MAGNA CARTA LIBERTATUM  – KARTA E MADHE E LIRISË E VITIT 1215

Great Charter or Great Charter of Freedoms To no one will we sell, or deny, or delay, right or justice. [40]

MAGNA CARTA LIBERTATUM  – KARTA E MADHE E LIRISË E VITIT 1215

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 21 shkurt 2022

Magna Carta Libertatum (angl. The Great Charter – Karta e madhe e lirisë) është një dokument të cilin nën kanosjen me armë të bujarisë angleze, e miratoi më 15 qershor 1215, mbreti i Anglisë Gjoni, i njohur si I pa Tokë (John Locklande). 

Me Marrëveshja e paqes të lidhur midis mbretit të Anglisë, Gjonit, të mbiquajtur I pa Tokë (John Locklande, King of England, 1166-1216) dhe papës Inoçenti III (Inocentius III, rreth 1161-1216) Anglia u bë feud i papës, ndërsa mbreti i Anglisë – vasal i tij. Kjo marrëveshje, disfatat që i pësoi mbreti Gjon në Francë, duke i humbur të gjitha pronat e veta, si dhe mënyra brutale e sundimit të tij, e shtynë bujarinë angleze të ngrihet në kryengritje.

Si pasojë e zhvillimeve të sipërthëna, mbreti Gjon u detyrua të lidhë me kundërshtarët e vet marrëveshjen, të njohur në histori si  Karta e madhe e lirisë, me të cilën i pranonte kushtet që e kufizonin pushtetin e tij, i jepnin favore të caktuara bujarisë, ndërsa njerëzit e lirë fitonin garanci të caktuara se sot e tutje nuk do të ketë veprime mbretërore arbitrare.

 Marrëveshja apo Magna Carta Libertatum (Karta e madhe e lirisë) u hartua në Bibliotekën Britanike, Kështjella Linkoln (Lincoln), Katedralja në Salisbury. Autorë apo palë të marrëveshjes ishin mbreti i Anglisë, Gjoni, i njohur si I pa Tokë, kardinali anglez i Kishës Katolike të Romës dhe argjipshkv në Kanterberi (Canterbury), Stivën Langton (Stephen Langton, 1150-1228), si dhe baronët e mbretërisë,  

Karta e madhe e lirisë konfirmonte rëndësinë parimeve të vënies së pushtetit mbretëror në korniza të ligjit. Karta e ka formën e marrëveshjes dypalëshe ndërmjet mbretit dhe bujarisë. Sipas saj, bujaria u sigurua nga imponimi i detyrimeve tatimore të reja, për arsye se për tatimet e reja u autorizua Këshilli i përgjithshëm. Kisha fitoi lirinë e zgjedhjes së peshkopëve të rinj, ndërsa shtetasve iu dha garancia se mund të arrestohen dhe të dënohen vetëm me vendimin e gjykatës porotnikëve.

Karta e madhe e lirisë konsiderohet i pari ligj kushtetues i shkruar i Anglisë dhe në përgjithësi, i pari akt i shkruar kushtetues në botë, sidomos nga shkaku se kryengritjen e bujarisë dhe lidhjen e Kartës e kanë mbështetur edhe shtresat e tjera të popullit. Po ashtu konsiderohet dokument që garanton liritë e njeriut dhe sundimin e ligjit

Gjoni në të vërtetë, kurrë nuk e ka pranuar Kartën dhe këtë e dëshmon edhe fakti se ai kurrë nuk e nënshkroi atë, por vetëm e vërtetoi me vulën e vet. Mosrespektimi i Kartës nga mbreti si dhe shpallja e saj nga papa si e pavlefshme, e sollën Anglinë në luftë civile (Lufta e parë e baronëve).

*   *   *

Magna Carta Libertatum, e shkruar në gjuhën latine, nuk duhej të ishte në tonin e parimeve aq të lartësuara. Qëllimi i hartimit të këtij dokumenti ka qenë i drejtpërdrejtë dhe praktik – një marrëveshje paqeje midis mbretit dhe 25 baronëve, të cilët u rebeluan kundër tatimeve.

Magna Carta Libertatum u shkrua gjatë sundimit të mbretit të Anglisë, të cilin historia e kujton si njërin prej sundimtarëve më të këqij. Mbreti Gjon (John), nuk është në mend për të mirë, por për vepra të liga, siç janë, përpos tjerash, edhe burgosja e gruas, shkaktimi i vdekjes së kundërshtarit nëpërmjet urisë dhe vrasja e të afërmit. Për t’i financuar luftërat e shtrenjta, arkëtonte tatime të larta dhe i konfiskonte pronat. Përkundër kësaj, nuk ia doli të kthente pjesë të caktuara të mbretërisë së vet.

Pyetjes, nëse mbreti Gjon (John) ka qenë aq i keq siç është folur, Profesor Nikolas Vinsent (Nicholas Vincent, 1962-) i University of East Anglia, i është përgjigjur: ka qenë shumë më i keq se aq

Gjashtëdhjetë ditë pas publikimit të dokumentit, mbreti Gjon (John) ka tentuar ta asgjësojë. Dy muaj pas njohjes së Magna Carta Libertatum, mbreti Gjon (John) e ka pyetur papën nëse mund ta anulojë atë, por ai i është përgjigjur se një gjë e tillë do të ishte akt ilegal, i padrejtë dhe i turpshëm për popullin anglez.

Djali i mbretit Gjon (John), Henriku III (Henry III of England, 1207-1272)e ka zyrtarizuar Magna Carta Libertatum me emrin e vet. Henriku III e ka trashëguar fronin pas vdekjes së babait – Gjonit (John), në vitin 1216, ndërsa në vitin 1225 e ka zyrtarizuar versionin e saj përfundimtar.

Pjesët më të rëndësishme të saj, edhe sot janë pjesë e ligjit anglez.

Magna Carta Libertatum ka 3.550 fjalë. Kapitujt më të njohur të dokumentit janë klauzolat 39 dhe 40. Me to janë krijuar parimet juridike themelore: as mbreti vetë, nuk është mbi ligjin.

Po ashtu janë përcaktuar edhe të drejtat personale themelore të cilat garantojnë drejtësi për të gjithë, përfshi edhe të drejtën për gjykim të ndershëm

Magna Carta Libertatum përmban përcaktorët që bazohen në marrëveshje politike.

Në tekst janë kapitujt që kanë të bëjnë me mënjanimin e rrjetave të gjuetisë nga lumi Temza si dhe me faktin se lundrimi nëpër lum u lejohet të gjithë tregtarëve, përveç në kohë luftërash.

Profesori Ser Robert Vorçëstër (Robert Milton Worcester, 1933-) i cili e kryesonte Komemoracionin me rastin e 800-vjetorit të zyrtarizimit të Magna Carta Libertatum (Karta e madhe e lirisë) thotë se këto klaozola, në të vërtetë janë akt i pranimit të kërkesave të baronëve.   

Magna Carta Libertatum sot është më i rëndësishëm se dikur. Madje edhe dramaturgu dhe poeti anglez, Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616), këtë dokument s’e ka përmendur dot në veprën e vet “Jeta dhe vdekja e mbretit Gjon”.

Më vonë, liderët botërorë e konstatojnë vlerën simbolike të këtij dokumenti, e kjo është liria.

Presidenti i tretë i ShBA-së, njëri prej autorëve të Deklaratës së pavarësisë, Tomas Xheferson (Thomas Jefferson, 1743-1826) në Deklaratën e pavarësisë ka përfshirë koncepte të caktuara Magna çarta, ndërsa prijësi i nacionalizmit indian, Mahtma Gandi (Mahtma Gandhi, 1869-1948), në vitin 1924 ka cituar pjesën për pabarazinë racore.

Sot ekzistojnë katër kopje të versionit burimor të vitit 1215.

Historia e Magna Carta Libertatum është aq e gjatë dhe e ndërlikuar, saqë ndonjëherë edhe kryeministrat nuk mund ta kuptojnë drejt.

*   *   *

Me Kartën e madhe të lirisë është kufizuar pushteti i monarkut, ndërsa njerëzit e thjeshtë, kanë fituar të drejta. Me këtë kanë filluar të zhvillohen idetë për liri dhe demokraci. Kjo kartë ka qenë shembull për hartimin e deklaratave të tjera, më të mira. Kjo deklaratë është bazë e Deklaratës universale për të drejtat e njeriut.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura