Çegran, 27 dhjetor 2019: Me të drejtë do të pyesin të gjithë ata që më njohin dhe ata që nuk më njohin, se çka ka ndodhur me Nafi Çegranin që pikërisht në këtë kohë doli me një deklaratë të tillë dhe me një Testament të qëlluar?!
Përgjigjen e kësaj pyetje e keni në vijim të kësaj letre publike.
Kjo deklaratë e hapur, ka për qëllim vetëdijësimin e rinisë Shqiptare të gjeneratave të tashme dhe brezave të ardhshme, me paralajmërimin për fundin e mashtruesve në emër të kombit, fesë, humanizmit dhe fshehjes së tyre prapa Kuranit, Biblës dhe Flamurit tonë kombëtar.
Lufta e dyte botrore sa po kishte përfunduar, skamja, mjerimi, analfabetizmi, dhe prapambeturia ishin evindente në çdo pore të jetës së Shqiptarëve në këtë cep të Ballkanit. Të moshuarit bisedonin se ka ndryshuar koha, se ka ardhur një njeri i madh nga Rusia me emrin Tito, me ideologji kominterniste dhe se nuk njef fe, do i prishe Kishat dhe Xhamiat, me zor do na i merr fëmijët në shkollë… Plakat me një fjalë thonin: u prish dynjaja. U lindëm, u rritëm, u shkolluam dhe punuam, krijuam me dijen apo mos dijen tonë, me dekada zhvilluam veprimtari e debate të shumta gjatë viteve të rrënuara, rreth fesë, për mohimin apo pranimin e Zotit, dhe ajo që ishte më me rëndësi esenciale kuptuam se jemi në terrin e mos dijes kombëtare, të një zhgënjimi kolektiv dhe se nuk jemi të barabartë me kombet tjera të atij regjimi dhe shteti të formuar komunist pas luftës në Jugosllavinë e re. Kjo ndodhi edhe në Shqipëri dhe gjetiu në trojet etnike shqiptare në dekada. Më të moshuarit kënaqeshin dhe lavdronin Titon që ka sjell shumë bukë, sepse kishin kaluar kohë të vështira në të kaluarën. Por, nuk vonoi, edhe regjimi komunist shpiku jetën ,,kolektive,, dhe shteti ua merrte drithin e bukës nga hambarët, miellin nga magja, krerët e bagëtive dhe shumë familje hiqnin të zitë e ullirit dhe duronin për kafshatën e gojës. Kurse rinia ishte e dehur me parullat e Vëllazrim Bashkimit me të gjithë popujt e Jugosllavisë dhe më gjërë, gjetiu ku shtriheshin kufijtë e shteteve komuniste. Në atë kohë dhe në rrethana të tilla edhe unë u shkollova dhe u plotsua andrra ime që të bëhesha mësues fshati…
(Por, edhepse ende i ri, edhe jeta më dukej me kontrastet e veta: gjyshin e kisha ballist, babain veteran të Frontit të Sremit dhe… bindjet e mia ecnin me egon time, ashtu siç ecte njeriu rugës së vet, ose i ndjek të afërmit e tij, ose ata që i ka takuar rastësisht në vegjëli dhe që i kanë lënë mbresa në memorien e tij si njerëz të mëdhej të idealit dhe diturisë, të mençur, të denjë dhe të drejtë, madje edhe të devotshëm duke filluar nga prindërit, mesuesi, hoxha, burrat trima, pleq të mençur në oda burrash dhe njerëz të veshur me pushtet, si gjithmonë rinia nga ata bën përvetësimin e rregullave fetare dhe morale njerëzore, dhe të gjitha ato fenomene janë më efikase se sa mësimi teorik në jetën e njeriut, në kushte dhe rrethana të caktuara.
Duke përvetsuar këshillat e më të vjetërve, dhe duke respektuar njeriun e mirë, human dhe të moralshëm, me veti njerëzore, me virtyte të duhura dhe të çmueshme si shqiptar, trim, i besës e fisnik, burrë me veti morale të larta dhe i vërtetë, i pastër para ndërgjegjes, vehtes, para Zotit dhe njerëzve, kalon në fazën e pjekurisë dhe burrërisë.
Megjithatë më duhet të falnderoj Zotin e Madhërishëm, që njeriu i mençur nuk mbetet gjithmonë me përshtypjet fëmirore, por me pjekurinë e tij dhe grumbullimin e njohurive dhe informacionit që posedon, ndryshon bindjet, ndaj të kaluarës së tij, ndaj mësuesit, hoxhës dhe shumë figurave që ia krijuan ëndrrat dhe i ka pas idol ose i ka adhuruar në rini, dhe gjersa hapëron në binarët e jetës, nis të bën dallimin mes kontrasteve të jetës, shoqërisë, të gjeneratave dhe burrave të vërtetë dhe atyre dilenxhive që kanë luajtur role të ndryshme (si në teatër) për të lënë mbresa të thella tek rinia se kinse ata ishin të vërtetit, siç ua impononte ideologjia moskovike.
Unë personalisht ëndërroja të bëhesha mesues (ose gazetar, sepse i adhuroja shkrimet), dhe ia arrita qëllimit, por shumë shpejtë, ndoshta nga naiviteti ose nga besimi i madh në parullat e Vëllazrim Bashkimit me ideale që të mashtronin, bëra hapin e guximshëm që ta leja ditarin dhe punën e shejtë të mësusesit, ika si era me acare akulli duke u punësuar në rradhët e Shërbimin Sekret Jugosllavë të asaj kohe që në popull quhej: UDB ! (Por, që kjo më vonë më kushtoi shumë shtrejtë dhe e pagujta çmimin më të lartë në jetën time me burgosje dhe dënim me vdekje-pushkatim… Zoti deshi e mbeta gjallë!).
Kariera ime në këtë Shërbim delikat dhe të komplikuar inteligjent përfundoi pikërisht ashtu siç më këshilloi babai im i ndjer, rrahmet i pastë shpirti, kur i tregova për dëshirën time të punsohesha në atë Shërbim, më shikoi si me bisht të syrit dhe si me ngadalë u përgjegj: ,,Ti di, biro, shko. Por ki kujdes se ai Shërbim i ha njerëzit natën!,, Dhe me të vërtetë ashtu ndodhi, nëntoka kriminale të cilët ishin forcë mbi forcë, Shtet mbi shtet të atij Shërbimi, ma hëngrën kokën mua, dhe hëngrën shumë koka të tjera në gjithë botën komuniste, sidomos populli Shqiptar ishte dhe mbeti viktimë, kurban në Gadishullin e Ballkanit, pikërisht nga projektet më të ndryshme antikombëtare që u hartuan në Moskë ose Beograd, dhe u egzekutuan nga UDB-a famoze (qoftë edhe gjatë periudhës së Informbyrosë, kur Rankoviqi hapi Goli Otokun) ose gjatë vënies së diktaturës Ushtarake në Kosovë apo edhe më vonë gjatë diferencimit mes shqiptarëve, gjë e cila, mjerisht, vazhdon edhe sot e kësaj dite, të hahen koka njerëzish të pa fajshëm, nga klane njerëzish të prishur që punuan në ato shërbime birokratike ku jepeshin urdhëra dhe bëheshin plane të fshehta, duke vazhduar të keqpërdorin njohurit e tyre me mjete dhe metoda të sofistikuara në dëm të popullit të vet për përfitime kriminale dhe karieriste.
Kam shkruar libra, kam zhvilluar debate, kam komentuar, dhe jam deklaruar disa herë publikisht për përjetimet e mia në radhët e makinerisë së quajtur UDB, dhe deri në burgosjen time, madje edhe të lirisë sime e cila erdhi bashk me shëmbjen e sistemit komunist. Por, ajo që është me rëndësi se në këtë letër të hapur dua të deklaroj publikisht atë që ma thotë mëndja dhe ndërgjegja ime, pra, duke qenë se isha viktimë, kërkoj falje ndaj popullit tim, jo se kam bërë ndonjë krim apo të kem qenë pjesë e ndonjë krimi, por vetëm nga fakti për kohën dhe ato ca vite që kam punuar në Shërbimin sekret të ish Jugosllavisë. Ndërgjegjja paraqet ndjenjën më të pastër të njeriut që i lidh me veprimet pozitive, vlerësimet dhe gjykimet e fenomeneve në ambientin ku jeton dhe kushtet që e rrethojnë… Sepse, njeriu normal ka edhe etikë, moralin, guximin, dinjitetin e tij, që e shtynë nga brendia shpirtërore dhe dinjiteti, dhe e kërkon dhe thotë atë që duhet ndaj prindërve, familjes, fisit e sidomos popullit që i takon me gjuhë dhe gjak, nëse do të mbetet faqebardhë me zhvillimin e ndërgjegjes në aspektin fizik dhe si qënie biologjike e pastër, e sidomos nëse e beson Zotin dhe ballafaqohet me të vërtetën e tij, me qëllim që të vetëdijesohet se një ditë patjetër ta kalon Urën e Siratit ! Aty mëdyshje nuk ka…
Së pari këtë që shkruaj si Deklaratë-Testament me kërkim falje ndaj popullit dhe Kombit tim e bëj në emrin tim personal dhe njëherit, i kisha lutur të gjithë ata të cilët punuan dhe vepruan në suazat e shërbimeve sekrete, e që ende janë gjallë, mos ngurojnë, qofshin në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe kudo të veprojnë me forcën e ndërgjegjës hapur, duke kërkuar falje nga populli për gabimet eventuale, sepse ajo është akt njerëzor. Të kërkojnë falje botërisht, sepse kjo është formë morale, etike dhe humane, për të reflektuar pozitivisht dhe që të prodhojnë shpresa të vërteta dashamirësie mes njerëzve, për ecjen e brezave për një jetë më të begatë e të lumtur, që reflekton drejtësi dhe humanizëm, nëse duam që ta ruajmë integritetin si njerëz të pastër dhe me shpirt të çiltër.
***
Pavarësisht se u mbushen mbi 30 vite nga shëmbja e atij sistemi komunist, nuk do mend, se projektet dhe pasojat e Shërbimit të UDB, në mesin e popullit Shqiptar ende janë evidente, prandaj dua që t’ua themë disa fjalë rinisë shqiptare, për rolin që kanë dhe zhvillimet që bëjnë shërbimet sekrete në një shtet apo shoqëri, si dhe mundësitë e pa shfrytzuara të rinisë sonë, sidomos tani pas tranzicionit dhe me ardhjen e demokracisë, e në veçanti në lirinë e tanishme në Shqipëri, me pavarësinë e Kosovës, sepse kuadrot profesioniste janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të ec përpara në një jetë më të begatshme dhe me standarde e prosporitet, të ëndërruar nga gjeneratat e më hershme.
Këtë e them, sepse, duke marrë parasysh se unë në kohën dhe rininë time kam qenë një nga kuadrot e shumta profesioniste të asaj kohe që kemi punuar si persona zytar të zgjedhur në Shërbimin e famshëm të UDB-së Jugosllave ku kam vepruar me përgjegjësi të plotë morale dhe në saje të dispozitave ligjore, dhe mbetem me bindje se përvoja ime dhe njohuritë e shumta që posedoj nga sferat e asaj veprimtarie të ndërlikuar inteligjente, me këtë rast u drejtohem rinisë Shqiptare me disa këshilla qëllimmirë duke dhënë edhe një pasqyrim të shkurtër të rolit të Shërbimeve sekrete në zhvillimin e një shoqërie demokratike dhe me standard europiane për një të ardhme më të denjë e më të mirë. Sepse, Siguria është një qëllim themelor për të gjitha shtetet në marrëdhëniet globale në botën bashkëkohore. Rëndësia e shërbimeve të inteligjencës është njohur prej shekujsh, dëshira dhe nevoja për informacion të drejtë, të qëlluar dhe relevant, ka qenë konstante, por me kalimin e kohës dhe zhvillimet në shoqëri kanë ndryshuar të gjitha format e veprimit dhe organizimit në mënyrë permanente.
Shërbimet e inteligjencës – prodhojnë analizë në fusha relevante që lidhen me sigurinë kombetare, japin paralajmërime të hershme lidhur me krizat e mundshme, i shërbejnë menaxhimit të krizave kombëtare dhe ndërkombetare duke ndihmuar në qartësimin e qëllimeve të armiqve të tanishëm dhe të atyre potencialë, informojnë me qëllim të planifikimit të mbrojtjes dhe operacioneve ushtarake kombetare, politike, diplomatike, ekonomike etj., duke mbrojtur sekretet si të burimeve ashtu edhe të aktiviteteve të tyre dhe të agjensive të tjera shtetërore dhe mund të veprojnë fshehurazi për të ndikuar në rezultatin e ngjarjeve në të mirën e popujve dhe të intersit kombetar.
Dallimi në mes shërbimeve sekrete që veprojnë në botë (apo shërbimeve sekrete që vepruan në botën komuniste, siç ishin KGB-ja ruse, UDB-ja jugosllave, SIGURITATTE rumune e Çausheskut, apo edhe Sigurimi komunist i Tiranës, nuk do mend, se me zhvillimet e reja, me ardhjen e demokracisë, shërbimet sot kanë dallime me ato të hershmet sikur nata me ditë. Sidomos nga aspekti i veprimeve me kompetenca profesioniste dhe humane, me të gjitha normat dhe standardet e drejtësisë njerëzore, kur dihet se dikur, shërbimet e shteteve komuniste, ishin xhelatë dhe hije të netëve të thikave të gjata ndaj popullit të vet që ua futnin tmerret në asht, ose masakruan e dëbuan me miliona njerëz nëpër kazamate burgjesh, apo siç bëri KGB-ja duke i çuar në pakthim në Siberi…
Çdo shtet serioz në botë ka shërbimet e veta sekrete, në rradhët e të cilve rekruton njerëz të zgjedhur, psikofizikisht të shëndosh dhe inteligjent, i trajnon ata, i paguan dhe u garanton shumë privilegje, me qëllim stimulimi për të kryer punën e tyre si zyrtar në mënyrë sa më perfekte.
***
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër zona ushtarake, franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike, po ashtu edhe qyteti i Berlinit. Nga viti 1945 deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz shkuan nga Gjermania Lindore dhe Berlini Lindor në perëndim. Muri u ndërtua për të ndalur largimin e gjermano-lindorëve, duke u bërë kështu katraurë dhe simboli i mungesës së lirisë së tyre.
Lufta mes superfuqive botërore gjatë gjithë atyre viteve zhvillohej nëpërmes shërbimeve sekrete inteligjente më të famshmet siç ishin KGB e Bashkimit Sovjetik, CIA amerikane dhe ajo angleze etj., bashkë me aleatët e tyre të asaj kohe.
Kjo luftë speciale e shërbimeve arritën kulminacionin gjatë Luftës së Ftohë, por që humbi peshën e vet, pas fjalimit historik që e mbajti në Berlin të Gjermanisë presidenti i SHBA-së Regan.
Regani e vizitoi Berlinin dhe i tha Gorbaçovit: ‘Hiqeni z. Gorbaçov, shembeni këtë mur! Ju zoti Sekretar i Përgjithshëm Gorbachov, nëse synoni paqen dhe begatinë për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse synon liberalizimin, eja tek kjo portë, hape këtë dhe shëmbe këtë mur’- i tha Regani amerikan.
Në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, Muri prej 155 kilomerash rreth enklavës demokratike të Berlinit Perëndimor u hap. Kufiri mes Gjermanisë Lindore dhe asaj Perëndimore, ku tanket e Traktatit të Varshavës dhe NATO-s qëndruan përballë njeri tjetrit për dekada me radhë, humbi kuptimin ashtu si dhe shteti socialist i Gjermanisë.
Prej atij momenti që u rrëzua muri i Berlinit u shembën në themel edhe KGB-ja, UDB-ja, Sigurimi, Siguritatte, ajo bullgare etj., dhe të gjitha shërbimet e shteteve komuniste në Evropë që ishin instrumenti më i rrezikshëm për vetë popujt që jetonin në obrellën e atyre sistemeve në emër të cilëve ishin ngritur.
Shumica e kuadrove të afta, të stërvitura dhe të pastërta pranuan rregullat e lojës demokratike dhe vazhduan të japin kontributin e tyre në demokratizimin e shteteve të tyre, duke kryer punën me nderë dhe respekt siç i ka hije një zyrtari të lartë e të rregullt të atij shërbimi inteligjent. Por, mjerisht, pati edhe të atillë që ishin të dëshmuar si gjakpirës në ato shërbime dhe mbetën të tillë, edhepse në shpejtësi pas ramjes së sistemit u organizuan në grupe klanore për qëllime dhe interese të ngushta kriminale, për t’u pasuruar dhe për të vazhduar të ruajnë ndikimin e tyre në krye të çdo partie apo pushteti. Të tillët në klimën e demokracisë duke u fërkuar nëpër gjysmëterr, duke nuhatur anët e njëra-tjetrës apo mbajtjen e krahut të njëri-tietrit, herë me platformat e tyre, dëshirat dhe intereset, ofrohen dhe forcohen më tepër se sa duhet, dhe shtinë në dorë një pjesë të jetës publike, të diplomacisë, të shërbimeve të fshehta e sidomos të ekonomisë, ku jetojnë, që synojnë korrupsionin, shantazhet, dallaveret dhe arritën të sigurojnë benifite, marrëveshje të heshtura mes partishë apo krerësh partiak. Duke krijuar midis të dy krahëve të politikës së përditshme afatgjate ose afatshkurtër, për të mos prekur dhe zbuluar ish-agjentët e fshehtë, disa prej tyre akomba mbeten të maskuar sipas teorisë së konspiracionit udbashian, ose të mbajnë në analet e tyre konspiracionin e thellë, që do të thotë që secila palë kanë pas ose kanë pjesën e vet në këtë thesar të zi, të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mua personalisht rrënimi i atij sistemi më gjeti brenda mureve të rrethuara të burgut si i dënuar me një proces fund e krye të montuar, në saje të akuzave të imagjinuara prej gënjeshtrash dhe në baza nacionale, me siguri për shkak të qëndrimeve të mia strikte si njeri që i takoja popullit tim Shqiptar.
Gjatë punës time prej ca vitesh në atë shërbim, shpejt erdha në konflikte të heshtura dhe të rrezikshme, duke u përplasur me bylykbashët ku kishin foletë e tyre në zyrat e atij Shërbimi famoz, u zhgënjeva, e paguajta shtrejtë dhe u flijova si viktimë i një shovenizmi të tërbuar antishqiptar nga ajo nëntokë kriminale që ishin Shtet mbi Shtet, forcë mbi forcë dhe pas këthimit tim nga SHBA ku isha arratisur, fill me nisjen e demonstratave në Kosovë më 1981, kurdisën akuza të trilluara dhe me ,,dëshmitarë,, të manipuluar më nxorrën para kordonit të pushkatimit.
Ishte projekt i tyre anti shqiptare!
Andaj, edhe po shkruaj këtë Deklaratë – Testament, duke kërkuar falje publikisht nga populli im, vetëm nga fakti pse isha ca vite në rininë time si zyrtar i Shërbimit – UDB, jo se kam bërë ndonjë ,,krim,, jo se kam bërë ndonjë të keqe njeriut, në ato rrethana. Por, mendja ma thotë se duhet të jem shembull, sidomos për ata të cilët e kanë ndërgjegjen e rënduar. Ata të cilët akoma heshtin edhe pse ishin të mishëruar me politikën anti-shqiptare (e ndoshta janë edhe sot), orvaten deri në fund të jetës së tyre të bëjnë jarani dhe miqsi pikërisht me bylikbashët më anti-shqiptar dhe vazhdojnë edhe më tej si ,,udbashë,, apo ,,kodosha,, e ,,spiunë,, pa ju lëkundur as një qime, edhe pse u lëkundën interesat e mbarë kombit shqiptar nga themelet, le të marrin guximin dhe hapur para popullit, miqve dhe familjarëve të tyre le ta thonë të vërtetën, se vetëm ajo është njerëzore, vetëm ai akt do të jetë i pranueshëm edhe nga njerëzit edhe nga Perëndia, e jo me heshtjen e tyre edhe të bëmat mënxyra nga më të ndryshmet, duke u munduar në mënyra më tinëzare të tyre t’i fshehin apo t’i marrin me vete në varr. Qofshin persona të kategorive të ndryshme, sepse UDB-a nuk kursente, siç përmenda më lartë, qofshin hoxhallarë apo priftërinj, profesora, politikanë partishë, apo lider grupesh, postjerë e akademika etj.
Unë nuk dua kurrë t’i amnistoj kriminelët, keqbërësit në shoqëri as në pushtet
Duke përcjell qe sa vite e vite aktivitetet politike dhe ceremonitë e ndryshme në mediat e ndryshme, në tv dhe masmediat e shkruara, me vjen për të vjellur kur shof shumë figura spiunesh e maskarenjësh që vishen me petkun e patriotit, ose mundohen të mbajnë në dorë Flamurin e patriotizmit (sidomos prej pas luftës në Kosovë të vitit 2001, mundohen herë duke e sharë e urryer të tjerët dhe herë duke ju futur në koqe ndonjë ,,lideri,, maskara, përreth me bashkëluftëtarët nga Kosova, Maqedonia ose edhe Shqipëria, kinse edhe këta janë patriotë, e që në fakt mbeten të dështuar dhe kanë një begraund krimi që mbajnë me vete.
Patriotët e vërtetë dhe familjet patriotike të vuajtur dhe të viktimizuar vulën e patriotizmit të tyre të denjë e kanë në sirtaret e arhivave të shërbimeve selrete, që plane dhe derdheshin miliona e mijëra dollarë për likfidimin e çdo koke patriotike që vepronte brenda vendit dhe në diasporën e largët, qoftë edhe në SHBA nga radhët e lobit Shqiptaro-amerikanë. Por edhe spiunët tradhtar të kombit, duket se janë peng i arkivave dhe dokumentacionit të shkruar dhe të incizuar apo fotografimi i tyre me familjen e Adem Jasharit dhe formave të ndryshme të korelacionit të komunikimit, jam i bindur se mbahen hermitikisht të mbyllura në Beograd. Nga ato baza dhe marrëdhënie disa persona ose grupi i tyre janë ngritur nëpër pozita të larta partiake, shtetërore dhe politike sidomos në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, edhe gjatë kohës së tranzicionit kanë qenë të qëllimshme dhe për interesa kriminale të bëmat e tyre, dhe populli me të drejtë nuk i fal, sepse koha dhe populli gjykojnë drejtë për tradhti kombëtare dhe fetare, bile ka edhe nga ata të cilët me metodën e ,,urrithit,, vazhduan t’i keqpërdorin njohuritë e thella të fituara nga ato shërbime sekrete kundër popullit të vet në trojet shqiptare.
Prandaj që në fillim e ceka se me këtë deklaratë-testament kam për qëllim vetëdijësimin e rinisë shqiptare, që të kupton rëndësinë e mirëfillt të çështjes dhe të angazhohet, për studime të thella të shkollave speciale në ngritjen profesionale që u takon dhe për ecjen e tyre të guximshme në rradhët e shërbimeve sekrete, duke u punsuar në to për interese dhe kauzë kombetare.
Sepse, unë nga mbeturinat e UDB-së, gjatë atyre viteve kam parë vetëm ndëshkime dhe viktima dhe shumë pak heroizëm ose patriotizëm. Sepse ishin lojëra të flliqura spiunimi dhe agjenture të propagandës që luhej mbi kurizin e rinisë dhe në përgjithësi të popullit shqiptarë.
Viktimat e drogës, viktimat e patriotizmit vend e pa vend, viktimat e larjes së trunit me bindje fetare, viktimat e bajraktarizmit në fshatra, në lagje të qyteteve, viktimat e politikës për të siguruar vota e kulltuqe, si dhe shumë e shumë lloje të viktimizimeve, për mua si njohës i thellë i atyre fenomeneve dhe lojrave të ndyra të ish UDB-së mbetemi edhe kështu siç jemi, viktimë me përmasa të Ballkanit, vetëm nga fakti i mos njohjes dhe mos pasjes së kuadrove profesioniste cilësore dhe me pergjegjsi në institucionet e shtetetit. Ose edhe për mungesë të vetëdijes sonë shqiptare si në aspektin individual njashtu edhe në atë kolektiv, për t’u përballuar me këto fenomene jetike për një popull tejet të vuajtur.
Më vjen keq që Shqiptarëve po ju përsëritet historia e kohës. Kur unë isha i punësuar në radhët e UDB-s kur vetë ai Shërbim famoz përgatiste kuadro dhe rrjete infomatorësh dhe duke rekrutuar nga radhët e arsimit, kulturës, si mesuesit, gazetarët, profesorët, hoxhallarët, mjekët, biznismenët, tregëtarët, fajdexhitë, sidomos ata që ndërgjegjen e kishin të rrënduar, apo ishin individë të karierizmit ose të kapur në punët e pista brenda familjes ose rrethit ku jetonte. Duke i përdorur si masha të ndryshkura që e spiunonin vëllaun, familjen apo bashkëqytetarin e kombit të vet, që në shumicën e rasteve e bënin vullnetarisht pa pagesë, nga mendje madhësia ose mendje lehtësia, nga karierizmi, bajraktarllëku dhe kapadaillëku i shëmtuar me një revole ,,vallter,, ose ,,parabell,, në brez dhe disa lek në xhep. Bënin jetë injorantësh, siç kemi plot shembuj edhe në Çegran dhe gjetiu në trojet shqiptare, sidomos në Kosovë.
Prandaj me këtë letër publike dua t’ua bëj me dije rinisë dhe gjeneratave të reja Shqiptare se personi zyrtar i shkolluar, i trajnuar mirë dhe që posedon vlera morale e njerëzore, si i punësuar zyrtar në shërbimet sekrete dallon dhe është ndryshe nga ,,spiuni,, ose ,,kodoshi,, për të cilët kategori kam shkruar edhe herë të tjera.
Andaj ju bëj APEL gjithë brezave të rinj, që të ecni në shtigjet e arsimit dhe dijes dhe mos mbeteni pre e rrugëve kryqe në meridianet e botës duke kërkuar fatin në gurbetin e zi. Por, krahas saj, u bëj thirrje gjeneratës më të vjetër, posaçërisht gjithë atyre zyrtarëve të ish UDB-së jugosllave si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, të marrin guximin burërror dhe të dalin dhe të shkruajnë publikisht, për të mirën e popullit dhe Kombit, për mirëqënien e brezave që vijnë, sepse vetëm kështu mund t’a kenë ndëgjegjen të qetë dhe të pastër, dhe mëkatet mos i marrin me vete në varr.
Ish zyrtarët operativ që nuk janë fëlliqur gjatë viteve të rrënuara, janë të vetmit që dinë lojërat të cilat nëntoka kriminale udbashiane i ka zhvilluar mbi kuriz të popullit dhe është koha që të flasin hapur dhe drejtë, duke ua mbyllur gojën ish spiunëve të cilët ende, edhe pas 30 viteve mundohen ta shesin veten për burra të mirë, ,,patriot e humanistë,, fetarë të ,,devotshëm,, duke mos lënë maskë pa e përdorur për ta mbuluar krimin dhe të keqen e të kaluarës së tyre të zymtë… Prandaj, po them se ka pas edhe njerëz të denj, operativ dhe njohës të mirë të rregullave dhe sjelljeve humane në rradhët e atyre shërbimeve, por, njëkohësisht, duke mos i kursye ata që ishin me veti e karakteristika fallco, qofshin të përfshirë në ato anale edhe klerikë të ,,devotshëm,, që deri dje ishin spiunë të neveritshëm, e që i njoh me emra dhe mbiemra.
Oficerët e shërbimit sekret të ish UDB-s /SDB/ dhe KOS, në vite e dekada kanë vazhduar të udhëhiqur nga ish spiunët dhe bashkëpuntorët e fshehur që i mban peng për krimet e tyre ndaj popullit të vet duke i mveshur me petkun e ,,patriotëve të medhej,, ose si fetarë të mirë dhe kombëtar, e që në fakt, pjesë e jetës së tyre kanë qenë dallaveret, intrigat, shpifjet, keqpërdorimet etj. Dhe duke u orvatur në mënyra të ndryshme, kanë kontrolluar familje të tëra, madje duke zhvilluar edhe rrjete klanesh, organizata e institucione që për çdo ditë nga rinia shqiptare prodhojnë kriminel të rinjë dhe mbushin burgjet me fatprerë, duke i futur edhe në kurthat e drogës, prostitucionit, parave të pista, dhe organizatave djallzore në emër të bamirësisë të përfshirë këtu edhe qarqe të OJQ, që më në fund rezultojnë me vrasje dhe atentate, plaçkitje në mes rrugës, në shtëpi e ku do qoftë.
Kjo vlenë për të gjithë, ata spiunë që kanë shërbyer vullnetarisht, qofshin edhe politikanë, njerëz të arsimit, hoxhallarët, profesorët, mjekët, biznismenët, tregëtarët, fajdexhitë, siç kam cekur edhe më lartë, ua them troç atyre që brenda shpirtit kanë pas (ose ende kanë) ndjenjën e smirës, intrigës, dallavereve, xhelozisë negative, hakmarrjes, dhunës, krimit, hiles etj., ndaj të tjerëve, është ves dhe veti e keqe…
Mjaftë jeni fshehur prapa ftyrës dhe famë të rrejshme, mashtruese, se Zoti din gjithçka dhe fal, por populli i cili nuk din asgjë çka ndodh pas shpinës, por një herë kur do ta kupton të vërtetën ai nuk të fal asnjëherë.
Ju përkulem dhe kam respekt vetëm ndaj atyre hoxhallarëve të paktë, ose njerëzve të arsimit që me dinjitet mbajtë ditarin në dorë dhe nxorën gjenerata, për ata të cilët i qëndruan besnik fjalës së dijes dhe Zotit. Atyre intelektualëve që me dijen dhe pendën e tyre e përkrahën vetëm të drejtën dhe të vërtetën e hyjnishme dhe qëndruan në ballë kundër rrebesheve të kohëve të vështira, qëndruan në anën e popullit.
Prandaj, unë edhe shkruaj me ndërgjegje të pastër këtë Deklaratë – Testament, Amanet për interese kombëtare e njerëzore, shkruaj si njeri i drejtë, si shqiptar me dinjitet dhe krenari që të kontribuoj për të vërtetën dhe humanizmin në përgjithësi.
Dhe, në fund fare!
Kur të vdes mos bëni vaje dhe mos më qani.
Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Fundja vdes çdo krijesë e gjallë që e ka fal Perëndia. Njeriu është si pema, mbinë rritet e zhvillohet madje edhe vdes, thahet kur t’i vjen koha!
Nuk dua të mërzit njeri, kur të vdes, sepse vetë jeta është e vështirë për çdo kend. Sikush ka hallet e veta.
Varrimi është një akt njerëzor dhe sipas traditës dhe fesë që i përkas. Ashtu më varrosni si gjithë të tjerët. Vetëm hoxha mund të thotë ndonjë fjalë për jetën dhe rritën time, nëse mendon se ka nevojë… Dua vetëm një shkrim mbi varr, që do ua lë amanet me dorën time: Ju që shikoni epitafin tim, mos pandeni se një ditë edhe ju do të vini këtu! Nuk dua lëvdata e epitafe shkrimtarësh ose për vuajtjet e mia në burgjet komuniste!
Të gjithë ju, fëmijët e mi, nipëri e mbesa, stërnipëri e breza që vini pas meje, ua lë porosi: Të mishroheni me të vërtetën dhe drejtësinë, kur është në pyetje e vërteta, mos përkrahni as vëllaun as motrën, as gjakun as fisin por thjeshtë VETËM TË VËRTETË e shejtë njerëzore që e di Zoti. Ta duani Atdheun, Tokën mëmë që u lindi, vendin dhe gjuhën tonë ta duani me shpirt e zemër gjerë në vuajtje. Sepse Atdheu është i shejtë që e lind dhe jeton njeriu…!
Kjo është Deklarata ime! Amaneti dhe Testamenti im!
Amin!
Çegran, 27.12.2019
Nafi Çegrani , d.v.