MONIKA STAFA: SI U SHIT SHËN NAUMI

(Pashtriku.org, 24. 03. 2012) – Çështja e Shën Naumit, historia e kalimit të tij nën sovranitetin e ish-Jugosllavisë së parë në vitin 1925, është pjesë e historisë së ndërlikuar të caktimit të kufijve të Shqipërisë, proces që nis qysh me Kongresin e Berlinit. Shën Naumi dhe pylli i Velipojës në Vermosh përbëjnë të vetmet shmangie vullnetare, me një vendim të njëanshëm të institucioneve ligjvënëse të Shqipërisë, prej kufirit ndërshtetëror të caktuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve.
Në historiografinë vendëse kjo çështje nuk është trajtuar në mënyrë të posaçme. Në tekstet e historisë së Shqipërisë është përmendur e përmendet kalimthi dhurimi i Shën Naumit dhe i Vermoshit si një akt i lartë tradhtie i ish-mbretit Zog pas kthimit nga emigrimi politik në Beograd (dhjetor 1924). Ndërsa roli i institucioneve të tjera, Asamblesë Parlamentare, i Këshillit të Shtetit, i diplomacisë dhe i organizatave ndërkombëtare (Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, Lidhja e Kombeve, Konferenca e Ambasadorëve, shtetet fqinje) nuk është studiuar gjerësisht.
Në traditën e studimeve për historinë e çështjes së Shën Naumit vendin e parë e zënë studimet e historiografisë italiane, me përfaqësues të tillë si P. Pastorelli, E. di Nolfo etj. Studime me karakter informues janë kryer edhe nga autorë serbë, prej të cilëve veçohen ato të Zhivko Avramovskit. Disa qendrime të shtypit grek në vitet 1925-1926 (gazetat “Ethnos”, “Eliniki”) lënë të kuptohet shqetësimi i fqinjit jugor përtej asaj që ndodhi me korrigjimin e kufirit në Shën Naum dhe që reflekton në tërësi marrëveshjet komprometuese të A. Zogut me N. Pashiqin gjatë qendrimit të tij në ish-Jugosllavi. Studimet albanologjike të shkollave të tjera sllave (ruse-sovjetike, bullgare: Smirnova, Bobev) përmendin dhurimin e Shën Naumit si një shpërblim apo mirënjohje ndaj Beogradit për mundësimin e kthimit të armatosur të A. Zogut në pushtet.

Manastiri i Shën Naumit

Në studimet shqiptare ka një mungesë të dukshme informacioni dhe gjithçka është përqëndruar tek përgjegjësitë e ish-mbetit Zog. Në disa studime është parë edhe në kuadër të raporteve diplomatike e politike shqiptaro-jugosllave. Mungon, në të vërtetë, një histori e caktimit të kufijve të Shqipërisë. Edhe një studim monografik, me karakter përshkrues dhe kronografik, përgatitur më 1925 nga Th. Ippen, mbetet ende në gjendje dorëshkrimi, në pritje të përkthimit prej origjinalit gjermanisht. Po ashtu mungon një botim tematik dokumentesh të akteve më të rëndësishme të brendshme dhe të jashtme që kanë luajtur rol përcaktues në konfigurimin e kufijve që trashëgon shteti shqiptar. Një lehtësi e madhe do të kishte qenë gjithashtu një koleksion hartash gjeopolitike rajonale mbi evolucionin historik dhe politik të probleme ve dhe trajtave të kufirit politik ndërkombëtar të Shqipërisë.
Gjendja e studimeve të deritashme paraqitet thuajse rastësore, si në pikëpamje të burimeve, të cilat për një pjesë janë të besueshme dhe për një pjesë tjetër të dyshimta; deri tek vështrimet historike-shkencore. Duhet thënë se studimet historiografike të autorëve të huaj janë mbështetur kryesisht në marrëveshjen e A. Zogut me N. Pashiqin në gusht të vitit 1924, në bazë të së cilës, ndërmjet shumë premtimesh dhe koncesionesh, ish-mbreti i ardhshëm i njihte Beogradit të drejtën e sovranitetit mbi Shën Naumin dhe Vermoshin (një sipërfaqe pyjore). Sa u takon burimeve shqiptare, që ruhen në AQSH dhe në arkivin e MPJ, ato nuk janë këshilluar prej tyre. Dhe kjo bën që shpesh vështrimet të kenë kufizime.
Disa paqartësi dhe kundërthënie të tjera vijnë nga fakti se çështja e Shën Naumit është parë kryesisht si pjesë e kompromiseve politike të A. Zogut me ish-Jugosllavinë e parë, pastaj me Italinë dhe me Britaninë; si ilustrim i politikës së vasalitetit dhe të lëshimeve kombëtare të periudhës mbretërore, jo si një çështje specifike më vete. Në një varg studimesh kjo çështje është marrë kalimthi si objekt, për të konkretizuar dinakërinë dhe lojërat diplomatike të A. Zogut në marrëdhëniet me fqinjët, sidomos me ish-Jugosllavinë dhe Italinë, por edhe me Fuqitë e Mëdha.
Në të vërtetë çështjet ndërkufitare të Shqipërisë kanë edhe një përmasë ndërkombëtare, që lidhet me vendimet e Fuqive të Mëdha për mënyrën si u njoh pavarësia e Shqipërisë, duke përfshirë paketën e privilegjeve që Konferenca e Ambasadorëve i njohu Italisë mbi Shqipërinë. Kjo paketë njihej edhe nga qeverisësit e Shqipërisë pas vitit 1920, duke përfshirë A. Zogun. Përpjekjet e tij për të neutralizuar kufizimin e sovranitetit të vendit prej Italisë, duke bërë kompromise dhe duke dhuruar shumë koncesione ndaj ish-Jugosllavisë së parë dështuan plotësisht me Traktatin e Paqes dhe të Sigurimit (1926) dhe me traktatin e dytë të Tiranës, që ia njohën legjitimitetin Romës të kontrollonte jo vetëm pushtetet, por edhe territoret shqiptare. Por ndërkaq Shën Naum ishte dhuruar.
Gjatë dy vjetëve të fundit, në një process të gjatë bashkëpunimi me prof. dr. V. Dukën, historiane, arrita të kryej një studim pasuniversitar për këtë çështje krejtësisht të heshtur, në të cilën është paraqitur gjendja e studimeve dhe të burimeve brenda dhe jashtë vendit, duke konkluduar me një bibliografi dhe burimologji mundësisht shterruese; janë bërë evidente pikëpamjet që studiuesit kanë parashtruar, së bashku me pajtimet dhe mospajtimet e tyre; janë konfirmuar arritjet dhe janë shpjeguar kufizimet e këtyre studimeve; janë pasuruar faktet dhe burimet për temën e zgjedhur; dhe janë ftuar dijetarët e fushave në një diskutim të ri. Një qëllim themelor i një sprove të tillë do të ishte ta pavarësojë çështjen e Shën Naumit prej problemeve të tjera të historiografisë shqiptare të kësaj periudhe, ta bëjë atë objekt më vete, që meriton vëmendjen e dijes, jo si pjesë e problemeve të historisë së caktimit të kufijve të Shqipërisë, as si nënçështje e raporteve diplomatike dhe gjeopolitike të mbretërisë shqiptare me fqinjët.
Mbështetur në arritjet e shkencës historike shqiptare, nuk është e vështirë për të ndërtuar një kalendar ngjarjesh ndërkombëtare e kombëtare, që kanë pasur rol përcaktues në trajtimin e çështjeve ndërkufitare të Shqipërisë me fqinjët. Një vend të privilegjuar zënë ngjarjet dhe zhvillimet që lidhen drejtpërdrejt në procesin e korrigjimit të kufirit shqiptar në Shën Naum e Vermosh në favor të ish-Jugosllavisë. Ky kalendar është i domosdoshëm për ta vendosur ngjarjen në kohë dhe në hapësirë, në një kuadër të mjaftueshëm arsyetimi, që lehtëson mbrojtjen prej gabimeve. Duke e shoqëruar me shënime paralele, që paraqesin pikëpamjen zyrtare “të historiografisë së tjetrit”, me përparësi si paraqiten këto ngjarje e zhvillime në vështrimin e historiografisë greke, vet shitja e Shën Naumit, si pjesë e pazareve politike të kohës, del më e kuptueshme. Çështjet ndërkufitare me karakter gjeopolitik asnjëherë nuk mund të jenë të qarta e të kuptueshme pa vështrimin e tjetrit. Edhe çështja e Shën Naumit pasqyrohet drejtpërsëdrejti në interesat politikë të fqinjve të afërt, sidomos të Italisë dhe Greqisë. Shpesh, për të kuptuar thelbin e një ngjarjeje, reflektimi në ndërgjegjen historike të tjetrit është kusht i domosdoshëm njohjeje.
Shumë është folur për “Marrëveshjen A. Zogu – N. Pashiq”, teksti i plotë i së cilës tanimë mund të bëhet publik. Në lidhje me këtë marrëveshje ka pasur shumë diskutime. Ekzistojnë dy variante të saj: njëri ruhet në AQSH dhe nuk është botuar ndonjëherë i plotë. Tjetri ruhet në arkivat shtetërore të Italisë dhe është botuar integralisht nga historiani P. Pastorelli. Studiuesit shqiptarë e kanë përmendur ekzistencën e kësaj marrëveshjeje, por në kuadër të studimit të marrdhënieve shqiptaro-jugosllave. Në arkivat italiane marrëveshja është në dy kopje, të dyja identike me njëra-tjetrën, megjithëse njëra me burim Beogradin dhe tjetra me burim Tiranën, të dyja të përcjella në rrugë diplomatike. Kohët e fundme marrëveshja është botuar e plotë në një të përmuajshme të Prishtinës, së bashku me relacionin e diplomatit Italian. Vërehet se teksti i marrëveshjes së relatuar nga Beogradi dhe ai i relatuar nga Tirana (ky i fundit “prej një burimi krejt të mirëbesuar”), megjithëse janë përcjellë në kohë të ndryshme dhe prej personash të ndryshëm, përputhen. Gjithashtu përputhen të dy tekstet me versionin e ruajtur në Tiranë. Teksti i marrëveshjes në të tre rastet ruhet në italisht, përkthim për efekt informimi diplomatik-shtetëror. Nuk është botuar ndonjëherë teksti i origjinalit dhe nuk ka të dhëna nëse origjinali është serbisht, shqip apo në të dyja gjuhët (apo në ndonjë gjuhë të tretë, p.sh. frëngjisht, që në atë kohë ishte gjuhë zyrtare e diplomacies).
Shkolla serbe e historiografisë e ka përgënjeshtruar ekzistencën e një marrëveshjeje me shkrim dhe pretendon se ekziston vetëm një “gentilman agreement”. Në studimet vendëse janë bërë krahasime të tre dhe katërfishta: teksti i dërguar në Romë nga Beogradi, teksti i dërguar në Romë nga Tirana, teksti që ruhet në AQSH dhe teksti që përmban marrëveshja e Esad pashës me N. Pashiqin në vitet 1914-1915. Në të gjitha rastet duhet pranuar se ekziston një meta-tekst i marrëveshjes, një variant i interpretuar i saj, që përmban edhe ndikimin e vështrimit italian, si palë e cënuar prej saj, për shkak të privilegjeve që i ishin njohur Romës ndërkombëtarisht si kujdestare e sigurisë së jashtme të Shqipërisë, duke përfshirë edhe mbrojtjen e kufijve të caktuar në vitin 1913.
Teksti i marrëveshjes, megjithëse përmban vetëm një pikë për çështjen e Shën Naumit, botohet që në fillim për të lehtsuar kuptimin e gjithë tezës, si dhe për të dëshmuar se deri në ç’shkallë rezulton njohja e saj. Prej saj dalin mjaft probleme të njohjes. Por teksti i marrëveshjes, i paraqitur i plotë, lehtëson relativizimin e përfundimeve që arrijnë studiuesit pa njohjen e drejtpërdrejtë të saj ose më saktë me një njohje të ndërmjetme dhe të pjesshme të saj. Mbetet e hapur çështja e kërkimit të origjinalit të kësaj marrëveshjeje në arkivat e Beogradit. Fakti që përmbajtja e saj është cituar saktësisht në studimet e historianëve serbë lejon të kuptohet se origjinali duhet të ruhet dhe nuk ka ndonjë dallim të madh me variantin e shërbyer nga shkenca historiografike italiane. Në thelb Pastorelli dhe Avramovski pajtohen për premtimet e marrëveshjes, vetëm se njëri i referohet një teksti (metateksti), kurse tjetri komenteve dhe burimeve dytësore. Po ashtu, mbetet e hapur çështja që aktet ndërkombëtare dhe ato dypalëshe që kanë të bëjnë me mënyrën si u caktua kufiri i Shqipërisë të botohen në një vëllim më vete.
Gjithnjë, sidomos nga protagonistët e veprimit (M. Frashëri, për shembull), shitja e Shën Naumit është përligjur me “ndjenjat e forta fetare të sllavëve”. Por si qendron e vërteta. Ka një mori faktesh që provojnë praninë e krishtërimit të hershëm dhe ruajtjen e dëshmive historike-gjuhësore dhe kulturore nga kjo periudhë në faltoret më të hershme të krishtërimit që rrethojnë brigjet e liqenit të Ohrit. Janë disa tezat themelore mbi burimin e ndikimit të qendrave kishtare në themelimin e kishës pravosllave dhe të shkrimit starosllav. Me kujdes duhen sjellë në vëmendje të studiuesve pikëpamjet e disa dijetarëve të huaj (K. Trandafilov), studiues të historisë së krishtërimit, të cilët mendojnë se, ashtu sikurse ungjillizimi i bullgarëve dhe i mbretit të tyre Boris Mihail u bë në Gllavinicë, ashtu dhe lulëzimi i shkollës kishtare dhe shkrimore të Ohrit nuk është pa lidhje dhe ndikim prej “Beligradit shqiptar”, sikurse njihej për shumë kohë Berati, qendër kishtare mesjetare me rëndësi ndërkombëtare.
Ky ndikim jo vetëm nuk përjashton, për parakupton gjithashtu ndikimin e kishës bizantine në përgjithësi dhe të kishës greke veçmas. Gjithashtu janë të shumtë faktet që bëjnë të ditur se një lulëzim i dytë i kishës në Ohër në fundin e shekullit të 17-të e këndej lidhet me praninë evidente të klerit shqiptar. Përkundër një argumenti të përdorur shpesh në studime dhe diskutime, që lënia e sovranitetit mbi Shën Naumin nga qeveria e Shqipërisë lidhet me respektimin e sentimenteve fetare të sllavëve, është për t’u theksuar karakteri universal i kishës dhe besimit nga njëra anë, si dhe pamja prej palimpsesti e ndikimeve kishtare të kryqëzuara në shkollën kishtare të Ohrit. Në një studim më të thelluar do të meritonte vëmendje figura e Theofilaktit të Ohrit dhe sidomos lidhja e simpatisë të Papa Klementit, të mbiquajtur Albani, me figurën e Shën Klementit.
Duke u rikthyer tek vetë çështja e shitjes së Shën Naumit, duhet thënë se nuk ka të dhëna që të jetë bërë më parë ndonjë paraqitje e sistemuar e bibliografisë së studimeve vendëse dhe të huaja, sidomos të huaja, duke përfshirë ato italiane, serbe-jugosllave, greke, bullgare, ruse, austriake, amerikane, britanike rreth çështjes së ndryshimit të sovranitetit shtetëror mbi Shën Naumin dhe Vermoshin. Këto fakte na lejojnë për të karakterizuar profilet e këtyre shkollave dhe studimeve, ngjashmëritë dhe dallimet e tezave të tyre, karakteri i burimeve që kanë përdorur, deri ku shkon njohja me bazën e të dhënave, qendrimi që mbahet në lidhje me marrëveshjen Zogu – Pashiq, sa e kanë njohur dhe sa nuk e kanë njohur atë, ose e kanë shpallur të paqenë për shkak të interesave joshkencorë. Janë për t’u përmen dur kontributet dhe kontribuesit më të rëndësishëm të historiografisë së huaj, si P. Pastorelli, Zh. Avramovski, R. Austin, J. Swire, N. Smirnova, dhe të tjerë me peshë më të kufizuar. Është për t’u theksuar rëndësia e dëshmive të shkruara që kanë mbetur prej protagonistëve të kohës, sidomos prej misionarëve të huaj, duke veçuar veprën në dorëshkrim të diplomatit austriak Th. Ippen “Si u caktuan kufijtë e Shqipërisë”, por dhe veprën tjetër të tij “Shqipëria e vjetër”, tashmë e botuar. Mbetet një detyrë e shkencës shqiptare që veprën në dorëshkrim të Ippen-it ta integrojë në shqip në bibliografinë e vet.
Prej diplomatëve të huaj burime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që hedhin dritë mbi çështjet kufitare të Shqipërisë trashëgohen edhe nga J. Godart, C. D’Esturnelle dhe të tjerë. Një karakterizim për shkallën e besueshmërisë dhe të thellësisë së informacionit i duhet bërë kolanës së kujtimeve të protagonistëve shqiptarë botuar pas vitit 1990, sidomos të M. Frashërit dhe E. bej Vlorës. Nga kjo analizë del qartë se studimet shqiptare nuk e kanë veçuar si temë më vete çështjen e Shën Naumit, përveç rastit të monografisë së V. Samsurit, ende e pabotuar. Kjo temë është vështruar kryesisht si pjesë e përgjegjësive politike të regjimit të A. Zogut pas kthimit të tij nga ish-Jugosllavia, ose si ilustrim i politikës së vasalitetit të ndjekur prej tij. Në disa raste kjo çështje është studiuar vetëm në përbërje të një problematike më të gjerë, si historia e relacioneve diplomatike shqiptaro-jugosllave ose të vlerësimit të këtyre raporteve me vështrimin e fqinjëve, italianë dhe grekë, interesat dhe lakmitë e të cilëve u cënuan rëndë me marrëveshjen A. Zogu – N. Pashiq. Nuk ekziston një histori e caktimit të kufijve të Shqipërisë në përgjithësi dhe një vështrim kontekstual-historik i çështjes së Shën Naumit në kuadër të saj. Gjendja e studimeve paraqitet mjaft fragmentare, jokoherente, me teza e burime të dyshimta dhe kundërthënëse. Një gjendje e tillë lejon, megjithatë, spikatjen e arritjeve kryesore, dallimin e studimeve agjitative prej atyre shkencore, paraqitjen paradigmatike të shqetësimeve kryesore dhe ndërtimin e një strukture të shëndoshë të rinjohjes së çështjes në kushtet një shoqërie të hapur, kur burimet dhe studimet janë në komunikim të lire.
Karakteri dhe rëndësia e çështjes së Shën Naumit lejojnë disa këndvështrime: si çështje kombëtare, kufitare, ndërkufitare, ndërshtetërore, politike, gjeopolitike, rajonale, ndërkombëtare, e hapur dhe e fshehtë. Këtu vjen natyrshëm diskutimi në pikëpamje të së drejtës ndërkombëtare, duke iu referuar koncepteve bazë: ”jus cogens” dhe “jus separens”. Në një të ardhme kjo çështje do të duhet të thellohet duke iu referuar evoluimit të konceptit historik mbi sovranitetin, tërësinë territoriale, precedentët dhe standardet juridike për shkëmbimin e territoreve dhe të popullatave, për tramtet ndërkufitare dhe ndryshimin e kufijve me marrëveshje. Faktet themelorë që kanë të bëjnë me aspektin ndërkombëtar të çështjes dhe me “by pass-et” që iu bënë k_ ebtij aspekti përmes marrëveshjes A. Zogu – N. Pashiq, qoftë si dokument i shkruar (metatekst), qoftë si marrëveshje xhentëlmenësh (gentilmans agreement), marrin rëndësi tjetër në këtë ndërthurje vështrimesh. Në thelb përmes këtij vështrimi është synuar të vihet theksi në një precedent që dëshmon se jo rrallë herë interesat e Shqipërisë, duke përfshirë interesat e saj kufitarë, janë cënuar jo prej vendimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, por prej politikave koncesionare dhe përgjithësisht prej vënies së interesave të pushtetit e të qeverisjes mbi ato të shtetit dhe të shtetësisë.
Duke iu referuar disa kategorive të dëshmive dhe burimeve: arkivore, memoaristike, historiografike, diplomatike; si dhe rezultateve të një ankete shkencore të realizuar nga ana ime me studiues shqiptarë të periudhës bashkëkohore në funksion të paradigmës problematike që të zgjedhur, mund të provohet se në pikëpamje të efekteve politike dhe gjeopolitike çështja e Shën Naumit është e pakthyeshme, edhe pse e realizuar në kushtet e një nënçmimi të interesave kombëtare dhe kundër vullnetit të Fuqive të Mëdha të shprehur më 1913 dhe të rikonfirmuar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës më 1924. Por ajo mbetet një çështje e hapur për njohje dhe për identifikim të përgjegjësive historike. Më tej janë ballafaquar mendime diverse, të atyre që e njohin mirë dhe të atyre që e njohin përciptas parahistorinë , historinë dhe rrjedhimet e çështjes së Shën Naumit. Janë dhënë gjithashtu shpjegime për heshtjen e gjatë të historiografisë shqiptare rreth kësaj teme, si dhe për karakterin aktual të diskutimeve politike dhe gjeopolitike të problemeve të kufirit.
Rreth fshehtësisë së marrjes së vendimit për dhurimin e Shën Naumit pothuajse nuk është folur fare. Prandaj burimet e pashfrytëzuara që ruan AQSH për këtë çështje janë sistemuar në procesin kërkimor e sipër pothuajse në mënyrë shterruese dhe kronologjike. Këto burime njoftojnë se, ndonëse përgjegjësia e ish-mbretit Zog mbetet historikisht nominale dhe e lidhur me marrëveshjen e tij të fshehtë nënshkruar në Beograd në gusht 1925, janë edhe një varg institucionesh shtetërore, duke përfshirë asamblenë parlamentare, këshillin e shtetit, senatin, diplomacinë, që e kanë implikuar veten me legjitimimin e dhurimit të Shën Naumit. Me këtë rast meritojnë me simpati ata ligjvënës dhe ata personalitete shqiptare që e kanë kundërshtuar vendimin. Vendimet e fshehta përgjithësisht përmbajnë dyshime thelbësore për shkallën e vlerësimit të interesave kombëtare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura