Gjermani, 20 shtator 2019: Qyteti ku jetoj unë, në Gjermani, ka rreth 210 mijë banorë. Jo pak.
Megjithatë, kryetari i bashkisë z. Christian Gesselle dhe kryetari i degës së PSD, Patrick Hartmann, e gjetën emrin dhe adresën time dhe më uruan me rastin e 75 vjetorit të lindjes.
Unë nuk kam asnjë funksion në këtë qytet dhe nuk njihem personalisht me asnjë prej tyre. Cili është motivi që i shtynë këta burra, autoritete gjermanë, të më urojnë?
Përgjigjia është e thjeshtë: Respekti për njeriun. Pa dallim race, besimi, nacionaliteti dhe bindjesh politike. Në listën e shkrimtarëve dhe përkthyesve figuron edhe emri im. Vetëm kaq.
Po në atdheun tim?
Atje është ndryshe.
Atje unë jam anonim. Megjithse kam emër dhe adresë, nga pushtetarët dhe politikanët, nuk “më njeh” askush.
Për ata unë nuk kam as emër as adresë. Nuk kam asnjë vlerë, as si njeri dhe as si shkrimtar dhe përkthyes.
Njerëz të dashur, më kuptoni drejt, nuk e kam fjalën për veten. Jo, jo, jo!
Motivi i pushtetarëve dhe politikanëve tanë shqipfolës, në marrëdhëniet me njerëzit është injorimi, përçmimi, skllavërimi, trushplarja.
Në atdheun tim njerëzit ndahen dhe klasifikohen nga pushtetarët dhe politikanët, sipas bindjeve politike dhe jo vlerave.
Megjithse ne jemi të gjithë një racë, politikanët dhe pushtetarët na ngjyrosin sipas dëshirave të tyre të momentit, në blu, rozë, mavi etj.
Për nga ideologjia na etiketojnë, komunistë, ballistë, demokratë etj.
Ne nuk guxojmë të jemi ata që jemi. Mbi të gjitha, ne, nuk guxojmë të jemi shqiptarë.
U bënë 30 vjet që nga pushtetarët dhe politikanët vendorë dhe ata lart kështu trajtohen të diturit, shkrimtarët, artistët e kombit tonë.
Kanë përfunduar në njerëz anonimë, pa vlera, pa emër dhe adresë. Akoma më tragjike, pa atdhe.
Kujtohen pë ta vetëm kur duan të bëjnë politikë.
Ata po dëbohen nga atdheu i tyre. Jo vetëm të gjallë por, edhe të vdekur.
Në emër të antikomunizmit u shkatërrua inteligjenca e kombit, truri i shkencës, artit, kulturës dhe gjithë jetës së vendit.
Në emër të antikomunizmit po fashistizohet pushteti, shteti dhe politika.
Të ashtuquajturit antikomunistë e vazhdojnë luftën e tyre duke asgjësuar trurin e kombit, pa asnjë argument të ekzistencës së rrezikut real komunist.
Jo zotërinj, kombi ynë sot nuk ndodhet para rrezikut komunist por, atij fashist.
Ju nuk jeni në gjendje ta argumentoni rrezikun komunist. Unë kam argumenta që ndodhemi para rrezikut fashist dhe jo komunist:
E para: Kur u shëmb “shtëpia komuniste” të gjithë anëtarët e PPSH, shkuan në shtëpitë e tyre. Një pushkë të vetme nuk e zbrazi kush, në mbrojtje të komunizmit.
E dyta: Pas dorëzimit të teserave të partisë, një oficer i ushtrisë krijoi lëvizjen “Vullnetarët e Enverit”. Në fillim u mbushën listat por, pas pak muajsh, i mbetën vetëm emrat në listë. Njerëzit nuk ishin më aty.
E treta: Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, për mendimin tim, ishte pika kulmore e rënies së diktaturës. Një pushkë e vetme nuk u zbraz në mbrojtje të tij, një pikë gjaku nuk u derdh.
E katërta: Që nga viti 1991 dhe deri më sot, ekziston një e ashtuquajtur Parti Komuniste tek ne. Ka marrë pjesë në të gjitha zgjedhjet, lokale dhe qendrore. Asnjë vend të vetëm nuk ka fituar. As në zgjedhjet lokale dhe as ato qendrore. Nëse ata 65 apo 70 mijë anëtarë të PPSH do të kishin qënë komunistë të vërtetë, të paktën sa LSI do të kishte fituar vënde, në Kuvend dhe bashki.
Ja pra, kombi ynë nuk ndodhet para asnjë rreziku komunist.
Unë jetoj pjesërisht në Shkodër. Ka qënë qyteti i endrrave të mia.
Nuk pretendoj se e njoh elitën intelektuale të Shkodrës por, me aq sa e njoh unë, aty ka intelektualë të ndershëm, patriotë, të ditur dhe të guximshëm që, do të mjaftonin jo vetëm për të drejtuar bashkinë në Shkodër por, të gjitha bashkitë e vendit.
Dhe çfarë ndodhi!?
Qeveria, pa kundërshtarë, prodhoi një këshill bashkiak pa kokë.
Përse!?!
Vetëm një qeveri pa kokë prodhon një këshill bashkiak pa kokë. Edhe kjo duhet menduar antikomunizëm?
Jo. Aty ku qeveria dhe politika zgjedhin ata që u duhen atyre dhe jo ata që duhen, për të drejtuar shtetin dhe pushtetin, ka fashizëm.
Fashizmit gjithmonë i duhet njeriu “kobure”, i cili qëllon mbi cilindo, por kurrë mbi të zotin.
Fashizmi nuk thotë: Unë jam fashizmi i ri.
Shikoni kush zhduket, kush fshihet dhe, kush ngrihet dhe ringrihet!
Dëshmorët dhe heronjtë e kombit po deklarohen kriminelë lufte dhe vrasësit e tyre, heronj.
Rrugët dhe sheshet po mbushen me memoriale, monumente dhe varreza të kolaboracionistëve dhe tradhtarëve të interesave të kombit. Këta janë ish-shqiptarë që u kanë shërbyer të tjerëve kundër vendit, turq, osmanë, grekë, serbë, malazezë, hungarezë.
E vetmja pikë referimi e përbashkët, ku pajtohen dhe nuk kundërshtohen të gjithë krahët e politikës tonë, është antishqiptarizmi.
Erdoganizmi është bërë së fundmi ideologjia e tyre e përbashkët dhe, më e preferuara.
Kushedi cili nga armiqtë e kombit, shqipfolës ose jo, e ka rradhën për të marrë emrin e ndonjë rruge, sheshi apo për të na u shfaqur me surratin e tij prej betoni apo bronxi atje ku ne shkojmë për të thithur pak ajër.
Në vendin tonë nuk ka më ajër të pastër. Politika e ka ndyrë, e ka qelbur me kufomat e armiqve të kombit.
Kushedi cili nga heronjtë, dëshmorët e kombit, mendjendriturit do të largohet nga sytë tonë për t’ia lëshuar vendin ndonjërit prej atyre që historia i kishte varrosur.
Si mund të jetë ndryshe fashizmi i ri!?
*****
Autori është shkrimtar dhe përkthyes.