NDIKIMI I KISHAVE ORTODOKSE “SERBE” NЁ KOSOVЁ …

Ndikimi i Kishave Ortodokse në Kosovë: Sfida për Sigurinë dhe Sovranitetin e Shtetit

Nga Adnan Qaka

Në Kosovë, kishat ortodokse të komunitetit serb, të cilat në mënyrë të padrejtë janë cilësuar si “Kisha Ortodokse Serbe” përmes Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kanë ruajtur një rol që shkon përtej funksionit të tyre fetar tradicional. Këto struktura fetare, përmes një statusi të privilegjuar ligjor dhe mbështetjes ndërkombëtare, kanë arritur të ushtrojnë ndikim të theksuar politik, kulturor dhe strategjik, shpeshherë në kundërshtim me parimet e sovranitetit dhe integritetit shtetëror të Kosovës.

Në praktikë, këto institucione kanë funksionuar si instrumente të politikës shtetërore të Serbisë, duke vepruar jo vetëm si qendra fetare, por edhe si mekanizma të ndikimit dhe kontrollit politik në territorin e Kosovës. Përmes financimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi, ato kanë fituar një autonomi de facto, që u mundëson të operojnë jashtë juridiksionit të plotë të institucioneve të Kosovës. Kjo ka krijuar një vakum institucional, ku mungesa e kontrollit financiar, administrativ dhe arsimor-fetar ka lejuar që këto struktura të veprojnë pa transparencë dhe pa përgjegjësi ndaj shtetit të Kosovës.

Historia e konfliktit në vitet 1998 – 1999 dëshmon se  këto struktura fetare janë përfshirë drejtpërdrejt në krimet e gjenocidit serb në Kosovë. Ekzistojnë dëshmi të shumta se manastiret dhe kishat ortodokse janë përdorur si qendra operative, logjistike dhe strehimore për forcat e armatosura serbe, të cilat kanë kryer krime të rënda kundër popullsisë shqiptare, përfshirë vrasje, dhunime, deportime dhe shkatërrime sistematike. Kështu, roli i Kishës ortodokse nuk ka qenë neutral apo shpirtëror, por pjesë integrale e strukturës së aparatit shtetëror serb që zbatoi politika të spastrimit etnik dhe të gjenocidit.

Pas përfundimit të luftës, mungesa e një strategjie të qëndrueshme të institucioneve të Kosovës për mbikëqyrjen e aktiviteteve të Kishave Ortodokse të serbëve në Kosovë ka krijuar një terren të përshtatshëm për vazhdimin e ndikimit politik dhe ideologjik serb përmes këtyre strukturave. Mbrojtja e tyre përmes dispozitave të veçanta të Pakos së Ahtisaarit, si dhe garancitë ndërkombëtare, kanë kontribuar që këto kisha të mbeten jashtë kontrollit të brendshëm shtetëror, duke u shndërruar në vatra të ndikimit paralel dhe të destabilizimit të mundshëm shoqëror.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme që institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin një rishikim të plotë të statusit ligjor dhe ndërkombëtar të Kishave Ortodokse, duke vendosur mekanizma të qartë dhe të rreptë të mbikëqyrjes financiare, administrative dhe arsimore. Duhet të sigurohet që asnjë strukturë fetare të mos veprojë si aktor politik apo instrument i ndikimit të huaj, por të funksionojë në përputhje me ligjet dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

 Roli i të ashtuquajturave Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë nuk mund të reduktohet në një dimension fetar. Ai përbën një çështje të sigurisë kombëtare dhe sovranitetit shtetëror. Pa një qasje institucionale të qëndrueshme dhe të vendosur, ekziston rreziku që këto struktura të vazhdojnë të minojnë integritetin territorial, të nxisin tensione etnike dhe të rrezikojnë stabilitetin afatgjatë të Republikës së Kosovës.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura