MR. QERIM LITA: KRYENGRITJA SHQIPTARE E SHTATORIT 1913

Shkup, 08. 11. 2013 – Kryengritja shqiptare e Shtatorit të vitit 1913, padyshim se përbën një ndër ngjarjet më të rëndësishme kombëtare të zhvilluar pas shpalljes së pavarësisë dhe vendimeve të Konferencës së Fuqive të Mëdha në Londër (1913), në të cilën mase gjysma e tokave shqiptare ngelën jashtë shtetit shqiptar. Forcat e armatosura shqiptare të udhëhequr nga Hasan Prishtina, Dervish Hima, Isa Boletini, Bajram Curri, Elez Isufi etj., brenda disa ditëve çliruan Dibrën, Strugën, Gostivarin, Tetovën dhe Prizrenin. Duhet të vëmë në dukje faktin se kryengritësve shqiptarë do t’ju bashkëngjiten edhe dy çeta bullgare të udhëhequr nga Petar Çaulev dhe Hristo Matov (që të dy me prejardhje shqiptare, i pari me origjinë nga Jugu i Shqipërisë ndërsa e dyti nga krahina e Matit), të cilat në bashkëveprim me çetat shqiptare nga Elbasani depërtuan në Pogradec dhe Ohër.
Këto ngjarje tronditën thellë autoritetet e atëhershme pushtuese të Beogradit, të cilët fajësuan faktorin ndërkombëtare, sidomos Austro Hungarinë, se kjo Kryengritje e shqiptarëve është përgatitur me mbështetjen e tyre. Lidhur me këtë, përfaqësuesi i legatës serbe në Londër, me 21 shtator 1913, i dërgon një qarkore Ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Pashiqit, në të cilën e njofton atë për rrethanat që sollën deri te Kryengritja shqiptare. Ky dokument (gjendet në Arkivin shtetëror të Republikës së Maqedonisë, fondi 18), dhe të njejtin do ta paraqesim në tërësi, pa asnjë ndërhyrje apo komentimi. “Për informimin Tuaj po ua dërgoj këtë qarkore, Disa qarqe të caktuara të shtypit në botën e jashtme përpiqen ta sqarojnë gjendjen e tanishme në kufirin serbo-shqiptar si edhe incidentet lokale të nxitura nga veprimet e trupave serbe brenda territorit shqiptar dhe ndalimi i qasjes së shqiptarëve në tregjet serbe në Dibër dhe Gjakovë nga njëra anë, ndërsa kryengritja e shqiptarëve shtetas të Serbisë kjo thënie në tërësi është e pasaktë.

 Faktet e shumta që vetë qeveria serbe ka arritur t’i zbulojë, dëshmojnë se sulmi i shqiptarëve në kufirin e Serbisë dhe sulmi i tyre brenda territorit serb, në mënyrë sistematike është përgatitur shumë më herët dhe se për këtë kanë ndikuar të jashtmit se ky sulm është organizuar nga Vlora, ndërsa drejtimin e drejtpërdrejtë të dy anëtarëve të Qeverisë së përkohshme, ministri Hasan Prishtina dhe Isa Boletini, se shqiptarët në tre muajt e fundit kanë arritur të furnizohen me një sasi të madhe të armatimit dhe municionit, se bëhet fjalë për kryengritje të shqiptarëve brenda territorit të Serbisë, se atyre armatimi ju ka ardhur nga jashtë dhe se pikërisht për këtë arsye shqiptarët nga Shqipëria angazhoheshin që sa më parë t’ju mundësohet hyrja e lirë në Serbi (Kosovë dhe viset tjera shqiptare të aneksuara nga Serbia dhe Mali i Zi – Q.L.), me pretekst që të kenë qasje të lirë në tregjet e Dibrës e të Gjakovës. Për shkak të numrit të vogël të trupave ndërkufitare serbe që një pjesë më herët qe tërhequr në anën e djathtë të Drinit të Zi, shqiptarët arritën të sulmojnë në mbarë zonën ndërkufitare nga bashkimi i dy Drineve e deri në Ohër dhe paraqitja e tyre në territorin serb dhe zhvillohet në tre drejtime, kah Dibra që tash më është në duart e tyre, Prizreni dhe Ohri. Për shkak vlerësimit të drejtë të Kryengritjes së tanishme shqiptare i paraqesim këto të dhëna. Që nga 28 korriku qeveria e Serbisë ua tërhoqi vëmendjen Fuqive të Mëdha për propagandën e ndryshme që shpërndahet në Vlorë, ku në atë kohë qëndronte revolucionari i mirënjohur bullgar Sandanski, i cili zhvilloi negociata me qeverinë e përkohshme të Shqipërisë, për organizimin dhe armatosjen e çetave kundër Serbisë dhe zgjerimin e kufijve të Shqipërisë. Me 15 gusht Bajram Curri, Isa Buletini dhe Riza Beu, të cilët për qëllime propaganduese në mesin e shqiptarëve qëndronin në territorin ndërkufitar serbo-shqiptar, udhëtuan për në Vlorë me ftesë të qeverisë së atjeshme për shkak aksioneve të mëtejshme. Me 19 gusht fuqitë e mëdha e detyruan qeverinë e Serbisë që shtetasit shqiptarë të kenë qasje të lirë në tregjet e Dibrës dhe të Gjakovës. Me 1 shtator qeveria e Serbisë me kërkesë të fuqive të mëdha vendosi t’i tërheqë trupat e saj nga territori i Shqipërisë dhe ato menjëherë u tërhoqën në anën e djathtë të Drinit të Zi në përputhje me kufijtë e Konferencës së Londrës. Më 2 shtator koloneli bullgar Markov, nga Durrësi dërgon një telegram të gjatë e të shifruar Shtabit të përgjithshëm në Sofje. Ky telegram kaloi nga Serbia. Me tre shtator autoritetet kufitare serbe njoftojnë se po përgatitet një sulm i organizuar të çetave shqiptare nga Shqipëria në territorin e Serbisë, me qëllim të nxitjes së një kryengritje të përgjithshme shqiptare dhe lusin që menjëherë të dërgohen përforcime ushtarake. Më 4 shtator qeveria e Serbisë vendosi të bëjë përforcimin e trupave kufitare kah Shqipëria dhe njëkohësisht ajo u informua se në Elbasan qëndrojnë vojvodët bullgar Millan Matov dhe Stefan Hoxhov, së bashku me tre oficerë bullgarë dhe një numër të madh të çetnikëve bullgar, se Petar Çaulev në marrëveshje me Dervish Himën përgatit çetën prej 300 vetë dhe se po e pret ardhjen e Pop Hristovit me çetnik të rijë nga Bullgaria. Më 5 shtator qeveria serbe ua tërhoqi vëmendjen Fuqive të Mëdha se është përgatitë një sulm serioz dhe i organizuar i çetave shqiptare në territorin tonë dhe se nga Shqipëria bëhen përpjekje të nxitet një revoltë edhe në mesin e shqiptarëve tanë.
Më 7 shtator kryeshefi i qarkut të Tetovës njofton se shqiptar të armatosur e kanë kaluar Drinin e Zi dhe përpiqen që nëpërmjet malit Korab të depërtojnë në rrethin e Gostivarit dhe lut për përforcim urgjent. Më 8 shtator kryeshefi i Qarkut të Dibrës njofton se me 7 shtator shqiptarët nga Shqipëria në masa të mëdha nëpërmjet urës të fshatit Aras e kanë kaluar Drinin e Zi dhe se nga Peshkopia i kanë sulmuar trupat parakufitare serbe dhe kërkon menjëherë të dërgohen përforcime. Më 9 shtator kryeshefi i Dibrës njofton se nga Vlora shqiptarëve të krahinës së Dibrës ju dërgohen instruksione për kryengritje, se në mesin e shqiptarëve të qytetit të Dibrës është gjetur një urdhëresë e ish Myftiut të Dibrës (Vebi Dibra-Q.L.), i cili tash gjendet në Vlorë në të cilën thuhet se nëse çoheni në kryengritje, Dibra do t’i takojë Shqipërisë. Të njëjtën ditë kryeshefi i qarkut të Manastirit njofton se një kolonë e madhe shqiptare nën udhëheqjen e Isa Bbletinit e ka marrë Peshkopinë dhe i ka vrarë krishterët dhe të gjithë tregtarët dhe zejtarët shqiptarë, të cilët së bashku me ushtrinë serbe e mbronin qytetin dhe të njëjtën ditë kryeshefi i qarkut të Dibrës njofton se shqiptarët e kanë marrë Zhirovnicën se në mesin e popullsisë krishtere është krijuar një panik e hatashme dhe se shqiptarët nga Peshkopia janë nisur kah Dibra, nga ku janë larg vetëm dhjetë kilometra dhe shton se bie në sy operimi i shkathtë i shqiptarëve me armët që dëshmon se në mesin e tyre ka oficerë të huaj.
Të njëjtën ditë një inspektor nga Shkupi njofton se janë ndërprerë të gjitha lidhjet me Dibrën dhe se nga 14 të plagosurit që kishin mund të arratisen – është marrë vesh se shqiptarët të gjithë robërit dhe të plagosurit i mbajnë nën tehin e thikës dhe se pas marrjes së Zhirovnicës janë nisur kah Gostivari. Me 10 shtator inspektori i policisë nga Shkupi njofton se shqiptarët janë futur në Dibër. Ishin mbi 6.000 vetë të udhëhequr nga oficerët identiteti i të cilëve tash për tash ende nuk dihet. Dy çetat tona (serbe – Q.L.) janë detyruar të tërhiqen. Më 11 shtator inspektori nga Shkupi njofton se Shqiptarët janë nisë në dy drejtime, një kolonë nga Elbasani për Ohër, ndërsa e dyta nga Dibra për Strugë. Shqiptarët e kanë marrë Mavrovën. Me trembëdhjetë autoritetet nga Ohri njoftojnë se shqiptarët nga Qafëthana janë nisur për Strugë dhe Ohër, ndërsa grupi i dytë nga Elbasani për Pogradec. Me shqiptarët nga Elbasani shkojnë vojvodët bullgar me çetnikët me qëllim të nxisin revoltë te shtetasit tanë kundër nesh dhe t’i detyrojnë të kërkojnë autonomi së bashku me shqiptarët. Po këtë ditë kryeshefi i rrethit të Prespës njofton se çetat shqiptare i udhëheqin vojvodët bullgar Petar Çaulev dhe Kërste Trajçev me çetnikët e tyre. Të njëjtën ditë kryeshefi i qarkut të Prizrenit njofton se shqiptarët nga Shqipëria kanë filluar të kalojnë nga ana e majtë e Drinit të Zi në krahinën e Lumës dhe të grumbullohen në masa më të mëdha te fshati Ratkajë. Plani i tyre është të koncentrohen për ta sulmuar Prizrenin. Të dhënat e mësipërme qartë dhe natyrshëm e dëshmojnë prejardhjen e kryengritjes së tanishme shqiptare se kryengritja është përgatitur jashtë kufirit të territorit serb, përkatësisht se është përgatitë dhe organizuar në Shqipërinë autonome dhe për shkak sulmit të shqiptarëve në territorin e Serbisë, ndërsa me qëllim të kryengritjes të popullsisë brenda kufirit të Serbisë. SPALKOVIÇ”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura