NË KORRIK 1981 IBRAHIM KELMENDI INFORMON DIPLOMATËT SHQIPTAR NË PARIS, SE, PO PUNON AKTIVISHT NË FORMIMIN E PARTISË KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE TË KOSOVËS!

Gjurmë historike

Bashkëpunimi i Ibrahim Kelmendit me Diplomatët Shqiptarë në Paris

Më datë 29 shkurt 2024 studiuesi i historisë, Fatmir Z.Arifi në rrjetin  facebook, ka publikuar një Dokument të arkivuar në Arkivin Qendror Shtetëror, nga drejtoria e IV-të e Sigurimit të Shtetit Shqiptar ”INFORMACION mbi një takim me kosovarin Ibrahim Kelmendi”. Më 1 mars 2024 Ibrahim Kelmendi ka bërë një reagim me titull: “VDEKJE” ARKIVAVE! Në reagim shkruan: ”Fillimisht do të kisha dëshiruar të mos ekzistonte ky raportim që e kanë bërë diplomatët Kujtim Hysenaj (*) dhe Idajet Hoxha (**), sepse ma paskan arkivuar një copë naiviteti të kohës, edhe pse si e paskëshin formuluar ata, nuk duhet të kem fol, meqë unë flisja e flas me gjuhë maloku. E dyta, le të mbetet në kompetencë profesionale, nëse do të duhej ta publikonte Historiani Fatmir Z. Arifi këtë raportim.”

Nga Sheradin Berisha, 22 prill 2024

NË KORRIK 1981 IBRAHIM KELMENDI INFORMON DIPLOMATËT SHQIPTAR NË PARIS, SE, PO PUNON AKTIVISHT NË FORMIMIN E PARTISË KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE TË KOSOVËS!

Rrjedhimisht bashkimi personal i Ibrahim Kelmendit në OMLK ka ndodhur natyrshëm për shkak të pikëpamjeve ideologjike komuniste që mbretëronin atëkohë.

Në verën e vitit 1981, pas përfundimit të demonstratave që u organizuan në perëndim, (11 prill – 14 1981), për shkak të rrethanave të kohës, Ibrahim Kelmendi bashkë me udhëheqësin e OMLK-së, Kadri Zekën, u angazhua për formimin e Partisë Komuniste Marksiste – Leniniste të Kosovës, detyrë kjo që dilte edhe nga “Tezat e Frontit Popullor për Republikën e Kosovës”, që u hartua nga Komiteti Drejtues i OMLK-së në Kosovë në maj 1981..

Për angazhimin konkret të Ibrahim Kelmendit për formimin e Partisë Komuniste Marksiste – Leniniste të Kosovës (PKMLK), flet shumë qartë ky Dokument i arkivuar në drejtorinë IV të Shërbimit të Sigurimit të Shtetit Shqiptar.

Në dokumentin e kësaj drejtorie, me titull: “Informacion, mbi një takim me kosovarin Ibrahim Kelmendi” të përpiluar e nënshkruar më 17 korrik 1981 nga diplomatët e ambasadës shqiptare në Paris, Kujtim Hysenaj dhe Idajet Hoxha, bëhet fjalë për takimet që kanë zhvilluar ata me Ibrahim Kelmendin, më datë 8 e 9 korrik 1981. Ky takim siç thuhet në dokument, u zhvillua jashtë selisë së ambasadës (në një lokal të Parisit), me kërkesë të Ibrahimit, nëpërmjet Mehmet Kastratit me banim në Bruksel. Në ditën e parë të takimit me Kujtimin dhe Idajetin ishte i pranishëm edhe Mehmet Kastrati, ndërsa në ditën e dytë Ibrahimi ka kërkuar që takimin ta zhvilloi vetën, pa praninë e Mehmetit.

Ibrahim Kelmendi, më 9 korrik 1981, gjatë bisedës ata i ka njoftuar për veprimtarinë e ”Frontit të Kuq Popullor”, ”Levizjen Nacionalçlirimtare” dhe “Lirinë” (Organizatën Marksist – Leniniste të Kosovës – OMLK). Ndërkaq në bisedë e sipër diplomatët e lartpërmendur i ka informuar gjatë edhe për domosdoshmërinë e formimit të Partisë Komuniste Marksiste – Leniniste (m -l) të Kosovës.

“Fronti i Kuq Popullor” dhe ”Liria” jane ne unitet mendimi. Nderkohe, “Levizja nacionaçlirimtare” mban pak distance, jo pse ka gje kunder nesh, por se kane mendimin se eshte e panevojshme qe te krijohet nje parti ne Kosove kur ne e kemi Partine e Punes ne Tirane.” kështu ai iu thotë ndër të tjera diplomatëve të ambasadës shqiptare në Paris.

Lidhur më këtë çështje, në faqen 2 të këtij dokumenti, Kujtim Hysenaj dhe Idajet Hoxha shkruajnë:

“Gjatë bisedes, Ibrahimi u ndal disa here ne çështjen e formimit te nje partie komuniste m-l ne Kosove. Jepte keto argumenta:

Ne kushtet kur levizja brenda ne Kosove po orientohet drejt nje lufte gueriljesh qe do te çoje pastaj ne lufte partizane dhe kur ne Evrope klasa punetore kosovare po organizohet ne forma te ndryshme per te arritur çlirimin kombetar te Kosoves dhe realizimin e endrres te bashkimit me Shqiperine, nder shume komuniste ka lindur mendimi se eshte e domosdoshme qe te krijohet nje parti komuniste marksiste-leniniste per ta udhehequr kete lufte. Jemi te ndergjegjshem se na presin beteja te reja edhe me te veshtira prandaj duhet t’i kalitim njerezit tane dhe partine, t’i brumosim ata dhe t’i bejme te ndergjegjshem per luften tone. Ne jemi te ndergjegjshem se bashkimin e popullit tone ne lufte nuk mund ta beje askush tjeter veç nje partie marksist-leniniste. Siç doli edhe nga biseda, Ibrahimi po punon aktivisht ne kete drejtim. Ai na tha: (…)

”Fronti i Kuq Popullor” dhe ”Liria” jane ne unitet mendimi. Nderkohe, “Levizja nacionaçlirimtare” mban pak distance, jo pse ka gje kunder nesh, por se kane mendimin se eshte e panevojshme qe te krijohet nje parti ne Kosove kur ne e kemi Partine e Punes ne Tirane. Per, rrjedhim, arsyetojne ata, per ne nuk mund te kete dy parti shqiptare.”

  • Ibrahim Kelmendi dhe Abdullah Prapashtica

ABDULLAH PRAPASHTICA: LIDHJA KOMUNISTE E RSSHJ-së ËSHTË PARTI KOMUNISTE MARKSISTE – LENINISTE DHE ROLI I SAJ ËSHTË PRIS IDEOR I KLASËS PUNËTORE DHE POPULLIT SHQIPTAR NË RSFJ, ËSHTË PJESË PËRBËRËSE E LKJ-së …”

Ashtu siç i ka informuar Ibrahim Kelmendi diplomatët shqiptarë në Paris, më 9 korrik 1981, se në Gjermani në verën e vitit 1981 po angazhoheshin për formimin e “Partisë Komuniste Marksiste – Leniniste të Kosovës” – PKMLK, në Kosovë (të paktën nga viti 1978) vepronte një “Parti Komuniste Marksiste – Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi” (PKMLSHJ) në krye me ish punëtorin Operativ të Sigurimit Jugosllavë (me akronimin UDB), Abdullah Prapashticën, Osman Osmanin dhe Faton Topallin. Madje ngjashëm si Ibrahim Kelmendi edhe kjo parti (siç thonë drejtuesit e saj) në Kosovë kanë bërë përpjekje për bashkimin e të gjitha organizatave të fshehta (ilegale) me ideologji të asaj kohe, por nuk kanë pasur sukses, për shkak të rrethanave të rënda që u krijuan pas demonstratave të pranverës 1981. Dhe këtë synim për bashkim drejtuesit e kësaj partie thonë se (nga nëntori 1981) e kanë vazhduar në Turqi me kryesuesin e “Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ), Sabri Novosella, dhe pas disa takimeve (me ndërmjetësimin e diplomatit shqiptar në Ambasadën e RPSSH në Turqi, z. Bujar Hoxha), më 17 shkurt 1982 arrihet bashkimi: LNÇKVSHJ + PKMLSHJ në LRSHJ.

Ish shefi i PKMLSHJ-së, Abdullah Prapashtica, tashmë njëri nga udhëheqësit e LRSHJ-së (në fillet saj), duke u bazuar në pikën 2 të dokumentit të bashkimit të 17 shkurtit 1982, ku thuhej se (citoi) “2. Organizatat e brendshme (të LRSHJ-së) do të organizohen simbas shembullit të republikave tjera të Federatës Jugosllave”, më 14 qershor 1982 në një letër dërguar Sekretarit të „Komitetit – Vëllezërit Gërvalla“ për Europën Perëndimore, Osman Osmanit (Halimit), ndër të tjera i shkruan se “LK e RSSHJ (Lidhja Komuniste e Republikës Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi) është Parti Komuniste Marksiste Leniniste (PKML) dhe roli i sajë është pris ideor i klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ, është pjesë përbërse e LKJ-së (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë).”

Saktësisht të njejtin angazhim që ka bërë Ibrahim Kelmendi së bashku me Kadri Zekën (në verën e vitit 1981) për formimin e PKMLK (si prijëse e Frontit Popullor), të njëjtën gjë e ka bërë edhe PKMLSHJ (në vitin 1981), respektivisht LR(S)SHJ grupimi i Abdullah Prapashticës nga shkurti 1982, (e pastaj nga marsi 1983 si OS BPK) ku si prijëse ideore e kishin Partinë Komuniste të Kosovës (PKK) në krye me ish punëtorin Operativ të UDB-ës, Abdullah Prapashticën.

Në vijim sjellë një pasues më të plotë të kësaj letre:

„Sa i përket organizimit të organizatave të brendshme të LRSHJ ajo qështje duhet realizuar, sapo të ndërtohet tërësisht LRSHJ dhe këtë nuk mundet ta pengoi askush sepse ai është vendim i pa tjetërsushëm i dokumentit të bashkimit të 17 shkurtit 1982. Kështu që edhe organizata komuniste (Partia Komuniste – shënimi im) edhe tjerat përcjellse (Organizata Sindikale e Punëtorëve, Organizata e Grave, Organizata e Rinisë, Organizata e Pionierëve… shënimi im) do të organizohen. Sa i përket emnit të organizatës komunist, ma merr menja se nuk ka dilemë, sepse plotsisht është i përshtatshëm emni LK (Lidhja Komuniste – shënimi im) e Republikës Socialiste Shqiptare në RSFJ nga çdo aspekt e posaqërisht është në vi të LRSHJ. Këtu vetëm në definicionin e LK të RSSHJ mund të thuhet ”LK e RSSHJ është Parti Komuniste Marksiste Leniniste dhe roli i sajë është pris ideor i klasës punëtore dhe popullit shqiptar në RSFJ, është pjesë përbërse e LKJ (Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë – shënimi im) dhe pjesë integrale e lëvizjes komuniste marksiste leniniste botrore”. – kështu i shkruan më 14 qershor 1982, udhëheqësi i Partisë Komuniste të Kosovës (PKK-së), Abdullah Prapashtica në letër dërguar Sekretarit të „Komitetit – Vëllezërit Gërvalla“ për Europën Perëndimore, Osman Osmanit (Halimit).

  • Citim nga letrës e Abdullah Prapashticës dërguar Halimit (Osman Osmanit) nga Ankaraja, më 14 qershor 1982, faqe 2-3.

Më poshtë mund të lexoni të plotë letrën e Abdullah Prapashticës:

LIDHJA KOMUNISTE E RSSHJ-së ËSHTË PARTI KOMUNISTE MARKSISTE LENINISTE DHE PRIJËSE IDEORE E KLASËS PUNËTORE DHE POPULLIT SHQIPTAR NË RSFJ, SI PJESË PËRBËRËSE E LKJ-së …

Nga Abdullah Prapashtica

Ndërsa në vijim lexoni të plotë dokumentin e drejtorisë IV të Sigurimit të Shtetit Shqiptar ”INFORMACION mbi një takim me kosovarin Ibrahim Kelmendi”.

I N F O R M A C I O N

mbi një takim me kosovarin Ibrahim Kelmendi

      Me daten 8 dhe 9 korrik takuam, jashte selise se Ambasades, kosovarin Ibrahim Kelmendi qe banon ne Dyseldorf te RFGJ. Kerkesa per kete takim u be nga ana e tij nepermjet kosovarit Mehmet Kastrati i cili banon ne Bruksel. Nga Mehmet Kastrati per te cilin kemi mendimin se eshte njeri pozitiv mesuam se Ibrahimi kishte ardhur ne Paris per te takuar punetore kosovare dhe per te pare mundesine e organizimit te tyre. Me kete rast ai kishte çfaqur deshiren qe te takohej edhe me ndonje shok te Ambasades sone. Kerkoi gjithashtu qe takimi te behej ne ndonje lokal te Parisit.

      Ne diten e pare biseda u be ne prani te Mehmet Kastratit, ndersa diten tjeter ai kerkoi qe te takohej perseri me ne meqense nuk donte te fliste ne prani te te tjereve.

      Gjate bisedes ai na informoi sa me poshte:

      Ne Kosove dhe ne Evrope veprojne tre grupe te rendesishme kosovare: ”Fronti i Kuq Popullor”, ”Levizja nacionalçlirimtare” dhe ”Liria”.

      ”Fronti i Kuq Popullor” eshte krijuar jashte Kosoves me punetore emigrante. Nje nder drejtimet kryesore te punes se tij ka qene ai propagandistik. Gazeta qe botohet prej tij, ”Bashkimi”, eshte shperndare deri ne 3 000 kopje ne Kosove. Drejtim tjeter ka qene puna me kosovaret qe banojne ne Kosove. Per kete qellim jane çfrytezuar vajtjet ne Kosove te elementeve te shendoshe dhe militanteve te Frontit atje per te marre kontakt e per te sqaruar masat e popullit. Keto vajtje kane qene shume te dendura dhe ka qene shfrytezuar çdo rast i mundshem per te shkuar ne Kosove.

      Ne syte e kosovareve kjo organizate ka emer shume te madh por ne te vertete ajo nuk e justifikon kete emer. Mbase kjo pershtypje eshte krijuar nga perhapja e gjere e gazetes, por ne fakt nuk eshte keshtu. Kete e them me shume kompetence sepse e njoh me mire se kushdo tjeter kete organizate. Bile mund te them se ne ngjarjet e fundit ne Kosove Fronti nuk ka ndonje rol te veçante, nuk ishte ai qe i pergatiti demonstratat dhe gjithe ate levizje.

      ”Levizja nacionalçlirimtare” qe drejtohet nga Isuf Gervalla eshte organizata me e fuqishme qe vepron ne Kosove dhe ne Evrope. Ne perberje te saj ka intelektuale dhe kuadro te intelegjences kosovare, nepunes te rangjeve te mesme te partise e te pushtetit ne Kosove. Ne fakt, kjo eshte organizata qe ka nxitur e shperthyer demostratat e Kosoves. Bazat e saj ne Kosove jane shume te forta.

      ”Liria” eshte nje organizate ne perberje te se ciles ka komunist dhe elemente te gatshem per te perqafuar idealet e komunizmit. Pjesa me e madhe e tyre jane intelektuale dhe studente. Nuk njihen udheheqesit e saj.

      Gjatë bisedes, Ibrahimi u ndal disa here ne çështjen e formimit te nje partie komuniste m-l ne Kosove.

Jepte keto argumenta:

      Ne kushtet kur levizja brenda ne Kosove po orientohet drejt nje lufte gueriljesh qe do te çoje pastaj ne lufte partizane dhe kur ne Evrope klasa punetore kosovare po organizohet ne forma te ndryshme per te arritur çlirimin kombetar te Kosoves dhe realizimin e endrres te bashkimit me Shqiperine, nder shume komuniste ka lindur mendimi se eshte e domosdoshme qe te krijohet nje parti komuniste marksiste-leniniste per ta udhehequr kete lufte. Jemi te ndergjegjshem se na presin beteja te reja edhe me te veshtira prandaj duhet te kalitim njerezit tane dhe partine, t’i brumosim ata dhe t’i bejme te ndergjegjshem per luften tone. Ne jemi te ndergjegjshem se bashkimin e popullit tone ne lufte nuk mund ta beje askush tjeter veç nje partie marksist-leniniste.

      Siç doli edhe nga biseda, Ibrahimi po punon aktivisht ne kete drejtim. Ai na tha:

      Secili prej te tre grupeve e ka ndjekur me kujdes veprimtarine e njeri tjetrit. Eshte pare dhe vleresuar veprimtaria konkrete e tyre, jane verejtur njerez te ndryshem dhe na eshte formuar mendimi se qe te tre keto grupe jane ne rruge te drejte dhe une e perjashtoje mendimin qe ndonjerin prej tyre ta kete formuar UDB-ja. Une, ne menyre personale por edhe si perfaqesues i ”Frontit te Kuq Popullor” kam marre kontakt me shoke te ketyre grupeve. ”Fronti i Kuq Popullor” dhe ”Liria” jane ne unitet mendimi. Nderkohe, ”Levizja nacionaçlirimtare” mban pak distance, jo pse ka gje kunder nesh, por se kane mendimin se eshte e panevojshme qe te krijohet nje parti ne Kosove kur ne e kemi Partine e Punes ne Tirane. Per, rrjedhim, arsyetojne ata, per ne nuk mund te kete dy parti shqiptare. Ne po i vazhdojme bisedimet per te arritur ne ndonje qendrim te perbashket.

      Veç kesaj arsyeje, Ibrahimi mendonte se bashkimin e komunisteve kosovare rreth nje partie komuniste m-l e kane penguar edhe klandestiniteti i thelle, faktori gjeografik si dhe frika se mos eshte futur gjekundi UDB-ja. Ibrahimi shpjegoi se forma e organizimit te grupit eshte celula treshe por nderkohe qe nuk njihen te gjithe anetaret e grupit nga ana e udhehqesve te tyre mbahen evidenca te rregullta per te gjithe punetoret ne menyre qe te njihen dhe te provohen ne veprimtarine konkrete.

      Gjate bisedes tha se kur kane analizuar ngjarjet e Kosoves anojne me shume nga konkluzioni se u derdh shume gjak por u fitua pak. Organizimi i demostratave çaloi ne shume drejtime. Nje nder dobesite me te medha qe kemi eshte se jemi mbeshtetur me shume tek intelegjencia dhe e kemi nenvleftesuar punen me klasen punetore dhe aq me shume me fshataresine. Megjithate vullneti dhe deshira per ta çuar deri ne fund luften e filluar nuk mungon. Rezistenca e armatosur po merr format e një lufte partizane, te cilen do ta forcojme edhe me shume ne te ardhmen.

      Egziston nje mendim, tha ai, se po qe se jugosllavet do te na japin statusin e republikes kete do ta bejne me 29 nentor kur kane diten e festes kombetare te krejt federates. Ata nuk duan qe dita e dhenjes te se drejtes per republike te jete nje dite tjeter e ndryshme nga ajo e federates. Neqoftese kjo nuk do te realizohet, atehere rezistenca jone do te marre nje hov te madh. Do te luftohet ne dy drejtime: demostrata ne qytete dhe lufte ne male. Kemi menduar qe elementet me te mire te mos i hedhim ne demostrata por t’i kemi per luften guerilje ne mal. Keshtu qe gjate zhvillimit te demonstratave njerezit tane do te ndjekin, ne nje distance te caktuar, vargun e demostruesve. Duke qene te armatosur ata do te jene te gatshem te nderhyjne ne rast se kunder demonstruesve do te perdoret dhuna e armatosur.

      Lidhur me parullat e hedhura ne demostrata ose ne shtyp ai na tha:

      Parulla qe kemi hedhur ”Kosova Republike” nuk eshte e plote. Ne jemi per bashkimin e te gjitha viseve shqiptare ne nje republike, e cila, shpejt ose vone, do te bashkohet me Shqiperine. Po t’i leme shqiptaret nen Malin e Zi apo nen Maqedonine atehere ata do te asimilohen. Prandaj puna duhet bere menjehere, sa kohe qe hekuri eshte akoma i nxehte. Vetkuptohet se qe nje parulle te behet e pranueshme nuk mund t’i permbaj me hollesi te gjitha keto.

      Ibrahimi shfaqi edhe kete mendim:

      Nje hov te madh i dhane luftes se popullit kosovar qendrimet e PPSH-se. Kur degjohej Radio-Tirana apo ndiqej televizioni shqiptar njerezve u shtohej besimi, gje qe e shprehin keshtu: ”Tash jemi gati me hanger me dhambe bjeshket e jo ma serbin”. Kontaktet e vazhdueshme, shkembimet kulturale midis Shqiperise dhe Kosoves kane sherbyer ne nje mase te madhe per zgjimin e ndergjegjes kombetare te popullit tone. Pa keto ne do te ishim akoma shume vite prapa.

      Sipas tij, ndihma dhe siguria qe u jep Shqiperia dhe kushtet ne te cilat jeton populli i Kosoves kane bere qe faktori subjektiv te jete me i pjekur se ne vitin 1941 kur u krijua PKSH. Tani ne kemi nje klase punetore te ndergjegjshme e cila po kalitet ne demostrata dhe aksione konkrete kunder armikut.

      Gjate bisedes, ai, pa insistuar, sikur donte te mesonte se ç’mendojme ne per demostratat qe ata kane organizuar ne qytete te ndryshme te Evropes. Ai tha: ”Neve na duket qe jemi ne rruge te mbare, por mbase jemi te gabuar. Ne mendojme se demostratat jane nje mjet i mire per te pergatitur njerezit. Duhet mbajtur mire parasysh se ne mergim jane mbi 100 mije punetore te cilet perbejne nje force kolosale. Ata jane pjesa dermuese e klases punetore kosovare. Prandaj kur te vije dita qe te kthehen ne Kosove ata duhet te jene te pergatitur dhe te formuar ideologjikisht.”

      Te vetmin sugjerim e kerkese qe Ibrahimi pati ne drejtimin tone ishte qe kesaj vere te lejohen sa me shume emigrante kosovare per te vizituar Shqiperine. Shume prej punetoreve, tha ai, nuk do te mund te vene ne Kosove per arsyet qe dihen, prandaj do te ishte mire qe kete ata ta zevendesonin me nje vajtje ne Shqiperi.

      Ne fund tha se punet mund ta sillnin edhe here te tjera ne Paris dhe me kete rast do te kerkonte te takohej perseri me ne.

      Ne nuk u shprehem per problemet e organizimit te luftes se Kosoves qe trajtoi Ibrahimi gjate bisedes. Po keshtu edhe per çeshtjen e ardhjes se emigranteve kosovare ne Shqiperi. I folem gjeresisht per perkrahjen e vendosur e pa rezerve qe i japim luftes se drejte te popullit te Kosoves, etj.

Kujtim Hysenaj    nënshkrimi

Idajet Hoxha        nënshkrimi

Paris, me 17 korrik 1981

____________________

*) KUSH ISHTE KUJTIM HYSENAJ

Kujtim Hysenaj u lind me 24 Nëntor 1947 në Fier. Aty kreu arsimin e mesëm në vitet 1961-1964. U diplomua në vitin 1969, në Fakultetin Histori – Filologji, Dega e Gjuhës Frenge. Vijon kualifikimin pa shkëputje nga puna, duke ndjekur përgjatë viteve 1974 – 1977, studimet në Fakultetin Juridik në Tiranë. Rruga e tij profesionale, diplomatike, nis në vitin 1970 si Referent në ministrinë e Punëve të Jashtme, respektivisht në Drejtorinë e OKB-së dhe e organizatave ndërkombëtare. Më 1971 caktohet në delegacionin e Konferencës së Përgjithshme të FAO-së kur Shqipëria u pranua anëtar i saj. Ai në këtë periudhë ishte dhe anëtar delegacioni qeveritar në disa sesione të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Nga 1979-1980, caktohet Këshilltar në misionin e Shqipërisë pranë OKB-së në Nju Jork. Nga 1980 – 1985, ishte Këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Paris. Në vitin 1986, caktohet Ambasador i Shqipërisë në Beograd, deri në vitin 1992. Më 19 nëntor 2002 Kujtim Hysenaj, u dekretua në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), nga Presidenti i Republikes, Alfred Moisiu. Vdiq në detyrë në janar vitin 2004.

**) KUSH ISHTE IDAJET HOXHA

Idajet Hoxha u lind në 1938 në Tërbaç të Vlorës. Studioi për Marrëdhënie Ndërkombëtare (në fushën ushtarake) në Moskë. U kthye në Shqipëri me prishjen e marrëdhënieve në vitin ‘61. Ka punuar si oficer i Sigurimit të Shtetit në Kukës, Peshkopi, Fier e Tiranë. Në vitin 1977-1982 emërohet Sekretar i Parë dhe Konsull i Përgjithshëm në Ambasadën e RPSH Francë, ku përveç Francës, mbulonte dhe Belgjikën, Luksemburgun, Holandën dhe UNESCO-n. Kthehet në atdhe e punon në detyra të rëndësishme, si shef i sigurimit të portit në Durrës dhe atë të Shefit të Katedrës së Shërbimit të Inteligjencës në Akademinë e Policisë. (Idajet Hoxha, wikipedia)

AMBASADA SHQIPTARE NË PARIS GJATË KOMUNIZMIT

Publikohen për herë të parë fotografitë e ambasadës shqiptare në Paris gjatë komunizmit; Emrat e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që shërbejnë aty të kamufluar (nga viti 1947 – 1991)

Publikohen për herë të parë, fotot e ndërtesës së selisë së ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin e Francës, Paris, e cila do të shërbente si një nga rezidencat diplomatike më kryesore dhe më të rëndësishme të Tiranës zyrtare, në Europën Perëndimore.

E vendosur në rrugën Rue De La Pompe, në zonën me nr. 16 të Parisit, kjo godinë në vitet 1945 – 1991 do të ishte njëkohësisht dhe një nga qëndrat e Drejtorisë së Tretë të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik), e cila përveç shtetit ku ishte atashuar, do të mbulonte nga ana e rezidenturës edhe disa vënde të tjera europiane, si: Britaninë e Madhe, Hollandën, Belgjikën, Luksemburgu, Spanjën, Portugalinë, etj.

Një nga detyrat kryesore përgjatë 47 viteve të ekzistencës së saj gjatë periudhës së ‘Luftës së Ftohtë’, do të ishte dhe survejimi e tentativa për t’u infiltruar në rradhët e emigracionit politik anti komunist shqiptar në Francë dhe Belgjikë.

Disa nga eksponentët më të njohur të kësaj drejtorie që do të shërbenin të kamufluar si diplomatë në këtë ambasadë, ishin: Llambi Peçini, Hasan Luçi, Myslym Sinojmeri, Labo Abazi, Servet Backa, Thoma Bano, Idajet Hoxha, Naim Çipi, Eqerem Gaxholli, Haxhi Taga, etj./ Memorie,al/

__________

 (Burimi: Photos of the Albanian embassy in Paris during communism are published for the first time; the names of State Security officers serving camouflaged

https://politiko.al/english/e-tjera/publikohen-per-here-te-pare-fotot-e-ambasades-shqiptare-ne-paris-gjate-p-5106

KUSH JANË 25 AMBASADORËT E SHQIPËRISË NË FRANCË NGA VITI 1922 …

Ambasada shqiptare në Paris është një nga selitë më të rëndësishme në botë për vetë peshën e madhe politike, diplomatike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore që Franca ka në arenën botërore. Çdo diplomat shqiptar, por edhe në botë e ka ëndërr të jetë ambasador në Paris. Duke patur këtë rëndësi të tillë, edhe ambasadorët, ministrat fuqiplotë apo konsujt që kanë drejtuar selinë diplomatike shqiptare në Paris kanë qenë personalitete të shquara të kombit shqiptar.

Nga 16 qershori i vitit 1922 kur u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike midis Republikës së Francës dhe Republikës së Shqipërisë e deri më sot, ambasadorët shqiptarë në Francë janë përzgjedhur me shumë kujdes nga të gjitha qeveritë shqiptare, duke filluar nga qeveria e Xhafer Ypit (30 dhjetor 1921- 4 dhjetor 1922), e cila hapi selitë e para diplomatike shqiptare në Paris dhe në botë, për të vazhduar me qeverinë e Ahmet Zogut (4 dhjetor 1922-5 mars 1924), Shefqet bej Vërlacit (5 mars 1924-2 qershor 1924), Iliaz bej Vrionit (2 qershor 1924-16 qershor 1924), Fan Nolit (16 qershor 1924-26 dhjetor 1924), Ahmet Zogut (26 dhjetor 1924-10 shtator 1925), të periudhës së Mbretërisë të Mbretit Zog I (1928-1939), të regjimit komunist (1945-1990) dhe të periudhës postkomuniste (1990 e në vazhdim): të Fatos Nanos (22 shkurt 1991-5 qershor 1991; 24 korrik 1997-2 tetor 1998; 31 korrik 2002-11 shtator 2005), Ylli Bufit (5 qershor 1991-10 dhjetor 1991), Vilson Ahmetit (10 dhjetor 1991-13 prill 1992), Aleksandër Meksit (13 prill 1992-11 mars 1997), Pandeli Majkos (2 tetor 1998-29 tetor 1999; 22 shkurt 2002-31 korrik 2002), Ilir Metës (29 tetor 1999-22 shkurt 2002), Sali Berishës (11 shtator 2005-8 shtator 2013) dhe Edi Ramës (8 shtator 2013 e në vazhdim).

Diplomati i parë i Shqipërisë në Francë ka qenë politikani i madh nacionalist Mit’hat Frashëri (1922-1923), Ministri i parë Fuqiplotë i Shqipërisë në Francë dhe Britani në Periudhën e Mbretërisë Shqiptare (1929-1932) është Iliaz Vrioni (1929-1932), i regjimit komunist Frederik Nosi (1945-1948) dhe i periudhës postkomuniste, Luan Rama (1991-1992).

Deri më 1964, selia diplomatike shqiptare në Francë ka qenë në rang Legate. Në tetor 1964, u ngrit në rang ambasade në bazë të Konventës së Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike të OKB-së.

Në historinë e shtetit shqiptar tre janë regjimet që kanë dominuar skenën politike shqiptare. Regjimi i Ahmet Zogut (dhjetor 1924-1939), regjimi komunist (1996-1990) dhe regjimi demokratik i pas ’90-tës (1991-e në vazhdim). Sipas regjimeve ka qenë dhe emërtimi i diplomatëve. Fillimisht janë quajtur konsuj (1920-1928), në kohën e Mbretërisë: Ministër Fuqiplotë, në regjimin komunist: Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë, në periudhën postkomuniste: Ambasador. Ambasadorët e Shqipërisë në Francë u përkasin të gjitha krahinave dhe regjimeve politike në Shqipëri. Ka nacionalistë, zogistë, legalistë, komunistë, demokratë, socialistë dhe rilindas.

***

Përzgjedhja dhe emërimi i diplomatëve jashtë vendit ka qenë i ndryshëm në regjime të ndryshme politike. Nga viti 1922 kur u hapën selitë e para diplomatike shqiptare në Paris dhe në botë e deri kur ato u mbyllën nga Lufta e Dytë Botërore (1939-1946), përfaqësuesit e Shqipërisë në botë ishin diplomatë karriere. Nga viti 1922-1928 u përzgjodhën diplomatë të spikatur shqiptarë që kishin shërbyer në Perandorinë Osmane. Nga viti 1928 kur Shqipëria u kthye nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale me President Ahmet Zogun, e më pas në Monarki me Mbretin Zog I, e deri kur Monarkia u përmbys nga pushtuesit italianë më 7 prilll 1939, ambasadorët u përzgjodhën me konkurs. Gjuha frënge ishte e detyrueshme për të gjithë personat e interesuar. Në vendet e fuqishme siç ishte Franca, u përzgjodhën personalitetet më të spikatura shqiptare, si Mid’hat Frashëri, Xhemil Dino, Iliaz bej Vrioni, Eqerem bej Libohova etj. Pas drejtimit të shtetit shqiptar nga komunistët (1944-1990), u emëruan ambasadorë pa ndonjë eksperiencë diplomatike, ndonëse disa prej tyre ishin arsimuar në Francë apo në shkollat frankofone. Ambasadorët e regjimit komunist në Francë qenë përgjithësisht antifashistë të spikatur, drejtues dhe kuadro të lartë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe të PKSH-së, por dhe përfaqësues të klasës punëtore. (…)

Nga 25 përfaqësuesit e Shqipërisë në Paris, 4 i përkasin periudhës së viteve ’20 (Mit’hat Frashëri, Xhemil Dino, Xhafer Villa, Iliaz Vrioni), 3 Mbretërisë (Iliaz Vrioni, Xhemil Dino, Ekrem Libohova), 9 periudhës komuniste (Behar Shtylla, Dhimitër Lamani, K. Misha, J. Malo, M. Treska, Petraq Pojani, Maxhun Peka, Ksenofon Nushi, Arqile Semini), 6 periudhës postkomuniste (Luan Rama, Besnik Mustafaj, Ferit Hoxha, Mehdi Hoxha, Ylljet Aliçka, Dritan Tola).

(…)

Emrat, mandati diplomatik dhe biografia e ambasadorëve në Francë

1. Mit’hat Frashëri (1922 -1923)

2. Dhimitër Berati (1924 -1925)

3. Xhaferr Villa (1925 -1925)

4. Iliaz bej Vrioni (1925 -1927; 1929-1932)

5. Xhemil Dino (1932 -1933)

6. Ekrem Libohova (1933 -1936)

7. Frederik Nosi (1945 -1948)

8. Kahreman Ylli (1948 -1950)

9. Behar Shtylla (1950 -1952)

10. Dhimitër Lamani (1958 -1962; 1975 -1979)

11. Kristaq Misha (1962 -1967)

12. Javer Malo (qershor 1967 -1975)

13. Dhimitër Lamani (1975 -1979)

14. Misto Treska (1979 -1981)

15. Petraq Pojani (1981 -1982)

16. Maxhun Peka (1982 -1988)

17. Ksenofon Nushi (1988 -1989)

18. Arqile Selimi (1989 -1991)

19. Luan Rama (1991 -1992)

20. Besnik Mustafaj (1992-1997)

21. Luan Rama (1997-2001)

22. Ferit Hoxha (2001 -2006)

23. Mehdi Hoxha (2006 -2007)

24. Ylljet Aliçka (2007 -2013)

25. Dritan Tola (2013 e në vazhdim)

(…)

…Siç shihet nga lista me emrat e 25 drejtuesve të ambasadës shqiptare në Francë, të gjithë janë figura të shquara politike, diplomatike, letrare, kulturore, mediatike, shkencore dhe akademike. Franca, duke qenë kryeqendra e diplomacisë botërore dhe djepi i kulturës dhe i letërsisë, edhe ambasadorët e Republikës së Shqipërisë që kanë shërbyer në vendin e frankëve kanë qenë figurat më të shquara të kombit shqiptar. Janë dy ish kryeministra: Iliaz bej Vrioni dhe Ekrem bej Libohova, një President i Kuvendit Popullor: Behar Shtylla (Kryetar i Asamblesë Popullore të Shqipërisë), 8 ministra: Mit’hat Frashëri, Dhimitër Berati, Xhafer Villa, Iliaz Vrioni, Xhemil Dino, Ekrem Libohova, Kahreman Ylli, Behar Shtylla dhe Besnik Mustafaj (5 prej tyre ministra të Jashtëm), tre nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë: Mit’hat Frashëri, Iliaz bej Vrioni, Dhimitër Berati, 6 diplomatë karriere, tre të dekoruar nga Presidenti i Francës me Urdhrin Kombëtar të Legjionit të Nderit: Iliaz Vrioni, Xhemil Dino dhe Luan Rama, një që ka ndërruar jetë në Paris: Iliaz Vrioni, 7 nga fusha e kulturës, letërsisë, gazetarisë, studimeve dhe përkthimit: Mit’hat Frashëri, Kristaq Misha, Javer Malo, Besnik Mustafaj, Luan Rama, Misto Tresta dhe Ylljet Aliçka. (Burimi: Mentor Hoxha – Ja kush janë 25 ambasadorët e Shqipërisë në Francë nga viti 1922, Epoka e re, 9 prill 2021)

© Pashtriku.org – Prill 2024

Total
0
Shares
3 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura