Orizare (Kumanovë), 06. 03. 2016: Jemi mësuar që, pas shumë zhgënjimeve, jetën ta kalojmë në pritje, me shpresa për një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur. Nganjëherë na bëhet sikur jemi të humbur dhe të vetmuar, sikur kemi përfunduar në fund të një pusi, nga i cili nuk shohim dritë as dalje. Në momentet kur nuk e din se ku e ka familjen, shokët dhe miqtë, se a do të gdhijë dita e ardhshme të gjallë apo të vdekur, siç na ka ndodhur ne shqiptarëve të Kumanovës, në pranverën e vitit 2001, si dhe në shumë raste të tjera, siç mund t’i ketë ndodhur secilit shqiptar të këtij krahu të robëruar të Atdheut, jemi të shtrënguar ta thërrasim kujtesën, ku jeta na shfaqet si në film; me ngjarje dhe njerëz, me vuajtje dhe përpjekje për mbijetesë.
Kur njeriu rrezikohet të humb gjithçka, edhe jetën me tërë atë që ka krijuar ndër vite, me forcat e veta dhe të trashëguar brez pas brezi, sigurisht që ndërmend i vinë çaste të hidhura edhe të lumtura, të cilat ia lidhin fijet e shpresës dhe ia shtojnë forcën dhe qëndresën edhe për betejat e radhës.
Pas shumë rëniesh dhe ngritjesh në jetë, si intelektual, mësues dhe shkrimtar, seç mu kujtua një njeri, shoku im i kamotshëm, profesori Abdulla Mehmeti nga Shipkovica e Tetovës, i cili përherë është shembull për mua, besoj dhe për shumë shokë të tjerë që e njohin, se si duhet ta ndërtojmë piramidën e qëndresës, edhe në çastet më të vështira, për ne si njerëz, intelektualë dhe krijues, bashkë me pjesën e kombit që sot po kalon çaste të vështira për të mbijetuar, shumë ndryshe nga popujt tjerë të botës, të cilët kanë pasur fat më të mirë se të ne shqiptarëve.
Kujtesa më kthen në vitet e ’90-ta, andej nga pat filluar fryma e re për ne shqiptarët, beteja dhe përpjekjet për barazi, liri dhe demokraci. Një ditë vere isha nisur me shokë për në Tetovë. Bashkë me miq e shokë tetovarë u nisëm përpjetë shpateve të Sharrit për në Shipkovicë, ku pritej të mbahet një manifestim i madh popullor. Lajmi ishte përhapur në qytete dhe fshatra, në Kosovë, Maqedoni dhe gjithandej trojeve shqiptare. Pengesa e parë ishin kordonët e policisë që i kishin bllokuar të gjitha rrugët që çonin atë ditë për në Shipkovicë, por dëshira jonë ishte më e madhe për të shkuar me çdo kusht atje, ku na pritnin malësorët bujarë të kësaj ane, shumë shokë dhe miq, përkrah të cilëve duhej të ishim këtë ditë. Arritëm në këmbë tërthoreve malore, dhe ajo atmosferë impozante, me dhjetëra mijë burra e gra të ardhur nga të katër anët e shqiptarisë na bëri sakaq ta harrojmë lodhjen. Aty ishte edhe Kumanova, Shkupi, Manastiri, Gostivari, Struga, Dibra, Prishtina dhe Tirana, me shumë atdhedashës të cilët kishin arritur aty sikur të kishin zbritur nga qielli, për t’ua vra shqiptarëve frikën, për t’ua kthyer shpresën dhe dinjitetin e nëpërkëmbur me dekada nga regjimi totalitar sllavokomunist.
Profesori Abdulla Mehmeti nga Shipkovica e Tetovës.
Ky ishte viti 1990 i fillimeve të demokracisë së proklamuar edhe për shqiptarët e këtyre anëve. Këto ishin përpjekjet e para për barazi, liri dhe demokraci, që kishin përfshirë të gjitha viset shqiptare të mbetura padrejtësisht jashtë trungut të Atdheut.
Kjo ditë ka mbetur e gdhendur në kujtesën time, si dita e vrasjes së frikës. Për aq më tepër se, me krijimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare lindi një shpresa për një të ardhme më të mirë, në arsim, kulturë, shkencë dhe fushat të tjera, ku shqiptarët e kësaj ane i kishin ndjerë goditjet më të mëdha, poshtërimet më antinjerëzore, ndalesat e tmerrshme për zhvillimin dhe përparimin e qenies kombëtare. Në ballë të kësaj iniciative që morri jehonë dhe lëshoi kushtrimin përmes përpjekjesh të ardhshme për të kompensuar gjithë atë që kishim humbur me dekada të tëra dhe për të fituar e krijuar atë që na takonte si brez intelektualësh, për t’ua lënë trashëgim edhe brezave që do të vinë pas nesh. Mes këtij uragani të madh shqiptarësh të gatshëm për çfarëdo sakrificë, ishin profesorë dhe veprimtarë të dëshmuar, të cilët edhe gjatë kohës së komunizmit nuk kishin heshtur, nuk ia kishin kthyer shpinën armikut, por kishin luftuar dhe ishin përpjekur pa ndalur në mbrojtjen e të drejtave kombëtare.
Profesor Abdulla Mehmeti nga Shipkovica ishte në ballë të këtyre përpjekjeve, hartues i programit të kësaj organizate kulturore dhe atdhetare, i cili kishte mbledhur pas vetes edhe shumë intelektualë dhe djem trima nga Tetova e viset tjera, të cilët o zotuan se do t’i dalin zot kombit edhe në këto çaste të vështira, kur klika komuniste dhe shërbimet sekrete jugosllave bënin përpjekje për të infiltruar njerëzi e vet edhe në radhët e lëvizjes së re të shqiptarëve, përmes partive të para politike që po formoheshin atëkohë.
Në Kuvendin për themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, më 19 gusht 1990, më kujtohen personalitete të shquara, të cilët ia kishin dhënë shumë dhe vazhdonin t’ia japin vulën edhe kësaj kohe të ndryshimeve të mëdha, si Fadil Sulejmani, Jusuf Rexhepi, Ramiz Abdyli, Mehmet Gega, Rahim Neziri, Zaim Beqiri, Ramadan Sinani, Nevzat Halili dhe shumë të tjerë.
Nuk kaloi një vit, kjo forcë e pandalur intelektuale e pushtoi edhe Shkupin. Shumë nga këta intelektualë që përmenda, iu përveshën punës për ndriçimin sa më të plotë të së kaluarës sonë historike, me qëllim të ndërtimit të së ardhmes më të ndritur, e cila duhet të kalojë në binarë të shëndoshë. Në Shkup u mbajt simpoziumi shkencor për shqiptarët në Maqedoni, i cili mblodhi me dhjetëra akademikë, intelektualë, shkencëtarë dhe studiues më në zë të asaj kohe, për t’i trajtuar të aspekt shkencor të gjitha rëniet dhe ngritjet e kombit shqiptar të kësaj ane, që nga lashtësia antike deri në ditët e sotme. Nga akademitë e shkencave, institutet shkencore, universitetet dhe institucionet tjera, nga Tirana, Prishtina, Shkupi dhe qendra të tjera, për herë të parë u bënë bashkë intelektualët shqiptarë e të gjitha viseve, me një qëllim të vetëm t’ua ndriçojnë rrugën e ardhmërisë edhe kësaj pjese të harruar të Atdheut, me histori të bujshme kombëtare.
Nga ky simpozium shkencor buroi Manifesti i së ardhmes për Shqiptarët në Maqedoni dhe jo vetëm. Aty u thanë fjalë me peshë historike, nga akademikë, studiues dhe veprimtarë, si Ukshin Hoti, Kristë Frashëri, Remzi Nesimi, Fadil Sulejmani dhe të tjerë. Unë dëshmoj se, ishte profesor Abdulla Mehmeti ai që i dha frymë kësaj ngjarje të madhe shkencore, me stilin e tij të njohur të punës, se për interesa të mëdha kombëtare duhet të jenë bashkë të gjithë, përfaqësues të partive politike dhe asociacioneve jopolitike, institucione dhe individë, me qëllim të arritjes së rezultateve të dëshiruara. Dhe ashtu ndodhi. Ky manifestim i madh shkencor i dha rezultatet e tij të pritura.
Më 1994, po ky intelektual dhe veprimtar i palodhur i mblodhi rreth vetes sërish, të gjitha asociacionet shqiptare, intelektualët dhe veprimtarët tjerë të dëshmuar, për një projekt të ri me interes kombëtar, themelimin e Universitetit të Tetovës. Shqiptarët në Maqedoni nuk kishin deri atëkohë të drejta për arsimim në gjuhën amtare, as në shkolla të mesme, ndërsa themelimi i Universitetit në gjuhën amtare, kur do të farkohej fati dhe e ardhmja e brezave të sotëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve, ishte vetëm një ëndërr dhe përpjekje idealiste, për disa e parealizueshme në këtë vend dhe në këto rrethana. Nuk do të ndalem më tepër në këtë çështje, sepse janë shkruar dhe vazhdon të shkruhet ende për këtë çështje, të shpalosen dëshmi dhe fakte të reja të panjohura deri më tani. Mbetem me shpresë se për Universitetin e Tetovës, si projekt më i madh kombëtar dhe më i suksesshëm i shqiptarëve në Maqedoni, hulumtimet dhe studimet do të vazhdojnë dhe thellohen edhe në të ardhmen.
Përpjekjet për krijimin e hapësirës së mjaftueshme informative në gjuhën shqipe në Maqedoni, ngritja e urave të bashkëpunimit mes institucioneve dhe intelektualëve shqiptarë, nga të gjitha pjesët e ndara të Atdheut, nga Prishtina, Tirana, Presheva dhe diaspora shqiptare, kanë vazhduar edhe më pastaj, nga shumë asociacione dhe individë të tjerë, por në aktivitete ku është shfaqur puna, përkushtimi dhe strategjia e punës e profesorit Abdulla Mehmeti, asnjëherë nuk kanë munguar sukseset, si në simpoziume, tribuna dhe në manifestime të tjera shkencore; festivale dhe manifestime kulturore, letrare dhe artistike; veprimtari për zhvillimin dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në sferën e arsimit, shkencës, kulturës dhe sferat tjera të jetësh shoqërore.
Në kohën e fundit, i kam përcjellë me përkushtimin dhe dashamirësinë më të madhe, të gjitha aktivitetet dhe përpjekjet e shokut dhe mikut tim, Abdulla Mehmeti. Ai është nga intelektualët e rrallë që guximshëm i kundërshton të gjitha planet antikombëtare që po i kurdisen kombit tonë, këtu dhe në viset tjera. Sidomos, ka qenë tepër aktiv për sensibilizimin e opinionit të brendshëm dhe të jashtëm kundër helmimit masiv në rajonin e Pollogut. Pas goditjeve të fundit që pushteti u mundua t’ia jep Universitetit Shtetëror të Tetovës, me ndryshimet e reja ligjore, Abdulla Mehmeti ka qenë i vetmi profesor dhe intelektual i cili fuqishëm iu kundërvu kësaj tendence, duke e sensibilizuar opinionin dhe duke i mobilizuar forcat edhe brenda këtij Universiteti, për ta shpëtuar këtë institucion të arsimit të lartë nga kthetrat e politikës dhe tendencat e dëmshme kundër arsimit universitar në gjuhën amtare. Zëri i këtij intelektuali të nderuar çdoherë jehon fuqishëm dhe përcillet larg, prandaj edhe nuk mungojnë sukseset kur ai e ngit zërin.
E dini pse më ra ndërmend ta bëj këtë shkrim? Përveç kujtimeve të shumta që më lidhin me këtë intelektual dhe veprimtar të palodhshëm, është edhe brenga ime për mungesën e kujdesit dhe respektit që kemi ndaj këtyre njerëzve! Nuk është vetëm ky rast, ka edhe shumë raste të tjera, sigurisht. Por miku dhe shoku im Abdulla Mehmeti, jo vetëm që duhet të vlerësohet dhe lartësohet sipas meritave, por është në të mirën tonë dhe dobinë e përgjithshme, ta ndjekim rrugën e tij, t’i dëgjojmë këshillat dhe t’i përkrahim pa rezervë të gjitha ndërmarrjet që burojnë nga mendja e tij e ndritur, me bindje të thellë se kemi çka mësojmë. Burrat e tillë duhet të jenë fanari ynë për ta ndriçuar të sotmen dhe të ardhmen tonë, e cila me kësi njerëz sigurisht do të kishte rrjedhë më të mirë dhe suksese të sigurta. Të gjithë engjëjt nuk janë migruar nga kjo botë, ka edhe plot të tillë që i kemi mes nesh, por sikur nuk na jepet t’ua zgjatim dorën, t’i përkrahim dhe ndihmojmë, që së bashku të ecim në rrugë të mbarë dhe në drejtim të duhur. Uroj të reflektojmë pak për të ardhmen tonë, nëse jo ne të gjeneratës së vjetër, bile gjenerata e re ka ku gjen frymëzim, mbështetje dhe perspektivë për të ardhmërinë e saj më të ndritur.
Ajo që më ka brengosur vazhdimisht dhe më brengos edhe sot, është fakti se, deri më sot, edhe pse me dhjetëra dhe qindra intelektualë, bashkëveprimtarë të profesorit Abdulla Mehmeti, ndër vite e dekada, që nga demonstratat e njohura të vitit ‘81 në Kosovë, si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në shumë aktivitete, iniciativa dhe projekte madhore me rëndësi kombëtare, nuk më ka rastisur të lexoj qoftë edhe një fjalë për këtë njeri me ndjenja fisnike dhe atdhetar të kalitur. A thua, pse vallë? Si mund të heshtin si mumie miqtë dhe shokët e këtij njeriu që bëri të pamundurën për ata, dhe asgjë për veten e tij? Përherë më ka munduar dilema e madhe se, a është madhështia e tyre, apo vogëlsia e jonë, për këtë sjellje ndaj njerëzve më të merituar mes nesh?! Sa herë në çaste të hidhërimit, shumë mendjendritur shqiptarë kanë konstatuar se ne shqiptarëve na përcjell një ves i çuditshëm, që t’i nderojmë njerëzit e merituar vetëm pas vdekjes! Uroj që kjo të mbetet e kaluar për ne. Është koha të reflektojmë sa më parë, për të mirën tonë të përgjithshme, që njerëzit e dëshmuar të jenë përherë prijatarë në ngritjen tonë si popull, për përparim dhe progres të përgjithshëm, si të gjithë popujt e qytetëruar të botës.
Nehat Jahiu, shkrimtar – Orizare, mars 2016