REXHEP KASUMAJ: HISTORIA E NJËRIT NGA ATA…!

Berlin, 2 nëntor 2018:
1.
Kaq punë e zell. Entuziastë e të palodhur. Deri në pambarim…
Janë këta shqiptarët që, si rrallëkush, e bëjnë këtë edipëri kundër qenies së vet. Por sikur veglëri e saj të ishte hiri i së vërtetës, e Keqja do kishte, së paku, një bukuri tragjike.

Mirëpo, jo!
Ata, një klasë e padije a mefistosh të errtë, ngrejnë shpatën e gënjeshtrës. Dhe tragjika shfaqet e shëmtuar.
2.
Ky vit do të shpallej e akoma s’është kryer: Vit i Skënderbeut.
Simpoziumi shkencor i Prishtinës në fundverë, ndërkaq, nuk do arrinte dritën e Tij.
Një nga studijuesit e shumtë që ligjëronte (S. S.), mes fjalësh që dukeshin aq të vocërra, të rëndomta e, gati, të përvuajtura thuase ndjenin keqardhje për kumtin, do thoshte: Skënderbeu – njëra nga figurat më të rëndësishme të kombit shqiptar.

Natyrisht nuk i bëj uratë patosit, aq më pak mburravecërisë voglane të popujve të vonuar.
Por, si mund të kaloja mbi rreshtat në heshtje, si mbi këto fletë vjeshte të mbytura në shi?
Në fakt, sikur i ngjasonin pak atyre. Të kalbura e jetësosur. Të padenja as për mëshirë, apo, si do pohonte Niçja, për turpin e dhimbshëm.
Si u bë kështu? Nuk e kisha ditur që Gjergji lavdimadh qenkësh vetëm Njëri nga Ata. E, madje, vetëm i rëndësishëm. Dhe, tutje, vetëm për shqiptarë!
Anipse mot, ambient e dramë tjetër, disi vetishëm do të kujtoja Poetin e mjerimit dhe “Historinë e njërës nga ato”. Sepse a s’janë ca përshkëllima në pikturën përverse e trishte t’një brezi dhe fjalëmjerat e studimtarit?
3.
Mendoja dhe, nga mësimet shkollore a vjelja e mëpasme leximtare që ka pajisur sado kulturën time, më përftonin emra grashë e burrash të shquar që janë emblemë vezullie në biografinë kombëtare.
Gjurmëlënës, natyrisht, veçse prapë: kush do kjenë, vallë, këta pretendentë të së njëjtës Madhështi? Këta të epërm baras-heronjë e kryezotër që maten, ndahen e pjestohen me Të?
Ai është Themeltari, Ndërgjegja, Mbiheroi. Vetë Fillimi i Kohës shqiptare.
Ndaj, më shumë se shqiptarët, e kënduan sa ishte dhe vajtuan kur do ikte, të tjerë në Europë.
Dhe Atje, vlerësimi për Të s’ndjek drejtimin e nuk ngarend pas ernash si ndër arbnorë. Herë të shéjtnohet, herë të mohohet e herë të përtallet nga bijtë e vet.
Megjithatë, këto erna tufanesh, si askurrë më parë,
nuk e rrëzojnë dot përsakohë në këtë botë do të flitet shqip. Aq më pak fjalët përtace të një historiani anonim!
E shqip, përmes Tij, do të flasë kujtesa kombëtare.
Përjetë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura