MSc.ALBERT HABAZAJ: IKU PROFESOR MELEQ SKËNDAJ – NJË MODEL I ARSIMIT SHQIPTAR

Vlorë, 24 korrik 2018:
PROFESOR MELEQ SKËNDAJ I PËRKET PAHARRIMIT 1)
Modeli shembullor i mësuesit me dritë
Meleq Skëndaj na la për të qënë gjithmonë me ne. Me dhembje po shkruajmë këtë lajmërim morti për një nga dritanët e pashuar të dijes, profesorin e shquar të matematikës në Vlorë. Nuk gjejmë fjalë të shprehim trishtimin dhe dhimbjen tonë për profilin e profesor Meleqit. Profesor Meleq Skëndaj lindi nga nënë Erveheja dhe babë Hairo Laze më vitin 1936 në Tërbaç të Vlorës në derën e madhe të Skëndojve të njohur në krahinën e Lumit të Vlorës, Labërisë e më gjerë për histori, kulturë e arsim.

Profesor Meleqi i përket asaj plejade të artë të Mësuesve të Dritës, që i dhanë edukimit të brezave mendimin e kthjellët e aq të thellë, që i falën mirësisë qytetare shpirtin e pastër e aq të zjarrtë.
Profesor Meleqi është profesor i profesorëve tanë.

– Meleq Skëndaj –

Profesor Meleqi ka bërë e botuar tekstet e matematikës, kur ende s’ishin “rritur” profesorët e sotëm me karton. Profesor Meleqi ishte një mal i lartë dinjiteti intelektual e atdhetar, një det i gjerë fisnikërie, një fushë e pamatë thjeshtësie. Ngelet vërtet madhështor në thjeshtësinë e tij që shndrit tejembanë e kullon hojet e humanizmit nga mjalti universal që mbushte atë shpirt vital të të paharrimtit tonë shkëlqimtar Meleq Skëndaj. Në rrjedhat e kohës, Tërbaçi e ka shkruar me nder emrin e tij të përveçëm në historinë shqiptare. Në Tërbaç, Skëndojt janë një Medalje e Artë. Halim Xhelo e Ibrahim Aliu, bij të Skëndue, ishin 2 nga 10 mësuesit e parë Tërbaçiotë kur u hapën shkollat e para shqipe gjatë kohës së Ismail Qemalit (1913). Laze Malo, bir i këtij fisi ishte burrë zakoni, kuvendar e gjykimtar i shquar në krahinë, mik i Plakut të Bardhë të Flamurit. Beqir Selimi, bir i Skëndue, ish- komandant i Çetës së Tërbaçit gjatë LANÇ u shndërrua nga të parët yll i pashuar lirie. Kujtim Mici (Skëndoj) ishte dhe ngelet Dragoi i këngës labe, mësuesi dhe drejtori i shkollës tetëvjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç, fatmirësisht dhe imi, Vigani drejtues i Grupit të Madh të Tërbaçit me funksionimin e Organigramës folkorike, etnokulturore e polifonike. Profesor Meleq Skëndaj, bir i stafetës së lartë të këtij fisi ballëbukur është Modeli shembullor i Mësuesit me Dritë. Ai ishte Mësues i Popullit edhe pse këtë titull nuk e pati, por Vlora e tij e vlerësoi “Personalitet i shquar i Qarkut” dhe “Mirënjohje e Qytetit”. Ai ishte Mjeshtër i Madh edhe pse këtë dekoratë nuk e mori. Profesor Meleqi, kur qe, qe i të gjithëve. I dhembi sa qe në gjak e kockë Arjana fatkeqe. Kur kishte nevojë, iu përgjigjën vajza, Kela dhe dhëndrri, Gaz Manaj i koculiot. Meleq Skëndaj, që për fat rridhte nga fisi tradicionalisht patriot i Skëndue, ishte një ndër themeluesit e arsimit progresiv. Ai është se s’ka ikur. Është me ne, në zemrat tona, me emrin e tij të dielltë, me veprën e tij të përkryer. I dritëroftë emri i gdhendur me gërma mirënjohjeje në kujtesën tonë!
1) Fjala e lamtumirës për në banesën e fundit e Mësuesit Meleq Skëndaj. Babicë, Vlorë 19.07.2018

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura