LAVDIM HAMIDI: NGOPUNI ME RRENA DERI MË 6 QERSHOR, REALITETIN DO TA SHIHNI PAS 8 QERSHORIT!

Prishtinë, 01. 06. 2014 – Thasëve me para tashmë u është hapur gryka. Gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore do të shpenzohen gjithandej para të majme për dreka e darka, për bilborde partiake, për spote televizive, reklama në gazeta e deri te “bakshishi” kesh për vota të blera, ashtu që të bindin sa më shumë qytetarë për t’ua marrë “kokrrat” më 8 qershor.
Megjithatë, as të mos ju shkojë mendja se me këto shpenzime astronomike do t’u zbrazen xhepat pretenduesve për Parlamentin e Kosovës, sepse këto para janë në xhepat e tyre , por në të vërtetë janë paratë tona, paratë e buxhetit të Kosovës që na i vjelin përditë. Janë, ç’është e vërteta edhe donacione të dofarë biznesmenësh që shkundën xhepat duke dhuruar donacione me shpresën se do të marrin ndonjë “govatë mishi” pasi partitë e tyre të vijnë në pushtet.
Shumë premtime të parealizueshme do të dëgjoni për dhjetë ditë sa do të zgjasë fushata. Do të habiteni edhe vetë. Madje s’do t’iu besoni as syve dhe veshëve tuaj se si paturpshëm do t’iu premtojnë se Drenasin për katër vjet do ta bëjnë Dubai , Gjakovën si me shkop magjik do ta shndërrojnë në Gjermani, e ëndrrën për ta vizituar Amerikën do ta realizoni posa të shkelni në territorin e qytetit antik-Artanës.

Liderët, që e zhytën vendin në varfëri!

Të gjitha këto premtime e shpenzime nuk janë asgjë tjetër përpos një “shpërlarje e trurit”, sepse në realitet janë po të njëjtit liderë, ata që e zhytën vendin në varfëri. Ata që për shumë mandate në pushtetin qendror e lokal nuk arritën të krijojnë vende të nevojshme pune, ndërsa në kohë fushatash Kosovën e shndërrojnë në “baushtellë” të Ballkanit.
Edhe po të krijohej ndonjë vend pune gjatë katër vjetëve të ardhshme, ato do të plotësohen me familjarë të zyrtarëve të rinj e me militantë të vjetër partiakë, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, ndërsa të tjerët do të lodhen se konkurruari nëpër konkurset publike për pozitat e shpallura sa për formalitetet, pasi ato paraprakisht janë të plotësuara.
Mjafton që para 8 qershorit t’i shikoni edhe njëherë formularët e deklarimit të pasurisë së politikanëve kosovarë dhe pasi që ta krahasoni pasurinë e tyre nga viti në vit do të bindeni se po këta përfaqësues shtetërorë për pak vite në pushtet e kanë pesëfishuar e madje disa “edhe më të zotë” e kanë dhjetëfishuar pasurinë.
Janë bërë milionerë brenda natës, pasuri të cilën ata që merren vetëm me punë të ndershme nuk do të arrijnë ta krijojnë edhe po t’ua falte Zoti njëqind jetë.
Që nga përfundimi i luftës, kur u themeluan institucionet qendrore e lokale , është e vërtetuar edhe praktikisht se politika është biznesi më i mirë në Kosovë.
Shumë nga politikanët e këtij shteti të varfër kanë bërë pasuri më të madhe se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, se kancelarja gjermane, Angela Merkel , përderisa më shumë se 200 mijë kosovarë jetojnë me më pak se 1 euro në ditë.
Me premtimet e tilla për të bërë mrekulli për katër vjetët e ardhshëm në Kosovë, duke i hapur 137 vende të reja në punë në ditë, politikanët kosovarë me siguri se e kanë kompleksuar edhe magjistarin dhe iluzionistin më të njohur në botë, amerikanin David Copperfield.
Andaj ngopuni me rrena deri më 6 qershor dhe se cili është realiteti do ta shihni pas 8 qershorit.

…………………………………………….

(Ilustrimi është i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura