MEHMET HAJRIZI:DOKUMENTE HISTORIKE“NE RRUGË DREJT LIRISË”

(Pashtriku.org, 18. 06. 2012) – Në librin “Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981” (Botim Toena, Tiranë, 2008), duke trajtuar çështje programore të Grupit Revolucionar, të quajtur më vonë Organizata Marksiste – Leniniste e Kosovës, kam shkruar: “Organizata kishte një dokument programatik, të vitit 1977-78, i cili ndodhet diku në arkivat e gjyqësisë dhe policisë jugosllave, por edhe në Shqipëri, ku ishte dërguar zyrtarisht bashkë edhe me shumë materiale të tjera”. Për orientimet programore të Organizatës, kishte edhe materiale e dokumente të tjera, të cilat janë shfrytëzuar si burim primar, por mungesa e këtij dokumenti ndjehet në libër.

____________________________

Ky material i vlefshëm historik i kësaj Organizate tashmë është gjetur. Dokumenti me titull “NE RRUGË DREJT LIRISË” është shkruar në fund të vitit 1977 ose në fillim të vitit 1978 nga Mehmet Hajrizi, dhe është gjetur nga Hasan Mala, bashkë me disa materiale të tjera, në prill të vitit 2008 në oborrin e shtëpisë së Malajve në Gjilan. Aty do ta ketë fshehur në një enë plastike, nën pragun e derës së oborrit, Rexhep Mala, veprimtar i shquar i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës dhe dëshmor i kombit.

________________________

Dy vite më parë janë gjetur edhe materiale të tjera, të fshehura nga Rexhep dhe Hasan Mala, thellë në pusin e familjes së tyre. Ata kishin ndërtuar edhe një bunker brenda shtëpisë, ku mbanin materiale dhe armatim të fshehur, i cili kurrë nuk është zbuluar, as gjatë bastisjeve të shpeshta që policia jugosllave i bënte familjes Mala. Kopertina me mbishkrimin “Filozofi”, brenda të cilit ndodhej dokumenti, është bërë nga vetë Rexhep Mala, për arsye maskimi gjatë përdorimit të materialit. Këtu, në www.pashtriku.org sjellim për herë të parë para lexuesit të sotëm këtë dokument, me disa shkurtime të parëndësishme.

………………………………………………..

N Ë  RR U G Ë  D R E J T  L I RI S Ë

I
Gjatë gjithë historisë së tij, populli ynë nuk njeh përulje e nënshtrim ndaj armiqve të shumtë, të fuqishëm e të egër. Nën udhëheqjen e Skënderbeut legjendar, shqiptarët për një çerek shekulli rresht luftuan heroikisht kundër hordhive otomane dhe mbrojtën lirinë e trojeve të veta të shtrenjta. Që nga ajo kohë populli ynë nuk e pushoi luftën për liri dhe pavarësi, duke shkruar me gjak faqe lavdie e heroizmi në historinë e tij.
Vitalitetin e tij për të mbrojtur të drejtën që të ekzistojë si komb, dashurinë e pafund për liri e pavarësi, populli ynë e tregoi me një forca të madhe gjatë viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila luftoi heroikisht për njohjen e kombit shqiptar si një e të pandarë e respektimin e parimit të kombësisë ndaj tij, për ruajtjen e paprekshmërisë së tërësisë së trojeve kombëtare dhe bashkimin e tokave të Shqipërisë në një shtet të vetëm e të lirë. Janë të njohura luftërat e përgjakshme që bëri populli ynë i udhëhequr nga Lidhja Shqiptare për mbrojtjen e krahinave të tij të Plavës e Gucisë, Hotit , Grudës e Ulqinit, të cilat me forcën e armëve donin t’i shkëpusnin fuqitë e mëdha për të kënaqur lakmitë e fqinjëve grabitqarë të Shqipërisë. Trimëri të rrallë tregoi ushtria vullnetare e udhëhequr nga Heroi i Popullit, Sulejman Vokshi, në luftë kundër ushtrisë turke, të dërguar nga Porta e Lartë për ta shkatërruar Lidhjen. Një heroizëm të shkëlqyer në historinë e popullit tonë përbëjnë betejat e përgjakshme të kosovarëve të udhëhequr nga trimat e shquar si Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Mic Sokoli, Bajram Rama, Sefë Kosharja, Smajl Hyseni etj.
Platforma politike e Lidhjes e përpunuar në zjarrin e luftës çlirimtare, mbeti si bazë e programit të lëvizjes kombëtare shqiptare, gjatë gjithë periudhës deri më 28 nëntor 1912. Pas shekujsh robërie, populli ynë, më 28 nëntor 1912 arriti fitoren e madhe historike, krijoi shtetin e pavarur kombëtar shqiptar. Baza politike, ideologjike, kulturore dhe organizative e kësaj fitoreje të madhe ishte përgatitur me durim dhe luftë për dhjetëra vjet me radhë nga rilindësit tanë të shquar. Luftëtarët tanë të shquar të pushkës e të penës, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Naum Veçilharxhi Konstandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi etj., i dhanë lëvizjes për liri një platformë të qartë politike me objektiv sigurimin e lirisë së Atdheut, pavarësisë së tij të plotë e të pacunguar nga ana territoriale. Shpallja e pavarësisë ishte kurorëzim i luftërave shekullore të popullit tonë për liri, ishte rrjedhim i luftërave të popullit tonë në të katër anët e Atdheut, të udhëhequr nga trimat tanë popullorë, Themistokli Gërmenji, Spiro Ballkameni, Çerqiz Topulli, Dedë Gjo Luli, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Bajram Curri, Idriz Seferi e shumë të tjerë. Këto luftëra çuan në kryengritjen e përgjithshme të Shqipërisë më 1912, e cila tronditi nga themeli sundimin osman dhe i hapi rrugën shpalljes së pavarësisë.

SHIKONI: FOTOALBUMIN – DOKUMENTE HISTORIKE

https://pashtriku.org/?kat=48&id=18

_____________________________

 Shteti shqiptar e filloi jetën e vet në kushte historike shumë të vështira. Tokat shqiptare u bënë plaçkë në tregun imperialist. Pothuajse gjysma e tyre, me vullnetin e fuqive imperialiste u shkëput nga trungu i Shqipërisë dhe hyri nën zgjedhën e huaj. Trualli shqiptar u copëtua rëndë. Re të zeza të një robërie të re mbuluan qiellin e Kosovës së Hasan Prishtinës, Isa Boletinit e Bajram Currit dhe të krahinave tjera shqiptare që mbetën nën sundimin e huaj. Shovinistët serbë e malazezë derdhën gjithë tërbimin e tyre të egër mbi popullin tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Edhe në këto situata të rënda, populli ynë nuk u përkul e nuk u nënshtrua; ai vazhdoi rrugën e tij të luftës me armë në dorë për të fituar lirinë dhe për bashkim kombëtar. Me heroizëm të pashoq populli ynë i bëri ballë politikës së shfrenuar shkombëta- rizuese dhe shfarosëse që zbatohej ndaj tij nga shovinistët serbë e malazezë.
Fqinjët grabitqarë lakmonin të copëtonin gjithë Shqipërinë. Fuqitë imperialiste e dhndërruan Shqipërinë në shesh lufte gjatë Luftës së Parë Botërore, e pushtuan ushtarakisht dhe e rrënuan ekonomikisht. Ato nuk menduan kurrë të ndreqnin padrejtësitë që kishin bërë ndaj Shqipërisë më 1913, kur e cunguan, por përkundrazi, kishin vendosur ta copëtonin krejt atë për të kënaqur lakmitë e fqinjëve të saj grabitqarë. Këtij qëllimi i shërbente Traktati i fshehtë i fuqive imperialiste në Londër, në prill të vitit 1915.
Detyrë dite për popullin shqiptar ishte mbrojtja e tërësisë territoriale të shtetit shqiptar, detyrë kjo që e vuri në lëvizje gjithë popullin. Lufta e vendosur e popullit shqiptar për të mbrojtur tërësinë tokësore të shtetit të tij, bëri që planet imperialiste të dështojnë. Një kontribut të madh në këtë kohë, në bashkimin, mobilizimin dhe organizimin e masave popullore shqiptare në luftë për çlirimin kombëtar të vendit, për demokratizimin e tij dhe bashkimin kombëtar, dha Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.
Ndërkohë ushtria e krajlit të Beogradit po bënte masakra të papara mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe të krahinave tjera shqiptare të sunduara prej tij. Vetëm gjatë viteve të para të sundimit të shovinistëve, në Kosovë u shfarosën 200.000 shqiptarë, shumë të tjerë u dëbuan nga vatrat e tyre, të cilat pastaj u kolonizuan. Por populli ynë nuk epej; mbronte qenien e tij si popull, ruante gjuhën e kulturën e tij, organizonte qëndresën e armatosur kundër pushtuesve shovinistë. Kështu, nën udhëheqjen e drejtpërdrejtë të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, në malet e Kosovës kreshnike, luftonin shumë çeta trimash të udhëhequra nga Azem Galica, Musë Zeka, Ajet Çaushi, Beqir Rexha etj…
Klasat sunduese i kishin tradhtuar gjithmonë interesat e popullit dhe e kishin shitur te të huajt Shqipërinë. Edhe regjimi feudoborgjez i Ahmet Zogut e shiti te fashistët italianë Shqipërinë. Populli shqiptar, i tradhtuar nga Zogu, u robërua nga fashizmi..Nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Shqipërisë, populli shqiptar u ngrit në këmbë dhe i bashkuar në Frontin Nacionalçlirimtar, me armë në dorë, u hodh në luftën më të madhe të historisë së tij, për çlirim kombëtar e shoqëror, dëboi armiqtë fashistë nga Atdheu i tij, shkatërroi nga themelet pushtetin e vjetër dhe mbi gërmadhat e tij ndërtoi shtetin e ri të demokracisë popullore, si formë të diktaturës së proletariatit. Më 29 Nëntor 1944 Shqipëria fitoi pavarësinë e vërtetë, populli shqiptar mori në dorë fatet e tij…
Gjatë Luftës së dytë botërore, fashistët pushtuan edhe Kosovën dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi. Populli ynë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, ashtu si gjithë populli shqiptar, rroku armët dhe u ngrit në luftë për çlirimin kombëtar e shoqëror. Ai mendonte se në këtë luftë, jo vetëm do të fitonte mbi armiqtë fashistë e tradhtarë, por do të fitonte edhe të drejtën e vetëvendosjes për bashkimin me shtetin shqiptar, pasi të triumfonte revolucioni në Shqipëri e në Jugosllavi. Por batakçinjtë revizionistë në udhëheqje të PKJ, qysh gjatë Luftës, në fshehtësi, kishin thurur plane për të futur nën sundimin e tyre, jo vetëm Kosovën e krahinat tjera shqiptare që sundonin krajlët dikur, por edhe gjithë Shqipërinë. Plani i revizionistëve titistë për ta shndërruar Shqipërinë në një republikë të shtatë të Jugosllavisë, dështoi me turp…
Në tradhti, me mjete e metoda të poshtra dhe me forcën e armëve, banda e Titos arriti të ripushtojë dhe të vejë nën sundimin e saj Kosovën e krahinat tjera shqiptare që mbante të pushtuara më parë borgjezia serbe e jugosllave…Pasi vranë në tradhti shumë udhëheqës shqiptarë kosovarë të Luftës Nacionalçlirimtare, komunistë, patriotë, liridashës dhe përparimtarë, pasi bënë për vete ndonjë Fadil Hoxhë, Ali Shukri, Xhavit Niman etj., titistët organizuan mbledhje formale, si ajo në Prizren më 1945, për të deklaruar se gjoja populli ynë “vetëvendosi” të bashkohet me Jugosllavinë, me Titon, me Rankoviqin e shokët e tyre dhe jo me Shqipërinë e lirë e të pavarur.
Për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi filloi të përsëritet në një formë akoma më të egër, historia e viteve pas 1913-ës,. Ushtria e Titos u hodh si e çmendur mbi popullin tonë dhe bëri masakra të padëgjuara në analet e historisë. Burgjet jugosllave u mbushën plot shqiptarë të ndershëm, mbi të cilët bënte kërdinë UDB-ja e Rankoviqit. Mbi popullsinë shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, vazhdoi zbatimi i politikës së egër të gjenocidit, kolonizimit të trojeve shqiptare, shtypjes e shfrytëzimit të egër kolonial, dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga trojet e veta dhe e mohimit të drejtave elementare, si e emrit, gjuhës, kulturës kombëtare etj…
Populli shqiptar i Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, nuk iu bind dhe nuk iu nënshtrua robëruesve të rinj revizionistë. Ai i rezistoi politikës barbare fashiste të bandës së Beogradit, mbrojti qenien e tij, ruajti gjuhën e kulturën e tij dhe luftoi pareshtur, në forma e me mjete të ndryshme kundër regjimit gjakatar të Titos.
Një kontribut në këtë drejtim përbëjnë grupet dhe organizatat e ndryshme patriotike të cilat i kishin vënë vetes për detyrë të luftonin për liri dhe BASHKIM KOMBËTAR, por që për shkak të paqartësive, organizimit jo të shëndoshë e të shkëputjes nga masat, nuk qenë në gjendje të veprojnë në kushte tepër të rënda represive dhe të një rrjeti të dendur agjentësh policorë, prandaj zbuloheshin nga armiku, ose binin në kurthe të përgatitura prej tij dhe goditeshin pa mëshirë.
II
Rënia e vazhdueshme e prodhimit, ngritja e paparë e çmimeve, e kostos së jetesës, inflacioni i papërmbajtshëm, papunësia e madhe në vend dhe emigracioni i shfrenuar i krahut të lirë të punës jashtë, kaosi politik dhe ideologjik, grindjet e konfliktet e tërbuara për pushtet, shthurja morale etj., janë disa nga pamjet e shëmtuara të krizës së gjithanshme që ka mbërthyer Jugosllavinë prej kohësh. Karakteristikë e ekonomisë jugosllave është jo vetëm zhvillimi i dobët e disproporcional, por edhe varësia e saj nga sistemi botëror kapitalist dhe rritja e vazhdueshme e borxheve, që kanë bërë ta humbë Jugosllavia pavarësinë. Gjendja e rëndë e proletariatit dhe e masave të tjera punonjëse, mbi të cilat bien të gjitha pasojat e krizës dhe shfrytëzimi i egër kapitalist, i ka shtyrë të shpërthejnë zemërimin e papërmbajtshëm kundër regjimit revizionist, me greva të shumta, protesta, demonstrata e përleshje…
Një problem mjaft i mprehtë në Jugosllavi është edhe çështja nacionale, për shkak të shtypjes e zhvillimit të pabarabartë dhe të luftës hegjemoniste. Sistemi titist, jo vetëm nuk i zgjidhi konfliktet e vjetra midis kombeve e kombësive, por i thelloi ato akoma më shumë, duke u mohuar të drejtën sovrane kombeve e kombësive, kurse ndaj disa kombësive vazhdoi akoma më e tërbuar politika e gjenocidit e filluar nga krajlët…
Krahina e Kosovës dhe krahinat tjera shqiptare, nën sundimin e revizionistëve, janë viset më të pazhvilluara në mbretërinë e Titos. Këto krahina trajtohen si koloni të Jugosllavisë titiste. Popullsia shqiptare e këtyre krahinave jeton në skamje e mjerim, errësirë e padituri. Ndaj popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, klika gjakatare e Titos ka zbatuar dhe zbaton një politikë fashiste të shtypjes kombëtare.
Propaganda revizioniste bën zhurmë të madhe për të ashtu quajturën “autonomi” që i paskan dhënë Kosovës titistët, për zgjidhjen në mënyrë “marksiste-leniniste” të çështjes kombëtare, për “shqiptarizimin” e disa organeve shtetërore dhe partiake revizioniste në Kosovë, për të “drejtat” që i gëzuaka populli ynë i robëruar etj., etj. Popullit tonë nën robërinë revizioniste, jo vetëm iu mohua me armë e drejta për vetëvendosje, u shtyp me gjak aspirata e tij e lartë për bashkim kombëtar e u robërua, por edhe u copëtua në tri republika të Federatës jugosllave me qëllim që të sundohet më lehtë dhe të përjetësohet sundimi i revizionistëve në këto krahina. Popullsia shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, edhe pse për kah territori, ashtu edhe përkah numri i banorëve, bën më shumë se dy republika jugosllave, në fakt nuk ka shumë nga të drejtat elementare të përcaktuara me kushtetutë, e të mos flasim për “autonomi”…
Kosova shtypet e shfrytëzohet nga revizionistët ashtu si në kohën e krajlëve. Revizionistët kanë përforcuar më shumë se kurrë dhe më shumë se askund tjetër, në Kosovë, armët e dhunës fashiste, ushtrinë, policinë, shërbimin e fshehtë, kontrollin policor etj. Ata kanë mbushur burgjet e tyre të shumta me shqiptarë të ndershëm, përparimtarë, patriotë e komunistë. Kosova është kthyer në një treg të bardhë, ku krahu i lirë i punës blihet me çmim shumë të ulët, qoftë për interesat e borgjezisë së republikave jugosllave, qoftë për kapitalin imperialist botëror. Klika e Titos, Kosovën e ka një burim të madh të lëndëve të para të cilat i shfrytëzon egërsisht me çmime çfarë asaj i përgjigjen dhe të diktuara prej saj…
Për të mashtruar masat popullore, revizionistët kanë futur në organet e tyre udhëheqëse, shtypëse e shfrytëzuese në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, bile edhe në Federatë, shqiptarë renegatë të popullit tonë, të cilët s’janë tjetër, pos vegla në duart e tyre për ta shtypur e shfrytëzuar popullin tonë. Këta tradhtarë janë këmbë e kokë në shërbim të regjimit titist dhe armiq të deklaruar të popullit tonë.
Si pasojë e shtypjes e shfrytëzimit kolonial, Kosova dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi, kanë mbetur vende të prapambetura me një zhvillim të dobët ekonomik, me një industri të pazhvilluar dhe bujqësi primitive. Në vitin 1958 prodhimi industrial për frymë në Kosovë përfaqësonte vetëm 34 për qind të prodhimit për frymë të Jugosllavisë, në një kohë kur ai i Sllovenisë ishte 250, i Kroacisë 150 dhe i Maqedonisë, e cila konsiderohet ndër republikat më të pazhvilluara, 51 për qind. Në vitin 1975 të ardhurat kombëtare dhe tregues të tjerë të rëndësishëm të Kosovës ishin dy herë pas Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë e Malit të Zi, tri herë pas Serbisë, katër herë pas Kroacisë, pesë herë pas Vojvodinës, gjashtë herë pas Sllovenisë…
Kosova ka pasuri të shumta që nuk i shfrytëzon populli, por revizionistët e tradhtarët. Të marrim vetëm disa prej tyre. Në vitin 1976, p.sh., Kosova dha 3.505.000.000 kilovat orë energji elektrike, e cila kryesisht dërgohet në republikat tjera (në një kohë kur disa qindra fshatra kosovare akoma përdorin llapat e vajgurit), afër 7.000.000 tonë linjit, 1.753.000 tonë xehe plumbi e zinku, 139.000 tonë boksit, 2.022 tonë krom, 1.000 tonë koncentrat piriti, 93 tonë argjend, 29.000 tonë zink, 137.000 tonë magnezit të papërpunuar, 4.844 tonë magnezit të pjekur kaustik, 50.000 tonë sintermagnezit, 12.000 tonë akumulatorë etj.
Kriza e rëndë që ka mbërthyer ekonominë e Kosovës, ashtu si atë jugosllave, sidomos nga viti 1960, e ka bërë gjithnjë e më të vështirë jetën e masave të gjera popullore…Revizionistët i hedhin pasojat e krizës mbi kurriz të masave. Papunësia shtohet vazhdimisht duke marrë përpjesëtime të papara. Në 100 banorë në Kosovë janë vetëm 9 të zënë me punë, afro 70.000 vetë në Kosovë janë regjistruar në ente për inkuadrim, ku kërkojnë punë, por numri i të papunëve është shumë herë më i madh, sepse pjesa më e madhe e tyre nuk paraqiten në këto ente, pasi është krejt e kotë të kërkosh ndihmë prej tyre, në një kohë kur mundësitë e inkuadrimit në punë janë shumë të vogla. Kurbeti, kjo plagë e vjetër e popullit tonë, tani është hapur më shumë se kurrë në popullsinë shqiptare të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi. Vetëm nga Kosova, nëpërmjet të enteve për inkuadrim, kanë shkuar në botën kapitaliste, për të kërkuar punë mbi 50.000 vetë. Me mijëra të tjerë kanë shkuar pa ndërmjetësimin e enteve. Një ushtri tjetër po kaq e madhe e të papunëve shqiptarë është shpërndarë nëpër republikat jugosllave, ku bëjnë punët më të rënda fizike me paga sa për të siguruar kafshatën e gojës.
Aspekte tjera të krizës së rëndë ekonomike në Kosovë, janë edhe inflacioni në ngritje të vazhdueshme, rritja galopante e çmimeve, ngritja e kostos së jetesës si dhe shtimi i taksave për masat. Të gjitha këto kanë shtuar akoma më shumë varfërinë e masave popullore.
Në Kosovë dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi ekziston një prapambetje e theksuar sociale dhe kulturore. Shtypja dhe shfrytëzimi, jeta e rëndë dhe varfëria, kanë krijuar kushtet që sëmundjet të bëjnë kërdinë, të cilat kanë për pasojë shkurtimin e jetës dhe vdekjet e parakohshme. Shërbimi mjekësor në fshat pothuajse mungon fare, por edhe ai në qytet kushton aq shtrenjtë sa popullsia e varfër nuk mund ta përballojë. Numri mesatar i banorëve në Kosovë për një mjek është 2.155, sipas statistikës që kanë dhënë vetë revizionistët. Gruas i mungon në përgjithësi kontrolli mjekësor, jo vetëm gjatë shtatzënisë, por edhe gjatë lindjeve. Vetëm në vitin 1970, sipas statistikës, në Kosovë kanë lindur 340 foshnje të vdekura në spitale, kurse në çdo dhjetë foshnje të lindura gjallë, një ka vdekur. Këto të dhëna nuk mund të jenë të sakta, pasi numri i grave që shkojnë në spitale për lindje është fare i vogël.
Në pjesën më të madhe të fshatrave kosovare dhe të krahinave tjera shqiptare në Jugosllavi, mungojnë krejtësisht lidhjet e komunikacionit dhe furnizimi i popullsisë me artikuj elementarë të konsumit të përgjithshëm. Kjo e ka vështirësuar akoma më shumë jetën e masave popullore.
Analfabetizmi është më i theksuar se kudo tjetër në Jugosllavi, në popullsinë shqiptare të robëruar. Sot rreth gjysma e popullsisë shqiptare në Jugosllavi është analfabete. Analfabetizmi në Kosovë, sipas shënimeve zyrtare, jo vetëm nuk zvogëlohet, por rritet vazhdimisht. Ndodh kështu, për arsye të vështirësive të shkollimit, mungesës së shkollave etj. Edhe ato shkolla që janë hapur, nuk kanë mundësi të përfshijnë gjithë fëmijët e të rinjtë e moshës shkollore, sepse u mungojnë kushtet themelore, si lokali, mësuesit etj. Por në mungesë të shkollave dhe organizimit të jetës kulturore, revizionistët kanë hapur mejtepe, i kanë kthyer xhamitë e kishat në “shkolla” fetare dhe hoxhallarët e priftërinjtë në “mësues” për të përhapur ideologjinë fetare, sidomos te të rinjtë. Revizionistët, ashtu si të gjithë armiqtë tjerë të popullit tonë më parë, e përdorin fenë dhe ideologjinë e saj që ta përçajnë popullin tonë, ta shtypin e ta shfrytëzojnë më lehtë atë, të kultivojnë tek ai ndjenjën e pafuqishmërisë përballë vuajtjeve e mjerimit.
Degjenerimi shpirtëror i njerëzve, dhe në radhë të parë i rinisë është synim me qëllime të caktuara nga revizionistët. Politika reaksionare antipopullore, shtypëse e shfrytëzuese që zbatojnë revizionistët dhe tradhtarët ndaj popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, të cilit i mungojnë jo vetëm të drejtat kombëtare, por edhe ato shoqërore, jeta e rëndë, varfëria e mjerimi, kanë bërë që ky i fundit të mbushet zemërim kundër revizionistëve e tradhtarëve dhe të jetë në armiqësi me ta.
Qysh para Luftës së dytë botërore në Kosovë ekzistonin disa ndërmarrje pune, në të cilat borgjezia jugosllave shfrytëzonte pasuritë e Kosovës dhe djersën e punëtorëve që punonin në to. Revizionistët jugosllave i zgjeruan ato ndërmarrje (siç është “Trepça”) dhe ngritën të reja të tipit kapitalist, ku shfrytëzohet pa mëshirë gjaku dhe djersa e klasës punëtore të Kosovës.
Klasa punëtore e Kosovës është përqendruar kryesisht në Kombinatin “Trepça” të Mitrovicës, (i cili merret më shumë me nxjerrjen e mineraleve nga nëntoka në Stari Tërg, Kishnicë, Hajvali, Novobërde etj.), në Minierën e magnezitit në Magurë, të Kromit në Devë, në Kombinatin Xehetar Energjetik, Kimik e Metalurgjik “Kosova” në Obiliq, në Kombinatin Ndërtimor “Ramiz Sadiku” në Prishtinë e ndërmarrje tjera të ngjashme, si “Izgradnja në Pejë, “Kosova” në Vuçitërnë, “Soliter” në Gjilan etj., në Kombinatin Bujqësor Industrial “Agrokosova”, në Fabrikën e çimentos në Elez Han, në Fabrikën e vajit në Ferizaj, të sheqerit në Pejë, të duhanit në Gjilan, të amortizatorëve në Prishtinë, të këpucëve në Pejë e Prizren, të tekstilit në Gjilan e Gjakovë, në Ndërmarrjen e rrugëve në Prishtinë, në Fabrikën e gomës në Suharekë, të gypave në Ferizaj, në Shtypshkronjën “Rilindja” në Prishtinë, në ndërmarrjet tregtare, të komunikacionit, të përpunimit të drurit, të hotelierisë etj.
Në këto ndërmarrje sundon mbi punëtorët kasta drejtuese e burokratëve dhe e teknokratëve. Drejtori (ose shpeshherë drejtorët e shumtë në një ndërmarrje edhe krejt të vogël) ka kompetencat e një padroni të vërtetë, sidomos në fushën e shpërndarjes së pagave. Raporti i pagave midis drejtuesve burokratë në këto ndërmarrje dhe punëtorëve prodhues, është një me njëzetë, një me tridhjetë e më shumë, pa llogaritur këtu format tjera të fitimit për drejtuesit siç janë honorarët, mëditjet e udhëtimeve zyrtare e plot privilegje tjera… Punëtori që arrin të futet në këto ndërmarrje në punë i duhet më parë të vejë në dispozicion të drejtuesve burokratë, si ryshfet, shpeshherë, jo më pak se dhjetë paga mujore. Punëtorit, paga që merr nuk i mjafton as për mbajtjen e jetës. Ai detyrohet të kërkojë punë te privatët, pas orarit të punës edhe të dielave që të sigurojë kafshatën e bukës. Paga e tij, edhe ashtu e vogël, cungohet vazhdimisht në emër të “stabilizimit”, “mbulimit të humbjeve”, “sanimit të gjendjes”, “vetëkontributeve”, ”ndihmave” etj., që shpeshherë gllabërojnë gjithë pagën e punëtorit ose e ulin atë në nivel minimal për një kohë të pacaktuar…
Në të njëjtën kohë çmimet e kostoja e jetesës rriten vazhdimisht, që vetvetiu ulë me marifet pagat e punëtorëve.. Barra e krizës së rëndë hidhet kështu krejtësisht në kurriz të punonjësve. Si shprehje e shfrytëzimit kolonial që borgjezia revizioniste jugosllave i bën Kosovës dhe klasës së saj punëtore, përkundër pagave shumë të ulëta të punëtorëve në republikat jugosllave, punëtorët kosovarë i marrin ato dyfish më të ulëta në krahasim me ata jugosllavë. Ndërkaq vetë shtypi jugosllavë shkroi se në Prishtinë p.sh., është jeta më e shtrenjtë në Jugosllavi. Përveç borgjezisë së madhe jugosllave dhe kastës tradhtare e borgjeze kosovare, klasën punëtore të Kosovës e shfrytëzon edhe kapitali botëror nëpërmjet investimeve, kredive skllavëruese, bashkë- punimit etj.., të cilat e kanë bërë atë bashkëpronar në ekonominë e Kosovës.
Kushtet shumë të vështira në të cilat punojnë punëtorët tanë e kanë bërë akoma më të rëndë jetën e tyre. Mungesa e mbrojtjes në punë, puna e rëndë dhe plot rreziqe, mungesa e shërbimit shëndetësor, udhëtimet e gjata, kushtet e vështira të banimit, kanë shkaktuar sëmundje të shumta e të rënda te punëtorët dhe vdekje të parakohshme.
Gjendja e klasës punëtore në Kosovë, që vie nga shtypja e shfrytëzimi kolonialist e borgjez, ka mbushur zemërim e urrejtje zemrat e punëtorëve ndaj robëruesve jugosllavë dhe shërbëtorëve të tyre reaksionarë vendës. Të shtyrë nga kjo gjendje klasa punëtore e Kosovës po lëviz duke shpërthyer zemërimin e saj nëpërmjet të grevave e protestave, siç janë ato të punëtorëve të Stari Tërgut, Kishnicës, Hajvalisë, Magurës, në Kombinatin “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, të punëtorëve në Obiliq e shumë të tjera. Vetë pozita shoqërore e kombëtare dhe roli i saj historik, e ka bërë klasën tonë punëtore të jetë në ballë të luftës të popullit kosovar për çlirim kombëtar e shoqëror. Në të ardhmen ajo do ta kuptojë akoma më mirë gjendjen e saj, shkaktarët e vërtetë të kësaj gjendjeje, do ta kuptojë nevojën e organizimit e të luftës, domosdoshmërinë e revolucionit dhe rolin hegjemon e udhëheqës që duhet ta ketë patjetër ajo në të. Komunistëve kosovarë u shtrohet detyrë e dorës së parë, në radhë të parë, sqarimi, edukimi dhe organizimi i klasës punëtore, që të mund të orientohet drejt dhe me ndërgjegje në luftë kundër armiqve të saj dhe të të gjithë popullit tonë të shtypur e të shfrytëzuar.
Pjesa më e madhe e popullsisë kosovare (dhe e krahinave shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi) është fshatare. Fshatarësia jonë përbëhet kryesisht nga fshatarët e varfër, një pjesë të mesëm dhe më pak të pasur e kulakë. Pjesa më e madhe e tokës së punueshme, kullosave dhe e pemishteve, është pronë e kooperativave kapitaliste dhe e fshatarëve të pasur. Fshatarësia e varfër me parcelat që ka, jo vetëm nuk mund të sigurojë bukën as për gjysmën e vitit, por edhe një pjesë të konsiderueshme të prodhimeve të saj bujqësore detyrohet ( të shumtën e herave me dhunë policore ) t’i japë për taksa të shumta dhe borxhe. Punimi i tokës me mjete primitive që ka fshatarësia e varfër, sjell aq prodhime sa nganjëherë mezi mbulon tatimet dhe borxhet për farë dhe plehra. Në mungesë edhe të këtyre mjeteve, shumë fshatarë që futen në borxhe, duke punuar tokën me makina bujqësore të “kooperativave”, ose të fshatarëve të pasur me çmime aq të larta, sa fshatari i varfër nuk mund t’i përballojë, prandaj për pak vite humb edhe atë pronë të vogël dhe shpronësohet plotësisht. Një pjesë jo e vogël e fshatarësisë sonë të varfër jeton sot pa tokë, në një gjendje të rëndë e të mjerë. Ata janë kthyer në argatë bujqësorë të cilët si skllevër, pa orar pune dhe pa mbrojtje shëndetësore e sociale, me çmime tepër të ulëta, shesin fuqinë e tyre te “kooperativat” e fshatarët e pasur, vërshojnë nëpër qytetet të kërkojnë pa shpresë punë, ose kanë marrë rrugën e kurbetit nëpër Jugosllavi e botë.
Jetën e fshatarit tonë e bën akoma më të vështirë prapambetja e theksuar sociale dhe kulturore. Fshati ynë jeton jo vetëm në varfëri, por edhe në errësirë, analfabetizëm e injorancë, në ligje e zakone të vjetra prapanike, konservative, patriarkale e fetare. Fshatarit tonë i duhet të udhëtojë disa kilometra për të bërë një kontrollim mjekësor, të blejë edhe gjerat e konsumit të përditshëm. Fëmijëve dhe të rinjve fshatarë u duhen disa orë udhëtimi për të ndjekur mësimet në shkollë. Kjo ka bërë që me gjithë dëshirën e tyre, shumë të rinj dhe veçanërisht vajza, të mos mund të shkollohen.
Fshatarësia jonë, që në shekuj kishte luftuar për tokën e bukën, për lirinë, pavarësinë e bashkimin e Atdheut, nuk mund të pajtohej dhe nuk u pajtua kurrë as me shtypësit e robëruesit revizionistë. Që të shtypin këtë luftë revizionistët menjëherë pas Luftës morën masa terrori, si në qytete, ashtu edhe në fshatrat tona, vranë e torturuan fshatarë që ngriheshin kundër regjimit, organizuan të ashtu- quajturin “Aksion të armëve” në dimrin e viteve 1955-1956, kur bënë veprime çnjerëzore, sidomos në fshatra, duke zhdukur e gjymtuar mbi 10 mijë vetë etj., por ndjenjën e tyre për liri nuk mundën as nuk do të mund ta shuajnë kurrë. Fshatarësia jonë ka tradita të shkëlqyera lufte për liri, bashkim kombëtar dhe kundër padrejtësive shoqërore. Ajo është një forcë e madhe në revolucion. Pa pjesëmarrjen e saj në luftën revolucionare, nuk mund të flitet për fitoren e lirisë kombëtare…
Kosova quhet shpeshherë “vend i të rinjve” (Natyrisht, njerëzit tanë vdesin më shumë para kohe, nuk plaken). Është e vërtetë se në krahasim me numrin e popullsisë, Kosova ka shumë të rinj, që e bën popullin tonë akoma më vital e luftarak. Rinia fshatare, punëtore, shkollore e studenteske në Kosovë, ashtu si gjithë populli e ndjen thellë në kurriz barrën e rëndë të robërisë që ushtrohet mbi të, të shtypjes e shfrytëzimit. Rinia jonë shtypet e shfrytëzohet në fshat e në fabrikë. Ajo hidhet në katër rrugët pa mjete jetese dhe pa perspektivë. Me dhjetëra mijë të rinj kosovarë bredhin të papunë rrugëve duke kërkuar të gjejnë çfarëdo pune, dhjetëra mijë janë shpërndarë nëpër Jugosllavi për punë, e edhe më shumë kanë lënë vatrat e tyre për të marrë në sy botën kapitaliste që të sigurojnë bukën.
Të rinjtë e varfër e kanë të vështirë të kryejnë shkollë për shkak të kushteve të rënda. Prandaj, shumë prej nxënësve që regjistrohen në klasën e parë, nuk arrijnë të mbarojnë të tetën. Me mijëra fëmijë nuk përfshihen fare në shkollë ( vetëm në qendrën e Kosovës, në Prishtinë, mbi 2.000 për çdo vit ), prandaj analfabetizmi shtohet. Edhe më vështirë është të kryhet ndonjë shkollë e mesme apo e lartë e fakultet. Rinia shkollore dhe studenteske është e detyruar të përballojë vështirësi të rënda, të udhëtojë gjatë, të banojë nëpër bodrume plot lagështi, pa ngrohje dhe pa kushte elementare higjienike, shpeshherë pa bukë, pa tekste e mjete mësimore etj., për të fituar më në fund një diplomë e cila, megjithatë nuk i siguron punë. Por, të etur për dije, shumë të rinj, përballojnë edhe këto vështirësi që të shkollohen.
Rinia është forca më e gjallë e popullit tonë. Ajo është e edukuar në frymën patriotike nga prindërit e saj, që luftuan gjithmonë për liri e bashkim kombëtar. Për vetë natyrën e saj, rinia është për të renë dhe në luftë me të vjetrën. Revizionistët dhe tradhtarët kanë marrë masa të shumta për korruptimin e rinisë sonë, në fshat, ndërmarrje, shkolla, fakultete etj. Ata mundohen që asaj t’i heqin ndjenjën patriotike dhe frymën revolucionare. Por pjesa më e madhe e rinisë është e shëndoshë. Një rol shumë të madh në edukimin e shëndoshë të rinisë sonë dhe të gjithë popullit, kanë literatura, filmat etj, që sillen nga Shqipëria socialiste dhe emisionet e Radiotelevizionit shqiptar.
Përkundër masave shtypëse, burgosjeve, kontrollit policor dhe presionit të vazhdueshëm ideologjik që ushtron regjimi mbi rininë tonë, ajo lufton kundër tij, në ndërmarrje e në fshat, në shkollë e në fakultet, organizohet për të luftuar me vendosmëri për të drejta të saj e të popullit, për liri kombëtare e shoqërore… Në gjendje veçanërisht të vështirë është gruaja shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Pozita e saj në shoqëri e familje është pozitë e një skllaveje të vërtetë. Asaj i mungon jo vetëm liria, por edhe barazia me burrin. Edhe ato pak gra të zëna në punë, diskriminohen rëndë në pagë e kudo.
Analfabetizmi e injoranca sundojnë sidomos mbi gruan te ne. Ligjet e zakonet e vjetra fetare, patriarkale e feudale, shtypin pa mëshirë personalitetin e gruas, ndjenjat dhe dëshirat e saj në gjithë jetën. Edhe pse e shtypur dhe e shfrytëzuar egërsisht, gruaja shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, i ka ruajtur dhe i ka zhvilluar cilësitë e saj të larta, si patriotizmin, trimërinë, ndershmërinë, thjeshtësinë, zgjuarsinë etj., cilësi këto që e karakterizuan gruan shqiptare në shekuj.
Liria dhe barazia e vërtetë e gruas shqiptare në Kosovë dhe krahinat tjera shqiptare në Jugosllavi, janë të lidhura ngushtë me çlirimin nacional dhe shoqëror të popullit tonë në këto krahina… Pa lirinë e vërtetë të popullit tonë të robëruar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi nuk mund të fitojë as gruaja lirinë dhe barazinë e vërtetë dhe pa pjesëmarrjen aktive të gruas në luftën çlirimtare, nuk mund të fitohet liria.
Një shtresë shoqërore në vete të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, përbën inteligjencia. Një pjesë jo e madhe e saj bën jetë mikroborgjeze me rroga të majme që u ka siguruar regjimi në kurriz të masave punonjëse. Kjo pjesë e vogël e inteligjencies është shkëputur nga masat e gjera popullore, i shtyp dhe i shfrytëzon ato, kurse disa prej tyre (sidomos ata të ngritur në pozita të larta udhëheqëse në organet shtypëse revizioniste), kanë dalë hapur në mbrojtje të robëruesve të popullit dhe janë kthyer në tradhtarë të deklaruar të popullit tonë. Të tjerë, të korruptuar nga regjimi, i bëjnë aureolë zotit të tyre në Beograd e Kosovë, nëpërmjet të bisedave, propagandës në shtyp, radio, televizion, në fushën e artit, të letërsisë, të shkencës, të kulturës etj.
Por, pjesa më e madhe e inteligjencies sonë, ashtu si gjithë populli, shtypet e shfrytëzohet, rrjedh nga masat e varfra të popullit tonë dhe në përgjithësi është përparimtare e revolucionare. Kjo inteligjencë ndjen në kurriz barrën e robërisë kombëtare e padrejtësitë shoqërore. Asaj jo vetëm nuk i sigurohet liria e krijimtarisë përparimtare e revolucionare, por regjimi nuk i siguron as punë. Inteligjencës sonë përparimtare e revolucionare, po i bëhet gjithnjë e më e qartë se liria e vërtetë edhe për të, arrihet vetëm me çlirimin e vërtetë të gjithë popullit tonë të robëruar…
III
Aspiratat e popullit tonë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, janë të vjetra. Lufta e popullit tonë për t’i realizuar këto aspirata përbën faqe të lavdishme të historisë së tij…
Lufta e popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi për liri, bashkim kombëtar dhe socializëm gjatë Luftës Nacionalçlirimtare u tradhtua dhe u shtyp me gjak nga revizionistët shovinistë. Këtij populli iu grabit përsëri liria dhe iu mohua e drejta për vetëvendosje…
Aspiratat e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar, armiqtë revizionistë e tradhtarët nuk kanë mundë t’i mbysin dhe nuk do të mund të bëjnë kurrë një gjë të tillë. Populli ynë ka luftuar, lufton dhe është i vendosur të luftojë gjer në realizimin e plotë të këtyre aspiratave.
Duke u nisur nga këto aspirata…të futemi thellë në masat, t’i bëjmë ato të ndërgjegjshme për revolucion, t’i bashkojmë, t’i organizojmë e t’i udhëheqim në revolucionin e armatosur, me të cilin populli ynë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, do të fitojë lirinë e vërtetë kombëtare dhe të drejtën për t’u bashkuar me shtetin shqiptar. Ky revolucion do të heqë qafe njëherë e përgjithmonë robërinë shekullore të popullit tonë dhe do t’i shkatërrojë shtypësit e shfrytëzuesit…
IV
Në luftën e tij, populli ynë ka të bëjë me një armik të egër i cili nuk i lëshon me vullnet e lehtë trojet tona të okupuara. Prandaj, vetëm forca e bashkuar e klasën punëtore, fshatarësisë patriote, rinisë revolucionare, grave trime, inteligjencies përparimtare e revolucionare, e një fronti unik e të gjerë të masave të robëruara, të shtypura e të shfrytëzuara të popullit tonë, nën udhëheqjen e një pararoje revolucionare, marksiste-leniniste, do të jetë në gjendje të kryejë me sukses revolucionin e armatosur popullor mbi revizionistët robërues dhe tradhtarët e vendit…
Detyrat e kësaj partie do të jenë:
– Të ketë rolin e repartit pararojë dhe të ndërgjegjshëm të klasës sonë punëtore, udhëheqëse e saj dhe e masave të gjera popullore në revolucion.
– Të jetë trashëgimtare e traditave të shkëlqyera patriotike, demokratike e revolucionare të popullit tonë…
– Të ketë një program të qartë të veprimit revolucionar rreth të cilit të mobilizohen masat.
– Të përcaktojë strategjinë e përgjithshme revolucionare dhe ta kombinojë drejt atë me detyrat e ditës dhe me taktikat e zhdërvjellëta revolucionare, në shërbim të kësaj strategjie.
– Të bëjë një punë të vazhdueshme e sistematike për edukimin e kalitjen revolucionare të radhëve të saj dhe të bëjë kombinimin e drejtë të praktikës së luftës me studimin ideologjik…
– Të shtrihet në të gjitha viset e Kosovës dhe në krahinat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.
– Në zgjerimin e radhëve të zbatojë drejt kriteret marksiste-leniniste, të mos rendë pas sasisë, por të synojë në radhë të parë në cilësinë e radhëve të saj…
– Të luftojë kundër koncepteve e praktikave të djathta të oportunizmit e revizionizmit, kundër reduktimit të veprimtarisë vetëm në luftën për disa rivendikime të pjesshme, duke lënë në harresë objektivin kryesor, nga një anë dhe nga ana tjetër, të luftojë edhe kundër rrezikut të qëndrimeve ekstremiste të majta, për të rendur përpara, pa marrë parasysh nivelin e ndërgjegjes e të përgatitjes së klasës punëtore e të masave për luftë e revolucion.
– Të jetë e organizuar në bazë të parimeve e të normave organizative marksiste – leniniste, të detyruara për të gjithë, siç janë kritika e autokritika, kolegjialiteti dhe përgjegjësia personale, disiplina e fortë dhe e ndërgjegjshme, konspiracioni etj…
– Të karakterizohet nga një unitet mendimi e veprimi dhe të mos i ndajë fjalët nga veprat.
– T’i japë rëndësi të dorës së parë aksioneve revolucionare.
– Të jetë e lidhur ngushtë me masat.
– Të krijojë organizata të masave nën udhëheqjen e saj dhe të krijojë e të udhëheqë frontin, si organizatë politike të masave të gjera popullore, në themel të të cilit do të jetë aleanca e klasës punëtore me fshatarësinë, nën udhëheqjen e klasës punëtore…
– Të zotërojë të gjitha format e metodat e luftës, të dijë t’i kombinojë njërën me tjetrën dhe në përshtatje me ndryshimet që ndodhin të jetë e aftë të zëvendësojë shpejt një formë lufte me një tjetër.
– Revolucionin e armatosur ta konsiderojë si formë më të lartë dhe të domosdoshme të luftës.
– Të kombinojë drejt organizimin e veprimtarinë legale me atë ilegale…
– Vetëm një parti e këtillë mund ta udhëheqë e sigurt popullin tonë të robëruar drejt fitores.
V
Grupi ynë Marksist-Leninist, besnik ndaj interesave të larta të klasës punëtore dhe të çlirimit kombëtar të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, lufton dhe do të luftojë pareshtur kundër revizionistëve robërues të popullit tonë dhe shërbëtorëve të tyre, tradhtarëve shqiptarë, që shtypin e shfrytëzojnë popullin tonë. Grupi ynë lufton kundër borgjezisë shoviniste robëruese serbe e jugosllave, e cila mban të robëruara trojet tona, por jo kundër popujve vëllezër jugosllavë, të cilët po ashtu shtypen e shfrytë- zohen nga revizionistët titistë. Populli ynë si në të kaluarën edhe sot e në të ardhmen, nuk do t’i bjerë në qafë asnjë populli, ai ka luftuar, lufton e do të luftojë për çlirimin e vet kombëtar e për të drejtat e veta. Lindja e Grupit tonë është e lidhur ngushtë me këto interesa dhe me këtë luftë të popullit tonë. Grupi ynë Marksist-Leninist po rritet, forcohet e lartësohet çdo ditë. Në rrugën e tij të formimit, të rritjes e fuqizimit, ai ka kaluar pengesa e vështirësi të shumta. Edhe sot e në të ardhmen atij do t’i duhet të përballojë vështirësi akoma më të rënda (dhe në radhë të parë konditat e egra në të cilat vepron) që të mund t’i kryejë me sukses detyrat e mëdha që ka përpara.
LUFTA E POPULLIT TONË ËSHTË E DREJTË DHE ME SIGURI DO TË FITOJË.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura