Prizren, 11 dhjetor 2017: Betoni është materie e ngurtë e cila përbëhet prej një përzierje tre-komponentëshe: rërë, çimento dhe ujë. Betoni është i fortë në shtypje, pasi përzierja në mënyrë efikase mbart ngarkesën e ngjeshjes. Megjithatë, ai është i dobët në tension pasi çimentoja që mban përzierjen në vend mund të plasë, duke lejuar që struktura të shkatërrohet.
***
Në një shkrim të para katër vitesh, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, shkruaja për të argumentuar se si Prizrenit i nevojitej ta ndryshonte qeverisjen lokale e cila numëronte përtej gishtave të dorës rastet e keqpërdorimeve, korrupsionit e nepotizmit të cilat tentonte t’i mbulonte me betonim të gjithçka’je në kohë fushate. Prizrenit, para katër viteve, i duhej largimi i “beton-qeverisjes” që shpërfaqte jo vetëm huqjen totale midis asaj që bëhej dhe asaj që duhej bërë por, edhe karakterin statik e të ngurtë të një administrate komunale që përveç se nuk zgjidhte asgjë, krijonte probleme të reja.
Shikuar nga tani, “beton-qeverisja” e viteve 2007-2013 duket sikur akoma ishte e në periudhën që absorbonte pushtet dhe kësisoj ruante pozicionin e saj në institucione, jo pse bënte punë të mira. Me fillimin e mandatit të tretë, filloi të përfundoj edhe kjo periudhë dhe “beton-qeverisja” u vu përballë tensionit kur nisën të publikoheshin dëmet që ia kishte bërë qytetit. Kasta e njerëzve përreth kryetarit dhe bashkë me të, u gjetën fajtor për abuzim me detyrën zyrtare në raste të tjetërsimit të pronave komunale (e thënë butësisht), në fillim të vitit 2014. Qytetarë e aktivistë, me protesta e aksione kërkuan dorëheqjen e krerëve të komunës duke supozuar në përgjegjësi, të paktën morale, prej tyre.
Në vend të dorëheqjes, kryetari – de juro (de facto s’kishte qenë kurrë i tillë) u vetë-pezullua, për t’u izoluar nga qytetarët dhe qendrat e tjera të vendimmarrjes. Si pasojë, komuna ngeli në duart e disa personave që bënin gjithçka kokë në vete dhe nuk i jepnin llogari askujt. Si pasojë, korrupsioni u bë kulturë e kultura u ‘përjashtua’ nga institucionet lokale, sistemi arsimor u shndërrua në një “fabrikë” të rekrutimit të militantëve e familjarëve me dhe pa diploma, sikurse edhe shëndetësia. Si pasojë, sporti ushtrohet si aktivitet më shumë vullnetar se sa profesionist, me infrastrukturë skandaloze e klube sportive që nuk e kanë kurrë të sigurt funksionimin në vitin e ardhshëm. Qendra Historike, me trendin që kanë vendosur pushtetarët lokal, do të ngelet qendër por jo historike, pasi që objekteve të vjetra të trashëgimisë po ua zënë vendin ndërtimet e ‘reja’ të betonit dhe parkingjet private. Madje shtëpitë e vjetra në zonën historike janë shndërruar edhe në gërmadha vrastare.
Simbolikisht, pasqyrën e “beton-qeverisjes” e shpjegon më së miri e kundërta e epitetit të shtëpisë së komunës, “Shtëpisë së Bardhë”, e cila në rrethana normale supozohet të reflektoj interesin publik dhe anën e ndritshme apo të bardhë të qytetit. Mirëpo, në rrethanat aktuale, kur korrupsioni e krimi janë bërë ekzemplarë të komunës, epiteti më i përshtatshëm për të është “Shtëpia e Zezë” e Prizrenit.
Edhe pse nuk shfaqi gati asnjëherë tiparet e komunës (lexo: të përbashkëtës), përkundër presionit politik e shoqëror karshi të gjitha veprimeve të saj, “beton-qeverisja” e Prizrenit i mbijetoi plasjes për shkak të mungesës së tensionit prej qendrës më të madhe nga duhej t’i vinte ai, sistemit të drejtësisë. Prokuroria dhe Gjyqësia lejuan ‘para syve’ të tyre shkeljen e ligjit nga zyrtarët komunalë, ose ua lejuan të njëjtëve vazhdimin e punës duke shkelur ligjin, me pasojë rënien drastike të besimit të qytetarëve mbi ta.
Duke i “ikur” drejtësisë së gjykatave, pushtetarët e Prizrenit fituan një lloj komoditeti që pavarësisht korrupsionit, klientelizmit e tendero-manisë, pushtetin nuk do ua merrte askush. Me autoritarizëm nga brenda dhe me arrogancë nga jashtë, “beton-qeveritarët” i hynë garës për të ‘fituar’ edhe kësaj radhe besimin e qytetarit, edhe pse legjitimiteti i tyre ishte kontestuar pas çdo cikli zgjedhor. Me bindjen se po i drejtoheshin të njëjtëve, strategjia e partisë – deri tani në pushtet vazhdoi njësoj – beton e presion pafund në çdo ditë fushate, krahas tendencës për t’u dukur sa më mirë e për t’i mbuluar të pabërat e të bërat keq për 10 vite (kandidati për kryetar i shërbente këtij dimensioni – dukjes).
Por, prizrenasit përveç se s’mbetën të njëjtë, kuptuan një gjë qartë dhe drejtë, se tensioni që do e çante “beton-qeverisjen” ishte në dorën e tyre. Me votë, edhe pse mjetit të fundit demokratik të ngelur, prizrenasit dëshmuan se jo vetëm që zgjedhin por edhe ndajnë drejtësi, pra ndëshkojnë. Pushteti lokal i së njëjtës mendësi që kishte korruptuar çdo vlerë e normë brenda institucioneve dhe kishte shkelur mbi kërkesën elementare të qytetarit për përfaqësim dinjitoz, u ndëshkua për t’u larguar nga institucionet. Duke ndëshkuar qeverisjen që në rastin më të mirë vendnumëroi, prizrenasit i dhanë fund edhe status quo-së në institucionet lokale për të dhënë poashtu një leksion të rëndësishëm për cilëndo qeverisje të ngjashme në të ardhmen. Leksioni i triumfit të vullnetit të lirë qytetar ndaj presionit e kushtëzimeve shkon gjithashtu edhe për të trajtimin prej Jerusalemi të qytetit të Prizrenit nga partia e pushtetit, tashmë të deridjeshëm. Prizreni, por as edhe një qytet tjetër, nuk është Jerusalem përderisa partia e militantët e saj trajtohen si të ‘shenjtë’ e të privilegjuar ndërsa qytetarët si të sunduar e të përbuzur. Prizrenasit treguan se Prizreni është i tyre, dhe s’e kushdo që mundohet t’ua marrë do ta ketë fundin e njejtë.
Postime të Lidhura
A E KUPTOJMË KAH PO SHKOJMË?!
A E KUPTOJMË KAH PO SHKOJMË?! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 27. 02. 2023 Republika e shpallur nga Pakoja…
DR.LUFTULLA PEZA: QEVERIA SERBO-KOSOVARE E HOTIT DHE DIALOGU ME SERBINË
Pragë, 15 qershor 2020: Politika dhe diplomacia serbe ditët e fundit arritën suksesin më të madh të saj,…
FATMIR BRAJSHORI: LETËR E HAPUR DIRTON SHAKOHOXHËS, GAZETARIT SPORTIV TË DIGITALBIT
Cyrih, 28 mars 2017: I »nderuari» zt. Dritan Shakohoxha, Në jetën time përjetova shumë fyerje dhe atë jo…
XHEVAT BISLIMI: KOSOVA SHTET ME INSTITUCIONE KUNDËRSHTETËRORE E KUNDËRKOMBËTARE
Prishtinë, 30. 01. 2016: Titull i rëndë shumë! Titull (konstatim) i padëshiruar nga askush, por titull (konstatim) mjaft…