MILAIM SHEFKIU: BRUKSELI PROMOVON KONFLIKTE

(Prishtinë, 04. 04. 2012) – Një luftë madhështore u zhvillua në Antikën e lashtë ndërmjet dy gjigantëve homerikë, Akilit dhe Hektorit. Përmasat e asaj lufte titanike edhe sot e gjithmonë do të mbeten në kujtesë. Kjo edhe për faktin se Akili këmbëshpejtë, përveç që e vrau Hektorin legjendar, e lidhi trupin e tij pas qerres dhe e zvarriti shtatë herë përreth mureve të Trojës. Këtë nuk e bëri pse fitoi në betejën hakmarrëse, por për t’i poshtëruar trojanët e tjerë që shikonin nga muret e qytetit.
     Filozofinë, nëse mund ta quajmë, të poshtërimit e kanë përvetësuar më së miri serbët, madje mund të konsiderohet edhe si “ide autoktone e tyre”. Si në kohën antike, kështu veproi Serbia katër ditë më parë. Pinjolli i Millosheviqit, Ivica Daçiq, me xhandarmërinë e tij famëkeqe, në pusi, arrestoi dy policë të Kosovës, i lidhi, i detyroi të “puthin tokën”, i ngriti zvarrë për në Prokuple, madje me fotografitë e tyre bëri fushatë, shfryu mllefin, derdhi vrer, tha si guxojnë këta njerëz me armë të hyjnë “në tokën tonë”.
     E çka nuk tha pasuesi i Milosheviqit në SPS, apo siç po quhet “Slloba i vogël”. Me këtë veprim, ai nuk ka dashur t’i vrasë policët e Kosovës, sepse këtë do ta bënte aq kollaj, por ka dashur t’i arrestojë ata, ta poshtërojë shtetin e Kosovës, policinë, institucionet, popullin dhe politikanët e saj.
     Ky veprim i serbëve natyrisht që ngjalli reagime gjithandej opinionit shqiptar, duke e konsideruar këtë herë si mynxyrë kombëtare, herë si shkëndijë mbi barot, herë provokim lufte, e çka s’u tha… e asgjë s’u bë.
Por, më e keqja e gjithë kësaj është se si faktori ndërkombëtar, as përfaqësuesit e kancelarive të Evropës, as ata që janë të akredituar në Kosovë, nuk reaguan për këtë ngjarje. Edhe nëse nga ndonjë përfaqësues erdhi ndonjë reagim, zëri i tyre ishte aq i mekur, nuk u dëgjua fare, sikur një njeri që flet më vete. Ata që është dashur të reagojnë, nuk e bënë këtë. Serbia për këtë incident nuk e mori as një “karton të verdhë” për këtë ndërhyrje brutale. 

„Triumfi“ i Milloshit të Vogël!

_____________________________

      Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se Aleanca nuk e ka të qartë se çka ka ndodhur në kufirin Kosovë-Serbi. “Aktualisht ne nuk kemi fotografi të plotë të asaj se çka ka ndodhur. Qartazi, NATO-ja është e shqetësuar për zhvillimin e fundit, por ne jemi të sigurt se palët përgjegjëse do të jenë në gjendje ta zgjidhin çështjen”, tha Rasmusen.
     Kjo deklaratë e njeriut numër një të NATO-s, është sikurse e një arbitri që ia mban anën njërit ekip të futbollit. Edhe nëse lojtarit kundërshtar i thyhet këmba nga ndërhyrja brutale e lojtarit kundërshtar, arbitri arsyetohet se nuk e ka parë mirë rastin. Kështu mund të interpretohet deklarata e Rasmusenit.
     Nuk është vetëm ky që deklarohet kaq inferior. E njëjtë ka qenë edhe zëdhënësja e shefes për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së Catherine Ashtonit, Maja Koçijanciq. Kjo e fundit është marrë më shumë me atë se a ishte kidnapim apo arrestim rasti i policëve kosovarë…
As Rasmusen e as Ashton nuk e kanë parë të arsyeshme t’ia dërgojnë Serbisë një notë proteste për këtë rast, i cili mund të destabilizojë gjithë rajonin, pra ta zhbëjnë gjithë atë që është bërë. Madje, Ashton kërkoi që bisedimet të vazhdojnë ndërmjet dy palëve.
     Nuk e di a duhet diçka më shumë për t’u dalluar me ngjyra si ylber, përkrahja e BE-së për Serbinë dhe mbyllja sytë për Kosovën. Por, çka do të kishte ndodhur sikurse policët e Kosovës t’i kishin arrestuar apo kidnapuar policët e Serbisë brenda territorit të tyre.
     E gjithë bota do të ishte trazuar. Ashton do të vinte vetë në Kosovë për t’ia ngrehur veshin Thaçit e Rexhepit, ndërsa Rasmusen do të kërcënonte me tërheqjen e trupave të NATO-s nga Kosova. Ky rast do të bënte skandal, por nuk ndodhi e kundërta dhe vështirë se do të ndodhë ndonjëherë…
     Që të mos ndodhin poshtërimet e tilla nga “Slloba i vogël” dhe sllobodanët e tjerë, duhet që BE, NATO dhe gjithë qendrat e vendimmarrjes ta qortojnë Beogradin. Nëse Serbia e ka marrë statusin e shtetit kandidat për BE, nuk do të thotë se kjo është çështje e përfunduar. Nëse ka marrë shpërblim për diçka që ka bërë, duhet edhe të dënohet për veprimet e këqija. Ndryshe, me këtë logjikë, Brukseli nuk po e promovon bashkëpunimin, por ndarjen dhe konfliktet e reja në Ballkan.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura