PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: TERRORI SHTETËROR I PANDALUR NDAJ SHQIPTARËVE NË MAQEDONI (FOTO+VIDEO)

Tetovë, 6. 12. 2016: Arsyeja e nëntëmbëdhjetë pse duhet të protestohet në ditën e zgjedhjeve parlamentare në Maqedonia, më 11 dhjetor 2016, është: TERRORI SHTETËROR I PANDALUR NDAJ SHQIPTARËVE NË MAQEDONI. 

Në Maqedoni shumë herë është dëshmuar se nuk respektohet kushtetuta, nuk funksionon ligji, se organet e pushtetit, sidomos ato të pushtetit gjyqësor që janë në vartësi të plotë nga politika, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi as ka dhënë llogari për tejkalimin e kompetencave, për dhunën e ushtruar mbi qytetarët, për vrasjet me motive politike, dhunën, krimet dhe torturat, sidomos kur ato janë kryer mbi qytetarët për motive politike.
Asnjë rast i vrasjeve, likuidimi me prapavijë politike, në jetën e lirë ose gjatë vuajtjes së dënimit nëpër burgje, që nga pavarësimi i këtij shteti e deri më sot, nuk është hetuar hollësisht nga organet gjyqësore dhe të hetuesisë, as ka marrë epilogun e duhur sipas procedurave të parapara ligjore, të parapara edhe me konventat ndërkombëtare.

Përveç dhunës, torturave dhe cenimit të integritetit fizik të qytetarëve në rastet individuale, këto janë përdorur pandërprerë edhe mbi familje të tëra, grupe njerëzish, vendbanime të tëra, siç janë rastet e përmendura në vazhdim:
1. Rasti i Bit Pazarit, me pretekst të tregtisë së palejueshme me cigareve nga qytetarët e papunë, më 1992, ku humbën jetën tre shqiptarë;
2. Rasti i tragjedisë në Shkup, më 1993, me rrëzimin e aeroplanit të kompanisë ,,Avioimpex”, dhe më vonë rrëzimi i aeroplanit tjetër në Ohër, kryesisht me pasagjerë shqiptarë, që shkaktuan 194 viktima, raste të montuara nga ,,dora e fshehtë”. Dyshimet çojnë në këtë të përfundim meqë shumë herë në protestat e organizuara më vonë nga grupe nacionaliste maqedonase është dëgjuar slogani: ,,Vdekje shqiptarëve!”, ,,Dhoma gazi për shqiptarët!”, ,,Avioimpex për shqiptarët!”;
3. Rasti i ,,Aferës së e armëve”, me disa të likuiduar dhe të burgosur;
4. Rasti i intervenimit të njësive speciale policore në shkollën fillore të Shipkovicës, për shkak të mbajtjes së administratës dhe evidencës pedagogjike në gjuhën shqipe nga arsimtarët e kësaj shkolle dhe disa shkollave të tjera;
5. Rasti i Ladorishtit;
6. Rasti i Haraqinës, për vjedhjen e një sasie të madhe të drogës nga trezorët e MPB-së dhe raste të tjera;
7. Rasti Reçicës së Vogël, në themelimin e Universitetit të Tetovës, me një viktimë, dhjetëra të plagosur e të burgosur;
8. Rasti i Gostivarit, për ngritjen e flamurit kombëtar, me 3 viktima, dhjetëra të plagosur, si dhe burgosjen e udhëheqësve të Komunës së Gostivarit dhe të Komunës së Tetovës;
9. Rasti i masakrës në Luboten të Shkupit, me motiv hakmarrje ndaj qytetarëve të pafajshëm, kinse për strehimin e ushtarëve kryengritës shqiptarë, në vitin 2001;
10. Rasti i Kondovës;
11. Rasti i Sopotit;
12. Rasti i Radushës;
13. Rasti i Gjorçe Petrovit (Andriovës), me reprezalje ndaj qytetarëve, dhunë dhe djegie të pronave të shqiptarëve në këtë komunën të Shkupit;
14. Rasti i Radishanit, i dhunës së ushtruar mbi familjet e pambrojtura shqiptare, me pretekst të shpërnguljes së tyre;
15. Rasti i Brodecit, me shumë viktima, të plagosur dhe të burgosur, me një seri vrasjesh enigmatike të mëvonshme;
16. Rasti i Radushës, i likuidimit monstruoz të disa veprimtarëve politik;
17. Rasti i Liqenit të Smilkovcit, i ashtuquajtur procesi ,,Monstra”, i montuar në ditën e festës më të madhe fetare sllave;
18. Rasti i Kumanovë, më 9 dhe 10 maj 2015, me dhjetëra të vrarë, të plagosur dhe të burgosur; etj…
Këto janë rastet më të rënda të cenimit të integritetit fizik dhe shkeljes së dinjitetit njerëzor dhe kombëtar të shqiptarëve nga forcat policore, njësitë speciale dhe organet e sigurimit të fshehtë shtetëror të Maqedonisë.
Shqiptarëve të Maqedonisë këto ekspedita ndëshkuese u kushtuan me qindra jetë njerëzish, të plagosur e sakatuar, të dënuar me mijëra vjet burgje, si dhe me pasoja të rënda materiale e trauma shpirtërore.
Nga rasti i parë deri në të fundit, në një hark kohor prej afër njëzet vjetësh, në asnjë rrethanë nuk është dashur që ato të përfundojnë në mënyrë kaq tragjike, me vrasje, plagosje, burgosje dhe dënime të shumë shqiptarëve, pa argumente dhe prova të mjaftueshme nga organet e hetuesisë dhe gjykatat e vendit, sikur faktori politik shqiptar të ishte më vigjilent dhe më i përgjegjshëm në parandalimin e këtyre rasteve, si dhe në menaxhimin e situatave të krijuara më vonë.
Janë me dhjetëra raste të këtilla të intervenimit brutal të policisë maqedonase mbi popullatën e pambrojtur shqiptare, të cilat nuk kanë pasur asnjë arsye të ndodhin, duke marrë parasysh faktin se pjesëmarrësit e përfshirë në këto raste nuk kanë pasur asnjë mbështetje ose motivim prej ndonjë qendre, subjekti ose lëvizje politike në interes të kauzës shqiptare.
Atëherë shtrohet pyetja: Pse u ndërmorën gjithë këto ekspedita vrastare nga policia dhe ushtria maqedonase mbi shqiptarët, kur dihet se partitë politike të shqiptarëve përherë kanë qenë në pushtet, në parlament, qeveri, ministri dhe organe të tjera, të cilat janë të obliguara me kushtetutë dhe ligj t’i zgjidhin të gjitha problemet, konfliktet dhe mosmarrëveshjet mes qytetarëve dhe bashkësive etnike, si dhe kontestet e hapura mes qytetarëve dhe organeve të pushtetit?
Kudo në botë ushtria dhe policia shërbejnë për ruajtjen e rendit shoqëror dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa në Maqedoni, sidomos ndaj shqiptarëve, ushtria, policia dhe organet e sigurimit shtetëror shpeshherë janë shndërruar në instrumente të politikës ditore për demonstrimin e dhunës dhe ushtrimin e terrorit mbi qytetarët e vendit të vet!
Faktori politik shqiptar në Maqedoni, por edhe forcat tjera përparimtare, përveç mbrojtjes së vlerave demokratike dhe përparimit të vendit, e kanë për detyrë edhe mbrojtjen e qytetarëve nga represioni i organeve të pushtetit, kur ato i tejkalojnë kompetencat e veta, pa dallim të përkatësisë etnike dhe fetare, sidomos mbrojtjen e popullit që i mbështet dhe voton, e jo të bëhen bashkëpjesëmarrës të dhunës dhe krimeve ndaj tij.
(6.XII.2016)

Gostivari 1997

Brodeci, Ushtaret Maqedonas – KorcaJone.net

Maqedoni, zbulohet video e operacionit “Monstra”

Maqedoni, shqiptarët protestojnë, në Tetovë perleshje- RTV Ora News- Lajmi i fundit
……………………………………………………………………..

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura