MASAKRAT SERBE NE KOSOVË GJATË VITEVE 1998 – 1999

MASAKRAT SERBE NE KOSOVË GJATË VITEVE 1998 – 1999

Nga Bedri HALIMI

Gjatë kësaj periudhe kohore, sapo filluan luftimet në Kosovë, e deri në finalizimin e saj, shteti serb përmes të gjitha forcave ushtarake e policore, përpos që zbatoi politikën e “tokës së djegur”, nuk kurseu as pleq, plaka, gra, fëmijë; me një fjalë, nuk kursente asgjë nga popullata civile e paarmatosur.

Janë të tmerrshme masakrat që i ka zhvilluar Serbia kundër shqiptarëve në Kosovë. Kjo do të tregohej më së miri në përshkrimin e secilës nga këto masakra, se si ka ndodhur, ku ka ndodhur, ndaj kujt ka ndodhur, saqë për çdo masakër do të duhej shteti i Kosovës të inkurajonte njerëzit e vullnetit të mirë dhe dhe t’i obligonte në njëfarë mënyre institucionet e ndryshme të shkencës, të artit, e të kulturës që të shkruheshin libra të veçantë për secilën nga këto masakra, pastaj edhe që të përktheheshin në gjuhët e huaja me qëllim të plasimit të së vërtetës.

Këtu para së gjithash mendojmë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, në Institutin Albanologjik të Kosovës, në Institutin e Historisë së Kosovës, etj.. Të dhënat janë të shumta edhe nga autorë ndërkombëtarë, edhe nga institucione për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke u nisur që nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, e deri te të dhënat e autorëve dhe institucioneve ndërkombëtare, si: Human Right, Amnesty International, Komiteti i Helsinkit, etj.. Shpresojmë se, Qeveria e Kosovës do të ndërgjegjësohet në këtë drejtim që, përmes Ministrisë së Kulturës, si dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, do të inkurajojë, duke ndihmuar në botimin e librave, si dhe në përkthimin e tyre për secilën nga këto masakra.

Në këtë rast, ne, në mënyrë telegrafike po japim disa të dhëna rreth masakrave të zhvilluara ndaj shqiptarëve nga forcat serbe gjatë kësaj periudhe:

Në masakrën e Likoshanit dhe Qirezit, më: 28 shkurt dhe 1 mars 1998, janë vrarë e masakruar 24 banorë të këtyre fshatrave, nga të cilat 10 ishin të familjes Ahmeti.

Në masakrën e Prekazit të Skenderajt, më: 5 – 7 mars 1998, u vranë 59 shqiptarë, nga të cilët 55 janë nga lagjja e Jasharajve.

Në Kleçkë, më: 27 gusht 1998, pasi u dogj tërë fshati në drejtim të Qafës së Dulës, forcat serbe i vranë 8 shqiptarë dhe i plagosën mbi 30, nga të cilët shumica ishin fëmijë, gra e pleq.

Në fshatin Sushicë e Poshtme të Istogut, më: 29 gusht 1998, u vranë 8 anëtarë të familjes Salihaj.

Në fshatrat e Shalës së Bajgorës, më: 15 – 17 shtator 1998, u vranë mbi 12 shqiptarë, si dhe u dëbuan të gjithë banorët e fshatrave të Shalës, u dogjën gati në tërësi 12 fshatra pasi i kishin plaçkitur.

Në fshatrat e Qyqavicës, më: 22 – 24 shtator 1998, u vranë 24 shqiptarë, 6 nga të cilët janë mbytur me çekan.

Në Gullboc të Malishevës, më: 26 shtator 1998, janë vrarë 14 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjera, pas maltretimeve paraprake që u kishin bërë. Arrin të shpëtojë rastësisht vetëm një person.

Në Abri të Epërme të Drenasit, më: 26 shtator 1998, u vranë e u masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu, që nga fëmija 6 muajshe, e deri te plaka 84-vjeçare.

Në fshatin Rancë të Shtimës, më: 26 gusht 1998, u masakruan 8 fëmijë e 3 gra të familjes së Selim Asllanit dhe 3 të tjerë u plagosën.

Në Reçak të Shtimes, më: 15 janar 1999, u vranë e u masakruan 43 banorë të këtij fshati.

Në afërsi të urës së Rakovinës, në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjakovë, më: 24 janar 1999, forcat serbe e vranë një person së bashku me dy fëmijët 11 dhe 12-vjeçar si dhe dy mysafirë nga Cermjani që ishin me traktor në fshatin e tyre.

Në fshatin Rogovë të Gjakovës, më: 29 janar 1999, u masakruan 26 shqiptarë, 9 nga të cilët ishin nga Rogova, ndërsa të tjerët pjesëtarë të UÇK-së.

Në Leshan të Suharekës, më: 2 mars 1999 u vranë dhe u masakruan 29 shqiptarë.

Në Reznik të Vushtrisë, më: 6 mars 1999, u vranë 9 anëtarë të familjes Ujkani, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën.

Në Mitrovicë, më: 13 mars 1999, ditën e tregut, u vranë 6 persona pas hedhjes së tri mjeteve shpërthyese nga forcat serbe.

Në Skenderaj, më: 20 mars 1999, u vranë 29 shqiptarë të moshës nga 15 – 70-vjeç, 8 nga të cilët u ekzekutuan në vendin e quajtur “Te pishat”, ndërsa të tjerët u vranë nëpër shtëpitë e oborret e tyre para familjarëve.

Në Tërnavë të Podujevës, më: 20 mars 1999, granatohet fshati, pastaj ushtria serbe hedh një bombë në një traktor të ngarkuar më njerëz duke ikur, me ç’rast vret dy fëmijë të moshës 6 dhe 7-vjeçare kurse 4 të tjerë lëndohen rëndë. Pastaj me një bombë tjetër vrasin edhe 2 persona dhe 7 të tjerë i plagosin rëndë.

Në Katundin e Ri të Pejës, më: 11 e 12 mars, si dhe më: 4 – 6 qershor 1999, janë vrarë 15 shqiptarë.

Në Kotlinë të Kaçanikut, më: 24 mars 1999, janë ekzekutuar dhe masakruar 26 persona, të cilët janë hedhur në dy puse, duke ua vënë eksplozivin.

Në Keçekollë të Prishtinës, më: 24 mars 1999, u vranë 5 anëtarë të familjes Jakupi nga Orllani i Podujevës.

Në Podujevë, më: 24 e 25 mars 1999, janë vrarë 36 persona.

Në Celinë të Rahovecit, më: 25 mars 1999, u vranë e u masakruan 82 persona të moshave të ndryshme, nga të cilët 75 ishin nga Celina, kurse të tjerët nga fshatrat përreth.

Në Bellacërkë të Rahovecit, më: 25 mars 1999, janë vrarë 46 shqiptarë, nga të cilët edhe gra e fëmijë të moshës 3 – 9-vjeçare, nga të cilët 15 kanë qenë më të rinj se 18-vjeç. Ky fshat ishte sulmuar edhe më: 18 korrik 1998, ku janë vrarë 12 banorë të këtij fshati.

Në Goden, më: 25 mars 1999, janë vrarë 28 shqiptarë nga mosha 18 deri 45-vjeçare, kufomat e të cilëve pastaj u dogjën.

Në Randobravë të Prizrenit, më: 25 mars 1999, janë vrarë 8 anëtarë të familjes Pajaziti në mesin e të cilëve një nënë me 4 fëmijët e saj të moshës 2 deri 7-vjeç.

Në Krushë të Vogël të Rahovecit, më: 25 mars 1999, si dhe më: 26 mars, ku forcave serbe iu bashkangjitën edhe serbët e fshatit, me ç’rast vrasin dhe masakrojnë 113 banorë të këtij fshati dhe fshatrave të tjera të kësaj ane.

Në Krushë të Madhe të Rahovecit, më: 25 – 27 mars të vitit 1999, janë vrarë dhe masakruar 241 shqiptarë, nga të cilët 206 banorë të këtij fshati, ndërsa 35 persona ishin nga fshatrat e tjera, të cilët janë strehuar në këtë fshat. Deri më tani janë gjetur dhe identifikuar 132 të vrarë të këtij fshati, ndërsa si të pa gjetur konsiderohen edhe mbi 70 banorë. Më shumë se 7 familjeve u janë vrarë e masakruar të gjithë meshkujt.

Në Tërnje të Suharekës, më: 25 mars 1999, janë vrarë dhe masakruar 28 banorë të familjes Gashi, Voci, Muhaxhiri, Llapatnica,. etj. Shumë prej tyre ende nuk u janë gjetur kufomat.

Në Suharekë, më: 26 mars 1999, janë vrarë e masakruar 48 shqiptarë të familjes Berisha, kufomat e të cilëve pastaj janë bartur në Serbi.

Në Padalishtë dhe Cerkolezë të Istogut, më: 26 mars 1999, janë vrarë e masakruar 19 shqiptarë në lagjen Imeraj të Padalishtës nga mosha 2 – 76-vjeçe.

Në Landovicë të Prizrenit, më: 26 mars 1999, janë vrarë 23 banorë të këtij fshati dhe fshatrave tjerë.

Në Mamushë, më: 27 mars 1999 janë vrarë e masakruar 18 shqiptarë, nga të cilët 7 ishin nga Mamusha.

Në Dardhishtë (Kryshecë) të Obiliqit, më: 27 mars 1999, u masakruan 11 anëtarë të familjes Rama.

Në Gjakovë, më: 27 mars 1999 vriten dhe masakrohen 6 anëtarë të familjes Çerkezi, ku shpëton vetëm nëna, kufomat e të cilëve ende janë të pagjetur.

Në Izbicë të Skenderajt, më 28: mars 1999, pikërisht në ditën e festës së Bajramit, forcat serbe pasi i keqtrajtojnë fizikisht, i ndajnë burrat nga gratë dhe pastaj i ekzekutojnë 114 prej tyre.

Në Matiqan të Prishtinës, më: 28 mars 1999, pra në ditën e Bajramit, forcat serbe vranë 21 shqiptarë në mesin e të cilëve edhe fëmijë.

Në Podujevë, më: 28 mars 1999, janë vrarë 19 anëtarë të familjeve Duriqi, Bogujevci, Llugaliu dhe Gashi.

Në Beleg të Deçanit, më: 28 mars 1999, janë vrarë dhe janë zhdukur 66 banorë të këtij fshati dhe fshatrave të tjera, si: Drenoc, Gllogjan, Irzniq etj.

Në Dumnicën e Epërme të Vushtrrisë, më: 29 mars dhe 11 prill 1999, janë vrarë 6 banorë në mesin e tyre edhe 3 fëmijë.

Në Mitrovicë, në lagjen “Bair”, më: 29 mars 1999, janë vrarë 4 pleq, (dy femra e dy meshkuj të palëvizshëm).

Në Llashticë të Gjilanit, më: 30 mars 1999, janë vrarë 13 shqiptarë, në mesin e tyre edhe një 3-vjeçar, i cili është djegur në prehër të nënës.

Në Burim (Joviq) të Malishevës, më: 31 mars 1999, janë vrarë 34 shqiptarë, kufomat e të cilëve janë masakruar. Viktimat ishin nga mosha 16 – 72-vjeç.

Në Pastasel të Rahovecit, më: 31 mars 1999, u ekzekutuan dhe u masakruan 106 shqiptarë nga ky fshat dhe fshatrat e tjera që kishin ardhur për strehim. Kufomat e këtyre viktimave janë dërguar në drejtim të panjohur.

Në Lybeniq të Pejës, më: 1 prill 1999, janë vrarë 60 banorë – civilë.

Në Cercë të Istogut, më: 1 prill 1999, janë vrarë e masakruar si dhe pastaj janë djegur kufomat e 6 anëtarëve të familjes Rexha.

Në Gjakovë, më: 2 prill 1999, vritet nëna e familjes Vejsa, së bashku me 5 fëmijët e saj.

Në Ragavcë të Rahovecit, ku ishin strehuar më së: 20. 000 refugjatë, më: 28 mars 1999, ditën e Bajramit, pas plaçkitjes, disa banorë janë ekzekutuar, kurse më: 2 prill 199,9 pas bombardimeve me aeroplanë, u vranë 31 banorë – civilë nga Brestoci, Nagaci, Krusha e Madhe, etj..

Në Pjetërq të Epërm të Klinës, më: 29 mars 1999, janë ekzektuar 11 civilë shqiptarë.

Në Sopi të Suharekës, më: 2 prill 1999, janë vrarë e masakruar 35 civilë shqiptarë.

Në Kralan, më: 2 – 4 prill 1999, janë vrarë e masakruar mbi 87 civilë shqiptarë, ku pjesa dërrmuese ishin nga komuna e Klinës, Malishevës dhe Gjakovës. Shumë nga këto kufoma pastaj janë djegur.

Në Gjakovë, më: 2 prill 1999, janë bërë vrasje të shumta në lagjen “Te stacioni i autobusëve”, si dhe në Qabrat, më: 7 – 11 maj 1999 janë vrarë mbi 80 civilë shqiptarë. Ku në këtë komunë vrasjet kanë vazhduar edhe ditëve të tjera, e sidomos më: 15, 16, 22 maj 1999.

Në lagjen Dragodan të Prishtinës, më: 3 prill 1999, janë vrarë 7 civilë shqiptarë.

Në Qypevë të Epërme të Klinës, më: 4 prill 1999, janë vrarë 45 civilë shqiptarë, nga të cilët 6 ishin nga Qupeva e Epërme, 2 nga Gllareva, 7 nga Përqeva, 2 nga Qupeva e Poshtme, 17 nga Svërrka dhe 11 nga Gremniku.

Në Popovë të Podujevës, më: 4 prill 1999, përmes aviacionit serb, vriten dhe plagosën një numër i refugjatëve në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë.

Në Rezallë të Skenderajt, më: 5 prill 1999, janë ekzekutuar 41 civilë nga mosha 13 – 90-vjeç. Ekzekutimit i kanë shpëtuar vetëm 3 prej tyre. Pra janë masakruar 38 persona, nga të cilët 29 ishin nga Rezalla, 7 nga Marina, 1 nga Llazica dhe 1 nga Prekazi.

Në Llapqevë të Malishëvës, më: 5 prill 1999, janë vrarë 8 civilë shqiptarë.

Në Kokaj të Gjilanit, më 5 prill 1999, janë ekzekutuar 6 civilë shqiptarë.

Në fshatrat e Deçanit dhe të Pejës, më: 6 prill 1999, është bërë masakër dhe djegia e 7 kufomave në shtëpinë e Rrustem Tahirit në fshatin Bardhaniq të Dushkajës së Gjakovës.

Në Abri të Poshtme, më: 7 prill 1999 janë vrarë 10 civilë shqiptarë nga Qabiqi.

Në Kaçanik, në vendin “Prroi i Rakocit” dhe “Lagjja e Re”, më: 9 prill 1999, u vranë dhe u masakruan 58 shqiptarë.

Në Bresalc të Gjilanit, më: 10 prill 1999, janë vrarë 5 banorë shqiptarë.

Mbi fshatin Lugishtë të Hasit, te vendi i quajtur “Del Ujë”, më: 12 prill 1999, janë masakruar 16 banorë nga Hasi, prej të cilëve 13 nga Lugishta dhe 3 nga Demjani. Që të gjithë këta më parë janë ndarë nga gratë dhe fëmijët dhe janë vrarë e masakruar nga afërsia.

Në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, më: 13 prill 1999, janë ekzekutuar 7 anëtarë të familjes Zeka dhe 2 anëtarë të familjes Hoxha.

Në Mitrovicë, më: 14 prill 1999, në Lagjen “Qendra”, forcat serbe i kanë mbledhur 100 meshkuj të rinj, ku 26 prej tyre i fusin në tri shtëpi të lagjes “Bair” dhe i pushkatojnë, të tjerët i dërgojnë në vende të ndryshme, ku gjithashtu i vrasin. Kufomat e tyre zbulohen në disa varreza masive.

Në Sllovijë të Lipjanit, më: 15 dhe 16 prill 1999, në këtë fshat dhe në vendin “Lugu i Demës”, u vranë e u masakruan 41 civilë shqiptarë.

Në Skenderaj, më: 16 prill 1999 janë ekzektuar 13 civilë shqiptarë.

Në Mitrovicë, në kolonën prej 80000 njerëzve që kishte gjatësinë 10 km te vendi i quajtur “Ura e Gjakut”, nga kolona i nxjerrin 9 të rinj, të cilëve pasi ua lidhin duart me tela rreth një pusi, i fusin në një oborr të një shtëpie, ku i pushkatojnë 8 prej tyre, ndërsa njëri arrin të ikë, por më vonë edhe atë e zënë dhe e pushkatojnë.

Në Qikatovë të Vjetër të Drenasit, më: 17 prill 1999, janë vrarë e masakruar 128 banorë të këtij fshati dhe të fshatrave të tjerë.

Në Paklek të Vjetër të Drenasit, më: 17 prill 1999, u vranë 41 shqiptarë, nga të cilët 23 ishin fëmijë, 12 vajza, 14 gra, 2 burra dhe 2 djem.

Në Hade të Obiliqit, më: 17 e 18 prill 1999, vriten 5 meshkujt e një familjeje, pastaj vritet edhe një person që kishte dalë me një mindil të bardhë të ngritur, pastaj i marrin edhe 4 persona të tjerë dhe i vrasin, 2 prej të cilëve i djegin të gjallë në një stallë.

Në Devë të Gjakovës, më: 18 prill 1999, janë vrarë e masakruar 7 vëllezërit Bobi.

Në Ribar të Vogël, më: 18 prill 1999, u vranë dhe u masakruan 25 civilë, prej të cilëve 19 ishin nga ky fshat, ndërsa 6 nga fshati i afërt Vërsheci, të cilët kishin ardhur për t’u strehuar.

Në Bërrnicë të Epërme të Prishtinës, më: 18 prill 1999, janë vrarë 6 anëtarë të familjes Reka dhe një i familjes Berisha.

Në hapësirën e fshatit Koliq, më: 18 dhe 19 prill 1999, janë vrarë 74 persona nga fshatrat e ndryshme, kryesisht nga treva e Llapit.

Në Hallaq të Vogël të komunës së Lipjanit, më: 20 prill 1999, janë vrarë e masakruar 20 banorë civilë të këtij fshati, prej të cilëve 3 ishin nga vende të tjera.

Në Makoc të Prishtinës, më: 20 prill 1999, u vranë 42 persona civilë.

Në Grashticë të Prishtinës, më: 21 prill 1999, nga kolona e gjatë e të zhvendosurve nga fshatrat e Gallapit që shkonin nga Mareci për në Prishtinë, janë nxjerrë 60 civilë meshkuj, të cilët janë vrarë pas koke dhe janë hedhur në lum.

Në Nakaradë të Fushë Kosovës, më: 21 prill 1999, janë vrarë 16 anëtarë të familjes Mirena.

Në Dragaqinë të Suharekës, më: 21 prill 1999, janë hedhur në pus 11 banorë, kryesisht pleq të këtij fshati.

Në Sopijë të Suharekës, më: 21 prill 1999, janë vrarë 7 anëtarë të familjes Ilazi dhe një i familjes Sopa.

Në fshatin Koliq, në një kolonë të të zhvendosurve, më: 22 prill 1999, janë vrarë 21 persona.

Në Mejë të Gjakovës, më: 27 prill 1999, pasi forcat serbe ndaluan kolonën prej 500 civilësh shqiptarë që kishin ardhur nga fshatrat e Rekës së Keqe të Gjakovës dhe disa fshatra të komunës së Deçanit, shumicën prej tyre i vranë e i masakruan dhe pastaj kufomat e tyre i dërguan në vende të panjohura. Disa nga këto kufoma janë zbuluar në varrezat masive në Serbi. Në mesin e tyre kishte gra, fëmijë e pleq të moshës 16 – 60-vjeçare. Numri i sakt i viktimave mbetet ende i panjohur, sepse edhe ata që nuk janë pushkatuar në atë moment janë kidnapuar dhe janë drejtuar në drejtime të panjohura.

Në Guskë të Gjakovës, më: 27 prill 1999, janë vrarë 25 shqiptarë.

Në Dobrosh të Gjakovës, më: 27 prill 1999, janë vrarë 38 shqiptarë.

Në Korenicë të Gjakovës, më: 27 prill 1999, janë vrarë 65 shqiptarë.

Në Nabërxhan të Pejës, më: 1, 2, 10 dhe 12 maj 1999, janë vrarë e masakruar rreth 30 persona civilë.

Në Studime të Vushtrrisë, më: 2 maj, janë vrarë e masakruar 116 shqiptarë, ku kishte fëmijë, gra, burra e pleq.

Në kolonën e popullatës së fshatrave: Vraniq, Bukosh, Savrovë, Sopijë, etj., që po deportoheshin për Shqipëri, më: 3 maj 1999, forcat serbe i ndanë 35 persona të moshave më të reja, të cilët i vrasin dhe i masakrojnë në oborrin e shkollës së Bukoshit.

Në Damanek të Malishëvës, më: 4 maj 1999, ishin strehuar shumë civilë shqiptarë, ku nga gjuajtjet e forcave serbe në popullatën e strehuar janë vrarë 6 persona dhe janë plagosur 17 të tjerë. Si të vrarët, ashtu edhe të plagosurit ishin nga fshatrat e ndryshme.

Në Shtupel të Klinës, në lagjen e Zhabotëve, më: 6 maj 1999, janë vrarë 6 civil dhe janë plagosur 7 të tjerë.

Në Lutogllavë të Prizrenit, më: 6 maj 1999, forcat serbe granatojnë lagjen e familjeve Kelmendi. Pasi pushon granatimi, 31 anëtarët e strehuar të familjes së gjerë Kelmendi, kryesisht gra, fëmijë e pleq nisen me 4 traktorë në drejtim të fshatit Tërstenik. Rrugës i ndalin forcat serbe, nga të cilët 2 fëmijë i vrasin, njëri 8 dhe tjetri 11-vjeç, si dhe 2 gra. Gjatë vazhdimit të rrugës, gjuhen me granatë dhe vriten 8 persona tjerë. Pastaj janë vrarë edhe 4 gra e 2 burra si dhe një plak 102-vjeçar.

Në Korishë të Prizrenit, më: 13 maj 1999, në një proces të montuar nga forcat serbe, NATO gjuan përmes Aeroplanëve, ku vriten 71 persona, nga të cilët 3 foshnjë, 11 nxënës, 13 fëmijë, 61 të tjerë janë plagosur. Personat ishin kryesisht nga Korisha si dhe nga fshatrat Bllacë, Budakovë, Maqitevë, Mushtisht, Reshtan, etj..

Në Qyshk të Pejës, më: 14 maj 1999, janë vrarë e masakruar 42 meshkuj civilë.

Në Pavlan dhe Zahaq, më 14 maj 1999, forcat serbe pasi i kishin dëbuar fëmijët, gratë dhe pleqtë kishin vrarë e masakruar 35 shqiptarë.

Në Carallukë të Malishevës, më: 17 maj 1999, u vranë 23 shqiptarë që të gjithë anëtarë të dy familjeve Krasniqi nga mosha 5 – 65-vjeç.

Në Stagovë të Kaçanikut, më: 21 maj 1999, u vranë 14 banorë, shumicën e kufomave i dogjën e i karbonizuan.

Në burgun e Dubravës, më: 21 dhe 22 maj 1999, forcat serbe në oborrin e burgut, vranë 97 të burgosur dhe shumë të tjerë janë plagosur.

Në Vushtrri, më: 22 maj 1999, forcat serbe kidnapuan, dhe i vranë 68 persona kufomat e të cilëve janë zhdukur, duke i bartur në Serbi.

Afër Vushtrrisë, te vendi “te Habarët e Gumnishtës”, më: 24 maj 1999, vriten 6 vajza të reja të familjes Gërguri nga Studimja e Epërme dhe 2 vajza Krasniqi nga Zhilivoda.

Në Prizren, në lagjen Tusuz, më: 26 maj 1999, u vranë 27 persona civilë, kufomat e të cilëve pastaj janë ngarkuar në kamion dhe janë dërguar në vende të panjohura. Në këtë lagje iu vu zjarri 245 shtëpive.

Në Studime të Vushtrrisë, më: 31 maj 1999, u vranë dhe u masakruan 12 anëtarë të familjes së Selatin Gërxhaliut, shumica e të cilëve ishin fëmijë që nga mosha 1-vjeçare e më tej.

Në Mitrovicë, në lagjen “7 Shtatori”, më: 8 qershor 1999, forcat serbe pasi arrestojnë 11 të rinj shqiptarë, 3 nga të cilët arrijnë të ikin, kurse për fatin e 9 të tjerëve nuk është ditur deri më 2005, kur u gjetën trupat e pajetë të tyre.

Në Mitrovicë, në lagjen e Boshnjakëve, më: 9 qershor 1999, forcat serbe arrestojnë disa të rinj shqiptarë, ku 6 prej tyre i djegin në një shtëpi, nga të cilët 2 ishin femra.

Në Mitrovicë, përballë objekteve banesore “3 Rrokaqiejt”, më: 12 qershor 1999, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës, forcat serbe morën 15 banorë nga kjo lagje, të cilët i urdhëruan të hidhen në lumin Ibër te “Ura e trenit” dhe pastaj filluan të shtijnë në ta.

Në Pejë, më: 12 qershor 1999, në ditën e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, forcat serbe vrasin 5 fëmijë të mitur të familjes së Isa Balajt, si dhe Vjollca Balajt 28-vjeçare, kurse Isai dhe djali i tij 9-vjeçar arritën të dalin nga njëri prej ballkonëve të shtëpisë dhe të ikin te fqinjët e tyre.

Nga të gjitha këto të dhëna, që u potencuan, rezulton se krimet serbe kanë qenë ndër më makabret. Por gjithsesi duhet theksuar se, në këtë rast nuk kemi përmendur vrasje individuale, si dhe vrasje nga komuna të ndryshme për mungesë informacionesh.

Përfundim: Çka duhet të ketë ndodhur në Kosovë, në mënyrë që institucionet tona deri tani të kishin ndërmarrë hapat konkretë të asaj që e thamë në fillim, të botimit të librave të veçantë me të dhëna konkrete, me përkthimin e tyre në shumë gjuhë të huaja për ta plasuar të vërtetën në botë. Serbia është në gjendje të trillojë dhe jo vetëm t’i mbledhë faktet e vrasjeve të atyre plakave dhe pleqve që kanë ndodhur pa nevojë dhe t’i botojë në libra, duke i zmadhuar e stërzmadhuar shifrat, duke botuar në libra të veçantë, duke i përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe duke i plasuar para botës për ta dëshmuar të vërtetën e tyre, ashtu siç bëri edhe me botimin e librit me 80 e disa fëmijë serbë që kishin pësuar gjatë bombardimetve të NATO-s në Serbi, ku e kanë botuar librin, të përkthyer në 7-8 gjuhë të botës me një titull: “Gjenocidi i NATO-s ndaj fëmijëve serb”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura