MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E JAKUP KRASNIQIT (43)

Pashtriku, 16 mars 2020:
7.20 Jakup Krasniqi
U lind më 1 janar 1951 në Negroc të Drenasit.
Ka mbaruar Fakultetin Filozofik, dega e Historisë dhe studimet postuniversitare në Universitetin e Prishtinës, magjistër i historisë.

I martuar dhe prind i katër fëmijëve. Jeton në Prishtinë.
Në fillim të viteve ’70, si nxënës në Normalen e Prishtinës (1971/72), ishte simpatizant i Organizatës Revolucionare për Çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë.

Më 1973 hyn në radhët e GRK-së, ku fillimisht mëson për teorinë dhe praktikën revolucionare të traditës kombëtare e asaj ndërkombëtare dhe përcjell zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, lexon literaturë politike atdhetare e marksiste-leniniste të të gjitha zhanreve, duke e komentuar me shokët e celulës dhe të organeve drejtuese. Në organizimin ilegal po mbaronte një fakultet të dytë. Në këtë organizim, ai jo vetëm mësonte historinë politike të popullit shqiptar, por mësonte edhe praktikën e veprimit konkret për çlirimin dhe bashkimin e popullit shqiptar.
Ai merrte pjesë në aksione, si shpërndarja e trakteve dhe shkruante artikuj për organet e shtypit, si “Pararoja” dhe “Liria”.
Para se të fillonin demonstratat e vitit 1981, ai me bashkëveprimtarët kishin studiuar mundësitë e organizimit të tyre dhe kur ato shpërthyen morën detyrë që të hynin në mesin e demonstruesve me qëllim që demonstratave t’u jepnin karakter politik e kombëtar.
Angazhimi i tij në demonstrata, bëri që ai, sikur edhe disa shokë të tjerë të burgoseshin ndër të parët dhe dënohet me 15 vjet burg. Nga burgosjet e para, OMLK nuk u dekonspirua, por kjo ndodhi nga fundi i vitit 1981.
Fillimisht më 1973/74 ka vepruar në celulë me Gani Sylën, Azem Sylën dhe Sherafedin Berishën. Pastaj kanë formuar celulë me Fehmi Plakun dhe Hysni Hotin. Ka mbajtur lidhje me Berat Luzhën, Ferid Çollakun dhe Basri Musmuratin.
Më 1978 zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv dhe më 1980 anëtar i Komitetit Drejtues të Organizatës.
Pas lirimit nga burgu ka vepruar në LDK legalisht e në UÇK fshehtazi.
Gjatë viteve 1991 – 1998, ishte:
– anëtar i Kryesisë së LDK-së për Drenas,
– deputet në zgjedhjet e vitit 1992,
– kryetar i Këshillit për Financa të Drenasit (Gllogocit),
– kryetar i Këshillit për Arsim e në vitin 1997–98,
– kryetar i LDK-së për Degën e Drenasit.
Gjatë Luftës Çlirimtare, ishte:
– anëtar i SHP të UÇK-së,
– Zëdhënës i SHP, nga nëntori 1998 dhe zëvendëskomandant për Mbështetje.
Ka qenë anëtar i Delegacionit të Kosovës në Rambuje. Në Qeverinë e Përkohshme fillimisht ishte zëdhënës e pas 15 qershorit 1999 edhe ministër për Rindërtim e Zhvillim me propozimin e LBD-së. Në zgjedhjet e vitit 2001 u zgjodh deputet e më vonë ministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike. Gjatë viteve 2008-2014 ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i PDK-së.
VIJON…
____________
MEHMET HAJRIZI: SHËNIME PËR VEPRIMTARINË E HYDAJET HYSENIT (42)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=9744

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura