Mësimet e gjuhës shqipe filluan në Miçigen
Një thesar kombëtar për fëmijët shqiptarë në mërgim
Nga Gjekë Gjonaj
Dikur në Malësi thuhej: “Fëmija merr gjuhën e nënës.” Kjo mund të jetë sepse nëna e tij i këndonte që në djep; ndoshta sepse nëna e tij e ushqente dhe i qëndronte më afër gjatë fazave të rritjes. Unë besoj se nënat janë ato që duhet të kuptojnë se nëse fëmijët humbasin gjuhën e tyre, atëherë humbasin veten, identitetin e tyre dhe kështu do të shndërrohen në qenie pa drejtim. Nëse dikush nuk e di nga vjen, as nuk e di se ku do të shkojë. Nëse dikush harron gjuhën e nënës së tij, çfarëdo drejtimi që zgjedh në jetë, do të jetë i pasigurt, ai gjithmonë do të jetë i çalë, sepse do të shkëputet nga rrënjët e tij. Fëmijët e vegjël nuk e dinë këtë. Prandaj është detyrë e prindërve, të jenë më të kujdesshëm dhe të fortë në ruajtjen e gjuhës, si elementi më i rëndësishëm që përcjell krenari dhe përkatësi kombëtare.
Ruajtja e gjuhës shqipe tek fëmijët shqiptarë, veçanërisht tek ata fëmijë që kanë lindur dhe po rriten larg atdheut të tyre është një amanet që e gjejmë në vargjet e Homerit shqiptar Atë Gjergj Fishtës:
…Pra mallkue njai bir Shqyptari,
Qi këtë gjuhë të Perëndis’,
Trashëgim na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis’,…
Mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në diasporë është përmbushja e amanetit që lanë të parët tanë për ruajtjen dhe zhvillimin e saj ndër breza, e ndër vende të huaja.
Një ngjarje e veçantë për shqiptarët që jetojnë në Detroit është fillimi i mësimeve të gjuhës shqipe pak ditë më parë në Miçigen dhe qytetet përreth, të organizuara nga Shoqata “Jehona e Malësisë”. Ky është lajm mbi të gjitha lajmet , për shkak të rëndësisë dhe vështirësisë së mësimit të gjuhës amtare të fëmijëve shqiptarë në mërgim.
Fillimi i mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar që kanë lindur dhe jetojnë atje , u solli gëzim disa prej tyre, së bashku me prindërit dhe mësuesit, por edhe të gjithë atyre shqiptarëve që janë krenarë për origjinën e tyre dhe janë të vetëdijshëm se ruajtja e gjuhës është një detyrim moral dhe kombëtar për të gjithë.
Kur fëmijët hynë për herë të parë në klasë, në zyrën e Shoqatës “ Jehona e Malësisë” u njoftuan me mësimdhënësit e tyre, të cilët i pritën me buzëqeshje dhe fjalë të mira duke pritur me padurim një ditë të re , e cila hapi një faqe të re për ta, në mënyrë që edhe ata të mund të mësojnë gjuhën e tyre amtare. Prindërit që i përcollën deri te dera ndiheshin ndryshe nga ditët e tjera.
Ky fakt duhet t’i motivojë jo vetëm këta prindër që t’i dërgojnë fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe , por edhe shumë prindër të tjerë , fëmijët e të cilëve kanë lindur dhe janë rrirtur larg atdheut. Shkrimtari i njohur shqiptar Sami Frashëri me të drejtë ka thënë:
“ Shenja e kombit është gjuha.
Kur një komb e humb gjuhën,
ai humb edhe veten”.
Kryetari i Shoqtës “Jehona e Malësisë” Agron Dedivanaj deklaroi se se me rritjen e brezave të rinj të komunitetit shqiptar jashtë vendit, një grup vullnetarësh, dashamirës të gjuhës shqipe të shoqatës sonë, pas disa përpjekjeve dhe takimeve me prindërit shqiptarë, panë se është e nevojshme të institucionalizohet dashuria për gjuhën dhe të ketë një formë të organizuar të mësimdhënies së rregullt me një plan dhe program didaktik. Kurrikula , shton ai, është hartuar me metoda bashkëkohore , praktike dhe argëtuese, ndërsa orët e gjuhës shqipe, përfshijnë tregime, poezi patriotike, dialogë, lojëra gjuhësore, e video edukative, të cilat e pasurojnë procesin e të nxënit ( mësimit).
“ Qëllimi është që çdo fëmijë shqiptarë të ketë mundësinë të mësojë në mënyrë të pavarur të flasë dhe të shkruajë gjuhën shqipe, në përputhje me normat drejtshkrimore. Ky është një akt dashurie për gjuhën dhe kombin, por edhe për brezat e ardhshëm”, tha Dedivanaj. Sipas tij, interesimi i prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre në klasat e gjuhës shqipe është i lakmueshëm që në ditët e para. “Interesimi i fëmijëve është shumë i lartë, gjë që tregon motivim, dëshirë dhe kuriozitet të madhë për të mësuar gjuhën tonë kombëtare. Entuziazmi i tyre reflektohet edhe në komentet e sinqerta që marrim nga nxënësit. Një vajzë pas përfundimit të orës mësimore tha: “Mësimi ishte shumë i shkurtër, do të doja të ishte shumë më i gjatë.”
Ky reagim tregon qartë vlerën e madhe që ka ky proces arsimor për fëmijët dhe na kujton se, si një thesar i vlefshëm , rezultatet e tij do të shihen edhe më plotësisht në të ardhmen. “Deri më tani kemi 107 nxënës të shpërndarë në 5 klasa të ndryshme. Profesorët po bëjnë caktimin përfundimtar të nxënësve, me qëllim hapjen e klasës së gjashtë, e cila do t’u kushtohet nxënësve me njohuri më të avancuara të gjuhës shqipe”, thotë Dedivanaj.
Falënderime të veçanta, shton Dedivanaj, u takojnë profesorëve, Elvira Shkëmbi, Kanto Dushaj, Shaqe Berishaj dhe Kolë Dedivanaj, kontributi, profesionalizmi dhe përkushtimi i të cilëve, në zhvillimin e mësimeve, përfaqësojnë një vlerë të rëndësishme për ruajtjen dhe përmirësimin e gjuhës shqipe. Mirënjohje u shpreh edhe prindërve, të cilët me mbështetjen dhe përkushtimin e tyre, i motivojnë fëmijët e tyre të vazhdojnë të mësojnë gjuhën shqipe .
Fillimi i mësimdhënies në gjuhën amtare të fëmijëve që jetojnë në mërgim dhe rriten në një mjedis shumëgjuhësh, siç është Amerika,ku në shtëpi flasin shqip, ndërsa në shkollë një gjuhë joamtare , përfaqëson një pasuri dhe vlerë të pamohueshme kombëtare për brezin e ri . Një fëmijë në moshë shkollore që di shqip, kur është në mërgim , ruan edhe edhe identitetin e vet. Nëse nuk e di gjuhën shqipe, si mund të quhet shqiptar?
Na mbetet vetëm të shpresojmë që bashkatdhetarët tanë, kudo që janë në mërgim. do të kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe se do të bashkohen për të ndihmuar fëmijët të vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe duke hapur klasa të reja. Gjithçka për shkollën shqipe në diasporë , sepse ajo nderon dhe ngre vetëdijen si komb!