XHAVIT HALITI: HISTORINË E VËRTET E SHKRUAJNË HISTORIANËT

Prishtinë, 27. 07. 213 – Kushdo ka të drejtë të shkruaj, por askush nuk ka të drejtë të provokojë individë apo të hedhë baltë mbi luftën tonë çlirimtare. Ideja për këtë shkrim më lindi nga debati mediatik për figurën dhe personalitetin e z. Ramush Haradinaj. Kjo shfaqje, që për mua personalisht është e papëlqyeshme, më vuri përballë një pikëpyetje: Do ta lëmë hartimin e historisë së luftës sonë çlirimtare nga Serbia në dorë të disa gazetarëve dhe opinionistëve, që shpërndajnë dhe injektojnë në opinion vlerësimin personal për ngjarje e protagonistë të kësaj lufte? Kjo pikëpyetje, e lindur momentalisht, i hapi rrugë edhe pikëpyetjes tjetër: historinë e luftës çlirimtare do ta bëjmë në mënyrë spontane, përmes kujtimeve të shkruara nga drejtues të saj, ndonjëherë edhe të vetëquajtur, apo në mënyrë të organizuar shtetërisht, në rrugë institucionale dhe profesionale, akademike? Meqenëse e dyta përfshinë disi në vetvete dhe thelbin kuptimor të së parës, po përpiqem t’i jap përgjigje.
1. Ngjarjet e mëdha historike (çlirimi i Kosovës) nuk mund të ndodhnin e finalizoheshin suksesshëm pa pjesëmarrjen masive popullore. (Lufta jonë çlirimtare është fillim e fund vepër e shqiptarëve të Kosovës, e angazhimit, luftës dhe e sakrificave të pazakonta të tyre, që tronditën mbarë Botën.)
2. Drejtimi i çdo lëvizjeje të madhe, organizimi, ecuria, zhvillimet, përcaktimi dhe realizimi i objektivave të tyre mbajnë përherë emra strukturash, organizmash të përbërë nga një numër i vogël njerëzish. Dihen, se janë tërësisht të dokumentuara emrat e anëtarëve të strukturave drejtuese, që paraprinë hartimin e platformës për luftën, për organizimin e strukturave të UÇK-së, për strategjinë, taktikat dhe objektivat e luftës së saj. Në shumicë pjesëtarët e këtyre ish-strukturave janë gjallë, dhe efektivisht aktivë në sfera të ndryshme të zhvillimeve aktuale në Kosovë.
3. Historia dhe politika konvergjojnë dhe divergjojnë. Historia shënon dhe vë kufij kohorë, bën epokë; politika bën shtet dhe ndikon fuqishëm në konsolidimin dhe ecurinë e një kombi, e një populli apo mbarë qytetarëve të një shteti.

Nisur nga sa parashtrova marrë guximin të skicoj një sugjerim për nevojën e fillimit të punës së programuar shtetërisht dhe institucionalisht për hartimin shkencor (të besueshëm dhe sa më të vërtetë) të historisë më të fundit të Kosovës.
Më mungon kompetenca të jap ndonjë ide për kufijtë kohorë të nisjes dhe përfundimit të luftës çlirimtare. UÇK-ja është produkt i këtij procesi, që kurorëzoi përpjekjet e së paku tre brezave kosovarësh për çlirimin nga Serbia. Ajo është forca, mjeti realizues dhe simbol i luftës, por historia e saj kurrsesi nuk e plotëson gjithë historinë e luftës sonë çlirimtare. Vendosja e kufijve ndarës mes etapave të lindjes së lëvizjes, organizimit strukturor të saj, luftës së armatosur etj., është dhe mbetet e drejtë dhe detyrim i institucioneve shkencore historike. Historinë e besueshme, që paraqet, madje që konsiderohet e vërtetë, e bëjnë historianët.
– Ne duhet të shkruajmë historinë e lindjes së një shteti në Ballkan, që ka përparësinë të jetë në qendër të Europës dhe në një rajon gjeostrategjik për politikën aktuale ndërkombëtare.
– Ne duhet të shkruajmë historinë, ku faktori i brendshëm, lufta jonë kundër serbëve, në aleancë dhe në koordinim me aleatët tanë të mëdhenj dhe, konkretisht me ndihmën vendimtare të NATO-s, përfundoi me sukses.
Mendoj se u takon historianëve të gjykojnë e të vlerësojnë, përmes argumenteve të besueshme (dokumenteve dhe dëshmitarëve që janë ende gjallë) vlerën dhe kufijtë ndarës mes luftës së UÇK-së dhe kontributit të NATO-s në çlirimin e Kosovës.
– Ne duhet të shkruajmë historinë tonë më të re nga institucione që merren në mënyrë profesionale me historinë, nga njerëz të distancuar emocionalisht nga zhvillimet e fundit historike e politike dhe të prirë drejt objektivitetit të gjykimit shkencor.
Përmenda historianët, por a mund të konsiderohen të mjaftueshëm shkencëtarët tanë të fushës së historisë?
E bëj pyetjen se rrënjët e lindjes, zhvillimit dhe fitores sonë nuk gjenden vetëm në Kosovë, por janë të shpërndara dhe në Shqipëri dhe në Maqedoni, edhe… më sa përmenda, mendoj se historia jonë më e fundit, parakupton dhe kërkon bashkëpunim, së paku, mes institucioneve shkencore historike të të tre shteteve.
Ndaj duke e konsideruar të domosdoshme dhe emergjente hartimin e një platforme për historinë tonë më të re dhe vënien e saj në shërbim të qytetarëve, të shkollës dhe ndërkombëtarëve, sugjeroj:
– para se historia të shpërdorohet me ose pa dashje nga botime kujtimesh, që përcjellin dëshmi të përjetuara subjektivisht për luftën, apo refleksione gazetarësh dhe opinionistësh, shteti ynë duhet të filloi punën, duke ndarë edhe fonde monetare, për aktivizimin e studimeve shkencore në hartimin me përgjegjësi të historisë sonë më të fundit. Studiuesit tanë ende e kanë luksin t’i kenë gjallë dhe veprues shumë nga protagonistët dhe dëshmitarët e ngjarjeve historike. Nga sa jam në dijeni të zhvillimeve tona të derisotme, mendoj që është koha dhe janë mundësitë institucionale, akademike dhe financiare që sugjerimi i parashtruar në këtë shkrim të mund të tërheqë vëmendjen dhe, do të uroja, që edhe të merrej në konsideratë nga instancat përkatëse shtetërore.
Në këtë propozim, kurrsesi nuk synoj t’u kundërvihem shkrimeve që bëhen e vlerësimet që jepen për luftën dhe figurat e saj. Përkundrazi, mendoj se ato do t’u shërbejnë si material mbështetës historianëve për një parashtrim serioz dhe shkencor të historisë. Kushdo ka të drejtë të shkruaj, por askush nuk ka të drejtë të provokojë individë apo të hedhë baltë mbi luftën tonë çlirimtare.
– Autori është nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

(Dërguesi i shkrimit në www.pashtriku.org është: [email protected])

………………………..

– NGA ARKIVI –

Xhavit Haliti Pa Rrotlla – Pjesa 8 – 9

Flet Xhavit Haliti – Tiranë – Shtator 1998

Xhavit Haliti: “Unë e bana projektin për UCK” (pjesa 1 – 3)

——————————————–

(Ilustrimet janë të pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura