Pashtriku.org, 11. 03. 2015 – Në 34 vjetorin e demonstratave të pranverës 1981 – (Hyrje) – Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, të cilat me të drejtë janë quajtur Kryengritje paqësore, ishin shpërthim i vrullshëm i revoltës së popullit shqiptar kundër shtypjes e shfrytëzimit dhe kundër robërisë së gjatë e të egër serbe. Kjo Kryengritje sublimoi zgjimin e madh të popullit të robëruar shqiptar për të drejtat e tij legjitime, për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e merituar. Regjimi pushtues shovinist, egërshan e inatçi serb e jugosllav, u ngut ta kualifikonte Kryengritjen me termat e inkriminimit të rëndë penal, kundër çdo logjike të shëndoshë e parimi demokratik, kundër çdo të drejte njerëzore, kolektive e individuale, madje edhe kundër politikës që vetë kishte proklamuar e kundër frymës së kushtetutës në fuqi. Qëllimi i tij ishte t’i hapte rrugë sulmit frontal, me të gjitha mjetet e mënyrat, kundër popullit liridashës shqiptar, Lëvizjes së tij çlirimtare dhe vlerave politike, kombëtare, arsimore e kulturore që kishte arritur në shekuj. Politika shoviniste e Beogradit në Kosovë i kushtoi shumë popullit shqiptar, por edhe vetë Serbisë e Jugosllavisë. Kanë kaluar 33 vjet (tani 34 – Sh.B) nga Kryengritja e vitit 1981 dhe qëndrimet e gabuara ndaj saj kanë vazhduar, madje edhe nga vetë shqiptarët, si nëmë e mallkim i vazhdueshëm. Në këtë punim do të paraqiten shkurtimisht vetëm dhjetë prej tyre, mbase më karakteristiket.
1. Ideja e shtetësisë së Kosovës
Politikanë, publicistë dhe historianë të ndryshëm, duke u shërbyer qëllimeve dhe interesave efemere politike, idenë e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, e paraqesin relativisht të re, duke mohuar kështu pjesën më të madhe të jetës së saj.
Krahas objektivit programatik dhe historik të shqiptarëve për bashkim, si një e drejtë legjitime e një populli të ndarë dhunshëm dhe padrejtësisht, si alternativë ka bashkëjetuar edhe ideja e shtetësisë së Kosovës, ose gjithë viseve shqiptare të pushtuara nën ish-Jugosllavi, në kuptimin taktik të një faze tranzitore drejt qëllimit strategjik të bashkimit kombëtar. Në mënyrë publike qytetare dhe plebishitare, kjo ide u shpërfaq me tërë fuqinë e saj në demonstratat masive të shqiptarëve të robëruar më 1968, për t’u përsëritur në një dimension të pa parë në Kryengritjen shqiptare të vitit 1981.
Programin e demonstratave për shtetësinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës, e dëshmojnë dhe argumentojnë bindshëm shtypi klandestin i kohës, dokumente të Lëvizjes Kombëtare dhe burime të shumta arkivore. Parulla qendrore të këtyre ngjarjeve ishin “Kosova-Republikë”, (që do të thotë: shtet) dhe “Vetëvendosje”, (që do të thotë: e drejtë e shqiptarëve të ndarë bashkë me tokat e tyre, për t’u përcaktuar lirshëm nëse duan të bashkëjetojnë me pushtuesin barbar, t’i kthehen trungut nga ishin ndarë, apo të formojnë shtetin e tyre.)
Në organin politik të shtypit klandestin të Lëvizjes Kombëtare, “Liria”, të vitit 1980, lidhur me shtetësinë e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare nën ish Jugosllavi, shkruante: “Kërkesa e popullit tonë të robëruar që të bashkohen trojet e tij në një njësi të vetme administrative është e drejtë dhe e ligjshme.” Ndërkaq, pas shpërthimit të demonstratave, kjo gazetë do të shkruajë: “Kërkesa e të gjithë popullit tonë për republikë, është kërkesa për shpëtimin tonë nga sundimi i egër shovinist serb, i cili në bashkëpunim me shovinizmin malazez dhe maqedonas, shtyp dhe shfrytëzon dhe vëllezërit tanë në Maqedoni e Mal të Zi, është kërkesë kundër grabitjes së pasurive të tokës sonë, për të cilën fshatari patriot shqiptar ka luftuar me shekuj, është kërkesë kundër rrëmbimit të drithit dhe të arave tona, bukës sonë, bagëtive tona. Është kërkesë për një jetë më të mirë e më të lirë, për shkolla shqipe, për kulturën tonë, për rrugë e ambulanca në fshatrat tona, kërkesë për zhdukjen e varfërisë së mjerueshme dhe kurbetit të hidhur, papunësisë e analfabetizmit, kërkesë për të qenë zotë në trojet tona.” Do përmendur në mënyrë të veçantë, Tezat e Frontit për Republikën e Kosovës, në të cilat në maj të vitit 1981, thuhej: “Qëllimi i Frontit për Republikën është që Krahina e Kosovës të çlirohet nga sundimi i Serbisë dhe të fitojë statusin e republikës brenda Federatës jugosllave. Kërkesa për republikën e Kosovës është e drejtë dhe përkrahet nga i gjithë populli shqiptar” Së fundi, do sjellë edhe një shembull të jashtëm, për të pasqyruar jehonën e çështjes së Kosovës në botë. Gazeta franceze “Figaro” e 30 qershorit të vitit 1981, në një artikull për Kosovën prekte qëllimin themelor programatik të demonstratave: “Popullsia e saj shpresonte dhe parashikonte një republikë të Kosovës të pavarur dhe të barabartë me republikat e tjera jugosllave. Që nga kjo kohë është shënuar në këtë krahinë lindja dhe rritja e një korrenti të favorshëm për pavarësi”. T’ua mohosh demonstratave të vitit 1981 programin e qartë politik për shtetësinë e Kosovës, do të thotë ta mohosh tërë përmbajtjen dhe kuptimin e tyre.
2. Lëvizja Kombëtare dhe demonstratat
Në mënyrë të shëmtuar dhe tendencioze, aty-këtu bëhen përpjekje që këto ngjarje të mëdha dhe historike të studiohen e të paraqiten të shkëputura edhe nga Lëvizja Kombëtare Shqiptare për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila e ka ruajtur vazhdimësinë e saj që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, madje që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
Njëri ndër politikanët besnikë të regjimit pushtues në Kosovë, Ali Shukria, ka deklaruar, në një nga mbledhjet e shumta pas demonstratave më 1981 se “Veprimtaria e iredentës në Kosovë, ka qenë pothuajse permanente që nga çlirimi e deri sot”
Lëvizja Kombëtare e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, gjatë gjithë dekadës po e përgatiste popullin, jo vetëm për një kryengritje paqësore, si ajo e vitit 1981, por edhe për luftë të armatosur në një kontekst të përshtatshëm historik. Lëvizja e kësaj dekade nyje dhe kthese të historisë së rezistencës shqiptare kundër pushtuesit serb e jugosllav, identifikohej me Grupin Revolucionar të Kosovës, të quajtur më vonë Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK). Kjo Organizatë ishte reale, me emër, me vit themelimi, me anëtarësi e strukturë organizative, me program të qartë politik e kombëtar, me udhëheqje e përvojë dhe me shtyp klandestin e histori veprimtarie. Në prag të demonstratave të vitit 1981, kishte disa organizata brenda Lëvizjes Kombëtare, të cilat mund të dëshmohen me faktografi historike dhe burime arkivore, por edhe të tjera, për të cilat duhen dëshmi dokumentare, përveç atyre gojore.
Nuk mund të studiohen shkencërisht këto demonstrata pa e njohur rolin e Lëvizjes Kombëtare në to dhe aq më pak, duke injoruar parullat qendrore të tyre dhe duke u kapur pas bishtit të disa parullave ideologjike, anësore e të parëndësishme.
Qëndrimet nihiliste ndaj Lëvizjes së organizuar Kombëtare dhe demonstratave nuk janë aspak naive, por të qëllimshme dhe tendencioze e denigruese. Eksponentë të politikës pushtuese të kohës së demonstratave duan të lajnë duart si Pilati dhe të mbajnë konsistencën armiqësore ndaj demonstruesve, kurse të tjerë, mund t’u shërbejnë edhe do interesave të ngushta klanore të politikës ditore.
3. Shkaqet e shpërthimit të demonstratave
Shpeshherë, jo vetëm në shtypin e huaj, por edhe brenda në Kosovë, shkaqet e demonstratave janë reduktuar ose shtrembëruar, me apo pa dashje.
Mund të jetë që shkak i përmbysjes së një pjate në mensën e studentëve në Prishtinë më 11 mars 1981 të ketë qenë një kacabu në gjellë, por jo edhe shkaku i vërtetë i demonstratës atë mbrëmje. Kushtet e rënda të studimeve në Kosovë, kundër të cilave studentët kishin protestuar edhe më herët, por edhe gjendja ekonomike e sociale, përbënin kryesisht motivet e revoltës më 11 mars 1981. Demonstratat vijuese, krahas kërkesave ekonomike e shoqërore, morën përmbajtje dhe karakter politik e kombëtar, sepse shkaku kryesore i tyre ishte robëria nën të cilën ndodhej populli shqiptar. Gazeta amerikane “Boston Globe” e 18 qershorit 1981, pasi konstaton se më 1913 fuqitë e mëdha e bënë Shqipërinë të pavarur por ia dorëzuan Kosovën monarkisë serbe, përfundon në mënyrë profetike: “Kosova është bota e tretë e vogël e Jugosllavisë: e varfër, krenare, e fyer dhe e padurueshme. Mënyra se si do t’ia dalin mbanë pasuesit e Titos kësaj çështjeje do t‘i tregojë shumë botës mbi të ardhmen e Jugosllavisë”.
Demonstratat u orientuan nga Lëvizja Kombëtare e kohës dhe u masivizuan me të gjitha shtresat e shoqërisë së Kosovës. Masivizimi i demonstratave, që u dha atyre karakterin e një kryengritjeje paqësore të popullit shqiptar, ndodhi atëherë kur programi dhe qëllimet e Lëvizjes Kombëtare u bënë program politik e kombëtar i masave qindra mijëshe të demonstruesve. Një faktor i fuqishëm masivizimi ishin bërë edhe raprezaliet sistematike që ushtronte regjimi kundër demonstruesve paqësorë.
4. Organizatorët e jashtëm apo të brendshëm
U bënë 33 vjet përpjekje të kota dhe shpenzim kohe e energjie për të vërtetuar se demonstratat i ka organizuar Tirana zyrtare, Beogradi, shërbimet sekrete të Bashkimit Sovjetik e Bullgarisë, “mërgata reaksionare shqiptare” etj. Fillimisht zyrtarët e Beogradit ishin në një konfuzion qëndrimesh rreth Kryengritjes së vitit 1981 në Kosovë, nëse ishte importuar apo shpërthim i brendshëm. Përvoja e të tjerëve, si duket i mësoi ta zhvendosnin vatrën e saj jashtë vendit. Gazeta gjermanoperëndimore “Frankfurter Algemaine” e datës 9 prill 1981, duke vërejtur me të drejtë këtë analogji të të gjithë shtypësve të lirisë, ndër të tjera shkruante: “Kur u vjen uji deri në fyt, diktaturat fashiste të Amerikës Latine dhe vetadministrimi jugosllav reagojnë siç duket në mënyrë bukur të ngjashme. Gjëja e parë është fajësimi i armikut të jashtëm.”
Autoritetet serbe dhe jugosllave, me qëllim që t’u jepnin peshën e madhe të rrezikshmërisë dhe të justifikonin masat që do të ndërmerrnin në Kosovë, Kryengritjen e kualifikuan si kundërrevolucion të organizuar nga qarqe të jashtme. Në dokumentin bazë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë kundër demonstratave, me titullin e gjatë “Platforma politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë”, shkruante: “Duke keqpërdorur ndërlikueshmërinë dhe kontradiktat e situatës së brendshme në Kosovë…armiku, me një përkrahje të fortë nga qendrat e huaja në botën e jashtme, iu qas luftës për cenimin dhe shkatërrimin me dhunë të rendit kushtetues dhe të marrëdhënieve kushtetuese në KSA të Kosovës, në RS të Serbisë dhe në RSF të Jugosllavisë.” Dhe më tej: “Përzierja nga RPS e Shqipërisë me kohë kaloi në përkrahje të hapët të forcave irredentiste dhe kundërrevolucionare, veçmas në Kosovë” Ndërkaq, njëri nga eksponentët e regjimit në Kosovë, në maj të vitit 1981 thoshte: ”Armiku….doli me parullat, qëllimet me planet që janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare, të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste.” Megjithatë, ideologu i nacionalizmit serb, akademiku Dobrica Qosiq mendonte ndryshe. Ai më 26 prill 1981 shkruante: “Nuk e kuptoj përse udhëheqja e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë dhe Serbisë e emërtoi ideologjikisht si kundërrevolucion lëvizjen nacionaliste-separatiste të shqiptarëve. Harruan pasardhësit e Titos që PKJ, deri në kryengritje dhe në okupimin Italian të Kosovës dhe Metohisë, këtë territor e konsideronte shqiptar. Kurse tashti u bëhet kundërrevolucion ajo energji e cila qysh nga 1924, e sidomos pas vitit 1928, sipas ideologjisë së Kominternit, konsiderohej ideologji revolucionare…
Shqiptarët aspirojnë bashkimin kombëtar, atë që me shekuj në botë dhe në Evropë është konsideruar qëllim demokratik dhe i natyrshëm, dmth. e drejta e bashkimit me amën e vet, bashkimin në një shtet të vetin shqiptar. ”
Kur i mbledh bashkë të gjitha trillimet për infiltrimet e jashtme në Kryengritjen popullore të vitit 1981, del një lëmsh i pa fill dhe paradoksal i “kolaborimit” të Tiranës dhe Moskës zyrtare, i marksistëve dhe reaksionarëve, i rinisë “së indoktrinuar nga Shqipëria e Enver Hoxha” dhe Beogradit, i Bullgarisë socialiste e Perëndimit kapitalist etj.! Gjithë të armiqësuarit e botës, u pajtuan dhe u bënë bashkë për të organizuar demonstrata në Kosovë dhe për ta dëmtuar Jugosllavinë socialiste dhe vetëqeverisëse!
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Stane Dollanc, në një konferencë shtypi më 6 prill 1981, duke u përgjigjur në pyetjen, kush qëndron prapa demonstratave në Kosovë, thoshte: “Forcat më reaksionare të botës edhe fashiste dhe më dogmatike, të cilat në këtë rast, sigurisht janë bashkuar dhe kanë adoptuar një platformë.” Por, bashkëkombësi dhe kolegu i tij, Jozhe Smole, mendonte se po teprohet: “Nuk është mirë të biem në skajshmëri: që një ditë të konstatojmë se neve gjithë bota aktivisht na mbështet, se është e interesuar për Jugosllavinë e bashkuar dhe integritetin e saj, kurse herën e dytë vijmë në skajshmërinë tjetër dhe lëmë përshtypjen sikur gati gjysma e botës është kundër Jugosllavisë.”
Por, regjimi pushtues i dinte mirë shkaqet e vërteta të demonstratave, kush i bëri ato dhe cili ishte qëllimi i tyre. Ai e fajësonte Shqipërinë, jo pse e paskësh indoktrinuar popullin shqiptar në Jugosllavi, apo organizuar demonstratat, por që ta kishte pretekstin e ndërprerjes së menjëhershme të marrëveshjeve të bashkëpunimit kulturor dhe arsimor me të dhe të vendoste perden e hekurt në kufi. Kjo u dëshmua shpejt me masat e denja për inkuizicionin mesjetar, kundër librit shqip, kundër arsimit e kulturës, kundër çdo vlere shqiptare, pavarësisht kufijve që i ndanin shqiptarët. Në gjithë këto teori mjegulluese ka vetëm një të vërtetë: Kryengritja e vitit 1981 është vepër e vetë popullit shqiptar të Kosovës dhe e Lëvizjes së tij Kombëtare.
5. Spontaniteti dhe organizimi
Kryengritja e vitit 1981 trajtohet gabimisht si një shpërthim ekskluzivisht spontan, ose i planifikuar, duke mohuar alternativën e evoluimit nga spontaniteti te organizimi. Nga dëshira për të argumentuar organizimin e jashtëm, një grup trajtuesish, mohon rolin organizativ të Lëvizjes Kombëtare, kurse të tjerë duan t’i shohin ato të paorganizuara fare, si një shpërthim stihik i masave të harlisura! Ndërkaq, ka edhe shkrime e paraqitje, në të cilat “dëshmohet” për organizimin e planifikuar të demonstratave nga ndonjë organizatë, ose edhe më keq, nga ndonjë individ, madje për rrjedhën e gjithë Kryengritjes së viti 1981.
E vërteta është që Lëvizja Kombëtare e Kosovës, mirë e organizuar dhe me veprim sistematik e të gjithanshëm, vite me radhë kishte zgjeruar e konsoliduar radhët e saj, kishte ngritur një sistem të tërë të shtypit klandestin dhe të përhapjes së ideve të lirisë, kishte sqaruar masat për gjendjen robëruese nën të cilën ndodheshin dhe kishte përgatitur demonstratat e kushtet për kryengritje të armatosur në të ardhmen. Derisa brenda Lëvizjes po shqyrtohej koha e demonstratave, ato filluan spontanisht, por aktivistët e organizuar hynë në to dhe morën rolin drejtues.
Duke dalë në ballë të demonstratave, Lëvizja Kombëtare i orientoi e organizoi ato, pamundësoi ndikimin e provokatorëve dhe siguroi pastërtinë e drejtësinë e luftës. Në demonstratën e qendrës së Prishtinës, si organizatorë e prijës të saj dhe si militantë të organizuar në Lëvizje, ranë dëshmorë më 2 prill 1981, Naser Hajrizi dhe Asllan Pirava. Por edhe dëshmorët tjerë të vitit 1981 ishin të motivuar nga Lëvizja ose u përkisnin familjeve të lidhura tradicionalisht me të si, Xhelal Maliqi e Salih Abazi (Prishtinë, më 2 prill 1981), Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni (Vushtrri, më 3 prill 1981), Rizah Matoshi e Sherif Frangu (Ferizaj, më 3 prill 1981), Tahir e Nebih Meha (Prekaz, më 13 maj 1981), Nesimi Dervishdana (Gjakovë, më 26 korrik 1981) dhe Ibrahim Krasniqi e Afrim Abazi, të burgosur të demonstratave, të cilët autoritetet e regjimit i mbytën në burgjet jugosllave.
Pa rolin e veprimtarëve të organizuar, nuk do të mund të ruhej karakteri dhe pastërtia e demonstratave, përballë shovinizmit të shfrenuar serb mbi demonstruesit dhe popullin shqiptar, përballë sulmeve, shpeshherë edhe nga civilët që nga ballkonet hidhnin saksi mbi kokat e demonstruesve, ose zinin pusi me armë në dorë. Në Lëvizjen e madhe të vitit 1981, me qindra mijë pjesëmarrës, nuk u dëgjua asnjë urrejtje, asnjë parullë shoviniste kundër popullit serb. Ky fakt ishte vërejtur dhe çmuar edhe nga opinioni demokratik ndërkombëtar. Gazeta e cituar “Frankfurter Algemaine” e datës 27 prill 1981 konstatonte: “Turbullirat në Kosovë ishin më të ashpra dhe me përmasa më të mëdha sesa jepen zyrtarisht. Ndërmjet datës 1 dhe 4 prill nuk mbeti asnjë zonë e krahinës pa bërë në forma të ndryshme, demonstrata e greva…Të gjithë vrojtuesit vërtetojnë se demonstratat e shqiptarëve, pavarësisht karakterit nacional, nuk janë të drejtuara kundër pakicës serbe”. Edhe gjatë demonstratave kishte gjithandej shpërthime spontane, sepse ishte e pamundur, jo një por edhe të gjitha organizatat bashkë të mbanin në kontroll dhe të organizonin gjithë atë lëvizje masash përnjëherë. Demonstratat nxirrnin gjithashtu aty për aty drejtuesit nga radhët e veta edhe kur mungonin militantët e organizatave.
6. Demonstrata të dëmshme apo të dobishme
Zyrtarë të regjimit pushtues në Kosovë, i kanë fajësuar demonstratat për përçarje të popullit (sic!), për nxitje të luftës civile, pengim të procesit për arritjen e republikës në tavolina të gjelbra, kthim prapa të Kosovës, për pretekstin që i dhanë ofensivës serbe, për “ndjellje të dreqit” etj. Disa analistë të papaguar, mendojnë se demonstratat u organizuan herët, se e prishën rehatinë, se e ngacmuan shovinizmin e fjetur serb dhe jo vetëm pamundësuan republikën, por çuan edhe në humbjen e autonomisë! E vërteta është që Serbia kishte projekte të përgatitura nga qarqe të larta shkencore dhe politike, siç ishte “Libri i Kaltër” i vitit 1976, për të shuar autonominë e Kosovës dhe për të përjetësuar sundimin mbi shqiptarët. Veprimet serbe nuk ishin përgjigje ndaj demonstratave, por ndaj planeve të hartuara me kohë. Më 1979, për shkak të një trakti të Lëvizjes, fill pas vizitës së Titos në Kosovë, u arrestuan 500 shqiptarë. Serbia i bëri jehonë këtij arrestimi, duke pretenduar ta paraqiste gjendjen si të rrezikshme në Kosovë, duke e lidhur atë me emrin e Titos, me qëllim që të ndërhynte egërsish, por dështoi.
Sa i përket realizimit të republikës duke pirë kafe në tavolina, do kujtuar dëshminë e ish-shefit të Lidhjes Komuniste të Kosovës së atëhershme, Mahmut Bakallit, shumë mirë të informuar, i cili ka thënë: “Pra, me sa di unë asnjëherë nuk është hapur në asnjë organ politik çështja e Republikës së Kosovës.”
Ngjarjet e vitit 1981 e pamundësuan zbatimin e planit serb, i cili u shty deri në vitin 1989, kur ishte tepër vonë për t’u përjetësuar. Përrallat për përçarjen e popullit e luftën civile, për rehatinë e robit e ngacmimin e luanit, nuk meritojnë vëmendje, por duhet thënë që demonstratat ishin vonuar nja 12-13 vjet, sepse duhej të vazhdonin ato të vitit 1968, deri në realizimin e statusit të republikës, më së voni më 1974, kur u bënë ndryshimet kushtetuese në Jugosllavi.
Siç kanë vlerësuar edhe analistë të huaj në atë kohë, pas demonstratave, jo vetëm Kosova, por as Jugosllavia nuk ishte më ajo që kishte qenë. Demonstratat e vitit 1981 janë fillimi i fundit të Federatës jugosllave dhe i sundimit serb në Kosovë. Ato bënë kthesën e madhe të Kosovës, duke lënë prapa robërinë dhe duke hapur horizontet e lirisë. Viti 1981, siç ka thënë me të drejtë veprimtari i çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, e ndryshoi historinë. Zjarri i rezistencës së vitit 1981, jo vetëm nuk u shua më, por erdhi duke u rritur nga viti në vit, deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëbimin e forcave serbe nga Kosova, më 1999.
7. Ideologjizim i demonstratave dhe i Lëvizjes Kombëtare
Organizata të ndryshme të Lëvizjes Kombëtare kishin ngjyrime ideologjike të majta, sidomos në emërtime dhe propagandë, si inerci që vinte nga konteksti historik dhe ndikimi i Shqipërisë socialiste. Idetë e Marksit, kishin qenë gjithashtu në funksion të çlirimit të shumë popujve dhe të dekolonizimit të botës moderne.
Analistë të ndryshëm qëllimkëqij, e shfrytëzojnë këtë fakt historik, për ta njollosur Lëvizjen Kombëtare dhe mohuar programin e saj politik e kombëtar, tashti në kontekstin e ri historik, jo për të djathtën “reaksionare”, por për të majtën “terroriste”. Për më tepër, e bëjnë këtë edhe disa komunistë të përbetuar titistë të cilët dikur e kishin plot gojën kundërrevolucion, socializëm e vetëqeverisje. Demonstratat dhe gjithë Lëvizja ilegale shqiptare, janë cilësuar nga qarqe të ndryshme politike në Kosovë edhe si ekstremiste e të dhunshme.
Lëvizja Kombëtare e Kosovës, kurrë në jetën e saj nuk është karakterizuar nga majtizmi ekstrem, nga ekskluzivizmi ideologjik, nga anarkizmi a terrorizmi. Disa elemente të majta të saj, absolutisht nuk e vënë në dyshim as e cenojnë përmbajtjen e karakterin nacionalçlirimtar të programit politik që e orientonte në gjithë veprimtarinë. Në organin e shtypit të Grupit Revolucionar të Kosovës, “Zëri i Kosovë” të vitit 1974, te shkrimi me titull “Puna në celulat revolucionare dhe zgjerimi i radhëve“ , thuhej: “Ne kemi përpara tri detyra të mëdha: çlirimin kombëtar, shoqëror dhe bashkimin me atdheun amë, dmth. me Republikën Popullore të Shqipërisë. Vetëm kjo e fundit i jep kuptim të plotë dy të parave.“ Kurse në programin e OMLK, shkruante: “Aspiratat e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar, armiqtë revizionistë e tradhtarët nuk kanë mundë t’i mbysin dhe nuk do të mund të bëjnë kurrë një gjë të tillë. Populli ynë ka luftuar, lufton dhe është i vendosur të luftojë gjer në realizimin e plotë të këtyre aspiratave.”
E majta në përgjithësi dhe e majta shqiptare në veçanti, ka dhënë prova atdhedashurie e përkushtimi, lufte e sakrifice, guximi e heroizmi të pashembullt në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare. Nuk është as nuk ka qenë kurrë përkatësia ideologjike e majtë apo e djathtë, përcaktuese e shpirtit patriotik të shqiptarëve. Vlera e atdhedashurisë dhe e vetëmohimit karshi interesave të mëdha kombëtare te shqiptarët ka qëndruar dhe qëndron lart mbi ideologjitë sociale e fetare.
Një historian yni i kohëve tona, në janar të këtij viti në një emision televiziv, duke folur për grupe marksiste-leniniste të shqiptarëve në Perëndim e sidomos në Gjermani, pasi i quan të instrumentalizuara, terroriste dhe të drejtuara nga KGB e Moskës, vjen në përgjithësime të këtilla: “Nuk mund të ketë grupe leniniste-staliniste dhe të thonë kemi qenë pozitive. Këtë fshije…Nuk mund të thotë kush, unë kam qenë marksist-leninist, por kam qenë edhe i djathtë (dmth. atdhetar, shën. M.H.), këtë e nin veç te shqiptarët dhe te këta tipa… Nëse ti ke qenë anëtar i një grupi leninist-marksist, nuk mund të jesh ti i djathtë ose atdhetar” E po, shpifje kaq monstruoze nuk gjenden as në aktakuzat e të dënuarve politikë shqiptarë, sepse atje këta marksistë-leninistë, kualifikoheshin si reaksionarë e kundërrevolucionarë, që synonin t’ia shkëpusnin Kosovën Serbisë dhe ta bashkonin me Shqipërinë. Ky studiues i tha këto, jo në cilësinë e politikanit, por të shkencëtarit, qartësisht në shërbim të politikës, sepse këto nuk janë më shumë se opinione subjektiviste, por larg dijës dhe së vërtetës shkencore. Në Greqinë e lashtë thuhej, të ruhemi nga opinionet dhe të kërkojmë dijet.
Duke pasur parasysh që në Kosovë, gjatë viteve ‘70 dhe ’80 të shekullit të kaluar kishte mbi dhjetëmijë revolucionarë nacionalçlirimtarë shqiptarë të organizuar, që konsideroheshin të majtë, lidhja e tyre me KGB-në, duhej ta bënte këtë agjenci famëkeqe të krenohej për rekrutimet spektakolare në këtë vend të vogël! Kosova, gjithashtu ka aq shumë dëshmorë të Lëvizjes së “majtë” që dhanë jetën e tyre për lirinë e saj dhe jo në emër të ndonjë ideologjie! Ata, nuk lejohet të fyhen, sepse siç thoshte Shekspiri “Fyerja më e madhe që mund t’i bësh një njeriu të ndershëm është dyshimi në ndershmërinë e tij”. Për më keq, mbi jetën dhe veprën e tyre, nuk po hidhet dyshim, por baltë!
Ish-kryetari i Lidhjes Komuniste të Kosovës, Mahmut Bakalli, i cili padyshim ishte më i informuar se historiani ynë, ka thënë: “Vërtetë kanë ekzistuar dhe kanë vepruar ilegalisht në Kosovë, në shumë mjedise, grupet “marksiste-leniniste” ose me emra të tjerë por në esencë me ide të njëjta, të përbërë nga disa të rinj shqiptarë, të frymëzuar nga idetë dhe veprat e Enver Hoxhës, nga praktika e atëhershme e Shqipërisë. Ato grupe të rinjve kosovarë nuk ishin staliniane në kuptimin proruse, bile as leniniste në kuptimin e plotë të fjalës, por në aspektin ideologjik mbështeteshin në Enver Hoxhën, dhe modelin e socializmit shqiptar për aq sa atyre u duhej kjo mbështetje……por, mbi të gjitha veprimtarinë e tyre e kishin fokusuar në zgjidhjen e çështjes kombëtare në Kosovë dhe përgjithësisht të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Prandaj me të drejtë, një pjesë e atyre të rinjve edhe sot thonë, dhe unë ju besoj plotësisht, se në grupet “marksiste-leniniste” ishin të inspiruar me idetë kombëtare, sidomos disa nga ata që ishin të talentuar, vital dhe vërtetë patriot për nga bindja….
Edhe ne në Kosovë kemi bërë gabimin trashanik ndaj këtyre të rinjve dhe gjithnjë më bren ndërgjegjja…
Shpifjet kundër Lëvizjes Kombëtare të Kosovës dhe figurës së veprimtarit të lirisë nuk janë as të sotshme as origjinale. Ato e kanë shoqëruar Lëvizjen që nga lindja e saj dhe vazhdojnë edhe në kohë lirie! Që në dhjetor të vitit 1980, gazeta klandestine “Liria”, në kryeartikullin e saj me titull “Kush janë luftëtarët e lirisë në Kosovë dhe ç’duan ata?” shkruante: “Në propagandën e tyre shpifëse e mashtruese tradhtarët poshtë e lart nëpër Kosovë, mundohen ta bindin popullin se gjoja ne qenkemi “reaksionarë” të lidhur me forca reaksionare jashtë, të ndihmuar prej tyre dhe se dashkemi t’i shesim interesat e popullit te të huajt. Kush i ka shitur interesat e popullit e Atdheun te të huajt, ne apo ata? Reaksionarë, revizionistë dhe tradhtarë janë ata dhe jo ne.
Ne nuk kemi kërkuar dhe nuk do të kërkojmë kurrë ndihmën e reaksionit të jashtëm. Reaksion ka brenda me bollëk, por populli do liri dhe liria mund të fitohet vetëm nga vetë masat popullore. Popullin tonë kurrë nuk e ka çliruar askush; vetë ka luftuar, vetë është mbrojtur, vetë i ka mundur armiqtë. Edhe sot, ai ka forcë të mjaftueshme për t’u çliruar vetë nga armiku, ka bijat e bijtë e tij besnikë që janë të gatshëm të derdhin gjakun e tyre prej shqiptari në altarin e lirisë. Armiku le t’i quajë si të dëshirojë bijtë e popullit, luftëtarët e lirisë por ata nuk njollosen aq lehtë në sytë e popullit. Populli ynë e ka zakon të shikojë punën dhe jo fjalën…Akuzat e armiqve kundër nesh si “armiq të vëllazërim-bashkimit” e të socializmit në Jugosllavi” janë krejt të pabaza sepse në të vërtetë këto asnjëra nuk ekzistojnë në Jugosllavi dhe s’ka se si të luftohen. Por, ne nuk jemi kundër popujve fqinjë jugosllavë, të cilët po ashtu janë të robëruar. Ne nuk duam asnjë pëllëmbë toke të tyre, jashtë sonës dhe dëshirojmë të jetojmë në miqësi e fqinjësi të mirë me ta, por secili në shtëpi të vet. Populli serb, malazez e maqedonas duhet të luftojnë kundër shovinistëve të tyre bashkë me ne, sepse ata i sundojnë edhe vetë këta popuj dhe janë armiq të tyre. Ne dëshirojmë që popujt e Jugosllavisë të çlirohen e të jetojnë të lirë. Shqiptari e ka treguar në vepra këtë dëshirë të sinqertë, ai ka derdhur gjak për lirinë e popujve të Jugosllavisë. Revolucioni popullor në Jugosllavinë revizioniste është i pashmangshëm dhe popujt jugosllavë me siguri do ta kryejnë me sukses atë…Në këtë gjendje, thirrjet e shqetësuara të armikut drejtuar popullit për të luftuar kundër patriotëve e revolucionarëve, kundër vetë bijve të tij, të bëjnë vërtetë për të qeshur” .
8. Lëvizja e masave dhe protagonizmi politik
Disa pjesëmarrës të demonstratave, të motivuar nga protagonizmi politik dhe arsye të tjera, personalizojnë ngjarjet e mëdha dhe shumë masive, duke injoruar rolin e Lëvizjes, madje edhe vetë organizatën së cilës i përkisnin dhe duke heshtur gjakun e derdhur e dëshmorët e rënë.
Kjo mënyrë e trajtimit të çoroditur të demonstratave, ka për qëllim abuzimin e kapitalit të madh patriotik e politik të tyre, për përfitime personale në karrierë dhe kredibilitet publik të individëve. Ata reduktojnë kështu dimensionin e një vepre të madhe masash kryengritëse, dëmtojnë rolin e Lëvizjes dhe ngushtojnë bazën e piramidës së vlerave, në majë të së cilës e shohin veten dhe jo dëshmorët e Kryengritjes. Nuk ke si të mos ndjesh keqardhje gjithashtu, për heshtjen dhe injorimin e mjerë institucional e shoqëror të heronjve të vërtetë të Kryengritjes së vitit 1981, që ranë dëshmorë në ballë të saj. Asnjë akademi përkujtimore, asnjë monument, asnjë monografi, asnjë dokumentar, asnjë status për ta, madje asnjë homazh a fjalë, kurse mburravecët flasin për veten e tyre!
9. Qëndrimi i Shqipërisë ndaj Kryengritjes
Nga konteksti i sotëm historik, Tirana zyrtare e vitit 1981 akuzohet për shitje të interesave kombëtare të Kosovës, për ngurrim që të ndërhynte energjikisht edhe me forcë për çështjen e Kosovës, për ruajtje të pushtetit në dëm të Kosovës etj. Pa mohuar faktin që Shqipëria mund të bënte më shumë për Kosovën edhe në rrethanat historike në të cilat ndodhej, shikuar realisht pozita e saj ndërkombëtare, fuqia e saj politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike, nuk i jepte shumë mundësi udhëheqjes shqiptare që të bënte mrekulli për Kosovën. Edhe me aq sa bënte Shqipëria për Kosovën, tërhiqte drejt vetes sulmet dhe rreziqet serioze, deri në ndërhyrje të jashtme ushtarake në territorin e saj. Anëtari kryesisë së RSF të Jugosllavisë, Lazar Kolishevski, më 29 prill 1981, para funksionarëve më të lartë të Federatës, ka thënë: “Politika shqiptare ndaj nesh vazhdimisht është e ngjyrosur me nacionalizmin e hapur dhe aspirimin për bashkimin e Kosovës Shqipërisë” Ndërkaq, më 14 maj 1981, qeveria jugosllave, lidhur me zhvillimet në Kosovë, i paraqiti qeverisë shqiptare protestë zyrtare për “Përzierje brutale të RPS të Shqipërisë në punët e brendshme të RSF të Jugosllavisë”
10. Dimensioni historik i Kryengritjes
Janë bërë përpjekje për heshtjen e rolit historik të Kryengritjes së vitit 1981, të reduktimit të përmasave të saj dhe të krahasimit me protesta të zakonshme! Demonstratat e vitit 1981, ndonjëherë edhe pa qëllim të keq, quhen gabimisht Lëvizje studentore, duke reduktuar bazën e tyre shoqërore. Megjithëse i kishin filluar studentët, në demonstrata u përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë së atëhershme të Kosovës. Demonstratat, madje kishin përmasa përtej këtij nocioni, prandaj shpeshherë janë quajtur ngjarje historike, kryengritje paqësore, rilindje e dytë shqiptare etj. Në mbledhjen e gjatë të KQ të LK të Serbisë, më 5 maj 1981, zyrtari i larë serb, Nikola Stojanoviq, duke folur për gjendjen e krijuar nga Kryengritja në Kosovë, thoshte: “Megjithëse kurrë nuk e kishim lehtë, që nga lufta e deri tashti asnjëherë nuk ishim në situatë më të komplikuar”.Shpesh thuhet se të gjithë shqiptarët ishin bashkuar në demonstrata. E vërteta është që demonstruesit, në njërën anë dhe zyrtarët shqiptarë në shërbim të regjimit, në anën tjetër, ishin dy botë të kundërta. Këta të fundit, me qëndrimet dhe veprimet e tyre të vullnetshme apo të imponuara, dëmtuan rëndë interesin kombëtar të shqiptarëve. Historia nuk mund të retushohet. As inteligjencia shqiptare nuk ishte unike në qëndrimin ndaj demonstratave, sepse një pjesë e saj ishte pjesëmarrëse në to ose në Lëvizje, një tjetër i përkrahu hapur ose heshtur, por jo pak dëshmuan qyqarllëk intelektual, ose u vunë në shërbim të proceseve diferencuese politike të regjimit. Disa demonstrues, në hyrje të Prishtinës ua kishin rrëmbyer armët forcave serbe, por nuk i kanë përdorur. Nisur nga ky fakt, në disa shkrime ngjarjet e vitit 1981 gabimisht janë vlerësuar si kryengritje e armatosur.
Historiografia jonë duhet ta studiojë shkencërisht Kryengritjen e vitit 1981, mbi bazën e faktografisë dhe t’i japë asaj dimensionin historik, rolin e vendin që meriton në të kaluarën e lavdishme të Kosovës.
Përfundim
Me gjithë rëndësinë historike, si kthesë vendimtare drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, demonstratat e vitit 1981 nuk janë trajtuar meritueshëm nga studiuesit dhe institucionet shkencore të Kosovës. Nga studimet e pakta dhe paraqitjet e demonstratave të vitit 1981, vërehet se ka mjaft qëndrime të gabuara ndaj tyre, duke filluar nga roli i Lëvizjes Kombëtare në to, nga programi politik e kombëtar i tyre, nga karakteri e përmbajtja, shkaqet e organizimi, rezultatet e pasojat, roli dhe rëndësia historike e tyre, qëndrimi që mbajtën Tirana zyrtare, institucionet politike të Kosovës, inteligjencia shqiptare etj. Por qëndrimi më i gabuar dhe me pasoja të rënda për shqiptarët ishte reagimi kundër demonstratave i regjimit pushtues dhe i pasuesve të tyre në Kosovë. Pasojat mbi shqiptarët ranë si bumerang edhe mbi vetë Jugosllavinë, së cilës filluan t’i lëkunden seriozisht themelet, për t’u shembur tërësisht pas një dekade. Institucionet shkencore dhe studiuesit shqiptarë në përgjithësi, i kanë të gjitha kushtet për studimin e mirëfilltë të kësaj periudhe historike të Lëvizjes së re Kombëtare, me materialet e bollshme arkivore, me veprimtarët e dëshmitarët e gjallë dhe me distancën e mjaftueshme të kohës. Këto studime duhet liruar nga subjektivizmi dhe trajtimet e gabueshme metodologjike e përmbajtjesore, disa prej të cilave u trajtuan në këtë punim.
Prishtinë, më 2 prill 2014
___________________
Referencat:
1. Epoka e re 5-6 maj 2006.
2. Dobrica Qosiq: Kosovo, Novosti, Beograd 2004
3. “Liria”, nr. 2, dhjetor 1980
4. “Liria” nr 4-5, gusht 1981
5. “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, maj 1981
6. Shtypi botëror rreth ngjarjeve në Kosovë, Shtëpia Botuese “ 8 Nëntori”, Tiranë, 1981
7. Mehmet Hajrizi “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981”, Toena, Tiranë, 2008.
8. Platforma Politike për aksionin e Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, të vëllazërim-bashkimit dhe të bashkëjetesës në Kosovë. KQ i LKJ-së, Beograd, 17 nëntor 1981
9. “Në rrugë drejt lirisë”, program politik
10. “Zëri i Kosovës”, nr1. Shkurt 1974
11. ASHAK: Kosova, vështrim monografik, Prishtinë, 2011
12. “Zëri”, 29 prill 2006 dhe 8 maj 2006
13. Шта се догаћало на Косову, (Çfarë ka ndodhur në Kosovë), Политика, Београд, мај 1981
14. http://www.kohavision.net/video/rubikon/7180/
(Kumtesë e mbajtur në Tryezën Shkencore të Kolegjit të Biznesit, Prishtinë, Prill, 2014)