VRASJE POLITIKE NGA DORA E SHTETIT TË ZAPTUAR

Në 5-vjetorin e rënies së Dëshmorit Astrit Dehari

VRASJE POLITIKE NGA DORA E SHTETIT TË ZAPTUAR

Nga Nezir Myrtaj, Prishtinë 03 nëntor 2021

Kasta pushtetore e cila e kishte shijuar përfitimin në kurriz të Kosovës duke qenë në bashkëpushtet me strukturat e UNMIK-ut deri në shpalljen e pavarësisë, ashtu çfarë ishte shpallur në Shkurt të vitit 2008, ishte konsoliduar e mobilizuar ende më shumë pas kësaj date, për të shtënë fort në dorë shtetin e pakonsoliduar, të brishtë e të lënduar të Kosovës, me qëllim të përfitimeve ekstreme grupore, farefisnore e partiake dhe të akumulimit të kapitalit marramandës, duke dëmtuar shtetin e Kosovës dhe popullin e saj.

Për ta realizuar këtë qëllim, kjo kastë patjetër duhej të ishte një zë i dëgjueshëm e i disiplinuar i faktorëve ndërkombëtarë, por edhe një argat i palodhshëm i kreut bashkëbisedues në Serbi i cili asnjëherë nuk e kishte hequr vëmendjen nga planet për ta penguar dhe pamundësuar jetësimin e shtetit të Kosovës. Prandaj, e preokupuar pas zaptimit të shtetit, në vitet në vijim kjo kastë zaptuese kishte injoruar faktin e shpalljes së pavarësisë dhe të mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e këtij akti dhe kishte hapur kapitullin e ri të bisedimeve me Serbinë për shumë çështje thelbësore të brendshme të Kosovës. Si produkt i këtij kapitullimi të turpshëm për interesa vetjake pasurore, pasuan marrëveshjet e njëpasnjëshme në dobi të Serbisë, të cilat degraduan dhe paralizuan zhvillimin e shtetit të Kosovës përmes fusnotës kontestuese në mbishkrimin e këtij shteti; asociacionit etnik të komunave me popullsi serbe; demarkacionit në dëm të territorit të Kosovës me Malin e Zi e të tjera. Të gjitha këto të këqija që po i bëheshin dhe që po i vinin Kosovës nuk mund të mos kishin përballë edhe kundërshtimin popullor, zë i vetëm i artikuluar i të cilit ishte bërë Lëvizja Vetëvendosje! Mirëpo, ky kundërshtim nuk mund të mos kishte edhe koston e vet. Dhe përderisa kostoja e pavarësisë së “Pakos së Ahtisarit” ishte paguar me jetën e dëshmorëve Mon Balaj e Arben Xheladini, tani koston e mbrojtjes së pavarësisë së rrezikuar duhej ta paguante dikush tjetër, dhe ai ishte dëshmori Astrit Dehari.

Rënia e Astritit në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor 2016 nuk ishte si rënia e dëshmorëve tanë të tjerë si deri atëherë. Me këtë rënie nuk krahasohet rënia e mijëra dëshmorëve në fushëbetejë përballë armës armike; nuk krahasohet as rënia në burgun e Prishtinës e Fazli Grajçevcit apo e Shaban Shalës; as rënia e Xhemaili Berishës në burgun e Prizrenit; as rënia në plojën e Burgut të Dubravës në maj të vitit 1999; madje as rënia e Monit dhe Arbenit në sheshin e Prishtinës në shkurt të vitit 2007.

Përderisa të gjitha rëniet e tjera i kishte shkaktuar dora e huaj gjakatare, Astriti kishte rënë nga dora e zezë e shtetit të zaptuar të Kosovës. Dhe ky ishte një krim shumëfish më i rëndë. Ajo ishte një vrasje për motive politike, e kurdisur dhe e urdhëruar nga ata që po e konsideronin zërin e tij kundërshtues si rrezikim të pozitës së tyre si kapës të shtetit, si dhe të proceseve antishtet që ata po i zhvillonin.

Se rënia e Dëshmorit Astrit Dehari ishte likuidim i tij me paramendim, për të gjithë ata që kanë parë e dëgjuar ato që janë thënë publikisht, përveç për mbështetësit e urdhërdhënësve dhe urdhërzbatuesve, tashmë nuk ka dyshim. Ky likuidim ishte dëshmia më e fortë e vënies së institucioneve të shtetit në grushtin e zaptuesve të tij. Këtë fakt e treguan, varg e vijë, prej zyrtarëve të atëhershëm përgjegjës të burgut në Prizren; ish-Kryepolicit të Prizrenit N. Krasniqi; ish-Kryeprokurorit të Prizrenit S. Hoxha; Institutit Mjekoligjor të Kosovës; ish-Ministres së Drejtësisë Dh. Hoxha e deri te ish-Kryeministri I. Mustafa; ish-Presidenti H. Thaçi dhe zyrtarët kryesorë të dy partive të mëdha në pushtet, PDK dhe LDK.

Të gjithë këta kontraversë, që në atë kohë po deklaronin me bindje se Astriti kishte bërë “vetëvrasje”, me të cilin trillim ata po e vrisnin atë për së dyti, në raste të caktuara, për krimin të cilin po përpiqeshin ta kamuflonin po e fajësonin paradoksalisht vetë Lëvizjen Vetëvendosje! Por, ata të gjithë, më vonë u bënë të pafuqishëm përballë gjetjeve të Raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Llozanës së Zvicrës. Natyrisht, në këtë raport nuk ka si të figurojnë kërkesat e thëna publikisht, në Kuvend e jashtë tij, jo një herë, nga eksponentë të partive politike që ishin në pushtet në dhjetë vitet e fundit, si ajo e ish-deputetes së LDK, B. Gaxherri, e të tjerë, për nxjerrjen jashtë ligjit të Lëvizjes Vetëvendosje! Ky diskurs likuidues po pasqyronte zërat nazi-fashistë brenda këtyre subjekteve partiake, për të cilët nuk mund të ishte i pranueshëm as veprimi i lirë politik dhe as shprehja e mendimit të lirë. Derisa këta zëra po kërkonin ta likuidonin ligjërisht Lëvizjen politike të cilës po i përkiste Astriti, “dirigjuesit” e tyre urdhëruan likuidimin fizik të tij.

Sot Astrit Dehari është dëshmor i Kosovës, i rënë në mbrojtje të shtetit, të fryteve të luftës çlirimtare dhe në përballje me të keqen. Vrasësit e tij, nesër patjetër duhet të dalin para drejtësisë, që t’i argumentojnë faktet e tyre të deklaruara publikisht dhe institucionalisht për “vdekjen” e tij nga “mbidoza e barnave”; për “vetëvrasjen me ngulfatje mekanike”, apo për “vrasjen” e tij, siç kishin propaganduar, nga vetë Lëvizja politike që ai i përkiste.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura