Pashtriku.org, 29. 01. 2014 – Spastrimi i vrazhdë etnik nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit ishte i akorduar me Rusinë Cariste dhe kishte për qëllim zhbërjen kombëtare, fetare dhe trashëgimore të shqiptarëve të këtyre trevave. Në ushtrinë serbe kishte ushtarë dhe oficerë të lartë rusë me në krye kolonelin Georgije Bobrikov. Në Prishtinën e Vjetër, Mëhalla e Muhaxhirëve ishte lagjja më e re. Ajo gjendej në një kodrinë, të mbuluar me bar dhe e veshur me ferra, me një pjerrësi të butë, në JL të Prishtinës, dikur periferi e largët, kurse sot gjendet, pothuaj, në zemër të qytetit.
Emri i mëhallës
Emri i Mëhallës së Muhaxhirëve rrjedh nga fjala arabe “muhaxhir”që në shqipet ka këtë domethënie: …ai që largohet nga vendbanimi i tij, kur mbetet pa plang e pa shtëpi, nga një fatkeqësi ose nga përndjekja me dhunë, dhe që vete në një vend tjetër për të kërkuar strehim”. Në rastin tonë konkret, muhaxhirët në Prishtinë ikën nga vendbanimet e tyre nga përndjekja e egër e ushtrisë serbe dhe u vendosën edhe në Prishtinë, si pasojë direkt e Marrëveshjes Ruse–Turke, të Shën Stefanit, të vitit 1875 dhe vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, në vitin 1878.
Dëbimin me dhunë dhe me të keq, të shqiptarëve, (atëherë ushtria serbe shqiptarët i quante arnaut), e pranojnë edhe disa shkencëtarë e shkrimtarë serbë objektivë, siç ishin M. Gj. Miliqeviq, Branisllav Nushiq, Kosovka Ristiq dhe Dimitrije – Mita Petroviq.
Popullata e përzënë nga vendbanimet e veta në Toplicë, që i bëri ballë asimilimit të egër serbosllav u vendos në Prishtinë, solli me vete gjeografinë historike të vendbanimeve të veta dhe, e vendosi atë, në mbiemrat e vet që i mban sot e kësaj dite.
Shpërngulja e familjeve shqiptare nga Sanxhaku i Nishit (1877/78).
– Prishtina e vjetër –
Spastrimi i vrazhdë etnik nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit ishte i akorduar me Rusinë Cariste dhe kishte për qëllim zhbërjen kombëtare, fetare dhe trashëgimore të shqiptarëve të këtyre trevave. Në ushtrinë serbe kishte ushtarë dhe oficerë të lartë rusë me në krye kolonelin Georgije Bobrikov.
Shkaqet e ardhjes së muhaxhirëve nga Toplica në Prishtinë
Lidhur me përndjekjen me dhunë të shqiptarëve nga vendbanimet e tyre nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit, ja se çfarë shkruan Dimitrije – Mita Petroviq, në librin e tij “ Borbe u Toplici (Luftërat në Toplicë), 1877 -1878”, botim Arkivit të Serbisë, Beograd, në vitin 1979. Nga ky libër, i botuar në 260 faqe, mora disa të dhëna rrëqethëse që diti t’i bëjë vetëm ushtria serbosllave, kundër një populli të pafajshëm:
– ushtria serbe përdhos faltoret islame të shqiptarëve (arnautëve), duke u vendosur në to,
– shtyp e mundon të gjallët,
– u vë zjarrin shtëpive të banimit dhe objekteve ekonomike shqiptare dhe lë pas vetes shkretitë, uri dhe vaje,
– stimulon plaçkitjen dhe grabitjen e pasurisë shqiptare,
– vret të padëgjueshmit dhe shëmton të vdekurit dhe të vrarët,
– “stolis” vendbanimet e “okupuara” shqiptare me kokat e prera të shqiptarëve,
– popullata civile përjetoi agoninë e trojeve të veta,
– njerëzit e torturuar lanë pas vetes shtëpitë me plot bagëti:lopë, buallica, buaj, qe, vjeta e mëshqerra, kuaj e dhen, pula, rosa, pata, etj.
– lanë fëmijën njëvjeçar të lidhur në lulak, piskama e të cilit ndihej deri në kupë të qiellit…”e mjera nënë !”,
– prej tash ushtria jonë do të ketë mjaft ushqim e mish të plaçkitur nga arnautët e pathyeshëm , pasurinë e tyre do ta bëjmë shkrumb e hi,
djalin e Fekës së pasur, para syve të tij, e mbyti me kondak pushke, oficeri serb, me urdhrin e Biniçkit, komandantit të divizionit, i cili kishte dhënë urdhër”, çdo ushtar serb të plaçkës lirisht dhe, çdo gjë shqiptare, e tij është”,
– thyhen dhe plaçkiten dyqanet, nëpër shtëpi plaçkiten sendet me vlerë,
– në xhami plaçkiten qilimat dhe sendet tjera me vlerë,
– Kushumlia, çerdhja e arnautëve të okupohet,
– në podrumet e shtëpive të arnautëve plaçkiten kacat e mbushura me lakra e speca turshi, me djathë, me mish të thatë, me miell,
– ushtarët të përgatisin qerret dhe të ngarkojnë mallin e arnautëve që ikën dhe lanë pas vetes plang e sh’pi,
– në fshatin Barllovo ( emër shqip Bardh), një nënë e shkretë, la fjetur dy fëmijë. Nga frika la derën e dhomës të hapur dhe nga acari i madh që të dy fëmijët u ngrinë,
– në fshatin Plloçnik plaka 80 vjeçare bie nga fundi i qerres së ngarkuar, ngrihet dhe vdes,
– një grua plakë, shqiptare, merr të renë me dy fëmijë dhe ia mësyn në gjini të saj, në Dedi, sepse në shtëpi nuk mund të jetohej nga kundërmimi i trupave të vrarë, të cilët kishin filluar të kalben, e s’kishte kush t’i varrosë. Rrugës e ndalin atë ushtarët serbë dhe plaka duke folur me ta, e reja nga frika, me fëmijë largohet në mal dhe humb. Ushtarët shkojnë në shtëpinë e plakës dhe, në vend që t’i varrosin, ia fusin zjarrin shtëpisë dhe djegin shtëpinë e saj, me gjithë kufoma:
– e vrisni çdo shqiptar që u bie në dorë!
– ku je bre shqiptar, të ta pres kokën!
– këta gjashtë shqiptarë i vrisni menjëherë!
– në faqen 154 shkruan: në çdo shtëpi gjetëm lahutën me hark që e lanë arnautët. Ata e kishin për adet, mbas punës t’i këndonin luftës dhe trimërisë.
Si u themelua Mëhalla e Muhaxhirëve në Prishtinë?
Historia e kësaj Lagjeje në Prishtinë ruhet ende në tregimet me gojë të të moshuarve, numri i të cilëve dita ditës po zvogëlohet.
Nga pak shënime me shkrim që kisha, por më shumë duke u mbështetur në biseda, me disa njerëz të moshuar, me mendje të kthjellët të kësaj Lagjeje, ndër të cilët me Avdullah Ajetin, Avdullah Zhinipotokun, Rasim Hërgajën, Aziz Ruhanin, del se banorët e parë që u vendosën në Mëhallën e Muhaxhirëve në Prishtinë, në vitin 1878 ishte familja Zhinipotoku (tash Imeri). I pari i kësaj familjeje, Januzi, ishte 12 vjeç kur erdh dhe u vendos këtu, në vitin 1878. Familjet tjera që u vendosën këtu ishin shumë. Ne po i përmendim disa nga to, si:familja Breznica, Pllashniku, Kozhinca, Pllana, Slishani, Merovci, Dragidella, Svirca, etj.
Vendi ku sot gjendet Mëhalla e Muhaxhirëve ishte një kodër, me pjerrësi të vogël e veshur me thera. Ishte një djerrinë, tokë e papunuar kurrë. Me të vendosur të muhaxhirëve në këtë vend kjo tokë filloi të ngjallet dhe terreni u përgatit për ngritjen e shtëpive të banimit dhe objekteve ekonomike familjare. Po ashtu filloi hapja e bunarëve dhe rregullimi kopshteve nëpër oborre shtëpiake, për prodhimin e frutave perimore. Ishte fatlume e dhëna që njerëzit që vinin nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit kishin përvojë të madhe për punimin e tokës dhe ndërtimin e shtëpive, furrave dhe njihnin zeje të ndryshme. Ata menjëherë iu rrekën konfigurimit të Lagjes, pa kurrfarë projekti urbanistik, pasi që njerëzit ishin në krizë. Çështja ishte të jesh a mos të jesh! Duhej vepruar menjëherë sepse dimri me acar të egër i kanosej çdonjërit, i cili bashkë me urinë dhe skamjen e madhe rrezikonte jetën. Pra, të dërmuar ekonomikisht, të shkallmuar psikikisht, të rraskapitur shëndetësisht, këta njerëz nuk u dorëzuan, morën veten dhe ngritën disa godina banimi për vete dhe strehimi për kafshët shtëpiake në trojet që i kishin caktuar sipas përkatësisë vëllazërore. Hapen rrugët e gjëra, ndërtuan gardhiqet dhe dyert kush me thupra e kush me dërrasa me dy dyer:portën e madhe për qerret dhe kapixhikun (deriçkën) për njerëzit. Çelën ferrat dhe tokën e kthyen në tokë buke.
Rrugët ishin plot baltë dhe njerëzit shihnin të zitë e ullirit për të dalë dhe kthyer në shtëpi. Duke u nisur nga ky gazep i madh, për të zvogëluar mundimet e mëdha të njerëzve, fqinjëve të vet, bamirësi, Salih Merovci, përveç shumë të mirave tjera ndërtoi edhe një trotuar nga panagjyrishta (sot rruga “Ramiz Sadiku”) deri në Lagjen e Muhaxhirëve, të gjatë afër 900 m dhe të gjerë. Këtë trotuar e shtroi me kalldrëm, material ndërtimor i kohës që përdorej atëherë për rrugët e qyteteve në Kosovë.
Si i priti Prishtina muhaxhirët?
Qytetarët e Prishtinës, muhaxhirët e vendosur në Prishtinë, në periferi të qytetit i pritën shumë ftohtë, madje edhe me përbuzje. Menjëherë i pagëzuan me emrin përbuzës “jari çarëk” (gjysmë opinge). Bashkëbiseduesit e mi, për këtë temë, më thanë se njerëzit atëherë, e ndjenin veten të ofenduar, dhe me ironi thoshin, “ përse nuk na lanë opingë të plotë, por na bënë gjysmë opinge! “Po ashtu tregojnë se kurrë, deri vonë, nuk i lanë rehat të jetojnë jetën edhe ashtu të vështirë.
Kjo Lagje ka mbamendjen e vet. E di mirë se në fillim jetonte e ndarë. Ishte e izoluar. I mban mend garat e kuajve (suharisë) në arat e bukës në kohën kur mbillej bereqeti. Pasiqë nuk u morën në konsiderim lutjet e tyre për dy vjet me radhë dhe mundi po u shkon huq, vitin e tretë organizohen dhe me armë i mbrojnë tokat e bukës. Pas kësaj u hoqën garat, nuk u mbajtën më aty, në arat e bukës.
”Qytetarët” nuk flisnin as nuk martoheshin me ta, nuk thirreshin as në dekë as në drekë, edhe pse muhaxhirët, për shumë gjëra, ishin më të përparuar, me solidarë dhe më bamirës. Nuk ishin të egër sikur i kishte shpallur propaganda serbosllave dhe nuk kishin adete të egra.
U desh të pritet disa dekada, kur i pari, një zejtar teneqexhi, Xhelo Koftorxhiu (Slishani), të martohet me një qytetare të Prishtinës, e cila pas martesës kishte deklaruar se nuk kishte vërejtur kurrfarë dallimi njerëzor as fetar mes këtij muhaxhiri me qytetarin…Andaj , nuk përkonte me realitetin kënga e vajzave “turke”, e cila këndohej asokohe në Prishtinë:
“ iki allma, bir armud- ben istemem Arnavud!”
(dy molla e një dardhë-unë nuk dua shqiptar”).
“Arnavud ne si var – bejaz plisi, çakşirllar”
(çfarë ka një shqiptar –përveç tirqve e plisit t’bardhë)!
Përkundrazi, “qytetarja” e martuar për këtë “muhaxhir”, ishte shumë e kënaqur, duke hapur rrugën e martesave ndërmjet “qytetarëve” dhe “muhaxhirëve”.
Flitet se familja e Shyqeri Tërnakut, qytetar i vjetër, shumë i pasur, e merr për djalin, vajzën e Dragidellëve, nga mëhalla e muhaxhirëve.
Të theksojmë edhe këtë:aso kohe në Prishtinë, mbeteshin shumë vajza pamartuar, sepse prindërit e tyre zgjidhnin familjet, sipas kriterit “eti kolldan – kezi sojdan”(mishin e merr prej shpatullës – vajzën prej sojit). Si shkak i kësaj zgjedhjeje të tepruar, thuhet, mbeten pamartuar vajzat e Nazim Gafurrit, Sudi Efendisë dhe disa qytetarëve të tjerë.
Mëhalla e Muhaxhirëve kishte probleme më të theksuara sesa lagjet tjera.Mirëpo, askush nuk deshi të dëgjojë as shqyrtojë problemet as kërkesat e tyre. As mytesarifi as begu as pashai! Dhe, ishte mëkat të kërkosh nga këta njerëz të ndjekur me dhunë nga trojet e veta të heqin dorë nga gjuha, filozofia, nga shpirti i tyre, sepse këto ishin artefaktet e vlerës që kishin. Prishtina nuk e luajti rolin prindor me këta qytetarë.Ajo u desh t’i afrojë edhe këta si anëtarë të familjes dhe të sajojë simbolin e nënës, si me qytetarët e tjerë dhe mos t’i shikojë ndryshe, sepse emri nënë, në të gjitha gjuhët e botës së qytetëruar nuk e ndërron gjininë as shpirtin.
Pasi që terreni u pastrua nga therët, murrizat e kaçubat, filloi hapja e themeleve për ndërtimin e shtëpive për banim dhe objekteve për strehimin e kafshëve shtëpiake. Tipi i shtëpive që ndërtoheshin këtu nuk ishte i njëjtë me tipet e shtëpive në lagjet e moçme të Prishtinës. Fjala ishte për ndërtimin e strehimit të domosdoshëm, për ta shpëtuar kryet dhe jetën e anëtarëve të familjes së madhe.
Fillimi i ndërtimit të godinave për banim u bë pa kurrfarë planimetrie. Ndërtimi u mbështet në përvojën e të moshuarve. Nuk bëhej fjalë këtu për ndonjë stilizim as bukuri fasade. Qëllimi ishte të ngrihet një kulm mbi kokë.
Shumica dërrmuese e shtëpive fillestare ishin katërkëndëshe – kasolle të mbuluara me kashtë. Përjashtim bënin ca shtëpi të muhaxhirëve të pasur, të cilët ndërtuan shtëpi “moderne”, të asaj kohe.
Për ndërtimin e shtëpisë përdorej materiali i vendit:
-për themel përdorej guri
-për mure përdoreshin thuprat ose pallzinat që mbusheshin me baltë. Më vonë për mure filloi të përdoret qerpiçi
-për kulm përdorej, sidomos kashta e thekrës. Më vonë filloi të përdoren qeramidhet e “magjupit”.Të shtojmë:derisa gjendeshin në vendbanimet e veta në Toplicë dhe Sanxhak të Nishit, këta njerëz kulmet e shtëpive të tyre i kishin mbuluar me “qeramidhe të Selanikut”.
Muret e shtëpive brenda ishin të lyera me lloç të përzier me byk kashte. Këto shtëpi gëlqeroseshin me fshesa dore, në vend të furçës.
Godina e banimit zakonisht kishte një derë dhe çdo kthinë nga një dritare.
Për njerëzit e martuar në dhomë kishte hamamxhikun.
Shumica e dritareve në fillim, për mungesë të xhamit, përdornin letra, të cilën e ngjitnin për kornize, me brumë buke. Kishte raste kur dritaret natën mbylleshin me kapak druri.
Kulmi i shtëpisë, i mbuluar me kashtë, përforcohej me lëmaza të gjata druri, për ta mbrojtur kashtën nga era e fortë.
Disa shtëpi kishin gjezenti.
Godina e banimit kishte këtë orar:
1. Shtëpia e zjarrit me oxhak të madh ku përgatitej ushqimi për të gjithë anëtarët e familjes. Orenditë e vendosura në të:magjja, enët, saçet, saxhakët, çerepët, etj. Në shtëpinë e zjarrit piqej buka dhe gatuheshin gjellët për familjen e madhe. Buka e kallamojtë pothuaj ishte e vetmja që përdorej për ushqim. Nga gjellët më shumë përdorej pasuli, lakra dhe patatet. Shquheshin jufkat, specialitet i punuar nga brumi i grurit e pjekur në shporet. Trejtet të enjteve gatuheshin në çdo shtëpi. Nga pijet, përveç ujit pihej çaji i luleve dhe kafja e thekrës. Për kafen Nahut as që kishin dëgjuar..
2. Nëse familja kishte anëtarë të martuar, atëherë nga hajati i shtëpisë secili hynte drejt në dhomën e vet
3. Dhomat e gjumit s’kishin krevate, por një krah i dhomës ndahej me një dru nga muri në mure dhe sipërfaqja brenda drurit e murit shtrohej me kashtë ose sanë. Mbi të shtrohej cerga dhe aty flihej. Për shtrojë pëlqehej me shumë kashta e elbtë.
Nostalgjia për vendbanimet e veta në Toplicë
Shtrohet pyetja: nëse individi mund të harrojë diçka që gjatë e kishte parë (si urbanizmin në mëhallën e muhaxhirëve) dhe që nga ajo pamje është ndarë, nuk do të ishte e lejueshme, që me aksione nervoze urbane të shkatërrohet trashëgimia e saj. Pra është mirë që edhe në këtë Lagje të ruhet diçka që merr frymë, si para 130 vjetësh. Shtëpia ishte si shkollë ku dëgjoheshin shumë gjëra nga jeta. Këtu prindërit i mësonin fëmijët se duhet dashur punën, duhet nderuar të vjetrit, nuk duhet gënjyer as vjedh. Këtu mësohej historia e vuajtjeve dhe mbijetesës.
Si u organizua jetesa në këtë lagje
Ndriçimi, ishte problem i madh, sidomos netëve të gjata të dimrit. Së pari përdorej drita e zjarrit nga oxhaku. Pastaj pisha, gazi, llamba me vajguri dhe llamba me karbit, feneri.
Godinat tjera në oborrin e shtëpisë:
– Ahuri, në të cilin vendoseshin kafshët e trasha, i ndërtuar si shtëpia dhe i mbuluar me kashtë
– Koshi i kollomboqit, ku vendosej misri në tramakë, i pashkokluar, i ndërtuar me çatma ose me pallzina, i mbuluar me kashtë
– Fllaniku, ku vendosej bulmeti, i ndërtuar me çatma ose me pallzina, i mbuluar me kashtë ose shinra druri,
– Torishta (vatha) për dhentë
– Hambari për vendosjen e drithit të bardhë, zakonisht i ndërtuar prej dërrasave bungu dhe i ndarë në seksione për grurë, elb, tërshërë, etj.
– Plemja për vendosjen e ushqimit të kafshëve, etj.
Renditja e godinave të banimit dhe godinave ekonomike në oborr ndiqte këtë rregull:
– skajeve të oborrit ndërtoheshin godinat e banimit dhe objektet tjera
– mesi i oborrit zakonisht ishte i zbrazët për të manovruar me qerre dhe për të kryer punë të tjera.
– Oborri ishte i rrethuar me gardh me thera dhe së voni me qerpiç. Lartësia e murit zakonisht shkonte deri 1, 8 m.
– Dyert e oborrit ishin kah rruga e madhe. Dyert kishin dy pjesë: portën e madhe për kalimin e qerres së ngarkuar me ushqim e gjëra tjera dhe, kapixhikun (deriçkën) për kalimin e njerëzve.
– Në dyer të oborrit gjendej çokalja, për të cokatur në derë mysafiri (në vend të ziles së sotme).
– Hapen bunarë, por uji i tyre nuk pihej, sepse ishte shumë i rëndë, i njelmët dhe i thartë, andaj këta njerëz për të siguruar ujë e shihnin të zitë e ullirit, sepse nuk kishin enë të mjaftueshme për të mbushur ujë për familjen e madhe. Me ujë të pijshëm furnizoheshin nga çezmat publike në qytet, sidomos nga çezma “katër llullat”. Enët e remta, të kallajisura i kishin hedhur gjatë rrugës së gjatë të golgotës nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishiti.
– Jetohej nga prodhimet e tokës dhe nga shitja e edhave, qengjave dhe nga argatllëku tek zotërinjtë e qytetit.
Kur dhe si u ndërtua xhamia e Mëhallës së Muhaxhirëve?
Dy vjet pasi u vendosën në këtë lagje, meqë hasnin në probleme dhe pengoheshin me dhunë për ta falur namazin në xhamitë e qytetit, nga disa njerëz të përgjegjshëm, muhaxhirët e kësaj lagjeje të Prishtinës, filluan ndërtimin e xhamisë me punë vullnetare. Flitet se babai i Shyqeri Beu – Bejtullah Begu, pronar i mullirit të madh me avull në Prishtinë, duke kaluar andejpari i kishte pyetur ndërtuesit:
– Çfarë jeni duke ndërtuar në këtë vend?”
– Xhaminë – iu kishin përgjigjur ata.
– A keni mjetet për ndërtimin e saj?
– Ia kemi nisur, me emër të Zotit, dhe me emrin e Tij, do t’ia dalim në krye.
– Mos u mërzitni, materialin dhe shpenzimet e tjera ua siguroj unë. Ju vetëm e kryeni punën me nderë…”
Ky zotëri e mbajti fjalën dhe xhamia u krye dhe inaugurua në vitin 1880.
Kush ishte imami i parë i kësaj xhamie?
Imami i parë i kësaj xhamie ishte Mulla Miftari, kurse myeizini i parë ishte Ymer Zhinipotoku. Pas imami të parë të kësaj xhamie vijnë imamët e tjerë: Mulla Aziz Galani, Hafiz Sejdi Statovci, Hafiz Shabani, Mulla Emin Llapashtica. Të theksojmë se si myzein i kësaj xhamie, përveç një rasti kur myezin ishte Hysen Pllana, përherë këtë detyrë për 37 vjet me radhë, e kreu me nderë, Hafiz Rifat Zhinipotoku.
Namazin e xhumasë së parë, në vitin 1880, e fali Hafiz Jusufi, imam i Xhamisë së Madhe në Prishtinë.
Aktualisht, imam i Xhamisë së Muhaxhirëve, është Mulla Baki Imeri (Zhinipotoku), pasardhësi i familjes së myezinit nga familja Zhinipotoku, me myezin Haxhi Shemsi Mehmetin.
Kush e fali truallin për këtë xhami?
Truallin për ndërtimin e kësaj xhamie e fali zonjusha Kadërie, qytetare e Prishtinës. Në shenjë mirënjohjeje për këtë bamirësi Xhamia e Mëhallës së Muhaxhirëve emërtohet me emrin e saj Xhamia e Kadëries. Kjo femër bamirëse, imamit të parë të kësaj xhamie i kishte falur 1 ha tokë, kurse myezinit të parë 0, 50 ha tokë. Po ashtu kishte falur edhe shumë tokë, që ende, edhe sot, përmendet si toka e vakëfit. Në këtë tokë të vakëfit i ndërtuan shtëpitë hoxhallarët, si:Mulla Emin Llapashtica, Hafuz Hakia, Mulla Sherifi i Sllovisë dhe qytetarë të tjerë që morën lejen nga komuna e Prishtinës.
Pas LNÇl nacionalizohet pjesa më e madhe e truallit të Xhamisë dhe aty ndërtohet godina e Bashkësisë Lokale, ngritën disa objekte tregtare dhe ndërtohet stacioni i milicisë. Në 50-ta të “pasçlirimit”, objekti i Xhamisë së Muhaxhirëve në Prishtinë, shndërrohet në depo për tepricat (“vishakun”) e mbledhur me dhunë nga populli.
Për këtë xhami lidhet edhe një traditë që edhe sot përdoret. Kur vdes dikush jepet kumtimi që këtu e quajnë temxhit dhe, me të dëgjuar, njerëzit e mëhallës organizohen menjëherë, vullnetarisht për ndihmë. Për këtë bamirësi e solidaritet përmendet familja Breznica.
Jeta shoqërore në lagje:
Jeta shoqërore në lagje ishte patriarkale, në të gjitha format e saj. Në krye të familjes ishte, zakonisht, plaku i shtëpisë, urdhrave të të cilit i bindeshin të gjithë anëtarët e familjes, të mëdhenj e të vegjël, karakteristikë kjo e jetës në etninë shqiptare atëherë.
Rregulli i jetës familjare ishte bazë për sjellje në familje dhe jashtë saj:
– i zoti i shtëpisë dhe i vjetri dëgjohej dhe nderohej,
– çdo familje ruan lidhjet më të afërmit e kabiles së vet, deri në pesë breza ua dinë emrin të parëve. Nostalgjia për vendbanimet e veta në Toplicë nuk u shua kurrë. Shumë njerëz kanë vdekur me “sy çelë”dhe me shpresë se do të kthehen në vendlindjet e veta në Toplicë dhe në Sanxhakun e Nishit. Këta muhaxhirë kurrë nuk u pajtuan me pushtetin serbomadh që i ndoqi me dhunë nga trojet e veta. Ata luftuan me pushkë në dorë kundër ushtrisë fashiste serbe dhe kur u vendosen në Kosovë, protestuan me lahutë kundër atij okupimi të egër.
– njerëzit e kësaj lagjeje ishin dhe janë shumë solidarë, sidomos me rastin e vdekjes, kur e ngushëllojnë familjen e të vdekurit dhe i ndihmojnë në përgatitjen e xhenazes dhe varrimin e tij.
– kanë ndjenja për drejtësi dhe liri,
– janë të përzemërt dhe të çiltër,
– reagojnë shpejt në ofendimet që u bëhen, sidomos kur dikush ua shan nënën, motrën dhe anëtarët tjerë të familjes,
– morali shoqëror ishte i lartë;vjedhje as mashtrime s’kishte,
– femrat kishin moral të lartë familjar dhe kombëtar,
– njerëzit janë të kthjellët, spirituoz dhe kureshtarë, duan të dinë se çfarë po ndodh edhe në lagjet e tjera të qytetit,
– kishin sjellje të disiplinuar në familje dhe në rrugë,
– përveç të moshuarve, tjetërkush mbante mjekër ,
– bënin vizita të shpeshta mes njëri – tjetrit,
– mikpritja ishte shumë e zhvilluar,
– në këtë lagje muhaxhirët nuk martoheshin me njëri – tjetrin, edhe pse nuk kishin lidhje gjaku,
– në këtë lagje nuk ndodhi asnjë vrasje për gjakmarrje, sepse njerëzit me sjelljet e tyre nuk krijonin kurrfarë sebepi për t’u vrarë mes veti,
– Kjo lagje ishte kompakte dhe vështirë ia mësynte të hyjë në të panduri dhe xhanari.
– populli i Mëhallës së Muhaxhirëve ishin njerëz të talentuar për ornamentikën popullore, drugdhendje dhe zejet tjera.
– Në këtë lagje s’kishte ortodoksë as katolikë.
– Në këtë lagje nuk konsumohej alkooli.
Muhaxhirët këtu, kryesisht, merreshin me punimin e tokës, kultivimin e bagëtisë, nëpër oborre mbillnin lule të ndryshme, sidomos lulen e trëndafilit, të cilën e shisnin me rastin e festave të ndryshme. Disa mjeshtër prodhonin vegla të ndryshme pune, qepnin e pritnin rroba meshkujsh e femrash. Gratë endnin dhe punoni në vek zhgunin dhe pëlhura të ndryshme, qilima, janë, sixhade, shoka për meshkuj, etj. .
Furra e parë që u ndërtua në këtë lagje ishte furra e Ruhanit të Shabanit. Këtë zeje ky mjeshtër e kishte mësuar në vendlindje të vet në Toplicë. “Stili” i veshmbathjes ishte sjellë nga atje, dhe meshkujt kishin veshje tipike shqiptare:në kokë plisin e bardhë, xhamadanin e zhgunit ose xhurdinë me mëngë të shkurtra, tirqit dhe opingat, kurse femrat fustanin e gjatë dhe me pështjellak dhe me opinga.
Është karakteristike të theksohet se tërë prodhimtarinë e veshmbathjes e bënin, (kryesisht), vetë muhaxhirët me mjetet e veta dhe me materialin e vet lëndor.
Mendohet se shporeti i parë i druve në këtë Lagje u vendos në familjen Zhinipotoku, në vitin 1954.
Emrat e njerëzve të kësaj lagjeje që nuk harrohen
1. Mulla Miftari, imami i parë i Xhamisë së Muhaxhirëve dhe myezini i parë i kësaj xhamie, Ymer Zhinipotoku
2. Avdullah Bregovina
3. Haxhi Osman Zhinipotoku – Sakalli Axha
4. Salih Merovci, bamirës i madh,
5. Mehmet Mlina, përmendet për bujari, urtësi dhe trimëri. Në Lagje konsiderohej si urtak i lagjës.
6. Sahare Merovci (Dragidella). Kjo grua si mjeke popullore ka shëruar sytë, bajamet dhe grave u ka ndihmuar shumë në lindjen e fëmijëve.
7. Familja Pllana përmendet për rrobaqepësi.
8. Hysen Berberi
9. Mahmut Zhinipotoku si usta nallenxhi. Ky mjeshtër (usta), punonte disa sandalle dypjesëshe, të lidhura me rripa, shumë të përshtatshme për ecje
10. Hava Statovci, përmendet si mjeke popullore, e cila shëronte sytë me lëngun e shtrydhur nga thelbi i hudhrës.
11. Si rrobaqepëse e vyeshme, përmendet, Halime Zhinipotoku. Kjo grua bamirëse, pa të holla ju ndihmonte njerëzve në prerjen e rrobave dhe i mësonte njerëzit si qepen ato,
12. Si zdrukthëtar (marangoz) shquhej në këtë lagje Daut Bregovina,
13. Si teneqepunues përmendet Xheladini, i cili në saje të mjeshtërisë që kishte, mori edhe mbiemrin Xhelo Koftorxhiu, përndryshe mbiemri i tij i vërtetë ishte Slishani.
Sjellja e Trifko Livagjes
Shënim: Në fillim të vitit 1913, erdh e u vendos me dhunë në këtë Lagje, Trifko Livagja, gjakpirës i përbetuar antishqiptar, i cili pa u vonuar shkoi te Mehmet Mlina dhe i tha : ”Nëntëdhjetë e nëntë shqiptarë i kam prerë me dorën time, i njëqindti do të jesh ti, Mehmet Mlina !” Këtë krim nuk arriti ta kryejë, sepse në vitin 1915, gjatë kohës së qeverisjes bullgare këtu, Mehmet Mlina me dy xhandarë bullgarë, në muzgun e mbrëmjes, shkon në shtëpinë e Trifkos. Troket në derë. Del e shoqja e tij.
– A është Trifko në shtëpi ?
– Po, u përgjigj ajo.
– I thuaj, të dalë.
Pasi e kishte qortuar të shoqen pse u kishte treguar se gjendet në shtëpi, bëhet gati dhe detyrohet të dalë. Gjatë rrugës, duarlidhur, Trifko i drejtohet Mehmetit:
– Çfarë kërkoni prej meje ?
– Duhet të japësh disa deklarata në gjyq- i tha Mehmeti.
– Ti e di, ku po më çojnë këta – i thotë Trifko Mehmetit.
– Po. E di. Po të çojnë, me t’ bâ “suhal”!
Në vend se të kthehen, në anën e djathtë, kah gjyqi, xhandarët, bashkë me të, kthehen në të majtë dhe drejtohen kah Mulliri Praskës në Prishtinë, (sot Lagjja Pejton). Duke e kuptuar se çfarë do të ndodhi me të, Trifko befas, edhe pse me duar të lidhura, e sulmon xhandarin bullgar dhe ia kafshon gishtin e dorës. Ata reagojnë ashpër dhe vrasin me bajoneta. Ende pa dhënë shpirt Mehmeti afrohet Trifkos dhe i thotë:”I njëqindti je ti! Fiton i gjalli!”
Përfundim
Pasuria më e madhe e kësaj lagjeje janë njerëzit e saj me solidaritetin e tyre që e ruajnë, në masë të madhe, sot e kësaj dite. Do të ishte e palejueshme që kjo Lagje në emër të urbanizimit të shndërrohet në forcë të pa definuar dhe të harrojë vlerat e dikurshme, të këtyre njerëzve të mrekullueshëm, të cilët jetonin e jetojnë nga puna e vet. Edhe pse dikur ishte në periferi të qytetit ajo dispononte e disponon me vlera të veçanta bamirësie.
Të paktë janë ata njerëz, të kësaj Lagje sot, që kujtojnë pamjen e dikurshme të saj. Pamja e dikurshme e saj është shndërruar në një lagje moderne. Ka ecën me kohën përpara. Mirëpo, nuk është mirë të shuhen kujtimet e identitetit të dikurshëm të saj. Shtrohet pyetja:nëse individi mund të harrojë diçka që gjatë e kishte parë dhe që nga ajo pamje është ndarë, nuk do të ishte e lejueshme, që me aksione nervoze urbane të shkatërrohet trashëgimia e saj. Pra është mirë që edhe në këtë Lagje të ruhet diçka që merr frymë, si para 130 vjetësh.
——————————
(Ilustrimet janë të pashtriku.org)