HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (23)

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (23)

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 18 Korrik 2021

HALILI ISHTE NJERI SOLIDAR

Ruzhdiu ishte shok klase i Halilit me numë rendor në ditar 31.

Halil Alidemën e njoh që nga viti 1954-1955. Bashkë me Halilin nga Pozherani ishin edhe Alie Kurteshi dhe Kurtesh Kurteshi(motër e vëlla). Halili ishte shumë i respektuar i dashur dhe solidar. Ai na dilte në ndihmë e përkrahje për çdo gjë, sepse ishte trim. Ushqimin e ndante bashkë me ne, ishte shumë i shoqërueshëm, veçanërisht me shokët e Anamoravës dhe të Ferizajt. Atë e njihnin të gjitha gjeneratat e Normales së Prishtinës, sepse ai dallohej si sportist i mirë. Nëse shihte se ndonjë shok kishte nevojë për ndonjë gjë, ai i afrohej dhe i jepte ndihmë. Njëherë kur më sulmuan disa huliganë, sepse më panë se isha i dobët, Halili më erdhi në ndihmë për të më mbrojtur, ndaj ata ikën. Halilit i frikësoheshin të gjithë, sepse ai ishte trim që nuk trembej prej askujt. Mirëpo, ai kurrë nuk e ngucte askë përpara. Ai i mbronte femrat shqiptare nga çdo sulm i papritur. Me Teutën kalonin shumë mirë. Ata dashuroheshin ndërmjetveti, ndaj të gjithë ne ia kishim lakmi dhe merrnim shembull për dashurinë dhe humanizmin e tyre. Halilin e njoh si sportist të dalluar të Shkollës Normale. Ai ishte shtyllë e Klubit “Normalisti”. Me Halilin ky ekip ka korrë rezultate të shkëlqyeshme.

Ruzhdi M.Rrahmani i lindur më 1939 në Bibaj të Ferizajt

HALILI KISHTE QËNDRIM BURRËROR

Halilin e njoh edhe pas kryerjes së Shkollës Normale. Unë punoja në fshatin Doganaj, kurse ai punonte në fshatin Firajë si mësues, ndaj shpesh kam shkuar tek ai dhe kam bujtur në Firajë.

Halili gjithnjë shfaqte ndjenjat kombëtare, pa i kushtuar kujdes vetit se dikush do ta përgjonte dhe do ta njoftonte pushtetin e atëhershëm –UDB-ën, ndonëse shpesh i bënim edhe vërejtje dhe i thoshim që të ketë kujdes e maturi në biseda të këtilla para njerëzve të panjohur e të pasigurtë, ai megjithatë vijimisht vazhdonte të fliste atë që e ndjente dhe e brente në zemrën e tij.

Në kohën kur mësonim në Shkollën Normale, në fillim mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe deri në vitin 1957, mirëpo pas vitit 1957 edhe klasët e para normale filluan të zhvillonin mësimin në gjuhën serbe.

Sa i përket karakterit të Halilit, vendosmërisë dhe trimërisë e sjelljes së tij qoftë ndaj shokëve, qoftë ndaj situatës së atëhershme, Halili që nga vegjëlia e deri në moshën madhore u tregua burrë dhe sillej e vepronte në mënyrë burrërrore në çdo situatë pa treguar kurr shenja frikësimi e stepjeje në rrugën e tij të çlirimit kombëtar.

Ruzhdi Abdullahu, Ferizaj (tel. 0290-23-820)

HALILI DALLOHEJ SI HENDBOLLIST I SHKËLQYESHËM I KLUBIT “NORMALISTI”

Halil Alidema më kujtohet si nxënës i Shkollës Normale në Prishtinë. Ai me aktivitetin e tij ishte në qendër të vëmendjes, duke u dalluar si një nxënës mjaft serioz dhe i guximshëm.

Në mesin e shokëve ishte i respektuar, e veçanërisht si sportist, sepse dallohej si hendbollist i shkëLqyeshëm i Klubit “Normalisti” të Prishtinës. Shikuar nga kjo distancë kohore, mund të them se Halili qysh si nxënës i Shkollës Normale në Prishtinë ka menduar dhe ka vepruar në shërbim të idealeve të larta të kombit, kuptohet në kushtet dhe rrethanat ekzistuese të asaj kohe.

Hasan Hajrullahu nga Presheva, ish nxënës i Shkollës Normale në Prishtinë dhe shok shkolle i Halilit.

HALILI EDHE NË HENDBOLL SHPREHTE PATRIOTIZMIN E TIJ

Meqenëse isha nga një familje e varfër, unë jam shkolluar me vështirësi të mëdha. Shkollën tetëvjeçare e kam kryer gjatë vitit shkollor 1953-1954 në Preshevë. Ilmi Qerimi, arsimtar nga Presheva na përgatiti dokumentacionin dhe bursat nga Vranja, duke na bërë të mundshëm regjistrimin dhe vazhdimin e mësimit në Shkollën Normale të Prishtinës në vitin 1954-1955.

Kujdestar klase kemi pasur prof. Zekirja Rexhën, kurse shok klase Tefik Rakën, Lah Nimanin, Danjell Grezdën, Gjakush Kamber Kabashin, Reshat Gashin, Njazi Azizin, Gafurr Tashollin, Ismet Elshanin (Prizren), Teuta Kryeziun, HALIL ALIDEMËN e shumë shokë të tjerë. Këta dy të fundit janë dashur shumë ndërmjetveti dhe në këta kemi vërejtur një respekt të ndërsjellë. Teuta pati një tragjedi, e cila përfundoi pa pasoja jetësore. Halilit më tepër i ka interesuar çështja kombëtare dhe idealet për liri dhe pavarësi sesa çështja e mësimit. Si hendbollist dallohej ndër më të mirët, ku edhe në këtë lojë sportive ai shprehte ndjenjat patriotike të tij në fushën e sportit. Halilin nuk ke mundur ta ngushtosh me asgjë. Ishte i fuqishëm, trim, por njeri pa para. Mbishkrimin e shkollës “Milladin Popoviqi” e kemi hequr së bashku me Halilin, kur drejtor i shkollës ishte profesor Salih Nushi. Mirëpo, Salih Nushi, ndonëse në njërën anë kinse na bërtitte, kurse nga ana tjetër, ai na mbronte, veçanërisht Halil Alidemën e mbronte edhe profesor Hasan Mekuli. Ndër profesorët tjerë që na kanë dhënë mësim ishin edhe: Abdullah Zajmi, Murteza Luzha, Ali Hadri, Jusuf Shushka, Jovan Peqenoviq, Salih Nushi, Dervish Rozhaja, Esat Mekuli, Abdulhamid Aliu, Jozefina Bala, Halil Dobroshi, Vahide Hoxha dhe Jashar Rexhepagiqi.

Demirali H. Ibrahimi, i lindur në Preshevë.

SHPALIME KUJTIMESH PËR HALIL ALIDEMËN

Pasi kreva Fakultetin, Degën e Historisë në Beograd, fillova të punoja si mësimdhënës në Normale të Prishtinës. Një ditë në sallën e bukës, në Normale, m’u afrua një djalosh: – Unë jam Halil Alidema- m’u prezentua ai. – E kam dëgjuar këtë emër si sportist të klubit “Normalisti”. Ndërruam disa fjalë ndërmjet nesh. Halili ishte një djalosh i buzëqeshur, fliste pak, por thoshte shumë. Ky ishte takimi im i parë me Halil Alidemën.

Në vitin shkollor 1959-1960, kur unë sa po kisha filluar punën e profesorit të historisë në Normale, të Prishtinës. Atëbotë unë ligjëroja historinë jugosllave, e jo historinë kombëtare, sepse historia kombëtare ishte e ndaluar të mësohej. Mirëpo, unë mbajta disa ligjërata në Sallën e Normales, e cila u mbush përplot me nxënës dhe me arsimtarë, e të tjerë të interesuar. Halili ishte në bankën e parë dhe po më dëgjonte me kureshtje dhe me interesim të veçantë. Më imponohej me një qëndrim burrëror me një gjuhë të pastër dhe me një edukatë të shëndoshë. Unë e doja Halilin. Unë i doja edhe ata nxënës që nuk mësonin. Sepse kishin virtyte burrërore e njerëzore. I këtillë ishte edhe Halili. Mirëpo, më shqetësonte tepër fakti kur UDB-ja i merrte nxënësit e mi më të mirë dhe i torturonte tërë natën e lume në Sekretariatin e Brendshëm të Prishtinës. E në mëngjes nxënësit e mi vinin në mësim të lodhur dhe të rraskapitur nga torturat. Njëri nga këta nxënës ishte edhe Halili. Halili mbaroi Normalen e Prishtinës së bashku me Teutën, me të cilën u dashtën fortë dhe u martuan. Halili filloi punën si mësues larg e më larg në viset malore shqiptare, por jo në vendlindje, sepse ishte i përndjekur nga UDB-ja, e nuk e lejonin të punonte në vendlindje, ku mund të kishte ndikim më të madh te rinia dhe populli i vendlindjes së tij, në Pozheran – një fshat i madh i Anamoravës. Pas një odisejade rreth e tërthuer Kosovës, së fundi kaloi me punë në Prishtinë, ku mbaroi edhe Fakultetin e Historisë. Filloi ndërtimin e shtëpisë. Në Prishtinë, një kohë filloi të punonte në Komunale, ku ra në konflikt me çetnikun Dushko Ristiçin. Do të thotë puna në këtë ndërmarrje iu vështirësua mjaft. Më duket se me dërmjetësimin e prof. Ali Hadrit, zuri punë në Fakultetin Filozofik, ku edhe u magjistrua nga shkencat historike. Ai bëri kërkime edhe në arkiva të ndryshme të vendit, si: në Arkivin e Cetinës por punën e filluar në këtë drejtim, nuk e çoi deri në fund. Sepse po ta vazhdonte do jepte rezultate të shënuara. Në Fakultetin Filozofik,ku Halili punonte si një referent në administratë, filloi të shoqërohej me: Shaqirin, Muhamet Tërnavën, Ukshin Hotin etj. Po nganjëherë vinte edhe në Institutin Albanologjik dhe shprehej se dëshironte të merrej me kërkime historike, me histori. Mirëpo, në Institutin Albanologjik, nuk kishte mundësi të pranohej, sepse nuk lejonin aparatçikët e Komitetit të LKJ-ës, ndaj nuk kishte kurrfarë mundësie që t’i ndihmohej në këtë drejtim.

Nga njëherë Halili më vinte edhe në shtëpi si fqinj që ishim, por edhe unë shkoja tek ai. Ishte mikpirtës dhe bujar, si ai vetë ashtu edhe zonja e tij – Teuta. Këtu, në këto ndeja zhvillonim biseda rreth çështjes së Kushtetutës së Kosovës. Halili kërkonte më shumë për avancimin e statusit të Kosovës. Kurse unë mbroja Kushtetutën e Kosovës. Kushtetuta e Kosovës ishte mjaft e gjerë, asaj i mungonte vetëm emri Republikë. Në këtë moment ishte të ruhej pozita juridike e Kosovës. Kjo ishte pikëpamja ime.

Situata e vitit 1981, ngjarjet e prillit të këtij viti, shpërthyen demonstratat anembanë Kosovës, filluan dënimet e gjykimet e udhëheqësve dhe pjesëmarrësve në demonstrata dhe Halili ra në burg me Shaqir Shaqirin, Muhamet Tërnavën, Ukshin Hotin, Ekrem Kryeziun etj. Policia rrethoi shtëpinë e Halilit. Në oborrin e tij policia kishte gjetur material propagandistik, apo e kishin hedhur vetë ata këtë material. Kjo çështje nuk u zbardh kurrë, por mbeti enigmatike.

Kur doli Halili nga burgu, i vajta në shtëpi ta vizitoja. Ishte në gjendje të vështirë shëndetësore. Në burg e kishin dërrmuar. Ishte lodhur nga torturat e hetuesve të UDB-ës. Në burg kishin shkuar aq larg sa edhe zërin tim kinse e kishin incizuar, e që Halili kishte menduar se edhe unë gjendesha në burg. Mirëpo, Halili, ndonëse fizikisht ishte i dërrmuar, shpirtërisht ai ishte shumë i fortë.

Jeta ka hallet e veta. Halilit i duhej të ekzistojë e të mbijetojë ndaj ai filloi të merrej me punë të ndryshme, edhe si mjeshtër kauçësh vetëm për të jetuar disi e për të nxjerr kafshatën e gojës për vete e për familje. Kështu vazhdoi për një kohë deri më 1989, kur u themelua KDLNJ dhe LDK-ja. Halili ishte shumë aktiv në Degën e LDK-ës në fillim. Mirëpo, më vonë ai formoi Partinë e Unitetit Kombëtar dhe kërkoi këshillën time. E mori pëlqimin tim dhe themeloi Partinë e Unitetit Kombëtar, sepse unë në kuadër të sistemit shumëpartiak, përveç LDK-ës përkrahja edhe partitë tjera, ku do të dëshmohej mendimi i lirë i intelegjencies sonë. Mirëpo, këtu Halili nxitoi, sepse afroi rreth vetes njerëz jo të sinqertë, nuk ishin si Halili. Një ditë e vizitova dh e përgëzova për këtë punë dhe Halili më tha: – se UNIKOMBI do të shtrijë ndikimin e vet në të gjitha trojet shqiptare. Ai këtu kishte inkuadruar edhe dy persona ta papërshtatshëm nga Shkupi dhe nga Ulqini. Unë shpreha habinë për këta persona, sepse këta dy kishin qenë punonjës dhe bashkëpunëtorë të UDB-ës. Prandaj, Halilit i duhej të luftonte në dy fronte. Ai rropatej jo vetëm me policinë, por edhe me njerëz jo të sinqertë e tinzakë.

Pas disa deklaratave të guximshme, mbajtjen disaorëshe në UDB-en e Prishtinës, Halili u strehua në Kroaci, në Poreç 1990. Atje e mbronin shqiptarët. Mund të thuhet se në këtë punë të mbarë, Halili pati mjaft sukses. Ai gëzonte autoritet e respekt tek bashkatdhetarët e vet. Mua më ra hise t’i bëja thirrje ushtarëve shqiptarë, edhe Halili u angazhua në këtë çështje, në shpërnguljen e ushtarëve shqiptarë nga Kroacia në Shqipëri, ku filluan të bënin stërvitje ushtarake. Kështu që edhe Halili u largua nga Kroacia dhe kaloi në Tiranë. Nuk di më tej se si i vajtën punët në Tiranë, por di që Halili jetonte në kushte shumë të vështira jetësore-jetonte në kushte të varfërisë. UNIKOMBIN e kishin marrë njerëzit, që nuk e kishin vendin në këtë parti.

Kaq mund të them për nxënësin dhe mikun tim Halil Alidema.

prof.dr.Zekirja Cana (fj.v.)

  • VIJON – 

__________________________

HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE ( 22 )

Nga Sabit Alidema – Pashtriku 17 Korrik 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura