes dhe urrejtjes së kotë. Po meqenëse të shpjegosh vetëm domethënien e një fjale, jo më të një libri është si harxhimi i kohës, që i duhet një thneglë për të pirë tërë oqeanin, unë, megjithatë, nuk ngturova për të bërë si të thuash atë lexim, që nuk të kushtëzon nga asnjë përgjegjësi, leximin grafik, të tërë dorëshkrimit. Reagova ashtu instiktivisht si nga pickimet, zjarri apo të ftohtit. Ky shënim i mundimshëm, po edhe i shpejtë dhe i pakujdeshëm meriton gjithashtu vetëm leximin grafik atribut i qenieve, që nuk i kanë humbur akoma reflekset. Libri (dyshoj pa asnjë prapavijë ironie, se kemi të bëjmë vërtet me një libër, ndonëse perandoria e tregut të lirë është vjedhja e formës dhe idesë së librarive përsa i përket çdo malli – simbol ky i keqpërdorur dhe përqeshur te tregimi “Biblioteka e Babilonisë” të rrëfimtarit luçiferrian Jorge Luis Borges) nuk është aspak një libër i mirëfilltë si p.sh. era, ujërat, kafkat, kripa, vullkanet, kometat, ose metali orihallk i atlantidasve (i pagjetur dot më, shumë herë më i çmuar se sa ari dhe platini), ky libër në rastin më të butë dhe të mirësjelljes formale është vetëm një keqkuptim. Pra, është më i vërtetë nëse do të qe ndryshe. Kjo gjë tregon pikëllueshëm, se autori ka një guxim, që do ta bëjë atë përherë preh të ziliqarëve të ndershëm dhe të pafund, që do ta përbuzin me heshtje të rreptë dhe në emër të një morali totalitar do ta përflasin atë vetëm si moral. E paralajmëroj me indiferencë lexuesin e pakujdesshëm dhe të denjë, se shumë pak do të jenë ata që do të gëzohen dhe do të tregojnë interes për këtë libër. Vetëm të sëmurët nga pagjumësia dhe sektet e okulistëve ateistë do të mund të përfitojnë diçka nga padobishmëria ekzistencialiste e veprës gati të nëmur të Makabe Zaharias. Ndruaj se do të më keqkuptojë autori. Po kjo do ta plotësojë dhe do ta lajkatojë sedrën e tij, ngaqë edhe vetë është i bindur se ky libër është keqkuptimi i tij më i madh dhe më i papërsëritshëm. Ndruaj se kjo do të merret nga ana ime si një apologji. Ndonëse koha e apologjive është tejkaluar pa asnjë kthim apo nostalgji dëshpëruese. Çdo përjashtim është një formë e entropisë, që vërteton se rastësia është më absolute se domosdoshmëria.Jam i bindur se çdo shkrimtar më tepër krijon pararendësit e vet se sa pasardhësit. Kështu Claud Levy Strossi do të thoshte se James Joyce u tregon të gjithëve të folurën paralogjike të stergjyshërve prehistorikë të Neandertalit e të piktorëve magjistarë të paleolitit të shpellave të Altamirës. Kjo mua më kujton një tregim llahtarisht të vërtetë të Henry Jamesit ku heroi marsian i shekullit XXII sheh befas portretin e tij të saktë të pikturuar nga një piktor tokësor i shekullit XIII, mbase nxënës i rëndomtë i Xhotos diku në Irlandën e Veriut.

Njeriu e ka vendin në gjithësi sikurse pleshti, ose morri që e ka vendin nën kapotë, ose nën pelerinë. Pak a shumë ikëtillë është dhe vendi që i takon Ofelisë. Letërsia, ose vrojtimi i thukët janë më shumë forma të shumëfishta të hiperbolës. Vetë metafora ësjtë predikat i hiperbolës mendore. Malet janë hiperbola fizike të thërrmijave. Leonardo Da Vinçi ka lindur shumë shekuj më parë si Platon. Çdo gjeni është i thjeshtë dhe i prekshëm si forma natyrore e kuçedrës kadmike, apo puplat inkandeshente të Zogut Feniks. Gëte, Horaci apo dhe vetë Shekspiri, Kanti, Umberto Eko, Artur Remboja, Wallace Stevens, Fermi, Mjeda, janë më tepër deformime, skajëzime të të veçantave të vetë Leonardo Da Vinçit, alias Shekspirit, ndoshta dhe Dantes . Kurse James Joyce është në të vërtetë vetë dioskuri i katërt i tij. Dialogët gati gjeometrikë të Platonit përmendin një mendim të një bashkëbiseduesi serioz që besonte se nën ndikimin e rrotullimit të gjithësisë paralindje të zanafillave dhe pastaj në mosqenie. Herbert Kreini përmend se Theopompi i dinte disa fruta, që po t’i haje të kthenin mbrapsh në kohë. Kjo nuk duhet të na habisë me tmerr. Po as të na shqetësojë për pandalshmërinë e iluzioneve. Budistët përdorin parimin e Artë: arritja e bregut tjetër. Udhëtari asnjëherë nuk arrin. Po edhe mosarritja është gjithashtu arritje. Një breg quhet lindje. Tjetri vdekje. Kurse bregu i Nirvanës është përherë përtej çdo gjëje.Dorëshkrimin e Makabe Zaharias e lexuar krahas disa teksteve plot proverba dhe poezi budiste të përkthyera në anglisht e latinisht nga Erza Paundi. Ky është shkaku i pikave të referimit plot kontradikta dhe paradokse për vetë substancën e shenjtë dhe të egër të meditimeve. Për ta bërë më të plotë grackën intelektuale të imagjinatës, të deshifrimeve delikate të kuptimeve le të më lejohet që të bëj edhe një tjetër parashtrim gati identik midis librit “Ofelia me mjeker burri” dhe një historie të mbretit oshënar e poet Huai Xhang që jetonte i vetmuar, krejtësisht vetëm, në një kasolle prej kallama bambuje, Një ditë nisi të thërrmonte dhe të grinte tulla përpara kasolles. kaloi andej piktori Ma Cu. E pyeti ç’ka po bënte. Huai Xhang u përgjigj se kishte ndërmend të bënte një pasqyrë. Ma Cu tha: “Si mund të bëhet pasqyra, duke thërrmuar dhe bërë pluhur tullat?” Huai Xhang ia ktheu: “Nëqoftëse duke grirë tullat nukmund të bëhet pasqyra atëherë si mund ta rikrijojë Budën meditimi?”. Kjo që thashë më sipër është vetëm ajo që vjen më poshtë: shndërrimi i keqkuptimit në kuptim, i vetë lexuesit në autor dhe i autorit në një nga vetë lexuesit. Kureshtja e pakujdesshme e ngjeth. E torturon. Nuk parapëlqen modelin plutarkian të biografisë. Mund ta kritikosh për këtë gjë si shpërfillje të tij kriminale të antikitetit autoritativ klasik në emër të arkeologjisë strukturaliste dhe molekulare. Librat e tij të pazakontë, të vështirë të shkruara me një dendësi të frikshme semantike dhe simbolesh flasin për një zhvillim që nuk është gjë tjetër veç një autonomi tashme e përcaktuar, poqë është krejt e pafrytshme për ta quajtur si stil. Unë vetë nuk besoj te stilet. Stilet janë shpikje për dallimet, gjithsesi të papërfillshme. Librat e mëparshme të pabotuar nga Makabe Zaharias flasin për një kokëfortësi të paepur. Për të qenë krejt ndryshe nga të gjithë. Nuk i tutet tradicionalistëve. Tallet me të ashtuquajturit modernistë. Rrezikon që të jetë vetë askushi. Madje shpall, se ka hequr dorë vullnetarisht dhe me bindje nga autorësia e librave që shkruan. Shpesh i përcakton si libra “të të gjithëve dhe të askujt”. “Ofelia me mjeker burri” na fut dhe na nxjerr nga shumë humnera të endjes, të aventurave serioze, të rrezikut të çmendur, sibilik të harresave, të muzgëtimit të mendimeve arketipale. Mbase është metafora e dytë e një Zarathustre femër. Po s’ka asgjë të përbashkët me egzotikën e të menduarit aforistik të Niçes, ndikimi fatal i të cilit i ka shqetësuar estetët pleq akademikë po pa vepra që vënë në dyshim origjinalitetin apokaliptik të Migjenit, të Nolit, deri diku dhe të Lasgush Poradecit sqimatar. Ndoshta Niçe qe Ofelia që u paraqit si profeti mashkull Zarathustër.
Në tetor të vitit 1936 në një librari të Tiranës u bë një bisedë ad hoc e Lasgushit me një prift jezuit studiues të quajtur Cordigniano, që e kishte mohuar eposin naimian “Historia e Skënderbeut” si diçka banale, se aty thuhet se Skënderbeu bie në dashuri . Lasgushi i flet për dashurinë si nevojë e jetës dhe i thotë kritikut Jezuiit thënien e Krishtit “Shumëzohuni!” Porosia ungjillore ëhtë mistika e riërtëritjes po pa mohuar aktin e shenjtë seksual siç është e shenjtë edhe vetë vdekja.“Shumëzohuni!” Vetë Zoti është Një në Tri. Si mundet që libri i Zaharias të jetë i vetmi, kur tërë njerëzit, krijesat janë të pajisur me sozie të padiskutueshme nga një trill hyjnor narcizist.
Parafjala ime nuk është shpjeguese. Po as kundërshtuese. Teksti i librit është i kapërcyeshëm me po-të dhe jo-të e tij në kohëra dhe në hapësira të tjera. Nuk di gjë akoma për lkexuesit e të ardhmes që robotët kibernetikë, qeniet e klonuara do t’i bëjnë racionale, duke rrëzuar në pluhur lirikat emocionale, që mbërthejnë akoma shkencat, dijen.Karakteri (anti) biblik i librit është te çdo gërmë. Madje edhe te shenjat ortografike, renditja, konceptimi pamor, kundërshtitë alibike, stolisjet diturake baroke, pikllim, melankolia e eruditit.Të tjerët ndoshta do të më kuptojnë, autori asnjëherë. Ose e kundërta. Libri i Makabe Zaharias mund të lexohet. Fare mirë mund të mos lexohet. Vang Huiçi, biri i kaligrafit më të madh kinez Shih Shuo, katër shekuj para Krishtit, jetonte në San Jin, afër Hangçout. Një natë e zgjoi një stuhi e fortë bore. Hapi dritaren. Gjithçka rreth vetes e pa me një bardhësi vezulluese. Befas iu kujtua miku i largët Tai Kuei. Menjëherë e mori barkën e shkoi nëpër lumë ta shihte Tai Kuein. Mbas shumë kohësh (tërë natën) arriti te shtëpia e Tait. Kur po përgatitej të trokiste në derë u ndal. U kthye në shtëpinë e vet. E pyetën pse bëri kështu. U përgjigj: “Erdha i prirë nga instinkti i kënaqësisë time. Kur më kaloi u ktheva. Pse ta shihja Tain?” Durrës, 2 maj 1999
Post scriptum, 12 qershor 2004
Teksti i mësipërm është i ngatërruar. Gati një katastrofë. Dorëshkrimi i Makabe Zaharias “Ofelia me mjekër” është real, e kam parë i ngulitur, i çmeritur me sytë e mi. Subjekti është kaotik dhe i gjëmshëm. Ofelia e virgjër u vetëmbyt tragjikisht. Si quhej ky lumë? Autori përshkruan brigjet e Jordanit biblik, por mbi ujëra lulëzonin zambakë dhe orkida të panjohura. Hamleti nuk qe Gabrieli i qiejve, por as vetë Jahovai. Nëse do të martohej me Ofelinë mund ta kishte një trashëgimtar princëror. Shekspiri me një shkujdesje gati të pabesë e shmangu këtë hulli mbijetuese. Pse? Ofelia kryen vetëvrasje të vendosur për shkak të pakuptimshmërisë. Hamleti qe më pak trim, vetëm e mendoi vetëvrasjen por ju bind rutinës ngatërrestare dhe të përsëritur të jetës monotone. Ofelia e sfidon me brishtësi, por kjo e bën më të plotfuqishme. Edhe ndaj vetë Shekspirit i cili është vetë Hamleti. Makabe Zaharia sfidant dhe moskokëçarës përshkuan (gati deshmitar!) çastin kur e nxjerrin nga uji kufomën e Ofelisë. Kufoma qe e rëndë sa nuk e mbani dot as njëzet burra. Befas në fytyrën përrallore të Ofelisë kishte mbirë një mjekër në ngjyrë okër, gati e artë. Të gjithë mjedisësit u tmerruan. Klithën. Ç’ishte kjo mjekër? Si ka mundësi që e pakuptueshmja mizore të shfaqet si mrekulli akoma më e pakonceptueshme? E pra ç’simbolizonte kjo mjekër? Një zanafillë (ftillëzim) androgjene? Kur qenia njerëzore qe edhe mashkull edhe femër? Pse bukuria delikate vajzërore e Ofelisë u tjetërsua, ose ripërsëriti qenien e krijuar dikur, të dyfishtë, ende të pandarë ? Autori i dorëshkrimit me prirjen e tij kabaliste mediton gjatë, por me fjali të shkurta, labirintike. Artikulon hipotetikisht por edhe me bindje të rëndë se në fytyrën e Ofelisë u shfaq mjekra e vetë Krishtit, i cili vdiq për t’u ringjallur, – metaforë ngushëlluese, por edhe profetike edhe për vetë Ofelinë. Në dorëshkrim flitet se pas vdekjes së Ofelisë piktorët anglezë pre-rafaelianë (me të cilët kishte lidhje edhe Edward Lear-i) e krijuan një sekt, Ofelizmin, vetëkuptohet një herezi dhe shmangie estetike. Në Bruxelles, por edhe në Amsterdam u ngritën dhe tempuj të pikturuar me afreske, ku Ofelia paraqitej me aurën mistike si shën Maria dhe Magna Mater. Ithtarët e sektit qenë rebelë dhe ngatërrestarë, poezitë që botonin kishin gjithmonë prapavija alegorike antishekspiriane, por kishin gjithashtu alergji ndaj figurave surrealiste, që shformonin plot abuzim imagjinatën njerëzore. Ofeliistët praktikonin poligaminë, revolucionin seksual strukturonte idenë e tyre të lirisë. Nuk e njihnin legjitimitetin e shteteve, qeverive, politikës, ndaj për ta s’qenë familjare akretipet e dogmatizuara apokaliptike. E urrenin anonimatin, por e përbuznin edhe famën, që e quanin si formën më mediokre të kitch-it, pra të kotësisë, marketingut dhe mafies. Në kapitullin e dytë të dorëshkrimit Makabe Zaharia shkruan për filozofin e harruar Plotinin (204-270) të lindur në Egjipt dhe krijoi një doktrinë të re të shpirtit. Plotini udhëtoi në Mesopotami, Persi, për të studiuar fetë e Lindjes, konceptin e metempsikozës, pastaj dhe mësime në Romë, ku mori emër skandaloz, botoi librin e tij “Eneadat”. Mësues të tij qenë pitagoriani Porfir dhe teologu i krishterë Origjeni. Sipas Plotinit Gjithësia është Zoti Absolut, por materia e gjithësisë është e papërkryer. Më i rëndësishëm është Shpirti Universal. Mezi po e tërheq këtë trup plot cene dhe të meta, thoshte, që është burgu i shpirtit. Jashtë trupit shpirti përjeton ekstazë intelektuale. Shumë thënie të Plotinit të kujtojnë sentencat budiste. Misticizmi i tij është melankolik, plot dritë hije. Makabe Zaharia shtjellon një situatë të ndryshme letrare. Për të bukuria trupore e Ofelisë nuk është as shkak, as grishje, se e rëndësishme është Ofelia shpirtërore. Kjo do të thotë se edhe seksi fizik është një absurditet, ndonëse i pashmangshëm. Udhëtimi marramendës i Dantes në Botën e Përtejme të Trefishtë s’ka kuptim për shkak të popujve konkretë dhe rafigurimit të trupave, pra është një infektim apo deformim material i shëmtuar. Shpirtrat s’mund të definohen nga trupat. As Ofelia. Ajo është një ide sublimimi. Personazhet e njohura të letërsisë botërore në këtë syshikim të hollë dhe zhbirilues janë keqkuptime të mëdha. Ky materializim i vrazhdë i zhvendos shkrimtarët jashtë shpirtit, madje me vetë dëshirën e tyre. Letërsia e re duhet të jetë ndryshe. Po një gjë e tillë ende s’është arritur. Koncepti novator për letërsinë i Makabe Zaharisë duket këndellës, serioz por edhe hokatar dhe i pamundshëm. Në kapitullin e tretë autori bën një kapërcim të habitshëm, ndoshta orinik. Bëhet fjalë për dy vetëvrasje femrash të famshme: Teutës, mbretëreshës ilire në shekullin III para Krishtit dhe Budikës, mbretëreshës së keltëve në vitin 61 pas Krishtit. Të dy mbretëreshat s’e kanë njohur njëra-tjetrën. Teuta është parësore, reagoi ndaj romakëve me gjestin e vetëtherorësisë. Katër shekuj më vonë ndaj romakëve bëri të njëjtën gjë edhe Budika. Subjekti ka shtjellim ciklik, përtej çdo eklektizmi të tipit barok. Makabe Zaharia ka në këtë pikë edhe sensin e një kritiku muzikor, sepse flet për partiturat e këngëve të yllit të muzikës britanike Holly Kirby, një vajzë me bukuri magjepse, pothuajse ofeliane, që ja kushton Budikës. Charlotta Comer, autorja që luajti rolin e Budikës në filmin tronditës të Mel Gibson-it në ditarin e saj shkruan disa fraza epigramatike për një roman që kishte lexuar në frëngjisht (botim i Gallimard-it) shkruar nga kroatja Flora Dozon për figurën e mbretëreshës ilire Teuta. Tërë përshkrimet në këtë cak janë rrëfimtari klasike me plotfuqishmërinë e një lidhjeje konceptuale. Mjekra që i doli Ofelisë pas vdekjes duhet t’i ketë dalë shekuj më përpara edhe Teutës dhe Budikës. Me kapitullin e katërt përfshihen 101 letra apokrife që Ofelia para vetëvrasjes i ka shkruar të vdekurve, midis të cilave dhe mbretëreshës së amazonave Pantesilesë dhe Helenës së Trojës. Kapitulli i pestë mungon (nuk u shkrua kurrë nga autori i përkorë). S’mund të hamendësohet se ç’do të përfshinte ky kapitull (boshllëku i këtij kapitulli). Në kapitullin e gjashtë skena fokusohet në mjediset universitare të Kembrixhit. Aty flitet për një llogaritar të rëndomtë në portën e Madrasit në Indi, Srinisava Romanuxhanin, që në kohën e lirë ushtronte një teori mistike të numrave të thjeshtë. Rastësisht dy matematikanë të shquar të Kembrixhit G.Hardy dhe J.Littlewood u njohën me studimet e Romanuxhanit dhe pikasin tek ai gjeniun e panjohur, një Njuton të dytë. E ftuan më 1914 të vinte në Kembrixh për të punuar bashkë. Romanuxhani e ndjeu veten si të izoluar, qytetërimi anglez qe armiqësor për të. Shihte ëndrra me kllapi matematikore, vuante nga depresioni. Këtë e konsideronte si ndëshkim të tmerrshëm sepse kishte shkelur ligjin brahman që e ndalonte të kapërcente detet. Ai qe i bindur se frymëzimin dhe talentin matematikor e kishte frymëzim nga perëndesha Namagiri e Indisë. Ramanuxhani u mor me hipotezën e Riemann-it për numrat e thjeshtë. Postulati se të kërkosh e të gjesh numra të thjeshtë me njëqind shifra është po aq e padobishme sa të numërosh engjëjt në majën e një gjilpëre. Hipoteza e Riemann-it qe më e vështirë se ngjitja në Everest. Mistika e bënte indianin të mos tutej. Befas u njoh me një studente të Trinity College, që quhej Ofeli Williams. Ajo qe e hajthme, madje edhe poete. E pasionuar mbas matematikës besonte se bota e numrave nuk i takonte botës njerëzore. Gjuha matematikore e Ramanuxhanit qe jokonvencionale ndaj duhej dekoduar sepse ai sillte një perceptim të ri të mrekullive të funksionit zeta të Riemann-it. Funksioni Zeta qe dialogu i vështirë ndërmjet muzikës dhe matematikës, një rikthim i sofistikuar tek Pitagora. Ofelia Williams i kuptoi prirjet e pashembullta të matematikanit mistik, ndoshta më të madhit të të gjitha kohërave, të Ramanuxhanit. Ra në dashuri të ethshme me të. Por ai i tmerruar s’ju përgjigj kësaj dëlirësie të pastër, as pasionit të vet mashkullor instiktiv. Ofelia Williams kishte mbiemër emrin fatal, që kujtonte vetëtimthi William Shekspeare-in. Ramunaxhani hipokondrik bëri dy herë tentativa vetëvrasjeje: u hodh në shinat e metrosë së Londrës, por ndërhyrja e një roje arriti ta ndalte trenin disa metra larg trupit të tij mbi shina, herën e dytë deshi të helmohej me një numër të madh hapjesh antidepresive, por e shtruan në një sanatorium të Matlokut për dymbëdhjetë muaj rresht dhe u rikthye në jetë. Më 26 prill 1920 vdiq në moshën tridhjetë e tre vjeç nga sëmundja e amebiazës, infeksioni i zorrës së trashë. Fama e tij ndërkohë kishte arritur kulmin, e krahasuan si një J.S.Bach të matematikës moderne. Pas vdekjes së tij (në një moshë me Aleksandrin e Madh dhe Krishtin) paparacët dhe gazetarët e shtypit tabloid anglez u interesuan për bukuroshen misterioze Ofelia Williams. Ajo qe zhdukur misteriozisht. As detektivët shorlokholmsianë nuk gjetën gjurmë, as regjistrimin universitar, as kartën e identifikimit të studentes përveç tri fotografive të saj me Romanuxhanin e ndjerë. Rasti i saj enigmatik u klasifikua si shfaqja e një fantazme, kaq e besueshme dhe rutinore në Angli. Disa vite më pas matematikani austriak i Universitetit të Këningsbergut Kurt Godel publikoi një teori tmerruese se vetë universi matematikor është i tillë që është e pamundur të vërtetosh se brenda kësaj teorie nuk fshihen kundërthënie, sipas thënies se “Zoti ekziston se matematika është koherente dhe Djalli ekziston se kjo nuk mund të vërtetohet.” Ky rezultat u quajt teoria e paplotësisë së Godelit. Kështu Makabe Zaharia argumenton se personazhi i Ofelisë (edhe me mjekrën indiane të Ramunaxhanit) ka një vesk, teorik dhe abstrakt matematikor, atribut, që letërsia botërore nuk e kishte zhvilluar asnjëherë. Autori nga padurimi e ka lënë dorëshkrimin të pambaruar. Fillimisht ka menduar t’i shtonte edhe gjashtë kapituj të tjerë: në kapitullin e shtatë donte të rishkruante përrallën e Hirushes sipas metodës së George Steiner-it të shtjelluar në librin “In Bluebeard’s Castle” (“Në Kështjellën e Mjekërkaltrit”, botim i Yale University Prese, 1974, në kapitullin e tetë do të shtjellonte lidhjen midis fizikës kuantike dhe filozofisë antike kineze “Tao”, në kapitullin e nëntë e ringjall Ofelinë dhe përshkruan vetminë e saj si murgeshë në një kuvend skocez ku jetoi deri në moshën 105 vjeç, ku u mor me pëlhurat e qëndisura me miniatura biblike, vikinge, plot mbishkrime me germa runike – plot subjekte fabulare të përqendruara tek figura e Likornit (kalit mitik Njëbrirëshit). Kapitujt e dhjetë dhe të njëmbëdhjetë nuk arriti t’i konceptonte. Për kapitullin fundor, atë të dymbëdhjetin, e kish lënë një sinops. Bazohej në hapësirën dhe në kohën ciklike dhe tek ideja e ubikuitetit, që e kishin shenjtorët e krishterë të Bizantit, pra vetinë për të shfaqur qenien e tyre njëkohësisht në hapësirë dhe në kohë të ndryshme. Kështu një Ofeli për arsye të ubikuitetit do të ishte absolutisht e shumëfishtë. Ajo mund të paraqitej herë si Ajkuna e miteve shqiptare, pastaj si Greta Garbo, ose Merilin Monro, apo më skajshëm si Zhan D’Arka, Zenobia, Ana Bolena, apo Margarit Jursenar, ose Agathe Cristi. Kjo veti është edhe simultanizëm ikonografik. Makabe Zaharia, s’dihet pse në këtë sinops hibrid gjen lidhje më tepër metonimike se sa metaforike midis tablosë “Kështjella në Pirenej” të René Magritte-it dhe disa thënieve të filozofit kinez antik të luftës Sun Xu-së, ndërkohë që nuk i kursen sulmet cinike ndaj Marcel Duchamp-it, Nodle-it, Frank Lloyd Wright-it dhe konstruktivistit El Lissizky-it, pa harruar t’i bëjë dithiramb pikturës profetike “Angelus Novus” të Paul Klee-së. Sinopsi plotësohet me disa të dhëna shkencore për fibrat optike që e rritin shpejtësinë e bartjes së të dhënave 250000 herë (gjithë përmbajtja e Bibliotekës Bodleiane e Oxford-it transmetohet në 42 sekonda). Pas kësaj sinopsi thellohet tek skica “Vetëvrasja e trumcakut” e Migjenit dhe teoria e pasmodernizmit e filozofit frëng Jean – François Lyatard-it dhe parimin e pamundësisë (të pasigurisë) së klasifikimit ortodoks të vlerave ekumenike estetike. Makabe Zaharia mendon se një njeri është e tërë seria e njerëzve dhe se Ofelia është vetë njerëzimi me mjekër, ose pa mjekër. Ky dorëshkrim i mynxyrshëm nuk u botua asnjëherë.
Post – post scriptum, 25 maj 2009
Meqenëse një subjekt janë të gjitha subjektet kam arritur të kuptoj i habitur se shënimet e mia të padenja për dorëshkrimin e mikut tim janë përafërsime më tepër emocionale se sa logjike. Teksti që kam shkruar në fillim e ka një veçori të lemeritshme dhe skandaloze. Atë e kam shkruar përmendësh, për shkak të tiranisë së kujtesës. Vite më vonë zbulova se qe i njëjti tekst që miku im Makabe Zaharia e kishte botuar si Parafjalë për librin tim “Kështu foli Mona Liza”. E hedh poshtë me përbuzje idenë e plagjiatit. Por është i pashpjegueshëm ky kombinim, apo përsëritje formale. Por unë s’e çaj kokën për këtë. E di mirëfilli se i njëjti tekst njëkohësisht nuk është i njëjti tekst. Të njëjtat fjalë për Mona Lizën nuk janë të njëjtat fjalë për Ofelinë. Pierre Menard-i (që e përmend Borgesi) shkroi tekstualisht një pasazh të Servantesit, por për arsye të konotacioneve të ndryshme (epifanike) të fjalëve mbas 4 shekujsh bëri diçka epokale dhe të pakundërshtueshme. Por shkrimtarët shqiptarë s’e kuptojnë dot këtë thagmë.
Laudemus laudanda vituperemus vutiperanda! (Të lavdërojnë ata që janë për t’u lavdëruar, të përbuzin ata që janë për t’u përbuzur!)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura