MR.SC.REXHEP AHMETI: TË NDËRPRITET MASHTRIMI I VETERANËVE TË UÇK’së!

Mitrovicë, 22. 02. 2014 – (Letër e hapur dhe 5 kërkesat dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me statusin e pazgjedhur juridik të veteranëve të luftës së UÇK-së.) I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Jakup Krasniqi, Të nderuar deputetë/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës! Tashmë është e ditur se, fatkeqësisht, dhe pa të drejtë statusi juridik i veteranëve të luftës së UÇK’së ka mbetur ende i pazgjidhur. Si pasojë e kësaj moszgjidhjeje, një pjesë e konsiderueshme e veteranëve ka mbetur në gjendje aq të rëndë ekonomike e sociale sa që një gjendje e tmerrshme e tillë ka qenë shkaku kryesor që mbi 45 veteranë kanë bërë vetëvrasje, çka nuk ka qenë fare e lehtë të bëhet.
Qe, së paku, një dekadë ka munguar vullneti dhe përgjegjësia e shumicës së partive politike dhe përfaqësuesve të veteranëve në institucione të Republikës së Kosovës për ta zgjidhur dinjitetshëm statusin e veteranëve të luftës së UÇK’së, ashtu siç e meritojnë ata. Pasi premtimet e mëparshme parazgjedhore (motivi i të cilave ka qenë shpërdorimi i çështjes së veteranëve për të marrë sa më shumë vota) lidhur me rregullimin e statusit juridik të veteranëve dhe disa kuazi’zgjidhje e lanë ende në procedurë projektligjin për veteranët, për përmbajtjen e të cilit nuk jemi fare të informuar, tash është humbur besimi i shumicës së veteranëve, se institucionet e Republikës e kanë marrë përnjëmend zgjidhjen e këtij statusi. Por dihet, mirëfilli, se edhe një pjesë e shoqatave dhe individëve funksionarë që proklamojnë se i përfaqësojnë interesat e të drejtat e veteranëve të luftës së UÇK’së, në fakt, edhe ato/ata e kanë shpërdoruar çështjen e pazgjidhur të veteranëve për interesa të tyre individuale e grupore, për çka edhe janë politizuar e janë bërë bisht i partive politike.

45 veteranë të UÇK’së kanë bërë vetëvrasje!!!!

Duke i pasur parasysh të gjitha këto që i shkruam më lartë dhe duke e ndier revoltën e grumbulluar të veteranëve të luftës në protestën e fundit para Kuvendit dhe qeverisë, ku kryesuesi i OJQ’së – Qendra për Rend Ligjor dhe integrime, ishte prezent dhe protestoi së bashku me veteranë, gjithashtu, duke e ditur faktin se ajo protestë qe vetëm paralajmërim për manifestime tjera më radikale (që mund të jenë edhe të dhunshme…), pasi që padrejtësia dhe diskriminimi ndaj veteranëve ka mbledhur te ata aq shumë revoltë, OJQ’ja jonë po tenton që ky problem të zgjidhet në mënyrë paqësore, me mjete e procedura juridike, prandaj lidhur me këtë kërkojmë fuqishëm nga Kuvendi i Kosovës dhe kryesia e tij:
1. Që të informohemi me projektligjin që është në procedurë për veteranët, ta kemi atë në duar dhe të diskutohet për të publikisht, para se të aprovohet, të ftohet aty edhe përfaqësuesi i OJQ’së sonë dhe përfaqësuesit e Shoqatës që organizoi protestat e fundit në Prishtinë, ku u kërkua SHTET LIGJOR dhe MIRATIMI SA MË I SHPEJTË I LIGJIT TË MIRËFILLTË për veteranët e luftës së UÇK’së,
2. Që ligji mos të jetë vetëm sa për sy e faqe, por të përfshijë të gjitha të drejtat legjitime në të gjitha fushat që u takojnë veteranëve, ngjashëm siç janë përfshirë në ligjin e veteranëve të luftës së Kroacisë dhe shteteve tjera demokratike që kanë synim dhe që e realizojnë shtetin ligjor,
3. Nëse projektligji nuk miratohet e nëse projektligji nuk bëhet ligj me përmbajtje të cekur si në kërkesën nr. 2, dhe nëse ai nuk hynë në fuqi para zgjedhjeve nacionale, partitë që e kanë zhagitur atë dhe që deri më tani kanë fituar vota duke u premtuan veteranëve zgjidhjen e statusit të tyre, duhet ta kenë të qartë, se shumica e veteranëve do t’i ndëshkojnë me votë fajtorët që dihen.
4. Kërkojmë fuqishëm që kundër atyre që ende i lanë veteranët e luftës jashtë ligjit apo jashtë rendit juridik të Republikës së Kosovës, për të cilin sakrifikuan dhe po sakrifikojnë aq shumë (vetëm në paqe mbi 45 veteranë të vdekur si pasojë e moszgjidhjes së statusit të tyre juridik e shtetëror) të merren masa ligjore ku Kuvendit dhe organeve tjera përkatëse (gjyqësore) kanë rolin e vet juridik, njerëzor dhe kombëtar.
5. Ne nuk e përkrahim shkeljen e ligjit aktual për OJQ’të, që Shoqata të ndryshme që vetëprononcohen se i përfaqësojnë interesat dhe të drejtat e veteranëve të luftës, në emër të veteranëve të luftës të marrin pjesë në zgjidhje nacionale, pasi kjo tendencë a veprimtari, tani parapërgatitore për zgjedhje, nuk është në përputhje me rendin juridik të Republikës së Kosovës.

Mitrovicë, 22. 01. 2014
Qendra për Rend Ligjor dhe integrime
Nr. i regjistrimit – 5111849 – 9
Personi zyrtar, Mr.sc. Rexhep Ahmeti
E-mail: [email protected]

P.S.
E nderuara Redaksi!
Këtë Leter – peticion ia kemi dërguar Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 06. 02. 2014. Kërkesa jonë ka qenë dhe është që ligji mos të mbetet aq i varfër siç e ka miratuar qeveria dhe të marrim pjesë edhe ne në dëgjimin publik për këtë ligj. Ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë çfardo ligji dhe të lejojmë të bëhet në vazhdimësi hajgare me ne. Kuvendin e kemi sqaruar se këtë peticion e kemi bërë vetëm në një pjesë të vogël të Mitrovices, pasi që nuk kemi pasur mjete materiale të shkojmë në kumuna tjera të Kosovës, ku ka aq shumë interesim për nënshkrim të peticionit. Por puna jonë vetëm sa ka filluar lidhur me cilësinë e këtij ligji.

*****************
SHERADIN BERISHA: GREVA DHE „MORALI“ I PUSHTETARËVE!
HAPE: http://pashtriku.beepworld.de/pashtriku.htm

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura