ME RASTIN E LARGIMIT NGA JETA TË SEKRETARES ALBRIGHT LUFTËTARE E LIRISË DHE E SHTETIT TË KOSOVËS
Shkruan: Nuhi Bytyçi, Prishtinë 24 Mars 2022
Pikërisht në 23-vjetorin e fillimit të bombardimeve ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe, u nda nga jeta ish-Sekretarja amerikane e shtetit, mikja e madhe e Kosovës, Zonja Medeleine Albrigjht. Ky lajm jehoi me dhembje të madhe kudo në Kosovë. Zonja Albright bashkë me Presidentin amerikan Bill Clinton, gjeneralin Wesely Clark dhe bashkëpunëtorët e tjerë të tyre, si dhe me Kryeministrin britanik Tony Bler, kanë merita të jashtëzakonshme në momentet vendimtare për ndëshkimin e regjimit gjenocidal serb në krye me kryekriminelin Sllobodan Millosheviq.
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Zonja Albraght, qysh në periudhëne përgatitjes së Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës, gjatë dhe pas saj ishte kreatorja e politikës ndërkombëtare për të ardhmen e Kosovës, luftëtarja dhe garantuesja e lirisë dhe e pavarësisë sonë.
Me rastin e ndarjes nga jeta e Zonjes Albright, do të përkujtoj disa momente të posaçme që kam pasur gjatë takimit tim me të në Stejtdepartamentin Amerikan të Shtetit në Washington DC në gjysmën e shtatorit të vitit 1999.
Takimi historik me Sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright
Isha i privelegjuar që isha gazetari i vetëm që mora pjesë në fillim të takimit zyrtar të Sekretares Amerikane të Shtetit Zonjës Albright me rastin e vizitës dhe të takimit të parë të delegacionit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në muajt e parë të çlirimit në krye me Hashim Thaçin.
Më 14 shtator në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Washington DC, në kabinetin e sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, ishte paraparë takimi i parë zyrtar i delegacionit të Kosovës së re. Në përbërje të delegacionit ishin edhe Mehmet Hajrizi, zëvendëskryeministër, Jakup Krasniqi, ministër i Rindërtimit dhe Zhvillimit dhe Hydajet Hyseni, zv/ministër i Jashtëm. Unë isha në cilësinë e gazetarit.
Ky ishte një nga momentet më të rëndësishme gjatë karrierës sime gazetareske, sepse për herë të parë mu dha rasti historik që të jem pjesëmarrës i një ngjarje vërtetë historike për Kosovën, institucionet dhe popullin e saj. As në ëndërr nuk e kisha pare se një ditë do të jem në kabinetin e sekretares së Shtetit më të fuqishëm në botë – Amerikës. Ishte i kufizuar numri i anëtarëve të delegacionit të Kosovës për shkaqe protokollare dhe Fatmir Limaj, Bajram Kosumi dhe disa anëtarë të Qeverisë së Kosovës, që mund të merrnin pjesë në takim, thanë “më mirë le të hyjë Nuhiu që të bëjë raportin dhe ndonjë fotografi nga ky takim historik”.
Kështu, veprimtari Dino Asanaj ma dha fotoaparatin e vet digjital dhe më tregoi se si mund ta bëj ndonjë fotografi të delegacionit tonë me zonjën Albright. Shumë mirë e mësova dhe e provova aparatin para takimit, në mënyrë që mos të dështoj. Me që isha mësuar që ta kryeja vetëm punën time si gazetar dhe nuk isha profesionist i fotografisë, kisha mjaft frikë se nuk do të mund të bëja fotografi cilësore.
Kur delegacioni i Qeverisë së Kosovës u takua dhe u përshëndet me Zonjen Albright dhe kur Kryeministri Hashim Thaçi u ngrit në këmbë para oxhakut të kabinetit të sekretares amerikane të Shtetit, unë shkrepa aparatin dhe bëra disa fotografi. Ishin foto për histori.
Isha i vetëdijshëm se edhe si gazetari i vetëm nga Kosova e re isha pjesë e një delegacioni të një vendi të porsaçliruar nga sundimi serb dhe që synon lirinë, shtetësinë dhe demokracinë sipas standardeve më të larta evropiane. Kur hyra në takim, me vete e kisha një diktafon për ta incizuar për çdo eventualitet zërin e bisedës.
Në këtë takim shumë të përzemërt, zonja Albright u interesua në mënyrë të veçantë të dëgjojë nga kryeministri Thaçi vlerësimet e tij lidhur me zhvillimet në Kosovë, bashkëpunimin me KFOR-in, UNMIK-un, OSBE-në dhe me organizmat e tjerë ndërkombëtarë pas largimit të forcave serbe nga Kosova. Hashimi pasi falënderoi Sekretaren Albright për kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve dhe të aleatëve të saj për çlirimin e Kosovës, ishte shumë i drejtpërdrejtë në vlerësime lidhur me zhvillimet në Kosovën e re. Ai kërkoi mbështetjen e mëtejshme të ShBA-së për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës dhe për transformimin e UÇK-së, për krijimin e Forcës Mbrojtëse të Kosovës, si dhe për çështjet e tjera për rindlërtimin e Kosovës.
Sekretarja e ShBA-së me interesim të posaçëm dëgjonte Thaçin dhe shprehu gatishmërinë e SHBA-ve për mbështetjen e Kosovës së re. Mirëpo, për shkak të karakterit të takimit me dyer të mbyllura, nga kabineti i zonjës Albright më thanë të dal nga takimi. E kuptova protokollin dhe duke nxituar, e harrova diktafonin që e kisha lëshuar të inçizojë. Për të mos dyshuar në qëllimin tim të paplanifikuar, i them një zonjushe, e cila ishte pjesë e ekipit për informim të sekretares amerikane të shtetit, se e kam harruar diktafonin, duke e lutur që, pasi të mbarojë takimi, të ma japin. Nuk më interesonte diktafoni si aparat, por mendoja se ma japin pa e kontrolluar çfarë ka incizuar.
Kur mbaroi takimi, në agjendë të delegacionit të Kosovës ishin edhe disa takime, i radhës ishte në USAID. Mua më interesonte pjesëmarrje në takimin në USAID, por prisja ta merrja diktafonin. E marr adresën ku mbahej takimi në USAID dhe u them anëtarëve të delegacionit të Kosovës të shkojnë në takim se unë mund të vonohem derisa ta marr diktafonin. M’u dashtë të pres më shumë se një orë derisa ishte fshirë krejt çfarë ishte incizuar në diktafon, madje edhe një material që e kisha incizuar para këtij takimi. Kur erdhi shefi i Sigurimit i sekretares amerikane të shtetit, një burrë trupgjatë, ma dha diktafonin dhe më shikoi pak si me inat, me siguri duke menduar se diktafonin e kam lënë me qëllim në tavolinë.
Kur e marr diktafonin kontrolloj se a ka mbetur diçka nga incizimi i takimit historik, por asgjë nuk dëgjohej, asnjë zë nga takimi. U detyrova ta marr një taksi para Departamentit Amerikan të Shtetit dhe ia jap adresën e USAID-it, ku ishin në takim anëtarët e delegacionit të Kosovës. Mbërrij para ndërtesës së USAID-it dhe pres të dalin për ta vazhduar agjendën tjetër. Aty e bëmë nga një foto me Hashim Thaçin, Mehmet Hajrizin, Jakup Krasniqin, Bajram Kosumin, Fatmir Limajn e të tjerët dhe vazhduam deri në hotel për të pushuar dhe vazhduar agjendën e paraparë.
Meqë më duhej të përgatisja një raport telefonik nga takimi me zonjën Albright dhe zyrtarët e tjerë të Departamentit të Shtetit (zëvendësin e Departamentit të Shtetit dhe zëdhënësin e tij James Rubin, ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Frank Loy dhe zëvendësin e tij Harold Koh, këshilltarin special të Presidencës dhe të sekretares së Shtetit për Kosovën, James F.Dobbins, bashkëkryesuesin e Konferencës ndërkombëtare për Kosovën, diplomatin e mirënjohur amerikan Christopher Hill, drejtorin e ekipit të Planifikimit të Politikave të Departamentit të Shtetit, James B. Steinberg, nënsekretarin e Mbrojtjes së ShBA-së – Pentagonit, Walter B. Slocombe, ekspertin për çështje të Ballkanit – Balkan Action Council, Morton Abramovitz dhe drejtuesit e USAID-it, Hattie Bobbit dhe Brandy Andersen, e pyeta Hashimin se si kaluat me zonjën Albright. Ai më tha: “Takimi ishte shumë i përzemërt dhe i suksesshëm. Zonja Albright ka rikonfirmuar mbështetjen e ShBA-së për Kosovën, sidomos angazhimet tona për ndërtimin e institucioneve dhe të një vendi demokratik shumetnik”.
Në selinë e OKB-së në New York
Nga Washington-i me tren nisemi për New York, aty ku ishin paraparë takimet në selinë e OKB-së dhe në Ambasadën Amerikane në OKB. Pasi shkaku i një stuhie të fuqishme disa lisa kishin rënë në binarët e hekurudhës, u detyruam ta vazhdojmë rrugëtimin me autobus. Në New York kemi fjetur në një hotel shumë të shtrenjtë për standardin tonë dhe kemi vazhduar agjendën tonë. Vizituam zyrën e Kosovës në New York dhe nga Dino Asanaj, shef i saj, u informuam për veprimtarinë e madhe të komunitetit shqiptar në Amerikë para, e sidomos gjatë luftës në Kosovë.
Këtu ishte edhe veprimtari i Fondit “Vendlindja thërret” në ShBA, Shefki Mexhuani, Hysni Syla, si dhe shumë veprimtarë të tjerë. Bashkë me Dinon kemi vizituar selinë e OKB-së, ku Hashim Thaçi mbajti një konferencë me gazetarë. Sipas protokollit të OKB-së, ajo nuk mund të xhirohej me kamera të jashtme, me kamerën që e kishte huazuar Abazi nga shqiptarët e Amerikës, nga kolegu Hys Shkreli.
Konferencën e xhiron vetëm ekipi i OKB-së dhe materiali mund të merrej pasi të paguhej. Shfrytëzuam rastin ta vizitojmë sallën e madhe të OKB-së, ku mbaheshin takimet e Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, ajo e Këshillit të Sigurimit dhe ambientet e tjera. Takojmë aty edhe ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në OKB, Agim Neshon, i cili kishte qenë shumë aktiv me prezantimin e zhvillimeve në Kosovë, sidomos gjatë periudhës së luftës para ambasadorëve të shumë shteteve të botës.
Diplomati shqiptar dukej shumë i përgatitur dhe i vendosur në punën e tij të cilën e bënte me përkushtim. Ai më ndihmoi duke ma dhënë në shërbim edhe telefonin mobil për të raportuar në TVSh për takimet e delegacionit të Kosovës me zonjën Albright dhe në OKB. Në selinë e OKB-së kanë qenë edhe Shaban Shala dhe Ahmet Shala, të cilët kishin qenë pjesë e Konferencës në Lansdowun.
Delegacioni nga Kosova ka shkuar në ambientet e Ambasadës së ShBA-së në OKB në New York, në afërsi të selisë së OKB-së, ku u takua me ambasadorin amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Hollbrooke. Takimi me Hashim Thaçin dhe anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës ishte shumë i përzemërt.
Hollbrooku ishte mik i madh i shqiptarëve dhe i njohur për qëndrimet kundër politikës së diktatorit serb Millosheviq. Delegacioni i Kosovës ka vizituar edhe Zyrën e Kosovës në New York, ku është pritur nga shefi i saj Dino Asanaj, Hysni Syla, Shenasi Rama, Shefki Mexhuani, Ahmet Zherka dhe shumë veprimtarë të tjerë shqiptarë, kurse në mbrëmje darkoi në restorantin e Bruno Selimajt dhe morën pjesë edhe disa kongresistë amerikanë, mbështetës të Kosovës dhe shumë mërgimtarë nga të gjitha viset etnike shqiptare në Amerikë.
Kështu përfundoi vizita e delegacionit të Kosovës në ShBA. Unë u ktheva bashkë me anëtarët e delegacionit të Kosovës deri në aeroportin e Shkupit dhe më 18 shtaor 1999 nga Shkupi përmes helikopterit të KFOR-it kemi ateruar për në bazën e tij në Arbëri.
Presidenti amerikan Bill Clinton dhe Sekretarja Albright priten si heronj në Kosovë
Për herë të parë në Kosovën e lirë, më 23 nëntor 1999, vjen miku i madh i saj, Presidenti amerikan Bill Clinton. Ai me administratën e vet, bashkë me zonjën Albright dhe ushtarakët amerikanë në NATO, bënë shumë që forcat ajrore të NATO-as t’i bombardojnë caqet ushtarake dhe policore serbe në Kosovë e Serbi. Clinton në tubimin me qytetarët e Ferizajt thotë: “Ne e fituam luftën, kurse ju duhet ta fitoni paqen!”.
Unë isha i akredituar si gazetar i RTK-së dhe RTSh-së për ta përcjell këtë ngjarje. Në Kampin Ushtarak Amerikan në Sojevë të Ferizajt (Bonstill), me kolegët e mi dhe të mediave të tjera shkuam me autobus special të KFOR-it amerikan dhe patëm rastin që nga afër ta ndjekim këtë vizitë të njeriut të parë të ShBA-së, shtetit mik të Kosovës dhe shtetit më të fuqishëm në botë.
Clintoni në Kosovë u prit si hero. Ai këtë e meritoi, sepse në mars të vitit 1999 mori vendimin historik për sulme ajrore të NATO-s ndaj Serbisë. Gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 1999 Kosovën e vizojnë edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan. Shefi i Misionit të Vëzhguesve të OSBE-së, ambasadori amerikan William Walker, përveç kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës, viziton edhe Reçakun e Shtimes, vendin ku më 15 janar 1999 ndodhi masakra e njohur e forcave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Walker këtë e pat quajtur Krim kundër njerëzimit. Edhe Walkeri pritet si hero.
Këto ishin vetëm disa nga ngjarjet dhe momentet më të paharrueshme gajtë punës sime si gazetar, nga të cilat pata nderin që të raportoj për Televizionin Shqiptar.
Edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur raportoja për takimet e udhëheqjes politike të UÇK-së me diplomatin e njohur amerikan Christopher Hill dhe me diplomatët e tjerë evropianë, isha i bindur për mbështjen e parezervë të SHBA-ve dhe të aleatëve të saj dhe se Kosova do të çlirohet dhe populli ynë do ta realizojë asporatën shumë shekullore lirinë dhe pavarësinë e plotë. Prandaj, duhet që mos të harrojmë kurrë që tu jemi mirënjohës miqëve tanë, veçmas Zonjës Albright, Presidentit Clinton, gjeneralit Clark, Walker dhe të gjithë ushtarakëve të NATO-s për kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë tonë.
Lavdi e përjetëshme Zonja Sekretare!