MIMOZA DEMIRI: VAҪE ZELA DHE IBRAHIM MADHI – JANË TEMPULL I TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Pashtriku.org, 17. 02. 2014: Historia botërore e artit dhe intelektualëve na ka mësuar se kanë qenë gjithmonë në konflikt me pushtetet, e pikërisht janë këta njerëz që formojnë tempullin e kulturës botërore. Vaçe Zela (*) e Ibrahim Madhi (**) janë tempull i trashëgimisë sonë kulturore, ku me zërin dhe telat e violinës i kushtuan gjysëm shekulli jetë, pa asnjë shpërblim por paturpësisht duke u kujtuar… ditën që shkuan në heshtjen e vetmisë së trishtimit për artin dhe vendin. Kjo është e gjitha çka morrën me vete. Kurrë ky vend nuk do ketë fatin t’i vijnë më këta artistë… pasi rekordi i fallsitetit dhe plagjiaturave të artit sapo vjen e po rritet, ndërkaq ai me shpirt e zemër dhe i vërteti, sapo vjen e po zhduket.
* * *
Vaçe Zela, bilbili shqiptarë… sa herë dëgjoj lajme të shuarjes së shpirtit të artistëve tanë, nuk mund ta kaloj vetëm me një (R.I.P formale) përveç dhimbjes që ndjejmë, na shoqëron mjerisht dhe ajo e trajtimit jo të dinjitetshëm që ju është bërë ikonave të artit shqiptarë dhe pas vdekjes, ju thurin lavdira në kurriz të vujtjeve të tyre 40 vjeçare.
Brenda javës largohen nga jeta dy artistë dhe njerëz që për 40 vjet i dhanë aq shumë këtij vendi pa asnjë shpërblim të marrë prej tij, me një pension qesharak dhe të vuajtur nga sistemi, e që më pas në pluralizëm, askush nuk ka pyetur kurrë për ta. Vaçe Zela për 20 vjet me rradhë vuajti nga shëndeti, dhe askush nuk u kujtua se ishte gjallë, për t’i krijuar lehtësira. Ajo ishte harruar plotësisht në mëshirën e fatit dhe tani dëgjojmë Krokodilët që vajtojnë me fjalë qesharake dhe të pështira dhimbsurie.

IBRAHIM MADHI (1945 – 2014)

Këto dy raste të dhimbshme janë në të kundërt mes tyre për një arsye, Violinisti Ibrahim Madhi rezistoi në vendin e tij por që e pagoi shtrenjtë me vështirësira të mëdha ekonomike, dhe i kushtoi edhe në profesion, pasi u detyrua ta përdorë atë si mjet për bukën e gojës, ndërsa e madhja Vaçe, e cila i shpëtoi kësaj mizerje, jetoi për 20 e ca vjet larg vendit duke i shkaktuar një dhimbje të madhe shpirtërore, larg saj por me mirëqenie shumë modeste ekonomike dhe kurative, pasi jetoi në një vend si Zvicrra.
* * *
Po të shkoni në Shkozet në një nga rrugicat më ordinere (rrugë kalimi, por shumë fyes për legjendën e muzikës shqiptare) ku vetëm gomerë kalojnë, keni një tabelë ku thotë: “Rruga Vaçe Zela”, ndërsa të madhin Ibrahim, më mirë që e lanë pa gjë, se sa në një rrugicë të harruar si kjo, dhe që nuk kanë asnjë lidhje me ta.
Dhe ana tjetër e medaljes është:
Që rrugët kryesore dhe të rëndësishme të Tiranës – ku zëri magjik i Vaçes i bëri të kumbojnë e të buçasin me:
– “Valsin e Lumturisë”,
– “Gonxhe në pemën e lirisë”,
– “Moj e bukura Shqipëeri”,
– “Fëmija i parë”,
– “Djaloshi dhe shiu”,
– “Lemza” etj.,

dhe që ne u rritëm me dashurinë dhe sinqeritetin e kësaj artisteje të madhe, por tashmë këto rrugë janë okupuar nga banditët më ordinerë (ngase çdo pushtet që vjen, vë të tyret) të cilët vetëm kanë bërë krime dhe kanë zymtësuar këtë vend.
E jo vetëm zymtësim politik, por po fusin kulturën, ku nuk ka rëndësi vlera, morali, virtyti…, të cilat janë modele dhe shtylla morale e kulturore e një kombi. Këta po ushqejnë:
– si “vlerë” antivlerën,
– si moral “imoralitetin”
– si “atdhetar” banditin e cubin…

dhe kjo është arsyeja që shohim përditë të shtohen si këpurdhat bustet e monumentet e këtyre banditëve e rrugaçëve politik, mediatik me çingijet e “muzikës” sot e të “artit” sot.
George Owrell shkruan, “Kur një shoqëri e tërë degjeneron drejt mashtrimit dhe gënjeshtrës, të thuash të vërtetën është akt revolucionar”.
* * *
Historia botërore e artit dhe intelektualëve na ka mësuar se kanë qenë gjithmonë në konflikt me pushtetet, e pikërisht janë këta njerëz që formojnë tempullin e kulturës botërore. Vaçe Zela e Ibrahim Madhi janë tempull i trashëgimisë sonë kulturore, ku me zërin dhe telat e violinës i kushtuan gjysëm shekulli jetë, pa asnjë shpërblim por paturpësisht duke u kujtuar… ditën që shkuan në heshtjen e vetmisë së trishtimit për artin dhe vendin. Kjo është e gjitha çka morrën me vete. Kurrë ky vend nuk do ketë fatin t’i vijnë më këta artistë… pasi rekordi i fallsitetit dhe plagjiaturave të artit sapo vjen e po rritet, ndërkaq ai me shpirt e zemër dhe i vërteti, sapo vjen e po zhduket.
– Autorja ëshët opinioniste kritike…

………………………………………..

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

VAҪE ZELA  (1939 – 2014)

(*) Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939 në Lushnjë. Ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare. Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave. 12 herë ishte fituese e festivalit, Vaçeja fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 V.Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor. Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me motivacionin: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.” Për nder të këngëtares, viti 2009 u shpall nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë si “Viti Vaçe Zela”. Së fundi, edhe një rrugë në Tiranë mban emrin e saj. Këngëtarja Vaçe Zela, pas një sëmundje të gjatë – ndërroi jetë në mëngjesin e datës 6 janar 2014, në moshën 74 vjecare, në Basel të Zvicrës.

Një kujtesë modeste nga Bledi Strakosha për jetën dhe karrierën e të madhes Vaçe Zela, e cila fatkeqësisht u nda më 6 shkurt 2014 pas një sëmundjeje të rëndë. Informacionet janë në gjuhën angleze meqënëse Vaçe Zela njihet ndërkombëtarisht…

==========================================

IBRAHIM MADHI  (1945 – 2014)

(**) Ibrahim Madhi lindi në Elbasan më 25 nëntor 1945. Pas disa viteve shkollim muzikor, në vitin 1968 Ibrahim Madhi diplomohet në Konservatorin e Tiranës për violinë dhe këtu nis rrugëtimi i tij artistik. Veprimtaria e tij artistike (mbi 50 vjeçare) shënon dhjetëra koncerte të suksesshme. Ai fillimisht nisi si solist pranë Orkestrës së Radio Tiranës, më pas në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Veprimtaria e tij më vonë u lidh me Akademinë e Arteve me kontributin pedagogjik, por edhe me aktivitete të ndryshme muzikore. Ibrahim Madhi është vlerësuar disa herë me çmime të rëndësishme kombëtare. Më 1999 fitoi titullin Profesor, si edhe mban titullin “Artist i Popullit”. Më 4 shkurt 2014 është ndarë nga jeta “Artisti i Popullit”, Ibrahim Madhi.

—————————————————–

(Ilustrimet i përgatiti: www.pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura