LUAN RAMA: ALBERT KAMY – NJERIU I REVOLTUAR

Paris, 10. 02. 2015 – Të jesh i revoltuar sot nuk është diçka e mbrapshtë apo diçka e keqe. Koha kur jetojmë ka nevojë për revoltën. Nëse shkrimtari i madh francez, nobelisti Albert Kamy, (Camus), mbetet aktual në letërsinë dhe mendimin e sotëm botëror, kjo ndodh sepse në kohën e pabarazisë dhe të mjerimit, në kohën e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të lirisë, vetëm revolta dhe gjendja e njeriut në revoltë të përhershme mund ta shpëtojë njerëzimin, mund të shpëtojë një shoqëri, duke sjellë ndryshimin dhe progresin e vazhdueshëm të saj. Dhe kjo është universale, për gjithë shoqërinë njerëzore, për të gjitha sistemet, pasi nuk është fjala vetëm për revoltën ndaj diktaturave, por dhe për demokracitë e reja, ku demokracia për tu afirmuar çdo ditë, ka nevojë dhe për revoltën, ka nevojë për një revoltë qytetare kundër gjendjes absurde që na rrethon, që kërkon gjithnjë ndryshimin dhe përsosjen e sistemit demokratik.
Ky mesazh i Kamysë vlen dhe për ne shqiptarët që rrallë jemi revoltuar dhe revoltohemi, vlen dhe për ne që nuk e njohim dhe aq revoltën qytetare, madje edhe kur na preken nevojat më elementare të jetesës dhe të ekzistencës sonë. Shpesh herë, revolta jonë ka qenë e krisur, e pa kontrolluar, shkatërrimtare, gjer dhe absurde. ”Të pranosh absurditetin e gjithçkaje që na rrethon, – shkruante Kamy para Luftës së Dytë Botërore, – është një etapë, një eksperiencë e nevojshme: dhe kjo nuk duhet bërë një pengesë. Ajo mund të nxisë një revoltë, e cila mund të bëhet e dobishme. Një analizë e nocionit të revoltës mund të na ndihmojë të zbulojmë nocione të afta për ti ridhënë ekzistencës sonë një kuptim.” Ky është dhe thelbi i mendimit të Albert Kamysë. Një mesazh që kërkon angazhimin e njeriut e të shoqërisë për një vështrim kritik, në mënyrë që të mund të ecet përpara, në mënyrë që të bëhet progres larg demagogjisë politike dhe fshehjes të së vërtetës.

Albert Kamy [7 nëntor 1913 – 4 janar 1960]

Kamy na mëson se vetëm revolta qytetare mund ta shpëtojë një shoqëri nga absurditeti ku jeton, nga mediokriteti dhe meskiniteti, shfrytëzimi i njeriut, nga makutëria ndaj pushtetit dhe shpërdorimi i saj, nga gjithçka që venit shpirtin njerëzor dhe e sterilizon atë. Sa e sa herë jemi përballur dhe përballemi ne me gjendjet absurde, sa e sa herë në ekranet e televizionit shohim ndeshjet absurde të politikës, ku shpesh ky “absurd” gjer dhe një objekt ndërtimi, një program apo një kryqëzim, kthehet në objekt humori ku mjerisht qeshim të gjithë dhe harrojmë të revoltohemi. Shumë herë dhe vetë gjendja jonë bëhet absurde. Pra ajo që mund ta ndryshojë këtë gjë është revolta përmes fjalës dhe veprimit demokratik.
Gjithë jetën e tij, edhe pse një jetë e shkurtër, ky intelektual i madh i botës perëndimore nuk rreshti së luftuari kundër ideologjive dhe abstraksioneve që largoheshin nga ajo që ishte humane, njerëzore. “Absurdi, – shkruante ai, – lind nga ky përballim midis thirrjes që bën nevoja njerëzore dhe heshtjes së habitshme dhe pa arsye të shoqërisë, botës.” Për Kamynë, kur njeriu kërkon përgjigje ndaj kërkesave të tij dhe nuk i gjen këto përgjigje, kjo krijon një situatë absurde. Dhe përgjigjet rreth kësaj pyetjeje, Kamyja i kërkon veçse në terrenin njerëzor, pra në veprimtarinë e përditshme njerëzore dhe jo nga hyjnitë, bota e perëndive dhe se ç’thonë ato. Siç e thotë dhe në librin e tij Miti i Sizifit, “njeriu absurd duhet të këmbëngulë dhe të mos i dëgjojë profetët, (e ideologjive apo të fesë), të mos besojë në zgjidhjen e problemeve jetike në imagjinacionet e Ferrit apo të Parajsës, por të ndërhyjë”, pra të revoltohet, siç do ta thotë me forcë ai në veprën e tij më të fuqishme Njeriu i Revoltuar. “Revolta, është një mënyrë për të jetuar absurdin dhe për tu përballur me të.”
Filozofia e absurdit dhe e revoltës, një filozofi ku intelektualët shqiptarë dhe shoqëria civile mund të gjejnë vetveten, është padyshim një nga filozofitë më moderne dhe të nevojshme sot, çka e bëjnë Kamynë një nga mendimtarët e mëdhenj të kohës sonë. Albert Kamy u largua nga kjo botë në moshën 46 vjeçare, atëherë kur ai mendonte se sapo kishte filluar veprën e tij letrare, edhe pse ai i kishte shkruar tashmë kryeveprat e tij. Rikthimi ndaj veprës letrare dhe mendimit kritik të Kamysë sot nuk është thjesht një kujtesë dhe as thjesht një informacion për gjeneratat e reja. Ai është diçka më tepër. Është një manual mendimi, është një mënyrë të përjetuari të ekzistencës sonë. Ja pse është e rëndësishme të flasim për të, pikërisht, kur ne shqiptarët kemi nevojë për ta dinamizuar procesin e ndryshimeve tona, për të kundërshtuar atë që na serviret si fati ynë, për të thyer monotoninë dhe qëndrimin në vend “numuro”, për ti dhënë një vrull të ri procesit integrues në vlera të reja demokratike, evropiane e universale njëkohësisht, për të mos pranuar fyerjen e vazhdueshme dhe për të mbrojtur dinjitetin, për të afirmuar koncepte të reja, novatore që vënë në pikëpyetje praktikat boshe dhe modelet e vjetra të ideologjisë dhe demagogjisë sonë.
Por cili ishte ky njeri që 100 vjet pas lindjes së tij na përcjell këtë mesazh moderniteti?
Njeriu që vinte nga Mesdheu
Albert Kamy njohu diellin e Algjerisë dhe jetoi brigjet e Mesdheut. Ai ishte nga ata francezë të vendosur prej kohësh në koloninë e dikurshme franceze, në Algjeri. Ai lindi në vitin 1913, në një familje tepër të thjeshtë, ku njohu kazbanë e Mondovisë dhe pastaj të Algjerit, (Tipasa), dhe ku shumë i vogël mbeti jetim, pa mundur ta njihte fytyrën e atit të tij të vrarë në llogoret e Luftës së Parë Botërore. “Mjerimi më pengoi që të besoja se gjithçka shkonte mirë, – do të shkruante për këtë periudhë të jetës së tij Kamy. – Dielli më mësoi se historia nuk është e gjitha.”
Nëna e tij, Catherine Sintès, me origjinë spanjolle dhe analfabete, punonte në shtëpitë e botës që të mbante me bukë dy fëmijët e saj, Lucienin dhe Albertin. Kamyja kishte një dashuri të jashtëzakonshme për nënën e tij gjysmë të shurdhët, edhe pse ajo s’dinte të lexonte. Ajo drobitej në punë dhe pak bisedonte me birin e saj. Kjo heshtje e saj dhe kjo mungesë komunikimi ndihet në disa nga librat e tij.
I sëmurë nga turbekulozi që në adoleshencë, kjo sëmundje do ta ndiqte Albertin dhe në rininë e tij, duke e penguar më vonë për të patur një jetë si gjithë të tjerët. Pasioni i tij ishte gazetaria, ku filloi që në Algjeri, përmes Alger Republicain, Ce Soir e gazeta e tjera, duke vazhduar më pas me gazetën Combat në Francë, e cila do ta bënte një njeri të njohur të Rezistencës franceze. Që në vitin 1935 ai ishte anëtar i Partisë Komuniste franceze, por në vitin 1937, meqë ai kishte mbrojtur qëndrimet nacionaliste të disa algjerianëve, e cilësuan trockist dhe e përjashtuan nga Partia.
Ardhja në Francë do të përbënte një etapë vendimtare të jetës së tij letrare. Në Paris, ai u vendos së pari në Rue Ravignan, në Montmartre, dhe do të punonte për gazetën Paris-Soir, e më vonë për botimet Gallimard. Më pas, ky djalosh simpatik, me pardesynë e madhe dhe jakën e ngritur, do të binte në sy në lagjen e Saint-Germain-des-Près dhe “Café Flore”, ku rrinin Sartri, romani i të cilit, Neveria e kishte entusiazmuar së tepërmi, dhe Simon de Bovuar. Nëse Sartri në atë kohë lexonte Hegel, Husserl apo Heidegger, Kamy parapëlqente Platonin, Spinozën apo Biblën, edhe pse ishte një ateist. Në sallat e teatrove ai u njoh me një aktore të talentuar, vajzën e një ministri republikan spanjoll të emigruar në Paris, Maria Casares. Edhe pse i divorcuar me gruan e parë, Simone Hié, dhe premtimin që i kishte bërë një të dashure tjetër në Algjer, Francine Faure, se sapo të mbaronte lufta do të martohej me të, ai përsëri ishte nga ata që e pëlqente shoqërinë e femrave.
Gjatë luftës, disa herë Kamyja u kthye në Algjer, ku kishte nënën dhe familjen e tij. Më pas, ai do martohej me Francine-n, e cila erdhi në në Lion e pastaj në Paris. Përjetimi i luftës së çlirimit të Parisit ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme për gazetarin dhe njeriun e Rezistencës, Albert Kamy. Veçse, imazhet e “epuration”, pra e “spastrimit”, e “gjuetisë” kundër shkrimtarëve dhe artistët që kishin bashkëpunuar me qeverinë e Vichy-së, apo “qethja e femrave franceze që kishin bërë dashuri me gjermanët gjatë luftës” e kishin trishtuar pa masë.
Nata e së vërtetës
Albert Kamy nuk do ta braktiste kurrë gazetarinë, profesionin e tij të parë. Aq më tepër gjatë luftës, kur jeta klandestine e shtyu atë drejt shtypit klandestin për të pohuar të vërtetën e asaj lufte, pasi në ndeshjen e madhe midis robërisë dhe lirisë, të vërtetës dhe demagogjisë, ishte në fakt lufta për triumfin e së vërtetës. Disa fotografi të asaj kohe, e tregojnë Kamynë, apo Beauchard, siç ishte pseudonimi i tij atë kohë, mes gazetarëve të tjerë të gazetës Combat, (Beteja), të cilën ai e drejtoi. Eshtë një mjedis i çuditshëm, plot dritë e shpresë, një bashkësi njerëzish që kërkonin t’i përcillnin popullit kurajon dhe shpresën e një të ardhme të afërt. Ai punonte atje, në bodrumet e fshehta të Rue Reaumur, mu në zemër të Parisit; atje ku në prag të lirisë do të përjetonte krismat dhe betejën e vërtetë të çlirimit të kryeqytetit. Një ditë para çlirimit, në natën e vonë, ai kishte shkruar artikullin e njohur Gjaku i lirisë. Në artikujt e tij ai përshëndeste heroizmin dhe gjakun e rënë, triumfin e dritës ndaj errësirës. Në mëngjesin e datës 25 gusht, ditën e çlirimit, parizianët kishin në duar editorialin e tij Nata e së vërtetës, ku ndër të tjera ai shkruante: “Kjo natë vlen sa një botë. Është nata e së vërtetës. E vërteta përmes armëve të luftës, e vërteta që më së fundi shfaqet pas shumë kohe, kur ajo ishte duarbosh dhe me gjoks të zbuluar. Ajo është kudo në këtë natë ku populli dhe topi gjëmojnë njëherësh. Eshtë vetë zëri i këtij populli, i këtij topi, është fytyra triumfuese dhe e lodhur e luftëtarëve të rrugës…Katër vjet më parë, midis rrënimit dhe dëshpërimit, kishte njerëz që u ngritën dhe që pohuan qetësisht se jo gjithçka ishte humbur…Dhe ata e paguan me jetën e tyre!”…
Si vallë mund të ketë qenë ajo ditë e lirisë?…
Por Kamy nxitonte. Ai mendonte gjithnjë për botën e pasluftës. Ja pse në esenë e tij Letër drejtuar një gjermani, ai bënte dallimin mes një gjermani dhe një nazisti. Epoka e pas luftës ishte një epokë e lumtur për Kamynë. Ishte një kohë plot udhëtime dhe histori dashurish: një dashuri me një modiste franceze në SHBA, Regine Junier, (e cila i shkroi se do të vriste veten dhe në fakt e vrau pak më vonë); dashuria me një angleze në Paris, apo me një aktore të talentuar pariziane, Catherine Sellers. Ishin dashuri të rastësishme dhe të përkohshme, përveç Maria Casares, të cilës ai i shkruante: “Ti më përket tërësisht dhe përgjithmonë, ashtu siç pjella i përket nënës së vet.”
Saint-Germain-des-Près jehonte atëherë nga muzika e kabareve ku këndonte Juliette Greco, apo ku i binte trompetës Boris Vian, miku i tij dhe i Sartrit. Nga pikëpamja e ideve, duke u larguar nga komunistët francezë që mbronin stalinistët, ai u afrua me idetë e “Shoqërisë së Hapur”, të Karl Popper në Angli, të shpalosura në librin e tij Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj, ide që ngacmuan dhe mikun e tij Raymond Aron, një nga teoricienët e demokracisë perëndimore. Popper vlerësonte se duhej luftuar kundër gjithë “murtajave” dhe të gjitha llojeve të dhunave. Pra njeriu i jep një kuptim vetvetes duke luftuar padrejtësinë. Lidhur me të ardhmen e Evropës, Kamy ishte në vazhdë të parullës së hedhur më parë nga Hygo për “Shtetet e Bashkuara të Evropës”.
Ndarja me stalinizmin
Është interesante një episod i atyre viteve kur në bulevardin Latour-Maubourg të Parisit, ai takoi një mikun e tij që kthehej nga një mbledhje komunistësh. Atë ditë Kamy i tha:
– Pra ju jeni një komunist tani?
– Po.
– Me një fjalë këtej e tutje ju do të jeni një vrasës.
– I tillë kam qenë dhe më parë, – i ishte përgjigjur ai.
– Edhe unë kam qenë, por tani nuk jam më.
– Por ishit ju ai që më futët në aksionet klandestine.
– Po, por sido që të vijë puna unë do t’u mbroj kundër atyre që nesër do duan t’ju pushkatojnë. Ndërsa ju, ju do të jeni i detyruar ta miratoni pushkatimin tim. Mendohuni!
– Do ta mendoj!… – i ishte përgjigjur miku i tij i luftës.
Në fakt, pas lufte, ngjarjet e dhunës revolucionare kundër disa shkrimtarëve francezë të cilësuar kolaboracionistë, procesi kundër Slansky-it në Pragë, ardhja në pushtet e Godvaldit stalinist, përjashtimi i Jugosllavisë nga “kampi socialist” dhe protesta më pas kundër shtypjes së kryengritjes anti-sovjetike në Budapest, etj, e bënë Albert Kamynë që të revoltohej kundër dhunës dhe diktatit stalinian, ashtu siç ishte revoltuar kundër çdo lloj dhune, siç ishte dhe rasti i ekzekutimit të komunistëve grekë. Ishte pikërisht ai që dha dorëheqjen nga Unesco, kur ajo pranoi në gjirin e saj Spanjën frankiste. Por sidoqoftë, gjithnjë e më tepër ai largohej nga e majta revolucionare edhe pse vazhdonte të ishte kundër të djathtës së gjeneralit De Gaulle.
Dalëngadalë ai u largua dhe nga miqësia e ngushtë me filozofin Sartr dhe gruan e tij Simon de Bovuar. Biografët e Kamysë tregojnë një episod domethënës nga jeta e Kamysë. Në rrethin e tyre letrar e filozofik të mbledhur gjithnjë në lagjen e Saint-Germains-des-Près, ishte dhe shkrimtari i njohur Arthur Koestler, autori i romanit të njohur Zero dhe Infiniti. Një mbrëmje, ata ishin ulur në një kabare ruse dhe po pinin, kur Kostler, një anti-stalinist i hapur, në bisedë e sipër ia hodhi Sartrit gotën e tij, e cila ra në mur. Ata filluan të zihen dhe Sartri iku, por Koestler këmbë e duar e ndoqi pas. Meqë Kamy donte t’i ndante, ai e tërhoqi Koestler-in, por tjetri ia ngjeshi me një grusht turinjve. Kamyja donte ti hidhej, por njerëzit që ishin aty nuk e lanë.
Sartri e mori Kamynë dhe bashkë me Bovuar u futën në makinë, por koka e Albertit të dehur kishte rënë mbi timon. Ai qante duke thënë i dëshpëruar: “Ishte miku im dhe më goditi!” Që nga kjo ngjarje, Kamy do të largohej nga Sartri, i cili ishte më pranë komunistëve edhe pse nuk ishte anëtar i saj.
Përballë ndarjes së botës në dy blloqe dhe një “Lufte të Ftohtë” që kishte filluar, Kamy e ndjeu veten të pafuqishëm për të ndryshuar diçka dhe për të udhëhequr një rrugë të re. Atëherë ai u tërhoq dhe u largua si nga grupi i Sartrit, ashtu edhe nga grupimet e tjera. “Roli im, – shkruante ai atë kohë, – nuk është të transformoj botën dhe as njeriun, por ndoshta tu shërbej disa vlerave pa të cilat nuk ia vlen ta jetosh jetën”.
Ai nuk kishte besim tek partitë dhe ideologjitë e kohës. As tek Revolucioni dhe dhuna e tij. Ai ishte kundër çdo lloj violence, nga cilido krah që të vinte ajo. “Njeriu ka bërë shumë revolucione për të ndryshuar gjëndjen njerëzore të tij, – shkruante ai, – por ai e ka parë se Revolucionet janë tjetërsuar. Sot, për të ruajtur identitetin e tij, njeriut i duhet të sfidojë realitetin ku jeton. Vetëm revolta e mbron atë, pasi ndryshe ai tjetërsohet. Madhështia qëndron tek revolta e pandërprerë dhe sakrifica për të ardhmen”. Kjo është pra kundërvënia ndaj errësirës. Ajo i jep vlerën së vërtetës. I vetmi besim që ai kishte, ishte sindikalizmi. Utopitë për të tashmë kishin vdekur.
Dy miqtë e zemëruar
Në vitet e luftës, Sartri dhe Simon de Bovuar (Simone de Beauvoir) ishin ndër miqtë e ngushtë të Kamysë, i cili sapo ishte vendosur në Paris dhe kishte gjetur punë në shtëpinë botuese “Gallimard”. Botimi i romanit I huaji, (L’Etranger), në vitin 1942, u përshëndet nxehtësisht nga Sartri në një artikull të gjatë në shtypin e kohës. Gjatë luftës, Kamy u përpoq ta afronte Sartrin me organizatën e tij klandestine “Combat”. Atë kohë ai drejtonte gazetën Combat, e cila shpërndahej fshehurazi në popull. Madje një herë, gjatë një kontrolli në metro, kur ishte me të dashurën e tij, aktoren Maria Casares, Kamy u kap nga Gestapo, por dokumentet komprometuese që kishte me vete ai arriti t’ia japë asaj. Dhe fati e shpëtoi.
Ai ishte në Paris kur filloi lufta për çlirimin e Parisit që para se të hynin amerikanët dhe forcat e gjeneralit francez Leclerc. Madje ai i kërkoi mikut të tij Zhan-Pol Sartr (Jean-Paul Sartre) të shkruante një seri reportazhesh nga lufta e Parisit dhe ai botoi në disa numra serialin e tij Tregimet e një kalimtari në Parisin kryengritës. Dhe padyshim, nën peshën e emocioneve, reportazhet e tij mbartnin një art të madh.
Pas lufte, gazeta Combat ishte një nga gazetat më me emër dhe Kamy kishte formulën e famshme të tij: “Një ide, dy shëmbuj dhe tri fletë”. Edhe pse më parë dy modelet e tij ishin Revolucioni francez dhe revolucioni rus i Tetorit, shpejt ai do të largohej nga këto modele. Por krahas gazetarisë Kamy do të vazhdonte shkrimin e veprave të tij, të eseve dhe dramave për teatrin e ri.
Që gjatë luftës, në debatet me Sartrin për të përgatitur “të ardhmen”, ata kishin parasysh që ti propozonin shoqërisë një filozofi të re, një vështrim të ri të botës dhe marrëdhënieve njerëzore, një optikë të re mbi shtetin, kapitalin dhe sindikalizmin puntor. Ja pse Kamy u bashkua me lançimin e revistës së re Kohët Moderne, (Les Temps Modernes), ku ai do të bënte pjesë dhe në komitetin drejtues. Në fakt, edhe pse kishin pikëpamje të përafërta, (dhe deri diku në fillim, Kamy ishte i afërt me filozofinë e ekzistencializmit), më vonë Kamy përpunoi filozofinë e tij, atë të absurdit dhe të njeriut të revoltuar, çka e shkëputi nga ekzistencializmi i Sartrit. Madje shumë herë në intervista, ai do ta theksonte se filozofia e tij e absurdit nuk kishte të bënte me nocionet filozofike të Sartrit. Por botimi i esesë Njeriu i revoltuar, (L’Homme revolté), do të shënonte ndarjen mes dy miqve dhe personaliteteve më në zë të mendimit intelektual francez dhe evropian të gjysmës së dytë të shekullit XX. Në një shkrim të revistës Kohët Moderne, një bashkëpuntor i Sartrit e kritikoi veprën e tij, por meqë kjo revistë drejtohej nga Sartri, Kamy e mori si një sulm të drejtpërdrejtë nga miku i tij. Kjo gjë e hidhëroi tepër, edhe pse shumë herë, ngjarjet dramatike të kohës i afronin ata në të njëjtën llogore: kundër diktaturave, stalinizmit, militarizmit dhe luftës, kundër kolonializmit.
Sidoqoftë, debati i tij me Sartrin dhe André Bretonin do të vazhdonte si një debat publik përgjatë një viti. Sartri dhe Bretoni e akuzonin atë se ishte bërë anti-komunist dhe se kishte rënë prehë e “vlerave borgjeze”. Por në fakt, lufta e Kamysë ishte për rolin e shkrimtarit dhe artistit në shoqërinë e re. Në mitingun ndërkombëtar të shkrimtarëve në Paris, ai u ngrit në sallën Pleyel, duke thënë se “nuk është lufta ajo që na bën artistë, por është arti që na bën luftëtarë”. “Ne, – tha Kamy, – jetojmë në një kohë kur njerëz të shtyrë nga ideologji mediokre dhe përbindëshe, mësohen të kenë turp: turp të jenë të lumtur, të dashurohen, të krijojnë…Fatkeqësia është se ne jetojmë në kohrat e ideologjive dhe të ideologjive totalitare, të sigurta në arsyen e tyre idiote apo të “vërtetën” dritëshkurtër dhe që e shohin shpëtimin e botës veçse nën dominimin e tyre…Por vepra e artit e mohon diktatin e ideologjisë. Një nga kuptimet e historisë së nesërme është lufta që tashmë ka filluar midis fitimtarëve dhe artistëve…”
Kamy e kishte zgjedhur prej kohe llogoren e tij…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura