Një vlerësim për librin e Agim Sylejmanit “Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili”
Nga Prof. dr. Skender Asani
Nga burgu i heshtjes te liria e kujtesës: Rafi Halili si testament kombëtar
Kërkesa e studiuesit dhe atdhetarit Agim Sylejmani që dorëshkrimet e Rafi Halilit të botohen nën siglën e Institutit për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup nuk ishte një akt i rastësishëm, por një vendim i thellë shpirtëror dhe kombëtar, që buronte nga ndjenja e përgjegjësisë historike dhe nga përkushtimi ndaj trashëgimisë së shkruar të një figure të jashtëzakonshme si Rafi Halili. Ishte një gjest që shënon një akt të ndërgjegjshëm të kujtesës, ku përpjekja e Sylejmanit për të ruajtur fjalët e një kohe të shtypur shndërrohet në vazhdimësi të së njëjtës sakrificë për të cilën kishte luftuar Halili. Në këtë bashkëveprim ku njëri vuajti për të jetuar dhe tjetri për të shkruar, ndërtohet një urë mes përjetimit dhe dëshmisë, mes jetës dhe fjalës, që kërkon të mos mbetet thjesht në kujtesën e individit, por të fitojë statusin e një trashëgimie të njohur institucionalisht, të certifikuar nga një qendër kombëtare e dijes dhe dinjitetit siç është Instituti.

Kjo kërkesë, si menaxhues i institucionit, nuk e kam pranuar vetëm si një propozim akademik, por si një detyrim moral dhe atdhetar. E kam përjetuar si një përgjegjësi ndaj historisë dhe brezave që vijnë. Ishte një bashkëbisedim i heshtur mes dy njerëzve të përkushtuar: njëri që vuajti për të shkruar, dhe tjetri që ndjeu detyrën ta botojë dhe ta mbrojë. Kështu, Instituti për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, duke e përfshirë këtë vepër në botimet e veta, jo vetëm që përmbushi një mision shkencor, por dëshmoi edhe një ndjeshmëri të thellë kombëtare për të mos lejuar që kujtesa shqiptare të zbehet nga harresa.
Libri “Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili” ofron shumë më tepër se një përmbledhje letrash ai është një dritare në shpirtin e një epoke, një dëshmi autentike e sakrificës, idealeve dhe dhimbjes së një njeriu që jetoi për kombin. Nëpërmjet letrave të tij, Rafi Halili flet jo vetëm si individ, por si zë i një brezi të tërë që u përball me dhunën, shtypjen dhe mohimin, duke mos e lëshuar kurrë rrënjën shqiptare. Çdo fjali në ato dorëshkrime përçon dhembje, por edhe krenari; sfidë, por edhe shpresë.
Merita e Agim Sylejmanit si autor qëndron jo vetëm në përkushtimin për të sjellë në dritë këto dokumente, por edhe në mënyrën e kujdesshme, të ndjeshme dhe shkencore me të cilën i ka përzgjedhur dhe komentuar ato. Ai nuk ka kërkuar vetëm të botojë letra ai ka kërkuar të ringjallë një ndërgjegje që rrezikonte të humbiste në heshtje. Ky botim është një thirrje për të gjitha institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore që të mos ndalen në punën për ta njohur dhe mbrojtur trashëgiminë tonë, sepse ajo është themeli i të ardhmes sonë si komb.
Në këtë mënyrë, Instituti për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, me botimin e kësaj vepre, dëshmoi se kujtesa historike nuk është vetëm objekt studimi, por edhe akt ndërgjegjeje dhe nderimi. Ky libër është një thesar për sot, një frymëzim për nesër dhe një homazh i përjetshëm për dje.
Në një kohë kur fjalët “komb”, “liri” dhe “sakrificë” shpesh konsumohen për retorikë politike, letrat e Rafi Halilit dhe përkushtimi i Agim Sylejmanit vijnë si një pasqyrë që ua kthen shikimin elitave të sotme drejt thelbit të përfaqësimit: të qenurit në shërbim të kauzës, e jo të pushtetit. Ky botim është një kujtesë se rrënjët e lirisë janë të ngjyrosura me gjak, jo me fjalë, dhe se çdo neglizhencë ndaj figurave të tilla është një goditje e heshtur ndaj vetëdijes sonë kombëtare.
Sikurse Rafi Halili luftoi për lirinë dhe bashkimin, ashtu edhe elitat që kanë marrë përgjegjësinë për të udhëhequr kombin duhet të angazhohen me përkushtim dhe maturi historike. Kurdoherë që koha sjell momente vendimtare për fatin e kombit, bashkimi nuk është luks, por domosdoshmëri. Ndër çështjet madhore, zërat duhet të bëhen një. Sepse vetëm të bashkuar në kauzë dhe vizion, mund të përmbushim amanetin e atyre që flijuan gjithçka për idealin shqiptar.
Në një kohë kur rrëfimet e sinqerta dhe dëshmitë autentike përpiqen të zëvendësohen nga harresa ose përvetësimi, botimi i librit “Disa letra në dorëshkrim nga Rafi Halili” vjen si një akt rikthimi në të vërtetën dhe një ringjallje e ndërgjegjes historike shqiptare. Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje dokumentesh personale, por një testament i gjallë i një epoke të dhunshme e të mbushur me heroizëm, ku figura e Rafi Halilit shndërrohet në simbol të rezistencës, besnikërisë dhe dashurisë për atdheun. Letrat e tij, të ruajtura e përzgjedhura me përkushtim nga Agim Sulejmani dhe të botuara nën kujdesin e Institutit për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve, përfaqësojnë një pasuri historike që nuk duhet të mbetet vetëm në bibliotekat akademike, por të bëhet pjesë e edukimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar. Në këtë mënyrë, dalja e këtij libri nuk shënon vetëm një ngjarje botuese, por një moment reflektimi për të kaluarën, një apel për të tashmen dhe një udhërrëfyes për të ardhmen tonë si komb.
Prishtinë, 9 qershor 2025
——————————–
REZISTENCA SHQIPTARE NЁN ISH JUGOSLLAVI DHE PERSONALITETI I SHQUAR I RAFI HALILIT
Nga Mehmet Hajrizi