MR.SC.METUSH ZENUNI: SADIK BUJA – PERGAMENË I GJALLË

Cyrih, 14. 11. 2016: Veprimtari i çështjes kombëtare Agim Sylejmani, kohëve të fundit opinionit shqiptar i ka ofruar disa libra monografikë kushtuar veprimtarëve të çështjes kombëtare, të cilët me veprimtarinë e tyre në shërbim të atdheut, lanë gjurmë të pa shlyeshme në kujtesën e popullit. Në romanin „ Rrugëtimi i një vigani“ kushtuar heroit të kombit Rexhep Malaj, Agim Sylejmani hyri suksesshëm në fushën e letërsisë, duke u treguar se është një romansier i shkathët dhe me diapazon të gjerë të dijes, ndërsa me tri librat monografikë „Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet“, „ Më shumë se mësues“ dhe tash së fundi me librin „Pergamenë e gjallë“ kushtuar atdhetarit Sadik Buja, Agim Sylejmani e ka marrë primatin e të shkruarit në këtë fushë, duke i sjellur para nesh figura dhe kohëra të rëndësishme kombëtare, dhe në këtë mënyrë Agimi i ka bërë një shërbim të madh historiografisë shqiptare.
Si edhe në librat tjerë, edhe në librin që sot kemi në duar „Pergamenë e gjallë“, Agim Sylejmani me thjeshtësinë e një idealisti atdhetar, i përkushtuar për t’i sjellur lirinë atdheut të tij, tani i ka hyrë punës për të shkruar jo për veten e tij, jo për të gjallët e vdekshëm, por për shokët e burgjeve e luftës për liri, për ata që me punën e tyre dhe përkushtimin për atdheun, lanë gjurmë të pa shlyeshme në ngjarjet e rënda dhe krenare të kohës së robërisë dhe luftës për çlirim e bashkim kombëtar.
Në librin „Pergamenë e gjallë“ autori i librit, me një mjeshtëri prej atdhetari, që nga rreshtat e parë, na sjell para nesh gjithë historinë e shekullit XX, rrugëton nëpër gjithë gjeografinë kombëtare, etnologjinë, i futet dokeve dhe zakoneve shqiptare, lufton me paditurinë duke e vënë në plan të parë dëshirën për dije dhe bashkë me shokë të idealit shëndrrohet në luftëtar të dritës. Autori duke shkruar për vendlindjen e personazhit që ka në këtë libër, shkruan për kohërat e errëta nëpër të cilën kemi kaluar si komb i robëruar, shkruan për projektet famëkeqe serbe që nga Ilia Garashanini, Vasa Çubrilloviqi, Ivo Andriqi e viqët tjerë dhe për pasojat që Bujani ka vuajtur nga robërimi një shekullor nga pushtuesi serb.
Poashtu kur flet për Lipjanin, autori zbret në kohërat e Dardanisë së lashtë duke dhënë një pasqyrë të emërtimit të Lipjanit, i cili shtrihet jo larg Ulpianës antike, vendi ku veprimtari Sadik Buja, bashkë me shokë filloi dhe shtriu aktivitetin e tij ardhetar.

Një segment tjetër shumë interesant është shkollimi fillor i Sadikut, përmes së cilës autori na përkujton edhe një herë kohën kur shumë fshatra të Kosovës ishin të përziera përdhunisht me serbë dhe malazezë, të cilët, pra serbo–malazezët, që nga fëmijët në e deri te pleqtë e moshuar ishin në shërbim të pushtetit dhe dhunës kundër popullit vendës e autokton, që nuk pranonte as nënshtrim e as asimilim. Kjo skenë e hidhur, neve më të moshuarve na sjell secilit kujtime të hidhura nga jeta jonë fëmijërore, ndërsa gjeneratave të ardhshme u sjell një fragment të cilin vështirë se mund ta kuptojnë tani që po jetojmë në liri.
Tema qendrore e librit në fjalë për mendimin tim është prilli i vitit 1981, kur peronazhi i librit, Sadik Buja, nga një i ri modest, i varfër e i përvuajtur me peripecitë e jetës, shfaqet edhe me vrullin e tij rinor dhe atdhetar, në një mbledhje komunistësh jugosllavë të Lipjanit dhe fshatit të tij Bujan, të cilët si çdo kund në Kosovën e atij viti, edhe aty, kishin shkuar për të dënuar demonstratat dhe zgjimin e rinisë dhe popullit për KOSOVËN REPUBLIKË, për liri dhe të drejta kombëtare.
Aty, Sadik Buja nxjerr në pah shpirtin e tij kryengritës të popullit shqiptar nën robëri, duke u kacafytur me mbeturinat e regjimit titist, madje edhe duke i sulmuar ata me armë. Nga ky shpërthim atdhetar, jeta e Sadik Bujës merr kahje krejt të ndryshe. Ai futet në rrugën e gjatë të luftës dhe përpjekjeve gjithëpopullore të kohës, për t’u shëndrruar në një veprimtar dhe atdhetar idealist, i cili para çdo interesi personal dhe familjar kishte vënë çështjen kombëtare. Nga ky moment, Sadik Buja ballafaqohet me bastisjet, rrahjet, burgun, jo vetëm të tij personal, por duke aktivizuar në lëvizje kombëtare edhe babën Bajram, nënën, gruan, fëmijët, pra gjithë familjen e tij. Tani e tutje, shtëpia e familjes Buja shëndrrohet në një bazë të rëndësishme ilegale, nëpër të cilën kalojnë djem e vajza nga gjithë gjeografia e shqiptarëve të robëruar nën Jugosllavi.
Një segment tjetër me rëndësi, me mjeshtri të jashtëzakonshme prej atdhetari idealist, auotri i librit Agim Sylejmani e fut në libër edhe luftën kundër adeteve prapanike të shqiptarëve të robëruar, duke organizuar pritjen e vitit të ri në familjen Buja, përmes së cilës arrin të heq dallimin që pa të drejtë ekzistonte mes burrit dhe gruas në këtë kohë. Ai bashkë me Sadikun, organizojnë „komplot“ kundër ideve konservatore të bacës Bajram dhe odën që ishte e rezervuar enkas vetëm për burra e shëndrrojnë një një odë jo vetëm familjare, por edhe ilegalë ku burra dhe gra, punojnë dhe veprojnë për interes të çlirimit të atdheut. Nga ky moment, e gjithë familja Buja vihet në shërbim të kombit dhe lirisë, duke i dhënë krah Sadikut, shokëve dhe Lëvizjes ilegale në përgjithësi.
Në këtë libër, autori duke qenë edhe bashkëveprimtar dhe bashkëvuajtës me personazhin e tij, poashtu arrin me punë dhe përkushtim, t’i ofrojë lexuesit jetën ilegale të Sadikut me shokë, organizimin, punën, përkushtimin dhe betimin për luftë deri në fitore. Ai tregon hollësisht shpirtin idealist dhe gatishmërinë për sakrificë të Sadikut dhe brezit të tyre atdhetar, duke e ilustruar me shembuj konkret, me dokumente dhe dëshmitarë të kohës kur veproi dhe luftoi veprimtari Sadik Buja. Duke lexuar me kujdes zhvillimin e ngjarjeve që i paraqet mjeshtërisht në libër Agim Sylejmani, secili lexues domosdo do të futet në botën e një kohe, kur populli shqiptar me kushtet dhe mundësitë intelektuale, teknologjike dhe financiare që i kishte, arriti që të zgjojë ndërgjegjen e fjetur me dekada të popullit shqiptar, arriti të njoftojë edhe opinionin jugosllav dhe atë botërorë, se populli shqiptar nën Jugosllavi, ashtu siç është ndarë padrejtësisht nga fuqitë e mëdha në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, edhe në Jugosllavinë e Titos po shtypet, burgoset dhe vritet, vetëm pse i përket një gjuhe dhe kulture krejt ndryshe nga popujt sllavë dhe vetëm pse po kërkon liri, republikë dhe bashkim kombëtar.
Përfundimisht mendoj se Lëvizja kombëtare ilegale e shqiptarëve nën ish- Jugosllavi, ishte lëvizja e parë e ia filloi jo vetëm shkatërrimin e Jugosllavisë titiste, por bashkë me SOLIDARNOSTIN, në Poloni, janë prijatarë të rënies së gjithë sistemin komunist në Europën Juglindore, duke shtruar me shumë mund, sakrificë dhe gjak, rrugën e Luftës Çlirimtare, e cila do të vie në perëndim të shekullit të kaluar, pra, në vitet 1998/99.
Duke përgëzuar edhe një herë shokun e bashkëluftëtarin Agim Sylejmani, uroj që shokët, bashkëkohanikët, intelektualët, shkrimtarët dhe historianët, të shkruajnë sa më shumë libra me kujtime, monografi e histori për njerëzit dhe ngjarjet të cilat lanë gjurmë të pa shlyeshme në luftën e popullit shqiptar për liri, republikë dhe Bashkim Kombëtar!
Mr.sc . Metush Zenuni, 05 nëntor 2016, Zurich

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SHARLATANËT …

SHARLATANËT … Sharlatanët, halabakët, mashtruesit dhe hipokritët Nga Skënder Sadri KAPITI Sharlatanët, halabakët, mashtruesit dhe hipokritët janë fatkeqës…