MARK MARKU: PSE NUK BËHET DOT LULZIM BASHA LIDERI I OPOZITËS

Tiranë, 24. 05. 2014 – Ish-deputeti i PD-së, Mark Marku, në një intervistë për gazetën “Dita” është shprehur se Partia Demokratike kontrollohet nga Sali Berisha dhe se Lulzim Basha është i komanduari i tij. Pedagogu i gazetarisë është i bindur se kryetari i opozitës nuk e ka krijuar ende ekipin, dhe do ta ketë të vështirë ta krijojë dhe në të ardhmen. Ai vlerëson se Bashës i mungojnë aleatët dhe se nëse vazhdon kështu ai rrezikon që të jetë një figurë tranzicioni. Sipas Markut, të gjitha palët në PD do të kërkojnë ta çojnë Bashën drejt dështimit në mënyrë që më pas të bëjnë luftën e tyre për lidershipin e partisë. Po ashtu studiuesi ka analizuar ngjashmëritë dhe ndryshimet mes kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Berisha. Ndërsa ka sqaruar se shoqëria civile është një strukturë në ngjizje e sipër.

Intervistën me z.Marku, e zhvilloi gazetari – Isuf Kurtaj

I.KURTAJ: Zoti Marku, si pedagog dhe si studiues, a mund të na thoni se çfarë studentësh po nxjerrin universitetet shqiptare?
M.MARKU:
Universitetet shqiptare janë pjesë e shoqërisë sonë dhe si të tillë pasqyrojnë gjithë problematikën e shoqërisë që i ka prodhuar. Ka një prirje për demonizimin e universiteteve duke ua hedhur atyre mbi kurriz gjithë problematikën e shoqërisë shqiptare, ndërkohë që ato janë vetëm një pjesë e kësaj problematike. Gjithsesi ata nuk janë vetë problemi. Pa dashur të bëj atë çfarë bëjnë të tjerët me universitetin, pra ta projektoj problemin diku tjetër, unë do të thosha se universitetet paraqesin një problematikë të ngjeshur analiza e të cilës nuk mund të mbështetet mbi perceptime dhe opinione, por mbi të dhëna dhe fakte shkencore. Meqenëse këto të dhëna mungojnë është shumë e vështirë t’i përgjigjemi pyetjes suaj pasi, kemi shumë pak të dhëna për performancën e të diplomuarve të universiteteve shqiptare në tregun e punës, për nivelin e punësimit etj. Megjithatë një gjë është e qartë: diplomat e universiteteve tona kanë të njëjtin ndryshim cilësor me diplomat e vendeve të tjera sa ç’kanë edhe ekonomia, politika, mjekësia, arti, ushtria, policia apo sistemi juridik shqiptar nëse këto fusha i krahasojmë me ato të vendeve të tjera.
I.KURTAJ: Çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon, sipas jush, në aksionin e sotëm të shoqërisë civile?
M.MARKU:
Është ende e nënshtruar ndaj politikës, për të mos thënë se, në ndonjë rast, shërben si instrument i saj. Por, aksioni i shoqërisë është i kompromentuar sidomos për shkak të konformizmit të strukturave të saj. Ky konformizën është jashtëzakonisht i lidhur me varësinë e tyre prej donacioneve të institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare. Këto donacione nga njëra anë shërbejnë për ta animuar veprimtarinë e tyre, por nga ana e tjetër e kushtëzojnë pavarësinë e tyre. Shoqëri si e jona nuk financon pavarësinë e shoqërisë civile, mediave, botës akademike, por është e prirur për ta blerë këtë pavarësi.

Lulzim Basha dhe i komanduari i tij Sali Berisha!

I.KURTAJ: Z. Marku, një grup intelektualësh të iniciuar nga avokat Ngjela, po shfaqin interes së fundi, për një projekt të pritshëm për të krijuar një lëvizje të re politike. Si e keni pritur këtë lajm dhe çfarë mendoni se mund të sjellë në spektrin politik një lëvizje e tillë?
M.MARKU:
E vlerësoj avokat Ngjelën pasi përfaqëson një pigment politik të domosdoshëm që shfaqet në mënyrë elegante në peizazhin mediokër të politikës shqiptare. Kam përshtypjen se do ta ketë të vështirë në përpjekjen për të krijuar një forcë të re politike pasi, me sa shoh, nuk ekziston ndonjë grup politik apo individë të caktuar që të kenë një vizion të ri politik që do të përbënte premisën bazë për një formacion të ri politik. Nëse e realizon do të ishte pikërisht ajo për të cilën ka më shumë nevojë politika shqiptare: modernitetin politik. Ka ardhur koha për zëvendësimin e sistemit politik të tranzicionit me një sistem të ri. Nuk e di se ku do t’i gjejë avokat Ngjela aleatët për ta bërë një gjë të tillë pasi me sa shoh unë elitat shqiptare janë ende të varfra në këtë drejtim.
I.KURTAJ: Zoti Marku, Lulzim Basha, është në gjendje, dhe a do të dijë të drejtojë PD-në dhe opozitën, të cilën e mori pasi e kishte drejtuar për rreth 2 dekada një personazh imponues si Sali Berisha, dhe që vjen e dobësuar pas humbjes së 23 qershorit?
M.MARKU:
E ka fituar një farë autoriteti, por mendoj se do ta ketë të vështirë për ta realizuar plotësisht liderin e kryetarit të PD-së dhe të së djathtës shqiptare për disa arsye të cilat do t’i rendis shkurtimisht më poshtë:
1. Është një kryetar i emëruar nga paraardhësi i tij, zoti Berisha dhe para se të emërohej nga Berisha si pasardhës i tij nuk kishte shfaqur për asnjë moment as ambicien më të vogël për ta marrë lidershipin e partisë. Edhe pas kalimit të stafetës Berisha ka qenë aktiv duke e ushtruar ndikimin politik në po atë masë që e ushtronte më parë, gjë që e ka penguar konsolidimin e autoritetit të zotit Basha. Me këtë nuk dua të them se kjo është gjë e mirë, apo e keqe, është thjeshtë kështu.
2. Nuk ka patur guximin të bëjë një analizë të formacionit që ka marrë në administrim, nuk ka shfaqur asnjë platformë për rikonceptimin e këtij formacioni, nuk ka bërë asnjë propozim politik që paralajmëron një ndryshim të PD-së.
3. Nuk ka krijuar ende ekipin e tij, dhe nuk duket se do ta krijojë në të ardhmen
4. Kulturalisht, politikisht, intelektualisht nuk ka ndonjë domethënie të madhe në nivelin e përfaqësimit kështu që do ta ketë të vështirë për t’u shndërruar në një autoritet referencial
5. Edhe aleatët jashtë partisë i ka të pakët, politikisht të diskredituar, njerëz dhe grupe (nëse mund të quhen grupe) për t’u qarë hallin nga të gjitha pikëpamjet.
Nëse vazhdon kështu ai rrezikon që të jetë një figurë tranzicion. Të gjitha palët në PD do të kërkojnë ta çojnë drejt dështimit në mënyrë që më pas të bëjnë luftën e tyre për lidershipin e partisë.
I.KURTAJ: Basha në drejtimin e Bashkisë së Tiranës mund të shihet si model suksesi apo dështimi?
M.MARKU
: Unë mendoj (në ndryshim nga një opinion i përhapur) se ai ka krijuar profilin e duhur të kryebashkiakut të Tiranës. Më pëlqen sidomos fakti se ai i ka shpëtuar modelit të një administratori delirant të kryeqytetit që e konsideron kryeqytetin si shtëpinë e tij dhe që mund të bëjë ç’të dojë me të. Ka bërë ndërhyrje mirëmbajtëse për aq sa i kanë lejuar fondet, ka krijuar një perspektivë të qytetit me Bulevardin e ri edhe pse ndoshta nuk do ta realizojë atë, nuk është përfolur për ndonjë aferë korruptive me fondet edhe pse administrata e tij nuk ka qenë e imunizuar prej korrupsionit dhe mbi të gjitha ka deklaruar se nuk do të kandidojë si kryebashkiak i Tiranës për shkak të pozicionit që ka si kryetar i opozitës. Nëse vazhdojmë me analizën do të shikojmë se imazhi i tij tek qytetarët si kryebashkiak është pozitiv edhe pse nuk i ka realizuar disa prej premtimeve të fushatës dhe se një pjesë të tyre mund të mos i realizojë.
I.KURTAJ: A ka ndryshim në mënyrën e funksionimit e të organizimit të PD-së që kur Basha qëndron në krye, apo kemi akoma një PD që shkon para në versionin “alla Berisha”?
M.MARKU
: Ka një ndryshim në diskursin e liderit, në imazhin publik të tij, por nuk shoh ndonjë ndryshim thelbësor.
I.KURTAJ: Edi Rama kryeministër, dhe Berisha kryeministër, ku ndajnë dhe ku ngjasojnë me njëri – tjetrin?
M.MARKU:
Është ende herët për t’i krahasuar pasi njëri e ka të mbaruar portretin e tij si kryeministër, ndërsa tjetri sapo e ka nisur. Megjithatë edhe me kaq kohë mund të themi se të dy e kanë një anë të përbashkët: e ushtrojnë pushtetin në mënyrë autoritare dhe arrogante. Të dy i njohin vetes një rol mesianik në politikë dhe në ushtrimin e pushtetit gjë që mendoj se është frymëzuese, por njëherësh edhe e rrezikshme për sistemet demokratike. Natyrisht që kanë stil politik të ndryshëm. Ndryshon diskursi, gjestikulacioni, veshja, motivacioni, menaxhimi i përgjegjësisë së postit të kryeministrit etj. Mendoj se Berisha i ka pasur më të qarta objektivat e tij në kohën kur u bë kryeministër dhe më të përcaktuara prioritetet. Mendoj gjithashtu se Berisha e njeh më shumë shtetin, politikën dhe administratën. Rama është natyrë më kreative, njëherësh më konfuze. Ndoshta gabohem, por ai i qaset pushtetit dhe shtetit më shumë si dekonstruktivist, procedim ky i pranueshëm në art, por ndoshta më i rrezikshëm se sa duhet në politikë dhe në administrim. Është mjeshtër i imazhit por që imazhi të qëndrojë gjatë duhet të shndërrohet në mjeshtër të qeverisjes. Kam përshtypjen që modeli i kryebashkiakut e pengon në krijimin e një modeli kryeministror.
I.KURTAJ: Në zhvillimet e fundit politike, janë vënë re jo pak përplasje mes pozitës dhe opozitës parlamentare. Si do t’i komentonit këto qëndrime të dy kampeve politike?
M.MARKU
: Nuk shoh ndonjë përplasje të madhe politike, por ka një ashpërsim të panevojshëm të diskursit politik. Megjithatë, mendoj se një pjesë e tensionit politik ka ardhur për shkak të një gjendjeje konfuze që ka krijuar mazhoranca e cila e ka shpallur gjithçka të realizuar më parë si të gabuar dhe që e konsideron çdo akt të saj si rilindje ose si fillim nga asgjëja. Përveç kësaj, mazhoranca po tregohet shumë pak e vetëpërmbajtur dhe po kërkon ta shtrijë pushtetin e saj në të gjitha institucionet e pavarura. Këto akte kanë bërë që të gjithë të ndjehen të pasigurt. Është pikërisht kjo gjë që minuar paqen sociale në mënyrë të panevojshme. Nga ana tjetër, opozita më duket se nuk e ka ende kredibilitetin për ta shfrytëzuar këtë tension në favor të saj. Megjithatë paqja sociale e një vendi të trazuar si Shqipëria mund të prishet shumë shpejt dhe përvoja e ka treguar këtë. Një rrëshqitje në një konflikt social të panevojshëm do t’i dëmton të gjithë, përfshi edhe forcat kryesore politike.
I.KURTAJ: Në vazhdën e këtyre akuzave janë dhe deklarimet e selisë blu për përfshirje të infrastrukturës së ushtrisë në trafikun e drogës. Gjykoni se kjo është rruga që do të ndjekë edhe në vijim PD, në të bërit opozitë?
M.MARKU:
Unë nuk futem tek ata që mendoj se ushtria është një strukturë trafikuese e drogës, por megjithatë se e ka një të vërtetë në akuzat e PD-së. Ndryshe pse do t’i vendosnin blloqet e betonit në aeroportin e Gjadrit disa ditë pas akuzave të opozitës? Nuk besoj se ato struktura prej betoni janë kundër “mushkonjave”. Besoj se e vërteta është diku në mes.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

Demokracia negative!

Demokracia negative! Kur politika, paraja,padrejtësia, vjedhja, korrupsioni, droga e krimi bëhen bashkë Nga Skënder Sadri Kapiti, 9 Korrik…