(Tiranë, 19. 09. 2012) – Ferdinand d’Orléans ishte më i vogli nga tetë fëmijët e Kontit Louis Philippe Albert d’Orléans dhe Princeshës Maria Isabella d’Orléans-Montpensier. Duke rrjedhur nga një familje mbretërore, shumë shpejt edhe ai do të merrte titullin Duka i Montpensierit çka do ta shtynte të lakmonte e pretendonte fronin e Princit të Francës. Pas studimeve në Kembrixh, Ferdinand d’Orléans do të shëtiste botën mbarë si një udhëtar vetmitar duke bërë një jetë aventurieri, shumë larg pritshmërive të një trashëgimtari prej gjaku blu.
Pranverën e vitit 1913 fati do ta lidhte me Shqipërinë. Ishte koha kur Qeveria e Përkohëshme kryesuar nga Ismail Qemali ish vënë në kërkim të një kandidati të përshtatshëm për fronin mbretëror. Midis pesë propozimeve të hedhura gjatë “Kongresit të Triestit”, ishte dhe emri i Dukës së Montpensierit.
Kandidatura duket se e joshi tej normave çka e bëri atë që gjatë një vizite në Vlorë të vetëshpallej parakohe si Mbret i shqiptarëve duke deklaruar:”Unë i kam rënë botës qark shumë herë, duke vrarë luanë, tigra dhe hipopotamë. Armiqtë tuaj do t’i vrisja me shumë dëshirë!” Madje edhe shpalljet e emërimit të tij si Mbret i shqiptarëve nuk vonuan të stampoheshin e të shpërndaheshin kudo, ndërkohë që Fuqitë e Mëdha ende nuk kishin marrë vendimin përfundmitar.
Duka Ferdinand d’Orléans.
………………………………………………
Kjo do të shkaktonte pakënaqësi tek Austro-Hungaria e Gjermania të cilat e detyruan Dukën e Montpensierit të tërhiqte kërkesën për fron. Madje edhe Ismail Qemali ndikoi në këtë vendim, pasi u informua për të gjitha lëvizjet që Duka kish bërë në favorizim të kandidaturës së tij.
Gjendur në këtë situatë, 25 prillin e 1913-tës, Ferdinand d’Orléans dorëhiqet duke deklaruar: “Il n’y a pas de couronne au monde qui puisse me séduire si, pour l’acquérir, je dois consentir à laisser discuter deux titres dont je suis justement fier, ceux de citoyen et de prince français. […] je suis résolu à décliner toute candidature au trône d’Albanie.” “Nuk ka kurorë në botë që mund të më joshë, mbi të gjitha, nëse për të marrë atë, do të më duhet të vë në diskutim dy tituj për të cilët jam me të drejtë krenar, atë të qytetarit francez dhe atë të Princit të Francës. Jam i vendosur që të refuzoj çdo propozim për fronin e Shqipërisë*.
Odiseja e zgjedhjes së Mbretit do të përfundonte me shpalljen e Princ Vidit si Mbret i shqiptarëve. Ai do ta gëzonte shkurtimisht fronin e Shqipërisë, nga marsi deri në shtator të vitit 1914.
Një nga argumentet që Duka paraqiti para shqiptarëve për tu bërë mbret i tyre në ato kohëra të turbullta, ishte: “Unë i kam rënë botës qark shumë herë, duke vrarë luanë, tigra dhe hipopotamë. Armiqtë tuaj do t’i vrisja me shumë dëshirë”, deklaratë e bërë në Vlorë gjatë një vizite ku ai u vetëshpall para kohe mbret.
“Kongresi i Triestit,” u mblodh në fillim të vitit 1913 për të treguar solidaritetin mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre jashtë në vijim të shpalljes së Pamvarësisë më 28 Nëntor 1912. 150 përfaqësues nga Shqipëria, Rumania, Bullgaria, Italia, Egjipti, Turqia dhe ShBA u mblodhën për të diskutuar fatet e vendit. Kongresi njohu Qeverinë e Përkohëshme të Ismail bej Vlorës dhe diskutoi kandidatët e ndryshëm për mbret, mes tyre dhe François Bourbon Orléans-Montpensier i Francës, Albert Ghika i Rumanisë, Konti Urach i Württembergut, princi Egjiptian Ahmed Fuad, dhe i biri i Markezit Castriota prej Napolit.
Ferdinand François Philippe Marie Laurent d’Orléans, Duka i Montpensierit
Jeta ime
Mosha: 39 vjeç (9 shtator 1884 – 30 janar 1924)
Vendlindja: Château d’Eu, Eu, Seine-Inférieure, Francë
Titulli: Duka i Montpensierit, Princ i Francës
Jeta: Pas studimeve në Universitetin e Kembrixhit, ndërmerr një udhëtim në Brazil, Japoni, Indi dhe Indokinën franceze. Apasionohet pas tezave të natyralistit Charles Darwin. Më 20 gusht 1921 martohet me Maria Isabel González de Olañeta y Ibarreta, Markeza e 3-të e Valdeterrazos. Nuk paten fëmijë. Ndahet nga jeta në Château de Randan, Francë, dyshohet nga eksperimentimet me drogëra.