MIMOZA DEMIRI: NA RROFSHIN KAFENETË…!

Pashtriku.org, 20. 02. 2014 – (“Si kafenetë e Shqipërisë s’ka më të mira për të shkuar kohën.”- Faik Konica, 1898) – Kjo thënie e Faik Konicës që në vitin 1898 mua më tingëllonë si tani, e freskët fare, që do të thotë: Na rrofshin kafenetë dhe muhabetçinjtë, aman fundin e merselesë shqiptare, nuk e dimë akoma se si do përfundojmë. Kjo tregonë se nuk kemi çfarë presim më, pasi gjithë këto vite nuk paska ndryshuar asgjë në mentalitetin tonë “kokëfortë”.
Me të drejtë ankohen shumë për punë, natyrisht ajo pjesë e shëndetshme e shoqërisë që duan të ndërtojnë gjithçka me punë, por është një pjesë dembelësh në vendin tonë, që duan të jetojnë pa punë dhe ekstra, duke ndenjur me orë të tëra nëpër kafenera që janë plotë e përplotë, dhe nuk kanë faj të huajt kur nuk gjejnë vend për t’u ulur, pasi nuk e lëshon askush atë. E kanë bërë si orarë zyrtarë, nga mëngjesi deri mbasdite, të ngulur aty, ku nuk lënë thashethëme dhe njeri pa marrë nëpër gojë!
Asnjëri nuk rri në punë…! Kur isha herën e fundit, vetëm për të marrë një biletë avioni mu desht të prisja orë e orë pasi letra thoshte: jam te kafja e Nazmiut… ec e gjej kafen e Nazos se në ç’birucë ishte… dhe kjo ndodhë nga të katër anët, nëpër zyra e nëpër dyqane private dhe nuk ke shansë t’i kërkoshë llogari, pasi ndihen PADRONË.
Fakti që ky mentalitet i dembelizmit që është vënë re dhe nga të huajt të cilët janë marrë me çështjet shqiptare, nuk është rastësisht, ka diçka që nuk shkonë. Jo më kotë e vura statusin më poshtë për shpallje “vetmadhështie” ku këtë e reflektojmë kudo, kemi tangërllëk të ekzagjeruar dhe pa asnjë bazë, përkundrazi, kemi rënë për tokë nga të gjitha anët.

Në këto dy foto (e para e fundshek.XIX – e dyta e fillimshek.XXI) nuk ka asnjë ndryshim mentaliteti, përveçse benevrekeve të zëvendësuara me minifunde..!!

Duke parë shumë popuj që kanë përparuar, këtë e kanë bërë falë thjeshtësisë dhe pragmatizmit të tyre, duke i dhënë përparësi jetës së përditshme, sigurimit të saj dhe normalitetit dhe jo snobizmit, te ne kafendenjësit pa asnjë grosh në xhep me lekët e bukës më blenë sende të shtrenjta që nuk të takojnë karshi pagës që merr… dhe këtë vetëm për t’u dukur, e për inat të dynjasë… merr veten në qafë.
Lluksi i tepruar pa asnjë bazë fillestare ka shkatërruar dhe brezin e ri të cilët e shohin jetën tek qefet dhe jo tek puna, dhe nuk mendojnë të hedhin bazat me forcat e tyre, por gjithmonë presin si do sajohen për të hedhur ditën dhe nganjëherë dhe me mjete jo të përshtatshme, por rastësore, hajde ja hodhëm dhe sot…!!
Fakti që akoma shohin kalimin e kohës nëpër lokalet si bazë të jetës dhe ngushëllim i saj, do të thotë që na tërheq ADN’ja dhe në këtë rast, shpresat janë shumë të vogla për ndryshim, pasi peshku tek ne ka qenë gjithmonë i qelbur nga koka, të cilët kanë servirur të njejtin zakonë, aheng kafenerash, darka, dreka, llukse, makina, shtëpira me djersën e të tjerëve, abuzime… e të gjitha këto, i duan pa djersë e pa punë, që në vendet e zhvilluara me normalitet, ju duhet një jetë e tërë të punojnë.
Përderisa çdo lloj pune shihet si TURP, që këtu shpresat janë të vdekura, ku popujt e tjerë që jetojnë me dinjitet të punosh çdo lloj pune, e kanë bazën e ndërtimit të jetës se tyre. Tek ne pretendojnë të gjithë doktorë, profesorë, akademik, artistë, psikolog etj., por askush nuk do punë të thjeshta por të dinjitetshme.
Shumë mashtrojnë, gënjejnë identitetin e tyre, hiqen ata që nuk janë, ju vjen turp deri tek familja që ju jetonë në fshat apo në ndonjë zonë të largët…. duke thënë që janë të gjithë nga Tirana. Kjo tregon degradim deri në shpërbërje të gjithçkaje që mund të formojë atë qenie që quhet NJERI.
Më falni por unë nuk kam asnjë besim se do lëvizi ndonjë “presje” nga ky mentalitet i rrënjosur thellë e më thellë.
E kanë thënë kokat e mençuara të asaj kohe, po e thonë akoma e do ta thonë gjithmonë, nga kafeneja e rehatia fallco nuk ngrihet koka. Ndoshta kemi lindur vetëm për këtë punë dhe për asgjë tjetër, perderisa jemi historikisht në të njejtën gjendje të mjerueshme dhe gishti i fundit të kavallit të botës!!

– Autorja është opinioniste kritike…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura