ROVENA VATA, VAJZA ME ORIGJINË NGA HASI, GAZETARE, PEDAGOGE, STUDIUESE, ALBANOLOGE…

Tiranë, 4. 7. 2016: Njihuni me Dr. Rovena Vata/ Motivi i punës dhe jetës se Rovena Vatës është: Ndryshimi midis shkollës dhe jetës i cili sipas saj është: “Nëse në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson”, shprehet e reja.
“Mua me dhemb shumë kur dëgjoj se një vajzë nuk ndjek universitetin pasi, të edukosh një femër do të thotë të edukosh një shoqëri’’. Dr. Rovena Vata një vajzë e re në moshë dhe një emër i njohur në Shqipëri, në rajon dhe më tej.
Rovenën e gjejmë me studimet e saj, për letërsinë shqipe në revista shkencore ndërkombëtare si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Slloveni, Rumani, Itali, Suedi, Kanada dhe SHBA.
Vajza me origjinë nga Hasi, plot botë, jetë e ngjyra, ku buzëqeshja e saj rrëzellitëse pasqyron shpirtin e saj plot mirësi, vështrimi i qartë dhe fjala e saj plot argument, tregojnë një pavarësi të formimit të saj të shkëlqyer, pontencial intelektual.
Ambiciet e saj pozitive, natyra e saj studiuese dhe e palodhur, të bëjnë te ndalesh dhe të mendohesh për këtë vajze të re plot aspirata.
Rovena Vata njihet si gazetare, koordinatore, pedagoge, publiciste, studiuese dhe albanologe.
Rovena është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në vitin 2008.
Më pas ajo përfundon po në këtë fakultet studimet e saj Master i Shkencave në specialitetin: “Letërsi të Përgjithshme dhe Letërsi të Krahasuar” ku i përfundon ato me “Medalje të Artë”, në vitin 2010.
Është doktoruar në shkenca letrare dhe antropologji juridike me temën: “Miti i malit në letërsinë shqipe”, duke u bërë kështu doktore shkencash më e reja në Shqipëri, në vitin 2013, ku moshatarët e saj ndoshta nuk kishin filluar akoma universitetin.
Lidhjet e Rovenës me studimin dhe mësimdhënien janë të pandara, siç edhe ajo na tha gjatë intervistës së saj.

Ajo nuk arrin t’i ndajë nëse e cilëson veten më shumë studiuese apo pedagoge, nuk arrin të ndajë dot se cila është primare për të, ku duket se shkojnë paralelisht me njëra-tjetrën, meqë mësimdhëninën e ka filluar që në moshën 18 vjeçare dhe deri tani që po flasim.
Kurse studimet e saj janë të vazhdueshme sa herë është e ftuar nëpër konferenca apo sa herë mund të jetë e frymëzuar ose e shqetësuar për ndonjë çështje apo figurë të studimeve shqiptare.
Rovena Vata është pedagoge që prej vitit 2010 në Shkencat Gjuhësore, Shkencat e Komunikimit, Drejtimit në Arsim dhe Metodikës së Kërkimit Shkencor në universitete brenda dhe jashtë vendit.
Punon në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, që prej vitit 2011, si Kryetare e Degës Mësimore dhe Zhvillimit të Kurrikulave. Që në tetor të vitit 2015 është Kryeredaktore e revistes International Journal of Social Sciences & Humanities (IJSSH) për studimeve anglo-amerikane në Maqedoni.
Është përzgjedhur në borde drejtuese të revistave shkencore–akademike si në: Alternativa (Slloveni) në vitin 2014, Anglisticum (Madeqoni) në vitin 2013, Global Challenge (Akademia Diplomatike e Shqipërisë) në vitin 2014, Dituria (Suedi) në vitin 2012, Kuvendi (SHBA) në vitin 2011, Mirëdita (Tiranë) në vitin 2014.
Rovena Vata konsiderohet nga kritika si kërkuese e specializuar për raportet dhe kushtëzimet midis letërsisë dhe traditave gojore, folklorike, etnologjike, etnojuridike etj, në këtë proces formimi ajo ka marrë dije në disa disiplina teorike e praktike, si antropologjia juridike, kulturore e sociale; mitologjia; folklori vendës dhe i popujve fqinje.
Gjatë bisedës me të të bie në sy me kërkesat e larta që ka ndaj vetes, kur flet me pasion dhe mendim të pavarur.
Në periudhën prej studimeve të shkallës master deri në përfundimin e mbrojtjes së doktoratës Dr. Rovena Vata ka marrë pjesë në rreth 70 konferenca, evente, seminare, simpoziume ndërkombëtare e kombëtare, me kontribute shkencore të sajat; si dhe ka botuar artikuj të shumtë në revista e periodikë të specializuar për kërkime antropologjike e letrare.
Ka botuar dy monografi shkencore tepër të vlefshme për studiuesit dhe studimet shqiptare siç janë.
“Miti i malit në letërsinë shqipe”, (botuar në vitin 2013).
“Urë fjalësh midis letërsisë dhe anropologjisë”, (botuar në vitin 2015).
Ka marrë dy çmime të rëndësishme viti për studimet më të arrira si atë në: Çmimi vjetor i gazetës “Nacional” në letërsi, Tiranë, Shqipëri, 06.03.2016.
Çmimi për kritikën më të mirë “Faik Konica”, në Ditët e Letërsisë Shqipe në Michigan, 2015.
Është e certifikuar në qendrat më të mira të formimit dhe trajnimit si:
Lidership (në vitin 2014), Menaxhim i Burimeve Njerëzore dhe Administrimi Publik (në vitin 2014), Gjuha e trupit dhe arti i negocimit (në vitin 2016),
Teknika e të mësuarit efektiv (në vitin 2012), Stresi dhe menaxhimi i tij (në vitin 2010), si dhe në Psikologjinë pozitive (në vitin 2011).
Ka bashkëpunuar me projektin: “Arsimimi i të Rriturve në Shqipëri”, (Adult Education in Albania), PARSH (në vitin 2010), me Shoqatën: “Në dobi të gruas shqiptare” (në vitin 2010), me “Institutin e Promovimit të Vlerave në Gjuhën Shqipe”, (në vitin 2010), më Shoqatën: “YVCA”, ( në vitin 2005), më shoqatën për të rinj “Adra”, në vitin 2003, me qendrën Small Kindess (në vitin 2009).
Ndiqeni bashkebisedimin:
Pyetje: Kush ështe Rovena për njohje më të gjerë tek lexuesit, nga vjen, kush është familja e saj? Impresionet ju lutem për vendlindjen tuaj?
Rovena Vata: Jam nga Hasi, por e lindur në B. Curr. Hasi është një qytet i vogël, që mbart në vetvete elemente të shumtë historikë dhe etnografikë, po ashtu të frymëzon të vargëzosh ëmbëlsinë dhe romancën që të shkakton ky vend.
Shpeshherë ky vend më mrekullon, njëlloj si pikturat e freskëta dhe plot pasion të Edward Lear-it.
Studimet fillore dhe shkollën 8-vjeçare i kam kryer në Helshan në shkollën “Sali Hajdari”, dhe ato të mesme në gjimnazin “Havzi Nela”, për pedagogji dhe psikologji në Kukës e më pas erdha në Tiranë, ku vazhdova më tej studimet e mia në vitin 2005. Familja ime përbëhet nga prindërit, motra dhe vëllai. Ajo është gjithçka për mua, pasuria më e madhe. Familja është bërthama e gjithë lumturive në jetë dhe ilaçi i çdo sëmundjeje.
Pyetje: Kujtesa është memorja e gjithë jetës tonë, aty brenda në ruajmë fëmijërinë si periudhen më të bukur, çfarë do të tregonit disa nga momentet tuaja më të bukura?
Pergjigje: Kujtimet janë të shumta, ato gëlojnë si burim i pashtershëm kujtimesh dhe momentesh të lumtura, ku pjesa më e madhe e tyre lidhen me qytetin tim të lindjes, për të cilin kam shumë nostalgji, dhe sidomos për kujtimet e fëmijërisë të cilat më vijnë ndërmend herë pas here.
Kam mall për fëmijërinë time, lojërat që ne bënim, prapësitë, lëndimet e lloj-lloj sjelljesh, që sa here i kujtoj buzëqesh për atë kohë. Megjithatë, një ndër kujtimet që do të veçoja është momenti kur erdhi në jetë vëllai im.
Pyetje: Sa nostalgjike është Rovena për vendlindjen dhe sa shpesh e viziton vendin e saj të lindjes?
Pergjigje: Padyshim që jam nostalgjike, e kujtoj dhe shkoj shpesh atje. Vendlindja është e pamohueshme dhe krejt e lëvdueshme. Ajo ndikon në formimin e karakterit, të figurës e personalitetit. Një ditë në atë qytet për mua është një javë, muaj a vit relaksim, shlodhje dhe kënaqësi e veçantë.

Pyetje: Çfarë veçon nga koha e universitetit, disa nga kujtimet tuaja mund ti përshkruani?
Pergjigje: Shumë studim, auditoret, periudha që të formon dhe të maturon për një stad të ri për “Jetën e madhe’’ si një universitet që nuk mbarojnë dijet.
Ah! Kush është student është në guackën e lumturisë, mbështetjes dhe vështirësive që një here në jetë i provon këtë lloj jetese. Studenti është revolucioni. Ai nuk është zhurmë, por zë i fuqishëm.
Çdo student, sikundër unë dikur kemi qenë dhe janë zëri i së ardhmes. Kështu është përjetimi im nostalgjik për jetën studentore.
Periudha e universitetit është periudha më e bukur e jetës së njeriut, të cilën nëse do të më jepej mundësia do ta jetoja edhe njëherë, por gjithmonë duke eleminuar momentet e vështira. Është si puna e asaj shprehjes “Të bëhem edhe një herë nuse, pa di unë se si nusëroj”. Herë mbas here kujtoj kohën e kaluar në auditore, orë të tërë në biblioteka, profesorët të cilët e dinin potencialin tim dhe që gjithmonë më shtynin, që të arrija më shumë.
Të ëmbla më vijnë kujtimet ku edhe shokë, djemë nga fakulteti guxonin të më dedikonin fjalë të vargëzuara shumë ngjyra dhe të më shprehnin ato që ne sot i quajmë dashuriçka.
Çdo gjë kur kam qenë studente më ngjan me nje buqetë me plot lule shumë ngjyrshe dhe plot aromë të këndshme.
Pyetje: Cila ishte arsyja që të shtyu për të bërë studimet doktorale në shkencën e bukur të studimeve letrare dhe antropologjisë juridike,në një moshe kaq të re?
Pergjigje: Ishin tre faktorë, njerëzit e duhur, koha e duhur dhe vendi i duhur. Zgjedhja, ose guximi im i çmendur i udhëhequr prej ëndrrës së madhe, që unë bëra për të përfunduar herët studimet ishte sa dëshira ime e kahershme, aq edhe nevojshmëri e profilit të punës dhe karrierës time akademike.
Pastaj të arrija këtë stad për mua ishte një nga dëshirat më sublime në jetën time. Për mua letërsia dhe librat janë dashuri e veçantë. Ato më kanë përqafuar qysh herët në botën e mrekullueshme, ku orët e vona nën libra përkthehen gjithmonë në relaksin më të paimagjinueshëm. Kësisoj kjo gjë u mbrujt në përpjekjet e mia disa vjeçare për të kryer studimet doktorale në shkencën e bukur të studimeve letrare dhe antropologjisë juridike.
Pyetje: Pse bëtë këtë zgjedhje për studime doktorale në QSA dhe jo në fakultet?
Pergjigje: Në fakt ka qenë një ndër dilemat e mia për të vendosur, po arsyja pse nuk i vijova studimet në fakultet dhe zgjedhja e QSA-së ishte pikërisht teza e doktoratës.
Gjithmonë e mendoja që teza ime e doktoratës të ishte ndërdisiplinare dhe kur dëshirat realizohen kënaqësia e punës që bën është e dyfishtë.
Pyetje: Sa e lehtë dhe sa e vështirë, po dhe aq impenjative është të bësh doktoraturën në vendin e punës?
Pergjigje: Ishte sa e lehtë edhe e vështirë. E lehtë sepse kisha gjithmonë pranë profesorë të fushës të cilët gjithmonë ishin të gatshëm të më ndihmonin e udhëzonin. Gjithashtu kisha mundësinë që të shfrytëzoja bibliotekën shumë të pasur të institutit, ku nëse një studiues i jashtëm mund ta merrte një libër dhe ta lexonte vetëm në sallën e leximit dhe në fund të ditës duhet ta kthente, unë kisha privilegjin që këtë libër ta merrja e ta studioja në zyrën time e për një kohë më të gjatë. Ishte e vështirë ,sepse më duhej që të bëja një koordinim midis punës në QSA dhe punës me temën. Nga vetë pozicioni i punës nuk kisha shumë kohë të lirë, por unë mundohesha që atë pak kohë të lirë që kisha ta shfrytëzoja në maksimum.
Pyetje: Cili ka qenë libri juaj i parë ne monografi ? Si u prit dhe sa u vlerësua nga kritika?
Pergjigje: Libri im i parë studimor ka qenë miti i malit pra teza e doktoratës, pas mbrojtjës së saj u mora për rreth 4 muaj që ti jap formën e një mongrafie. Nëse gjatë kohës që po punoja për dhënien e formës përfundimtare librit tim, ky stres u shtua akoma edhe më shumë kur ai doli nga shtypi. Tani do të më duhej të përballesha me ata që janë kritikët më të ashpër “publikun”. Por, për fatin tim të mirë kritika e priti mjaft mirë, duke e vlerësuar shumë temën dhe duke e cilësuar atë si të gjetur.
Deri më sot për librin janë bërë kritika nga 15 profesorë të cilat janë botuar në revista shkencore apo edhe në shtypin e ditës, të cilat shprehen me nota shumë pozitive.
Pyetje:Cilat janë marrëdhëniet që keni vendosur me studentët, d.m.th i konsideroni thjesht studentë apo si bashkëpunëtor?
Pergjigje: Marrëdhënia ime me studentët nuk është ajo marrëdhënia e zakonshme e pedagogut dhe studentit, por një marrëdhënie miqësore. Kam vendosur që të krijoj këtë lloj marrëdhënie për vetë faktin se studentët duhet të ndjehen rehat në orën e mësimit dhe jo të ndrydhur, është më mirë kur ata gjejnë tek ti një mike sesa një person të ftohtë dhe që është tmerri i tyre kur shkon në auditor.
Pyetje: Studentët i keni pasur më të mëdhnj apo më të vegjel dhe si i keni konsideruar, njëlloj me moshatarët tuaj të themi apo me sy tjetër?
Pergjigje: Studentët që kam pasur kanë qënë të të gjitha moshave, madje edhe në moshën e prindërve të mi.
Përsa i përket mënyrës së trajtimit mund të them se ajo është e njëjtë pasi në momentin, që një person pavarësisht nga mosha hyn në auditor me statusin e studentit, ai nuk ka se pse të trajtohet ndryshe nga të tjerët. Madje mund të them se ndaj tyre jam pak më shumë kërkuese pasi atyre nuk u falen gabimet që mund t’i falen një 20 vjeçari.
Pyetje: Natyra jote serioze dhe e prerë me shtyn t’u pyes: Si mund ta cilësonit veten një pedagoge tolerante apo e rreptë?
***
Për këtë duhet të pyesni studentët e mi. Përgjithëshsit jam shumë kërkuese dhe kjo gjë në shumë raste interpretohet si një pedagoge e rreptë.
Pyetje: A e shiheni të arsyeshme të përqëndroheni vetëm të njera si p.sh të studimit ose tek mësimdhënia, apo keto disiplina plotësojnë njëra tjetrën?
Pergjigje: Përqëndrimi tek njëra ose tek tjetra është i pamundur ose të paktën unë e konsideroj të tillë. Nuk do të heq kurrë dorë nga asnjëra pasi secila prej tyre më fal kënaqësi të ndryshme. Nëse do të ishte për mua do të merresha me to deri në momentet e fundit të jetës time.
Pyetje: Cili është mendimi juaj për nivelin e gjuhës shqipe sot, a ka vend per kritike dhe per rritje te nivelit te kerkeses per ta mesuar mire gjuhen amtare?
Pergjigje: Duke u nisur nga përvoja ime personale dhe fakti që jam në kontakt të vazhdueshëm me student të grupmoshave të ndyshme, vë re mbase më mirë se dikush tjetër, që ka të rinj sot, që nuk dinë të shkruajnë, që nuk dinë të shprehen, por mbi të gjitha nuk dinë të “shkruajnë shqip”, me këtë të fundit nënkuptoj sidomos të grupmoshat e reja përdorimin e fjalëve të huazuara nga gjuhë të tjera dhe shkurtimmeve, që e cila e venit bukurinë e gjuhës shqipe. Ajo çka mund të ju sugjeroj stafeve akademike, për të rritur cilësinë e gjuhës shqipe, është organizmimi nëpër universitete i lëndës së gjuhës shqipe, në mënyrë të avancuar.
Pyetje: Ju jeni e re, dhe tepër e suksesshme, vete puna dhe sukseset tuaja janë një mesazh, për rininë shqiptare, por sidomos për femrën shqiptare, gjithsesi desha të shprehnit një mendimin tuaj intelektual?
Pergjigje: Margaret Thatcher ka thënë: “Çdo grua që kupton problemet e mbarëvajtjes së një shtëpie është shumë më afër kuptimit të problemeve të mbarëvajtjes së një vendi”.
Mua me dhemb shumë kur dëgjoj se një vajzë nuk ndjek universitetin pasi, të edukosh një femër do të thotë të edukosh një shoqëri.
Pra femrat kanë aftësi të papërsëritshme, që nga ekuilibri i drejtë e deri tek aftësia për përshtatje, për kryerjen e detyrave të shumta njëkohësisht, ndjeshmërinë dhe shpirtin e lidershipit.Për këtë arsye ato sot janë pjesëmarrëse dhe luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri. Mesazhi më i rëndësishëm dhe që ato duhet ta mbajnë fort mirë parasysh është: vetëvlerësimi, qëndrueshmëria, pasioni dhe ambicia mund të na prijnë drejt suksesit në karrierë. Dhe mbi të gjitha, është plotësisht e mundur të gjendet drejtpeshimi i duhur mes familjes e punës.
Rovena Vata: Faleminderim dhe mirënjohje për mundësinë, që më dhatë për t’u shprehur Znj. Liliana Pere.Është një punë që unë e admiroj, mendoj se jeni duke ngritur një kështjellë të mënçurisë të gruas shqiptare.Falenderim dhe Org. Internacionale Gruaja Shqiptare në Botë.
Liliana:E dashur Rovena. Do të flas si vajzës sime, se sinqerisht të desha dhe të vlerësova shumë, dhe me impresionove nga bashkëbisedimi me arritjet e tua në një kohë rekord.
Ju i keni berë sfidë shumë nga moshatarëve tuaj me studim, dije dhe punë cilësore, me një kapacitet të lartë intelektual.

Ju me formimin, punën tuaj të admirueshme, dhe sukseset e tua keni dhenë një mesazh të madh.
Starti i moshës shkollore formon hallkat dhe pasurohet me dije të shkelqyera,me studim dhe pune këmbëngulese, për me tej ne rritje.
Kur rinia eshte e determinuar dhe sitematike në etjen për dije, finishi është i sigurt dhe shkon drejt zhvillimit, progressit për rininë si dhe gjithë shoqërine shqiptare.
Faleminderit nga zemra.
Ju uroj shumë suksese.
Dr. Liliana Pere
President: International Organization.
Albanian Woman in the World
Peace Missionary & Honorary Advisor of DMPP

============

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura