Tiranë, 16. 05. 2013 – Gramatika e politikës aktuale shqiptare është plot urrejtje, plot personalizime, bajraktarizëm ballkanik, kthimi i institucioneve të partive në klane dhe klube shokësh, pragmatizmi vulgar dhe momental, mungesa e idealizmit dhe e kthimit të politikës në një marketing të kitsch-it mediatik, larg çdo shpirtëzimi të nocionit absatrakt të politikës.
CENGU: Duke e parë si një fenomen përgjithësues politik, largimin e Myslim Pashaj nga AK-ja, shtrohet pyetja: A është politika për shkencëtarët, e ca më tej, për idealistët, për personalitetet me integritet e kontribut kombëtar?
ZEQO: Kjo pyetje është shumë e vjetër, një aspekt i sociologjisë politike. Edhe filozofi i përkorë Platon e shtronte çështjen a duhet që njerëzit më të ditur, pra filozofët të udhëheqin procesin politik etj. Kjo pyetje e ndërlikuar, më tepër hipotetike ka një ankth të shekujve, atë të një raporti të drejtë të të diturve me vendimmarrjen politike. Historia ka treguar se nuk fuksionon si duhet ky ekuacion mendor, përkundrazi shpesh ndodh e kundërta, të diturit nuk janë ta parapëlqyer nga politika, se përgjithësisht politikanët kanë krijuar një lloj race, një lloj mutacioni të mëvetshëm, të dallueshëm, që raportet e drejtpërdrejta me dijetarët dhe njerëzit e kulturës i kanë konvencionale, ose klienteliste. Pushteti politik u jep politikanëve idenë e rrejshme të vertikalitetit drejtues për të mos pranuar përafërsime, ose paralele me të tjerët. Këtë e ka artikuar qartë Makiaveli, i cili qe më i dituri i kohës së vet, i shërbeu politikës dhe u hodh si një leckë, pa asnjë mirënjohje nga sundimtarët e Firences dhe e mbylli jetën në mjerim. Por në substancë projektet e mëdha politike konceptualizohen detyrimisht, historikisht nga dijetarët dhe mendjet më të mëdha dhe më të shquara – këta mbeten në histori pa firo (pa boshllëk) dhe nderohen. Revolucioni Francez u konceptualizua, u projektua nga Rusoi, Dideroi, Volteri. Rilindja Kombëtare Shqiptare nga De Rada, Naim Frashëri dhe traktati i famshëm i Sami Frashërit mbeti si struktura konceptuale e ardhmërisë së Shqipërisë i pazbehur deri më sot. Këtë nuk e mohon dot askush. Politikanët e përditshmërisë harrohen, politikbërësit e mendjes nuk harrohen. Politika shqiptare e këtyre dy shekujve ka treguar se dijetarët dhe politikanët janë gati të papërputhshëm. Faik Konica dhe Fan Noli qenë dy shqiptarët më të ditur edhe në rrafsh europian, u morrën tërë jetën me politikë kombëtare dhe shkëlqyen, por një njeri me formim kulturor të dyshimtë, të pamjaftueshëm, ndonëse shumë i zgjuar dhe dinak i “mundi“, madje edhe i “përdori” për fat të keq. Kjo paradigmë vazhdon deri më sot, e gjallë, e plotfuqishme në politikën shqiptare. Hanah Arend ka thënë se në shoqëritë e paemancipuara raporti i politikës me kulturën është negativ, se në këto shoqëri “një gram pushtet peshon më shumë se një tonelatë intelekt“. Rasti i mikut tim të nderuar Myslim Pashait është pak më i thjeshtë, u fut në një lëvizje politike të paqartë, patetike, pa prespektivë, por e kuptoi situatën kaotike, doli vetë me dinjitet nga kjo lloj “politike” të manipulimit mediatik dhe jo të kuptimshmërisë historike dhe të seriozitetit. Raporti aktual i politikanëve me njerëzit e shquar të kulturës, për shumë arsye është peng i prapambetjes retrograde të shoqërisë në përgjithësi dhe kjo do të vazhdojë për shumë kohë akoma.
– DR.MOIKOM ZEQO –
CENGU: Duke shtjelluar më tej, si e shpjegoni që debati politik, pas publikimit të listave, prek më shumë çështjen e emrave që u përjashtuan, sesa alternativat politike që i servisen elektoratit?
ZEQO: Është një tipar infantil i fushatës të hiperbolizuar nga mediat. Mediat kërkojnë “skupe”, “befasira”- kuptohet mediat shqiptare janë në stadin e mediave tabloide. Emrat e përjashtuar nga “e djathta“ dhe nga “e majta“ janë gjithësi subjekte por nuk janë objektiva programorë. Zhurmat rreth emrave të tillë zbehin dhe turbullojnë alternativat programore të partive – por një gjë e tillë spekuluese ndodh edhe në Europë dhe në botë padyshim.
CENGU: PS-ja në listat e saj për kandidatët për deputetë, ka ndërmarrë dy iniciativa. Ka lënë jashtë listave disa emra, të cilët gëzojnë popullaritet, ndërsa ka risjellë disa emra, të cilët dikur u hoqën nga skena politike si shkaktarë të humbjes të PS-së nga qeverisja. Cili është qëndrimi juaj?
ZEQO: Është një çështje sa e brendshme po aq dhe publike e PS. Mendoj se tri figura si Malaj, Duka, por edhe Spiropali mund të ishin me dinjitet në listën e PS, nuk e di se cfarë llogaritjesh numrash elektoralë në sens negativ dhe pozitiv kënë bërë përjashtimin, më saktë mospërfshirjen e tyre. Çështja shtrohet: me këta tri emra fitohej më shumë në elektorat, apo me tri emrat zëvëndësues fitohet numerikisht më pak. Duket një gjë mekanike, por është shumë e rëndësishme. 23 qershori do ta tregojë.
CENGU: A mund të përligjet moralisht, egoja e disa politikanëve, të cilët, meqë nuk përfshihen në listat e PS-së, menjëherë, hidhen kundër saj, saqë të jepet përshtypja që deri tani në politikë kanë kauzë karrierën personale dhe jo kauzën politike të elektoratit që ata predikojnë se i përkushtrohen?
ZEQO: Që “kauzat” vetiake janë substanca e “kauzave” politike të shumë personave, kjo është tashmë diçka e përgjithshme prej 22 vjetësh në politikën shqiptare – kjo nuk çudit më asnjeri – kjo përbën një krizë të brendshme të politikës, një profanim dhe paradoks të saj të përhershëm. Kjo ka krijuar tipologjinë e politikës dhe zbehjen e konceptimit real dhe autentik të asaj që quhet patetikisht si ”kauzë politike”, emërtim ky mjaft konvencional. Kjo do të vazhdojë dhe në të ardhmen. Pra shëmbëlltyrat modelojnë politikën dhe jo politika shëmbëlltyrat. Po ka edhe shpagim historik! Nga viti 1991 e deri më sot në Shqipëri janë mbi 1000 emra deputetësh, ministrash, kryetarë partish etj, a më shumë, të bujshëm mediatikisht sa kohë kishin mandate, por mbas mbarimit të mandateve nuk i di askush, janë ta harruar mjerueshëm dhe meritueshem, për emrat e tyre nuk interesohet asnjeri. Harresa është në këtë rast një higjienë mendore e pashmangshme, madje e mrekullueshme.
CENGU: Emrat e rinj, të cilët janë sjellë në listat e PS-së, a janë shprehës e mbartës të interesave të elektoratit socialist?
ZEQO: Janë emra të propozuar për votim jo nga elektorati, por për elektoratin. Ky është fakti juridik i listës. Ky është realiteti i listës. S’ka tjetër. Mund të ishte ndryshe, por ja që nuk është ndryshe. Unë nuk di ndonjë ligj zgjedhor tjetër, përveç atij të vitit 2008, që fuksionon e mbase do të fuksionojë gjatë. Ky ligj zgjedhur ka modeluar dhe do ta modelojë politikën shqiptare.
CENGU: Vërehet një tendencë. Shumë kandidatura të reja janë nga biznesi, pa patur parasysh integritetin intelektual e politik, apo edhe të popullaritetit. Mendoni se këta kandidatë do të mundin që të bashkojnë më shumë elektoratin socialist me PS-në?
ZEQO: Konceptualizimi i listës së PS është tashmë një provë historike por edhe ideore dhe konkrete – përpara gjykimit të ndërlikuar të elektoratit të majtë. Elektorati i majtë në 23 qershor nuk do të bazohet aq te lista se sa tek idea e rotacionit politik. Jam shprehur me gjakftohtësi se rotacioni politik është i domosdoshëm për shoqërinë politike dhe për atë jo politike. Ky rotacion është gjithashtu i shtrënguar nga ligji i mbrapshtë zgjedhor i 2008. Pra nuk do të jetë plebishitar, por me diferencën formale kushtetuese për ndërrimin e pushtetit. E mbështes këtë rotacion për të mirën e zhvillimeve të reja dhe të një kimie politike të ndryshme, më me hapësirë, më me mundësi. Por në pushtet e majta do të ballafaqohet me një administratë të margjinalizuar militantësh (duhet të bëjë të kundërtën) dhe me një situatë ekonomike të tmerrshme (ja sfinksi i vërtetë i politikës shqiptare!)
CENGU: Berisha ka futur në listat e PD-së edhe kryetarët e partive aleate, ndërsa Rama, nuk futi as Milon e Gjinushin. Mendoni se e kështu krijohen disavantazhe politike në dëm të së majtës?
ZEQO: Mendoj se Gjinushi dhe Milo duhet patjetër të konkurojnë më vete – si psh, Meta. Gjinushi dhe Milo i krijuan partitë përpara Metës, por nuk patën vizionin për t’i konsoliduar – kjo është përgjegjësia e tyre. I dhanë më rëndësi vetvehtes. Nuk është dinjitoze për ta të futen mekanikisht në listat e një partie tjetër. Nuk ka asnjë kuptim. Partia e Metës mbijetoi, pavarësisht se rrethanat i pati më të vështira. Partitë fantazma të së majtës, apo të së djathtës përveç lojës mediatike nuk kanë asgjë substanciale. Më vjen keq por ja që kështu është! Dhe kjo vjen prej tyre dhe jo prej të tjerëve.
CENGU: Edi Rama nuk mundi të krijojë një koalicion kompakt opozitar, derisa nuk mundi të gjejë formulën e bashkëpunimit me AK e FRD. Mendoni se Rama gaboi me mungesën e tolerancës, apo AK e FRD kushtëzuan kërkesa politike më shumë se ç’mund t’ju takojë?
ZEQO: Larg retorikave boshe dhe analizave emocionale mendoj se aleanca me AK nuk fuksionoi për shkak të kryetarit të AK. Me FRD është më mirë që nuk u bë aleancë si për PS ashtu edhe për vetë FRD.
CENGU: Këto vota opozitare, të AK, FRD, por edhe të kandidatëve të pavarur të së majtës, kundër Berishës, të cilët nuk u bashkuan me PS, a janë rrjedhje të votave të koalicionit të majtë dhe a mund të ndikojnë në shumatoren fituese të PS-së, dhe, padashur, ndihmojnë Berishën?
ZEQO: Jo nuk e ndihmojnë Berishën. Diferenca midis kualicionit të majtë dhe të djathtë, e theksova dhe më sipër, nuk do të jetë plebishitare, – jo me shkopin magjik, por me vështirësi dhe impenjim shumë të madh këtë herë mendoj se fiton mjaftueshëm kualicioni i majtë, pa ndonjë eufori të madhe – euforia në politikë nuk i hyn në punë askujt, përveç diletantëve. Beteja elektorale do të jetë e fortë dhe ndoshta edhe konfuze. 23 qershori do të jeta beteja më e rëndësishme elektorale e këtyre 22 viteve. Shansi i opozitës është i qartë, por ky shans historik duhet menaxhuar seriozisht dhe vizionarisht.
CENGU: Mund ta perceptojmë si sfidë politike nga politika, mosmarrjen parasysh të apeleve të të gjithë ndërkombëtarëve për një KQZ të pavarur, apolitike, apo qëllimi i marrjes me çdo kusht të pushtetit ngrihet mbi çdo ligj?
ZEQO: Gjëja më e ngatëruar është legjitimiteti i KQZ. Nuk mund të ketë zgjedhje normale pa KQZ. Kush do t’ia çertifikojë mandatet deputetëve fitues? Nuk e di se si do të rregullohet kjo gjë. Kjo është ende një enigmë, gati fatale. Apelet e ndërkombëtarëve janë të drejta. Po kush po i dëgjon? Pa KQZ katrahura e zgjedhjeve dhe debateve mund të zgjasin deri në shtator, a më pas, ose njëra nga partitë e madha nuk do ta njohi rezultatin e zgjedhjeve. Pra është një gjë tmerrësisht serioze, legjitimiteti dhe kaosi politik mund ta “gëlltisin” njëri-tjetrin.
CENGU: Meta ka kërkuar vazhdimisht që PD-PS të arrijnë në kompromisin e votimit të 3 ligjeve. Rama i ka kushtëzuar me zbatimin e tyre nga shtatori, Berisha heziton të përgjigjet. Ju jeni dakort, që këto 3 ligje të votohen nga ky Kuvend?
ZEQO: Legjitimiteti mandator i Kuvendit tashmë është konsumuar. Tashmë ështa shumë vonë.
CENGU: Sipas jush, integrimi i Shqipërisë, a është prioritet politik elektoral?
ZEQO: Absolutisht! Integrimi i Shqipërisë është më shumë se sa partitë politike të mëdha dhe të vogla. Ka dy rrafshe të politikës: rrafshi i politikës ndërkombëtare, më i epërm, më emancipues, tërësisht integrues dhe rrafshi i politikës provinciale shqiptare plot alibira, pa vizion të vërtetë për këtë integrim. Këto dy rrafshe shpesh përputhen me vështirësi, politika shqiptare ka sindromën idiote të vonesës dhe është tërësisht përgjegjëse për tërë vonesat e paarsyetueshme dot.
CENGU: Pas 23 Qershorit, procesi i integrimit do të përshpejtohet, pavarësisht se cili do të jetë fituese?
ZEQO: Po do të përshpejtohet – reagimi i ndërkombëtarëve do të jetë më i madh dhe më imponues, por ndoshta edhe penalizues- edhe kjo gjë nuk duhet harruar!
CENGU: A mund të shkelim moralin politik për të arritur suksesin? Dhe cila është kostoja e fitores?
ZEQO: Fitorja politike në demokraci është përherë një fitore krejt e përkohshme dhe mandatore, pra me shpesh jo një fitore konceptuale dhe substanciale. Alternimi i pushteteve krijon premisa për modelimin shoqëror të një morali të qytetarëve, që në shoqëritë e emancipuara është një referencë dhe ka një habitat dhe një ekzistencialitet më të madh.
CENGU: A mund të krijohen premisat e përshtatshme për një rikompozim të së majtës dhe të socialistëve në këtë rast?
ZEQO: Teorikisht premisat për rikompozime janë të stimuluara nga realiteti përherë, jo vetëm për të majtën por edhe për të djathtën. Premisat nuk zhduken dot. Ështa e pamundur të zhduken.
CENGU: A ekziston koncepti i demokracisë në politikën shqiptare sot?
ZEQO: Një koncept i vagullt, i mjegullt, më tepër një demokraci verbale se sa e substancës, një alibi se sa një realitet i fuqishëm – por edhe një proces në vazhdim me ngritje dhe ulje – ja kredencialet e brishta te demokracisë së vonuar shqiptare.
CENGU: Cila është gramatika politike e klasës sonë politike?
ZEQO: Gramatika e politikës vizionare është përshpejtimi i zhvillimeve dhe të një të ardhme të humanizuar, me dinjitet dhe identitet në botën globale. Gramatika e politikës aktuale shqiptare është plot urrejtje, plot personalizime, bajraktarizëm ballkanik, kthimi i institucioneve të partive në klane dhe klube shokësh, pragmatizmi vulgar dhe momental, mungesa e idealizmit dhe e kthimit të politikës në një marketing të kitsch-it mediatik, larg çdo shpirtëzimi të nocionit absatrakt të politikës.
CENGU: Cilat janë ato ndryshime që kërkohen që Shqipëria të bëhet Shqipëri normale dhe Shqipëri Europiane?
ZEQO: Ndryshimet ekonomike të vërteta. Shqipëria ka sot një ekonomi sherbimi, por nuk është një realitet ekonomik i vërtetë- pra ështa një alibi, apo një retorikë ekonomike se sa një Shqipëri ekonomike. Ndryshimet kulturore, arsimore dhe shoqërore të nivelit europian. Intergimi është më tepër një koncept madhor kulturor dhe mendor. Por jemi ende shume larg. Përherë të vonuar!
CENGU: A mund të reformohet së brendshmi ky sistem politik, ekonomik, shoqëror, që kemi ngritur dhe kjo kastë politike 20 vjeçare, e cila është ndërtuesja e interpretuesja e këtij sistemi?
ZEQO: Reformimi vjen, bëhet domosdoshmëri nga ”katastrofat” që sjellin krizat. Krizat janë të forta dhe me pasoja. Reformimi mund të bëhet nga një racë tjetër politikanësh vizionarë dhe të përkushtuar. Reformimi mund t’i restaurojë dhe të t’i ringjallë kauzat e vërteta politike të shqiptarëve.
CENGU: Apo duhet të krijojmë forca të reja, apo duhet të presim rënien e këtij sistemi, përmes kalbëzimit e degjenerimit përfundimtar?
ZEQO: Partitë lindin dhe vdesin, po kështu dhe politikanët. Shqipëria nuk vdes, as e ardhmja e saj. Forca të reja demokratike përherë mund të lindin – ky është procesi gjenuin i vetë Historisë. Kështu ka ndodhur dhe kështu do të ndodhë.
CENGU: A ka interes ky sistem politik të ndryshojë për të mirë?
ZEQO: Zbigniev Berzinski, mendimtari politik amerikan ka shkruar libra ku flet për rikonceptimin e sistemit, të rigjallërimit dhe të humanizimit botëror, por kjo kërkon një vizion botëror, përkushtimshmëri dhe partneritet botëror.
CENGU: A duhet të vazhdojmë ne të besojmë se rotacioni në pushtet i kësaj kaste politike është rruga e zhvillimit dhe e ndryshimit?
ZEQO: Rotacioni, ose alternimi i pushtetit është në thelb një normë formale kushtetuese, nuk është detyrimisht konceptuale. Zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha realizohen nga qytetarët e një vendi, mjafton që politikanët mos t’i pengojnë artificialisht me politikanizimet apo ”kauzat e tyre personale”
CENGU: A mund të shpresojmë se me kohën këto parti politike që kemi, do të demokratizohen, duke nxjerrë liderë të rinj më të moderuar, më mendjendritur?
ZEQO: Po, mund të shpresojmë. Mund të jemi skeptikë, por edhe të mos e humbasim besimin në logjikën e emancipimit të politikës dhe të politikanëve.
(Bisedën e zhvilloi: Besim R Cengu)