MASAKRA NË BURGUN E DUBRAVËS 19 – 24 MAJ 1999 (II)

(Pashtriku.org, 19. 05. 2012) – Masakrën serbe në Burgun e Dubravës më 19-24 maj 1999, e ka disajnuar dhe udhëhequr Miki Vidiq, komandant i Burgut të Dubravës dhe Aleksandër Rakoçeviq, drejtor i Burgut të Dubravës, të ndihmuar nga: Mbikëqyrësi i quajtur Branko (personi i cili e mori nga pavijoni Ukshin Hotin me 16 Maj); Zhivkoviq Zharko (zëvendës drejtor) dhe Zhivkoviq Dragan (i quajtur “Kasap”), pjesëmarrës i njohur në krimet serbe në Bosnje. Këta zyrtarë, për realizimin e skenarit të masakrës, në Burgun e Dubravës paraprakisht sollën kriminelë serbë, të dënuar për krime të llahtarshme, të gatshëm për të pirë gjak shqiptari, me çka do të shlyenin dënimet dhe do të rehabilitoheshin në shoqërinë serbe.
Vërtet, retë mbi Burgun e Dubravës nisën nga fillimi i vitit 1997, kur në Kosovë ndodhi një varg arrestimesh me goditje të drejtpërdrejta në strukturat e UÇK-së. UDB-ja dhe ushtria jugosllave synonin që më këto goditje të dobësonin, apo të asgjësonin në tërësi forcën ushtarake dhe politike UÇK, e cila në programin politik dhe në doktrinën ushtarake kishte çlirimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare, me mjete tjera nga ato që trumbetoheshin në ato vite nga partitë dhe lëvizjet pacifiste shqiptare të kohës. Burgjet hetuese në Kosovë thuajse ishin të stërmbushura nga këto arrestime dhe në çdo qeli të këtyre burgjeve kishte ,,terroristë’’ të pathyeshëm në rrugën jetësore çlirimtare të tyre.
Realisht, pas dënimit të tri grupeve, më 1997, pushtuesi serb sikur planifikonte që burgjet hetuese t’i mbushte me ,,terroristë’’ të rinj. Në fillim të vitit 1998 nga Burgu Hetues i Qarkut të Prishtinës transferohet në Burgun e Dubravës një grup i të dënuarve politikë. Në shikim të parë dukej se nuk po ndodhte asgjë e jashtëzakonshme, mirëpo më vonë u kuptua se aty synohej një grumbullim i madh i të gjithë të burgosurve politikë me autoritet dhe me ndikim në radhët e masave shqiptare.

SHIKONI FOTOGRAFI TJERA NGA MASAKRA NË BURGUN E DUBRAVËS!

https://pashtriku.org/?kat=48&id=17

__________________________________

Nga kjo kohë në Burgun e Dubravës ndodheshin në vuajtje të dënimit shumë të burgosur politikë të ndarë nëpër pavijone. Midis këtyre ndodheshin shumë figura të shquara – veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare të cilët për veprimtari politike patriotike ishin dënuar disa herë më dënime drakonike. Me këta do të solidarizohen politikisht edhe një numër të burgosurish ordinerë.
Zgjerimi i luftës së UÇK-së e sidomos Ndeshja ballore në Likashan, më 28 shkurt dhe Epopeja e UÇK-së në Prakaz, më 5-7 mars 1998, ndryshoi shumë çka, jo vetëm në planin kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar. Tashti u pa se edhe pushteti serb po i ndërronte planet dhe po përgatitej të ballafaqohej më një situatë tjetër nga ajo që kishte menduar. Me një vendim të Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë, më 29 dhe 30 prill 1998, u bë ritransferimi nga Burgu i Dubravës në burgjet serbe i të gjithë të burgosurve politikë, me arsyetimin, sa qesharak aq edhe ironik – kinse ,,për shkaqe sigurie…’’!?! Ky transferim fillimisht u bë në dy burgje, pikërisht në Kazamatin e Nishit dhe në Kazamatin e Mitrovicës së Sremit.
Realisht, pas transferimit të të burgosurve politikë nëpër burgjet serbe, nuk vonoj edhe shumë dhe i larguan edhe të gjithë të burgosurit tjerë që ishin të dënuar për vepra ordinere. Të gjithë u dërguan nëpër burgje të ndryeshme të Serbisë. Burgu i Dubravës tani ishte i liruar nga të burgosurit, mirëpo aty tashti po ndodhte diçka e paprecedentë. Zhvillimi i Luftës së UÇK-së po kalonte në një fazë të re. Përhapja dhe shtrirja e saj ishte më se evidente, andaj edhe serbët po merrnin masa të reja shtesë për të goditur jo vetëm UÇK-në dhe bartësit e organizimit të kësaj lufte, por edhe mbi popullatën civile, si ndëshkim, duke zbatuar strategjinë e Tokës shqiptare të djegur.
Në rrethana të tilla, objektet e Burgut të Dubravës në këtë drejtim po shndërroheshin në një bazë ushtarake e paramilitare institucionale serbe shumë të rëndësishme për operacionet ndëshkuese që po ndërmerrte komanda supreme ushtarake dhe policore serbe për Rrafshin e Dukagjinit dhe më gjerë. Në objektet e burgut dhe përreth pushtuesi serb përqendroi një arsenal të madh luftarak, me të cilin operonte kundër UÇK-së dhe popullatës civile.
Të burgosurit shqiptarë politikë dhe ordinerë edhe pse ishin dërguar nëpër burgjet serbe jashtë zonës së luftës, për gjoja “çështje sigurie”, nuk ishin kurrë të sigurt, sepse serbët e shumtë që merrnin pjesë në luftën që po zhvillohej në Kosovë, shpesh u vinin dhe i “vizitonin”, e sidomos kur pësonin humbje në frontin e luftës. Thjeshtë, shqiptarët në burgjet serbe nuk ishin të burgosur, ishin pengje të luftës, dhe mbi ta ushtrohej dhuna serbe tradicionale sa herë që serbët donin ta demonstronin ,,fuqinë’’ e shtetit policor e ushtarak milosheviçian. Për të burgosurit shqiptarë burgu tashti ishte kamp i shfarosjes dhe asgjë tjetër, pasi që të drejtat që mund t’i gëzonte një i burgosur për ta kishin pushuar së ekzistuari.
Fillimi i bombardimeve të NATO-së, më 24 mars 1999, pengjet shqiptare i gjeti gati në të gjitha kazamatet serbe dhe në kushte mjaft të vështira. Autoritetet e këtyre burgjeve më përpikëri u përmbaheshin udhëzimeve nga lartë dhe zbatonin planet antishqiptare në nivele të shtetit që ishin bërë qysh më herët. Për çudi, të burgosurit shqiptarë, kur nuk mund të mendonin fare për përgatitjen e mynxyrës së Burgut të Dubravës. Më 26 prill 1999 u bë kthimi i të burgosurve shqiptarë nga Kazamati i Mitrovicës së Sremit në Kazamatin e Nishit, i cili, për shqiptarët, i tejkalonte edhe kampet më të këqija naziste.
Në Burgun e Nishit i mbajtën vetëm tri ditë dhe ndaj të burgosurve shqiptarë këtu tashti do të zbatohej një dhunë shumë e shfrenuar, që nuk kurseu askënd. Plak apo i ri, i sëmur apo invalid, i mundur apo i pamundur, të gjithë jetuan një katrahurë të papërshkrueshme.
Nga Kazamati i Nishit, më 29 prill 1999, të mbërthyer më hekura dhe varganë, më një përcjellje të veçantë, të burgosurit shqiptarë i trusen në autobusë dhe i nisën për në Kosovë. Në një moment, pikërisht në mes të fshatit Llapushnik dhe Arllat të Drenicës, një autoblindë e ushtrisë serbe hyri në mes të dy autobusëve të fundit në kolonë dhe atë e goditi një aeroplan i NATO-s. U shkatërrua autoblinda dhe u vranë ushtarët serbë që u gjendën brenda. Ushtarë dhe paramilitarë serbë që kishin qenë në pozicione për rreth rrugës, të tmerruar dhe të mllefosur për humbjet që pësoi makineria ushtarake serbe, tentuan që më çdo kusht të hakmerreshin më vrasjen e disa pengjeve shqiptarë që gjendeshin në autobusë të lidhur këmbë e duar.
Kërkesës për hakmarrje gardianët shoqërues iu përgjigjën: “E kemi një urdhër nga Milosheviqi që këta të burgosur duhet më çdo kusht t’i dërgojmë në numër të caktuar në një vend”. Së fundi, paramilitarët e frustruar iu bindën logjikës ushtarake, e kuptuan se kishte një urdhër nga lartë dhe se atë urdhër duhej respektuar edhe pse e dëshironin hakmarrjen këmbadoras edhe ndaj të pamundurve. Shqiptari, ushtari i UÇK-së dhe ushtari i NATO-s për ata tashti ishin një dhe barabartë të urryer.
Të burgosurit shqiptarë nga Kazamati i Mitrovicës së Sremit dhe Kazamati i Nishit pas një viti, përsëri, u gjetën në Burgun e Dubravës, por nuk mund ta merrnin me mend se çka po përgatitej, në të vërtetë, për jetën dhe për fatin e tyre. Më 30 prill 1999, në Burgun e Dubravës i sollën të burgosurit nga Prizreni, Lypjani dhe Gjilani, kurse pas dy ditësh, më 2 maj 1999, i sollën të burgosurit nga Prokupla dhe Vraja. Në këtë burg, kohë më parë, ishte sjellë një pjesë e të burgosurve ordiner shqiptarë nga burgjet e ndryshme dhe aty ishte një pjesë e të burgosurve që ishin gjatë kohë në një pavijon, i cili ishte për nga mbikëqyrja më i veçantë. Vazhdimi i grumbullimit të të burgosurve dhe të pengjeve në këtë kamp tashti do të vazhdojë për çdo ditë, duke i sjellë herë nga burgjet hetuese, herë të arrestuarit në qytetet dhe në fshatrat nën shtetrrethimin ushtarak dhe policor. Më 18 maj 1999 i sollën edhe 155 civilë nga Gjakova, që ishin arrestuar apo ishin marrë me dhunë nga shtëpitë e tyre.
Sipas informatave të tërthorta, numri i të burgosurve shqiptarë – pengje të luftës në Burgun e Dubravës tashti arriti mbi 950 veta, ndaj të të cilëve zbatohej keqtrajtimi dhe dhuna e paparë. Mirëpo, në këso rrethanash ndodhi një përjashtim i papritur. Të burgosurit pritnin me padurim ditën e 17 majit 1999, kur do t’i skadonte afati i burgut profesor Mr.Ukshin Hotit, ndërsa Ai do të merret nga burgu, pa pritur, një ditë më parë, më 16 maj 1999, “lirim” i pazakonshëm në praktikën e burgjeve serbo-sllave dhe veçanërisht për rrethanat e Luftës në Kosovës. Pas marrjes së Profesor Hotit, zhvillimet vazhduan rrugëtimin e zakonshëm deri në gjakderdhjen e llahtarshme të 19 – 24 majit 1999. Më 16, 17 dhe 18 maj 1999 u “liruan” nga burgu edhe tre veta, nga të cilët njëri u ekzekutua në afërsi të burgut, njëri është gjetur i ekzekutuar pas Luftës dhe i treti mbahet për i “zhdukur”.
Sipas njohurive tona, Masakrën serbe në Burgun e Dubravës më 19-24 maj 1999, e ka disajnuar dhe udhëhequr Miki Vidiq, komandant i Burgut të Dubravës dhe Aleksandër Rakoçeviq, drejtor i Burgut të Dubravës, të ndihmuar nga: Mbikëqyrësi i quajtur Branko (personi i cili e mori nga pavijoni Ukshin Hotin me 16 Maj); Zhivkoviq Zharko (zëvendës drejtor) dhe Zhivkoviq Dragan (i quajtur “Kasap”), pjesëmarrës i njohur në krimet serbe në Bosnje. Këta zyrtarë, për realizimin e skenarit të masakrës, në Burgun e Dubravës paraprakisht sollën kriminelë serbë, të dënuar për krime të llahtarshme, të gatshëm për të pirë gjak shqiptari, me çka do të shlyenin dënimet dhe do të rehabilitoheshin në shoqërinë serbe.
Deri në prag të filleve të Masakrës serbe të burgosurit ishin të vendosur në katër pavijone: C1, C2, B2 dhe në Pavijonin Pranues, në kushte jetësore të pa imagjinueshme të rënda. Makineria ushtarake serbe i kishte bërë me përpikëri llogaritë, duke qenë e sigurt se kishte ardhur koha që NATO-ja t’i bombardojë edhe objektet e burgut, meqë kishte informata paraprake se ai ishte kthyer në bazë ushtarake. Ndërkohë ishin tërhequr “paramilitarët” dhe në vend të tyre ishin kthyer të burgosurit shqiptarë. Logjistika e NATO-s, si duket, nuk u besoi informative nga logjistika e UÇK-së – për kthimin e të burgosurve shqiptarë në ambientet e Burgut të Dubravës.
Më 19 maj 1999, diku nga gjysma e ditës, flota ajrore e NATO-s bombardoi objektet e burgut – dy pavijone brenda mureve dhe disa jashtë tyre, si dhe drejtorinë e burgut, etj. Pavijoni C1, që ishte përplot me të burgosur, goditet me 4 projektile. Pas pak çastesh qëllohet edhe pavijoni B3, por këtu nuk kishte të burgosur, ngase tashti ai përdorej si depo. Gardianët kishin ikur sapo kishte filluar bombardimi, kurse të burgosurit në pavijonet C1 dhe B2 ishin të mbyllur. Vetëm të burgosurit në pavijonit C2 kishin një tretman më të veçantë, ishin kryesisht të burgosur ordinerë. Të burgosurit që përjetuan krimin në pavijonin C1, do të përpiqen për t’i thyer grilat, por pa sukses. Ballafaqimi me mundësinë e vdekjes, solli një panik i cili vështirë përballohej. Brenda në gërmadhë kishte të plagosur të ngujuar, të cilëve askush nuk mund t’ju ndihmonte.
Në këto momente të rënda, kur s’dihej se çka po ndodhte, të burgosurit ordinerë nga C2-shi u organizuan për t’i hapur dyert e dhomave me forcë, duke nxjerrë, kështu, nga gërmadhat të plagosurit dhe të vdekurit, fillimisht në pavijonin C1 e pastaj në B2. Pasi të gjithë dolën në oborrin e burgut, u konstatua se në pavijonin C1 kishin mbetur të vrarë tre të burgosur dhe nëntëmbëdhjetë ishin plagosur, prej të cilëve tre shumë rëndë. Njëri vdiq në spitalin e Pejës.
Pas dy orësh, nga dera e hyrjes së burgut, hynë ca gardianë të armatosur. Me ta ishte edhe një i burgosur ordiner serb nga burgu i Nishit me rrobe të burgut dhe me armë në duar. Gardianët fillimisht i urdhëruan të bëheshin reshtë të burgosurit dhe tani dhanë urdhër të hynin brenda. Nga sjellja e tyre dhe zhvillimet e reja u pa se udhëheqja e burgut mezi kishte pritur aktin e bombardimeve të pritura, për të trumbetuar para opinionit ndërkombëtarë, se: “…ja ç’ krime bën NATO-ja, duke bombarduar edhe burgjet dhe të burgosurit e mbrojtur me ligjet ndërkombëtare të Luftës…!?!”
Që pompoziteti i propagandës serbe milosheviqiane antinato, njëkohësisht dhe antiuçëkë të jetë sa më i besueshëm, pa vonuar, bashkë me gjithë stafin e burgut, hynë edhe mantilëbardhë (me gjasë oficerë ushtarakë) dhe gazetarë të mediave të shkruara dhe elektronike. Vërtet, Serbia nuk pati rast më të mirë, për tu tërhequr si humane para botës!?! Askush nga blic “vizitorët” nuk u mor me fatin e të plagosurve. Bënë incizime dhe fotografime të pamjeve të kurdisura dhe shkuan. Logjistika e UÇK-së pa vonuar reagoi dhe ia tërhoqi vërejtjen komandës së fluturimeve të flotës ajrore të NATO-s, se makineria ushtarake serbe e kishte hedhur në kurth. Mirëpo, do të ndodh diçka që duhej të përgjigjej dikush nga radhët e logjistikes së NATO-s.
Vërtet, të nesërmen, më 20 maj 1999, mbizotëroi heshtja, shqetësimi dhe ankthi para të panjohurës, kurse më 21 maj, prapë, projektilë të fuqishëm fillimisht do të godasin ndërtesat jashtë mureve të burgut. Në vazhdim, për çudi, cak i sulmeve do të bëhen edhe objektet vitale brenda mureve të burgut. Së pari qëllohet mensa dhe vriten e lëndohen dhjetëra të burgosur. Bombardimi vazhdoi me ndërprerje të herëpashershme, deri në mbrëmje. Të burgosurit, pa shtegdalje tjetër, do të tubohen në një hapësirë të ngushtë katërkëndëshe, mes këtyre objekteve: mensës, ambulantes, pavijonit të pranimit, shkollës, sallës së sporteve, shtëpisë së kulturës, pavijonit B3 dhe B2. Gjatë kësaj kohe, një projektil bie afër shtëpisë së kulturës, nga e cila goditje prapë e gjejnë vdekjen dhe u plagosën shumë të burgosur.
Duke parë rrezikun brenda hapësirës së këtij katërkëndëshi, të burgosurit do të largohen nga ndërtesat. Vendi më i përshtatshëm dukej fusha e sportit nën qiell të hapur. Disa të burgosur do të futen në puseta, apo edhe diku tjetër, ku mendonin se do të ishin më të sigurt. Në këtë ditë tragjike, ku goditet, pothuaj, çdo objekt i burgut, vdiqën 19 të burgosur dhe u plagosën 32 të tjerë.
Pjesa më e madhe e të burgosurve, natën e 21/22 majit 1999, do ta kalojnë nën qiell të hapur. Të nesërmen, diku rreth orës pesë të mëngjesit, të burgosurit urdhërohen të rreshtoheshin për dy, kinse do t’i transferonin në Burgun e Nishit. Tani, sipas urdhrit, të burgosurit formuan rreshtin për katër. Ishte llogaritur se me këtë rresht, efekti i ekzekutimit do të ishte më i madh. Dhe, ende pa u rreshtuar mirë, shpërtheu një breshëri gjuajtjesh me automatikë, snajperë, minahedhës, bomba dore dhe mitraloza. Ploja e 22 majit 1999 zgjati pak minuta të llahtarshëm. Në këtë plojë ranë martirë mbi 60-80 veta dhe rreth 200 të tjerë u plagosen rendë e lehtë.
Meqë të burgosurit, pengje shqiptare për kusuritjen me NATO-n dhe me UÇK-në, nuk kishin kah t’ia mbanin, u grumbulluan brenda dhe jashtë ndërtesës së mensës dhe të ambulancës, ku mendonim se ishin më pak të ekspozuar. Në ambulancë e sollën edhe ndonjë të plagosur, por ky numër ishte i vogël pasi pjesa dërmuese e të plagosurve rëndë mbetën të shtrirë në fushën e sportit, midis të të vdekurve. Në këto rrethana të jashtëzakonshme dolën mjaft sakrifikues dhe i tërhoqën të gjithë ata të cilët nuk mund të largoheshin vet. Të plagosurit u vendosën në katin përdhes të anës së djathtë të pavijonit C1, përgjatë tërë korridorit, pastaj në dhomat e atij krahu dhe në sallën e TV-së.
Atë ditë, më 22 maj 1999, para së të errësohej, nga dera e hyrjes së burgut depërtoi brenda në oborr të objekteve një grup mbi 10 veta të maskuar, të uniformuar dhe të armatosur me automatikë, bomba dore dhe minahedhës. Ata shtinë gjithandej frontalisht me armët që kishin, kurse në puseta, ku kishte edhe të burgosur të fshehur, hedhën nga dy bomba dore. Me predha minahedhësi shtinë në drejtim të pavijoneve e sidomos të mensës. Pasi vranë e plagosën edhe disa të burgosur, do të largohen prapë jashtë mureve të burgut.
Duke paraparë rrezikun se ata prapë mund të ktheheshin dhe të masakronin edhe të plagosurit, u vendos, nga të burgosurit, të organizohej vetëmbrojtja në pavijonin C1, që së paku t’u jepej kuraje të plagosurve. Me të zbardhur dita e 23 majit 1999, njerëzit me maska hynë prapë brenda mureve, madje kësaj radhe ishin edhe më të organizuar. Sulmuesit ishin me maska dhe me uniforma të ndryshme: të ushtrisë, të policisë, të “paramilitarëve” dhe të të burgosurve. Duket se kishin njohuri për fortifikimin në pavijonin C1, ndaj aty nuk mësyn. Bilanci i këtij krimi ishte 30 të ekzekutuar nga afërsia. Sulmi i parë me bombe dore, u bë në ambientet e ngrohtores. Nga kjo runde e krimit nuk pati shumë të plagosur, sepse të gjithë u qëlluan me plumb në ballë, në gojë, në kokë, në zemër – nga afërsia e dorës.
Pas pak minutash, ekzekutorët e maskuar urdhëruan që të burgosurit t’i linin pavijonet dhe të hynin të gjithë në Sallën e sportit, me “arsyetimin” se do të transferohen në një burg tjetër. Mirëpo, askush më nuk u besonte. Në pritje të vdekjes dëgjonin gumëzhimin e aeroplanëve të NATO-s mbi Dubravë. Dhe, meqë NATO-ja nuk po godiste, të maskuarit pas një konsultimi të gjatë që bënë jashtë sallës, sollën “sihariqin”: ”…kemi menduar t’ju dërgojmë në burgje tjera, por autobusët që duhej të vinin për t’ju marrë kanë hasur në një urë të prishur nga bombardimi i sotëm, ndaj deri të nesërmen do të jeni këtu…!”.
Nuk u besohej, por duhej pritur, pasi edhe ashtu s’kishte rrugë tjetër. Pas tërheqjes së kriminelëve, të burgosurit i tubuan të plagosurit e asaj dite, i bënë bashkë me të tjerët, në Sallën e sporteve, dhe vazhduan kujdesin për ta. Kështu, në natën e 23/24 majit 1999, përveç rreth 150 vetave që kishin plagë më të lehta dhe kishin shkuar me shokët nëpër pavijone, në sallën e sportit ishin 106 të plagosur rëndë, të pa lëvizshëm.
Të nesërmen, më 24 maj 1999, ndodhi befasia: të gjithë të burgosurit do të transferohen në Burgun e Lypjanit. Në oborrin e Burgut të Lypjanit kordoni i gardianëve dhe i paramilitarëve të uniformuar ishte përgatitur paraprakisht për të ushtruar dhunë fizike ndaj pengjeve shqiptare. Këta gardianë i udhëhoqi drejtori i burgut të Prishtinës – Lypjanit, oficeri Luba Qimburoviq në uniformë ushtarake. Të burgosurit fillimisht i rreshtuan në oborr. I nisen për në dhomat e pavijoneve 2, 3 dhe 4, duke i rrahur me shufra gome, shqelma dhe grushte. Njësoj do të veprohet edhe me trimat që bartnin 106 të plagosurit rëndë, për në pavijonin nr.1, duke mos i kursyer as të plagosurit e shtrirë mbi batanije. Kjo dhunë fizike çnjerëzore u bë shkak për vdekjen e tre të plagosurve, po atë ditë, më 24 maj 1999, në Burgun e Lypjanit.
Kushtet jetësore në këtë burg ishin kriminale. Dhunë psikike e fizike, mungesë e plotë e ushqimit. Pas 17 ditësh, pikërisht më 10 qershor 1999, pra të nesërmen nga nënshkrimi i Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake në Kumanovë, midis Komandës së NATO-s dhe Komandës Supreme të Ushtrisë Jugosllave (Serbisë), ndodhi transferimi i të burgosurve shqiptarë – pengje të luftës në burgjet e Serbisë.
Sipas të dhënave të sistematizuara nga përjetuesit e masakrës, të cilët ushtruan ndihmën e parë për të plagosurit, gjatë gjashtë ditëve sa zgjati krimi ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, më 19-24 maj 1999, janë vrarë midis 150 – 165 të burgosur dhe 23 veta nga bombardimet e NATO-s, kurse janë plagosur mbi 200 veta, prej të cilëve rreth 120 rëndë. Ky është numër aproksimativ që del nga përllogaritjet e përjetuesve të masakrës. Numrin e saktë të të vrarëve dhe të të plagosurve ka mundësi ta vërtetojë vetëm një gjyq ndërkombëtar i domosdoshëm, i cili do ta zbardhte krimin monstruoz, në një institucion të mbrojtur me ligjet ndërkombëtare, ende tabu e mbrojtur me heshtje institucionale vendore dhe ndërkombëtare.
Krimi Masakra e Dubravës, për nga përmasat dhe veçanërisht për nga përmbajtja e dhembshme, është padyshim njëra ndër tragjeditë më të tmerrshme që njeh historia e njerëzimit. Shumë njerëz gabojnë kur thonë se numri i të vrarëve në këtë masakër nuk mund të jetë argument i mjaftueshëm që ajo të radhitet në mesin e tragjedive më të tmerrshme. Pikërisht ana përmbajtjesore është ajo që këtë tragjedi e veçon nga shumë tragjedi të tjera, më të mëdha në përmasën sasiore. Masakra e Dubravës, shënon jo vetëm kulmin e shfryrjes raciale shtazarake të një grupi të njerëzve ndaj një grupi tjetër, por veçanërisht në natyrën juridike është argumenti më i fortë që dëshmon projektin shtetëror serb për gjenocid dhe etnocid ndaj shqiptarëve si dhe teknologjinë faktike të ekzekutimit të atij gjenocidi.
Kjo masakër është dëshmia më e fortë e implikimit të vetë shtetit serb në ekzekutimin e gjenocidit ndaj shqiptarëve, ndërkaq nga qarqet ndërkombëtare, qofshin ato edhe veriatlantike, është mbajtur dhe po mbahet edhe më tutje në heshtje, duke përfshirë këtu edhe heshtjen e pakuptueshme të institucioneve vendore të Kosovës. Madje koha po e vërteton se institucionet ndërkombëtare kanë bërë dhe po bëjnë të pamundurën që zbardhja e kësaj masakre të mos marrë përmasa të fushatës politike e juridike, ose mediale së paku.
Shteti serb ka ditur ta shfrytëzojë, shumë mirë, medialisht dhe politikisht sulmin e NATO-s ndaj burgut, duke e akuzuar NATO-n për gjoja sulme të qëllimshme kundër civilëve. Por, njëkohësisht me bombardimet shteti serb kreu pjesën më të madhe të vrasjeve barbare ndaj pengjeve shqiptare në Burgun e Dubravës, pikërisht duke qenë i bindur se masakra do të heshtej më pas nga vetë shtetet evroatlantike, për shkak të përfshirjes së tyre në vrasjen e të burgosurve pengje të pafajshme të luftës. Shteti serb ka pasur rezultate shumë pozitive në këtë aspekt, sepse, pas vendosjes së trupave të NATO-s dhe të pushtetit të UNMIK-ut në Kosovë, Masakra e Dubravës u hesht në pjesën më të madhe të mundshme, veçanërisht në planin juridik.
Këtu duhet të theksohet fakti se burgu i shkatërruar i Dubravës është njëri prej objekteve të para publike të Kosovës i rindërtuar përnjëherë pas luftës me mjete ndërkombëtare. Kjo nuk është bërë për shkak të domosdoshmërisë të nevojave juridiko-shtetërore kosovare për ringritjen e tij pikërisht në vendin e gërmadhës, dëshmi e prekshme kjo e masakrës, por u bë pikërisht për të fshehur atë dëshmi materiale të masakrës së projektuar dhe të kryer nga shteti serb, i cili kishte futur në grackë edhe vetë NATO-n.
Ky është fakt i pamohueshëm. Mirëpo, derisa kjo heshtje politike ndërkombëtare për Masakrën e Dubravës mund të kuptohet, heshtja politike rreth kësaj masakre, nga ana e institucioneve të Kosovës, nuk mund të kuptohet assesi. Vërtet, asnjë institucion i Kosovës, i dalë nga vota e popullit, nuk ka bërë, deri tashti, as dhe përpjekjen më të vogël që kjo masakër të ndriçohet nëpërmjet ndonjë projekti juridik hulumtues dhe shkencor historiografik, apo qoftë edhe nëpërmjet ndonjë fushate publike mediale. Përkundër, është hetuar një solidarizim i pakuptueshëm i institucioneve vendore dhe të atyre ndërkombëtare për heshtjen dhe për fshehjen sa më të madhe të mundshme të kësaj tragjedie.
Dhe, duhet të thuhet qartë se për sa kohë që Masakra e Dubravës nuk do ta thyejë heshtjen politike dhe për sa kohë që kjo masakër nuk do të insticionalizohet juridikisht në përmasat dhe përmbajtjen reale të saj, bota nuk do ta marrë vesh kurrë se çfarë loje përbindëshi ka luajtur shteti serb në Ballkan, veçanërisht në tokat shqiptare në pesëmbëdhjetë vitet e fundit të “Jugosllavisë”. Masakra e Dubravës shënon një veçanti juridike nga masakrat e tjera ndaj civilëve në Kosovë. Burgu, gjithkund në botë është pronë e drejtpërdrejtë e shtetit dhe administrohet nga Ministria e Drejtësisë. Në rastin konkret, Burgu i Dubravës ka qenë pronë e ministrive serbe dhe jugosllave të Drejtësisë, të cilat kanë qenë përgjegjëse për jetën e pengjeve. Meqë masakra ka ndodhur nga po i njëjti shtet dhe po nga e njëjta ministri e tij e drejtësisë, nuk është aspak e vështirë që të dihen me emra e mbiemra të gjithë ata serbë, duke filluar nga krerët e shtetit e deri te gardianët e burgut dhe vetë të burgosurit serbë. Fajtorët të sillen para drejtësisë, me akuzën e qëndrueshme juridikisht, për masakër të paramenduar ndaj pjesëtarëve civilë të një populli tjetër.
Kjo masakër e projektuar dhe e ekzekutuar nga vetë institucionet legale të shtetit serb, është dëshmia më burimore se kur është në pyetje tentim likuidimi i fizikumit të qytetërimit shqiptar, gjegjësisht gjenocidi dhe etnocidi ndaj tij, nuk kanë qenë regjime të caktuara serbe, por ka qenë vetë shteti serb me mekanizmat e tija legalë, të cilat e kanë ekzekutuar masakrën.
Së këndejmi, institucionet e Kosovës, në radhë të parë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, paraprakisht duhet që nëpërmjet procedurave të rregullta, ligjshmërisht ta shpallin Burgun e Dubravës – Kamp i instaluar i përqendrimit të periudhës së Luftës Çlirimtare të UÇK-së. Këtë kërkesë arsyeton tretmani çnjerëzor serb i ushtruar ndaj pengjeve shqiptare aty, në vitet 1998-1999. Po ashtu duhet të shpallen për kampe përqendrimi, të instaluara ose provizore edhe burgjet dhe hapësirat tjera publike në Kosovë, në të cilat, në formë të organizuar, janë vrarë, torturuar dhe dhunuar pengjet shqiptare, nga vetë shteti serb.
Vërtet, derisa institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare do të vazhdojnë ta mbështjellin me heshtje politike këtë tragjedi, bota nuk do ta kuptojë drejtë mesazhin e shenjtë të lirisë, të paqes dhe të drejtësisë, kurse Masakra e Dubravës do të vazhdojë të mbetet ndërgjegje e vrarë kombëtare dhe ndërkombëtare. Të themi qartë: Në asnjë mënyrë nuk guxon që heshtja politike e Masakrës serbe në Burgun e Dubravës të mbetet, edhe më tutje, kompromisi më antinjerëzor i ndërtimit dogmatik të multietnicitetit në Kosovë, në favor të relativizimit të krimeve shtetërore serbe ndaj shqiptarëve. Burgu i Dubravës, në një të ardhme të shpejtë, të lirohet nga funksioni i tanishëm dhe të shpallet muze i një tragjedie të rëndë dhe shumë ëmblematike.
Sugjerimet e lartshënuara, bazohen në faktin se gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë, gjatë Luftës Çlirimtare të UÇK-së, aktualisht trajtohet vetëm nga aspekti i pasojave statistikore e jo nga aspekti përmbajtjesor, i cili duhet ta definojë fajtorin e vërtetë, qoftë atë kolektiv apo individual, për të dëshmuar ekzistimin e një projekti shtetëror serb për zhdukjen fizike të qytetërimit shqiptar në Kosovë, në mënyrë që të mos lejohet, edhe më tutje, relativizimi i krimeve shtetërore serbe ndaj shqiptarëve vetëm në nivele të përgjegjësisë individuale, qoftë ai edhe Milosheviq.
Së fundi duhet të theksojmë se Çështja e Kosovës gjatë tërë historisë ishte faktikisht, dhe është aktualisht, pjesa piemontale e çështjes shqiptare, pra çështje ekzistenciale kombëtare shqiptare, paqe ballkanike dhe evropiane – po u zgjidh drejt. Në funksion të kësaj zgjidhje institucionet e Kosovës, UNMIK- u, SHBA-të, Evropa dhe KS i OKB-së duhet ta kenë parasysh konstatimin e Prokopit të Cezaresë (mesi i shek. VI), i cili në përmasa gjeniale ka konstatuar: “Siç tregon historia e vjetër, sllavët janë të gatshëm të marrin armët edhe pa pasur arsye (…), e bëjnë luftën pa shkak dhe pa e shpallur atë dhe nuk duan ta mbarojnë me një marrëveshje. Më në fund e fillojnë pa të drejtë dhe e mbarojnë me dhunë”.
Vërtet, nga këto pak të dhëna që u përmenden mund të përfundohet: Midis serbëve dhe shqiptarëve qëndron një det gjakshqiptari, i derdhur nga thika serbe. Mynxyrat ndaj qindra mijëra familjeve gjithandej Kosovës historike, reaalisht nga viti 1811, kur një hordhi serbe prej 300 vetash masakroi familjen tridhjetanëtarëshe të Demë Ahmetit në Mavriq të Kryellapit, deri në qershorin e vitit 1999, janë prova dhe kujtesë trishtuese. Faktet historiografike tregojnë se nuk ka vëllazëri shqiptare në pjesën e Shqipërisë Etnike jashtë Shqipërisë londineze, por edhe të atyre në viset kufitare të “Shqipërisë” me “Jugosllavinë”, në kufijtë ndërkombëtar londinezo-versajas nëpër tokat pastër shqiptare etnike, që nuk kanë përjetuar vrasjen dhe dhunën kanibaliste serbe.
Dhe, nëse historia është mësuesja e jetës, siç besohet nga latiniteti, Çështja e statusit shtetëror të Kosovës, në pritje, nuk mund të zgjidhet duke i mbyllur sytë para 188 vjet krimi e etnocidi institucional serb, malazias, grek e bullgar mbi shqiptarët në përgjithësi dhe shqiptarësinë e Kosovës në veçanti. Serbia, veçanërisht, nga janari i vitit 1878 deri në qershor të vitit 1999, pra për 121 vjet rresht, përveç dëmit material të pallogaritshëm, është përgjegjëse për copëtimin e Shqipërisë dhe për jetën e rreth tre milion shqiptarëve.
Në këtë krim janë bashkëfajtore Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe Rusia, sepse me zgjidhje të dhunshme në Ballkanin jugperëndimor, duke e ndarë një vend dhe një komb vetëm pse fati ia ngarkoi të mbijetojë si mysliman, krijoi kriza që gjeneruan në gjakderdhje, gjenocid, kulturocid dhe etnocid shekullor ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë historiko-etnike.
Ky është pengu që Kosovën dhe Serbinë i detyron të mbesin njëra pranë tjetrës dhe kurrë më së bashku nën një çati shtetërore të përbashkët. Dhe, nëse faktori ndërkombëtar i vendosjes aktualisht ngulë këmbë për rilidhjen me dhunë të jetës shtetërore të Kosovë me Serbinë, pa vullnetin e shumicës etnike historikisht të Kosovës, do të bëhet shkaktar i gjakderdhjeve të reja ndëretnike në Kosovë dhe gjetkë në tokat shqiptare, të copëtuara me dhunë ndërkombëtare.
Se Serbia dhe serbët nuk mund ta durojnë ekzistimin e kombit shqiptar, se Serbia dhe serbët janë degjenerik racist antishqiptar përtejmesjetarë, se Serbia dhe Shqipëria duhet të kufizohen me kufijtë etnikë si ardhmëni e vetme e Ballkanit ortodokso – “islam” – dëshmi e prekshme është “notesi”: 29 maj 1968 – 14 shtator 2004, i akademikut monstruoz, Dobrica Qosiq – “Kosovo. Biblioteka Istine, Knjiga broj 1”, Beograd, 2004, ISBN 86-7446-038-0, fq. 257. Del se nuk ka rrugë të drejtë tjetër, pos dënimit ndërkombëtar të Serbisë dhe pranimit të së drejtës ndërkombëtare për vetëvendosjen politike dhe shtetërore të shqiptarëve në shtrirjen natyrore etnike kompakte.
Shteti i shqiptarëve në kufijtë e Shqipërisë Etnike nuk është Shqipëri e Madhe, gogol serbo-ruso-evropian antiislam të periudhës së imperializmit, por është më pak se dy të tretat e Shqipërisë (Albania, Arnautlluk) të shekujve XV-XIX – islame, ortodokse dhe katolike. Pra, është vetëm pjesa e Shqipërisë e vaditur me gjakun shqiptar pa dallim feje deri në ditën e sotme, e ruajtur edhe me mëshirën e Zotit.
Shkretërimi i asaj që mund të quhet shqiptarësi aty ku shkeli këmba e soldateskës serbe në tokat shqiptare – janë prova. Veçanërisht dhuna dhe dhunimi, plojat dhe masakrat mbi civilët e pambrojtur, burra, gra, pleq e fëmijë anekënd Kosovës, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, periudhë kjo e Bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë ushtarake të Serbisë, janë plagë të prekshme që vazhdimisht kullojnë gjak. Mbi tre mijë shqiptarë as në jetë as me varre në duar të serbëve – për ta mposhtur UÇK-në partnere të NATO-s – janë plumb në zemër të shqiptarëve. Mbi të gjitha, Masakra serbe në Burgun e Dubravës ndaj të burgosurve shqiptarë, prej datës 19-24 maj 1999, përmasat e vërteta të së cilës ende nuk i dimë, është provë midis provave se Serbia me dorën e vetë e ka vrarë dhe e ka kallur pjesën serbe, pikërisht atë koloniale, në Kosovë.
Në Librin që keni në duar keni kornizën e denoncimit të krimit për një aktakuzë të një gjyqi ndërkombëtar kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovës gjatë historisë, të vulosur me krimet mbi shqiptarësinë e Kosovës në periudhën e bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë ushtarake e policore serbe më 24 mars-10 qershor 1999.
– Rezyme e Sesionit shkencor, ‘Masakra në Burgun e Dubravës 19 – 24 maj 1999’, mbajtur më 23 maj 2004.
FUND

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura