Prishtinë, 29. 11.2 015: Raportin e punës së Komisionit të Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit e paraqiti Idriz Ejupi, anëtar i kryesisë dhe vëlla i dëshmorit të kombit, Mehmet Ejupi, i rënë në demonstratat e organizuara në Besianë (ish-Podujevë) më 27 mars të vitit 1989.
Ai, duke përshëndetur mysafirët dhe delegatët e pranishëm të Kuvendit themelues të Shoqatës, tha se Komisioni i Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, të rënë para luftës çlirimtare në forma të ndryshme dhe në periudha të ndryshme kohore për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është themeluar në vitin 2009 në Prishtinë, duke parë se institucionet e Kosovës po i anashkalojnë këta dëshmorë, gjegjësisht nuk po i njohin si dëshmorë të kombit, edhe pse opinioni dhe mbarë populli shqiptar i njeh si dëshmorë të kombit. Komisioni i Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (KFHDK) ka pasur takime të rregullta, ndërsa ka organizuar tubime edhe me familjarët e dëshmorëve të kombit. Në të gjitha këto takime është shprehur indinjatë e thellë për diskriminimin apo anashkalimin që institucionet e Kosovës po ua bëjnë kategorive të luftës dhe rezistencës së pareshtur të familjeve atdhetare, gjegjësisht dëshmorëve të kombit të këtyre familjeve, të cilët kanë rënë para luftës çlirimtare në forma të ndryshme kundër okupatorit serbomadh për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Në mënyrë të veçantë vlen të përmendet ish-deputeti Emrush Xhemajli, i cili para disa vitesh me vetiniciativë ka siguruar nënshkrimin e mbi 66 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për njohjen me ligj të statusit të dëshmorëve të të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Komisioni i Familjeve të Dëshmorëve të Kombit ka pasur disa kërkesa për t’u pritur në takime nga krerët udhëheqës të shtetit të Kosovës. Në takim jemi pritur nga ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, zotëri Jakup Krasniqi, i cili na ka dhënë mbështetje lidhur me kërkesat tona në mënyrë që dëshmorët e kombit të trajtohen sipas Ligjit që i trajton të gjithë dëshmorët e kombit. Kemi pasur takime edhe me Avokatin e Popullit, zotëri Sami Kurteshin dhe me Kryetarin e KMDLNJ-ës zotëri Behxhet Shala, nga të cilët po ashtu kemi marr mbështetje për kërkesat tona. Madje Këshilli për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Liritë e Njeriut edhe publikisht ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta implementojnë Ligjin Nr. 04/L-054, gjegjësisht nenin 8 paragrafi 2 i këtij ligji, që do të thotë t’iu njihet statusi i dëshmorëve të kombit edhe atyre që ranë në fushën e nderit në forma të ndryshme të rezistencës për liri dhe pavarësi të vendit. Ftesa për takime iu kemi bërë edhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi, ish-presidentit Fatmir Sejdiu, ish-zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, por nuk kanë gjetur kohë të na presin në takim. Po ashtu ftesa për takim iu kemi dërguar edhe presidentes Jahjaga, kryetarit të Komisionit Qeveritar për Verifikim Agim Çekut, dhe në fund edhe në adresë të kryeministrit Mustafa kemi dërguar ftesë për takim, mirëpo deri më tash nuk kemi ndonjë përgjigje as pozitive as negative, që do të thotë se jemi injoruar. Ndërkohë, me qëllim të sensibilizimit të opinionit me kërkesat tona, kemi organizuar një marsh protestues, më 30 maj të këtij viti, në të cilin kanë marr pjesë qindra qytetarë.
Ndërsa, ftesës tonë për takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i janë përgjigjur dy këshilltarët e tij, ngase në takim jemi pritur nga Hilmi Ramadani dhe Driton Lajçi, nga të cilët kemi marr një mbështetje për kërkesat tona, por me sugjerimin e tyre që të insistojmë në hartimin e një ligji të ri, por që ne kemi këmbëngulur që Ligji aktual të implementohet në tërësi, sepse Ligji aktual i njeh të gjithë dëshmorët e kombit, por për dëshmorët e rënë para luftës nevojitet vetëm implementimi në tërësi i ligjit. Edhe Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, i ka mbështetur kërkesat tona, duke ia dërguar një letër rekomanduese institucioneve të Republikës së Kosovës për njohjen e statusit të dëshmorit të gjithë të rënëve të periudhave të ndryshme të rezistencës sonë për liri dhe pavarësi.
Ftesa për takime iu kemi bërë edhe të gjithë shefave të grupeve parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Jemi pritur nga Vetëvendosja, nga Nisma për Kosovën dhe nga AAK-ja. Në të gjitha këto takime kemi marr mbështetje të plotë nga shefat e grupeve parlamentare të këtyre partive politike. Ndërsa PDK dhe LDK nuk na kanë pritur, madje as nuk kemi marr kurrfarë përgjigje në kërkesën tonë për takime.
Prandaj, të nderuar familjarë të dëshmorëve të kombit, pas të gjitha përpjekjeve dhe angazhimeve tona si Komision, duke pasur parasysh se edhe 16 vjet pas luftës po injorohemi dhe po anashkalohemi nga institucionet qeveritare të Republikës së Kosovës, dhe sidomos për hir të gjakut të derdhur për liri dhe pavarësi të të gjithë dëshmorëve të kombit, jemi të detyruar që sot të themelojmë Shoqatën e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit. Për themelimin e Shoqatës kemi mbështetjen e fuqishme të kryefamiljarit të familjes së qëndresës shqiptare për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, Bacë Rifat Jasharit, ndërkohë që iniciativën e kemi marr në Kullën e rezistencës së Tahir Mehës në Prekazin legjendar. Po ashtu mbështetje kemi marr edhe nga shumë veprimtarë, si dhe nga Avokati i Popullit, nga KMDNJ, nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës etj. Ju faleminderit!
Idriz Ejupi
***
Pastaj fjalën e mori Ilir Meha, djalë i dëshmorit të kombit Beqir Meha, si dhe nip i heroit kombëtar Tahir Meha, i cili paraqiti propozimin për Kryetar të Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit.
Të nderuar pjesëmarrës!
Njëra nga familjet emblematike të luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës nga zgjedha e Serbisë pushtuese, e cila luftës për liri të popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të saja ia dha njërin prej emrave dhe drejtuesve kryesorë politiko-patriotik, sekretarin organizativ të Komitetit Drejtues të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, të madhin dhe të pavdekshmin, Heroin e Kombit Afrim Zhitia, është edhe familja Zhitia. Në emër të kësaj familje u paraqit për t’u angazhuar shumë e për të dhënë gjithçka në emër të saj, për të ndriçuar e për të nderuar me meritë tërë atë kolonë të pafund atdhetarësh e patriotësh, veprimtarësh e aktivistësh të rënë në krye të detyrës e në shërbim të çështjes se Atdheut, i cili duke e parë se institucionet e shtetit po heshtnin, me një grup shokësh morën iniciativën për themelimin e Komisionit të Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit! Nën drejtimin e tij dhe me angazhimin e madh dhe të pamohueshëm edhe të familjeve tjera të heronjve dhe dëshmorëve të kombit, arritën që me zërin e tyre të arsyes së drejtë e të pakontestueshme të bëheshin zëdhënëset e mirëfillta të shqetësimeve të mëdha të familjeve ndaj mos nderimit meritor e të detyrueshëm nga ana e institucioneve të shtetit të kësaj plejade të rënësh në fushën e nderit, që i dhanë shumë, tepër shumë çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës nga pushtuesit!
Në emër të gjitha këtyre që i theksova më lartë dhe të shumë të tjerave që do të duhej t’i spikatja, por për shkak të kohës nuk po i numëroj, propozoj për kryetar të Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit, kryetarin e deritashëm të Komisionit të lartshënuar, të nderuarin Naim Zhitia!
Ilir Meha
***
Pasi Kuvendi i Shoqatës e zgjodhi me aklamacion për Kryetar dhe me duartrokitje, Naim Zhitinë, ai e mbajti një fjalë rasti para delegatëve të Kuvendit themelues.
Mua, sot më është bërë nderë i madh, që më është besuar një detyrë kaq e madhe dhe e rëndësishme nga Shoqata e po sa themeluar e Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit të paraluftës që në emrin tuaj, timin e bashkëluftëtarëve e mendimtarëve të mi të punoj e flas për punën, veprimtarinë e tyre të madhe e të shenjtë. Derisa UÇK-ja është njëra nga organizatat e shenjta pasi ajo është ushtria e Kosovës e vet popullit, ne lirisht mund të themi se rrënjët dhe bazën e ka në Lëvizjen ilegale Kombëtare Shqiptare të trashëguar brez pas brezi. Duke e parë se Lëvizja ilegale kishte arritur një shkallë më të lartë të organizimit, atëherë doli mendimi dhe ideja e re e cila ishte një domosdoshmëri për formimin e forcave të armatosura nga heronjtë e Lëvizjes ilegale kombëtare dhe ideatorët e shquar të kësaj lëvizjeje që ishin kalitur e forcuar nëpër burgjet serbo-jugosllave. Për t’u realizuar kjo, ata kishin ftuar e kishin mbajtur një numër të madh të mbledhjeve e konferencave për organizimin sa më të mirë e më të suksesshëm. Lëvizja ilegale kishte mbërri kulminacionin në vitet 1988-‘89 dhe kishe mbajtur mbledhjen në n jërën nga bazat e Lëvizjes në malet e Berishës, gjegjësisht në fshatin Divjakë, ku ishte marr edhe vendimi për themelimin e njësiteve guerile në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare. Nga mbarimi i luftës së UÇK-së e këndej, shumë njerëz e forca të ndryshme politike e jo politike, janë duke u munduar e po mundohen që nëpërmjet rrugëve të ndryshme ta mohojnë e zbehin punën e Lëvizjes e vlerën e luftës të UÇK-së, e besa edhe ta devijojnë në drejtim të gabuar. Andaj, për këtë arsye të gjithë ne duhet ta dimë se këto forca kanë gabuar e vazhdojnë të gabojnë edhe më tej me veprimin e tyre, pasi koha ka treguar e po tregon se kjo forcë atdhetare, rrënjët i ka thellë në popull dhe në rininë e Kosovës. Publikimi i listës së veteranëve të luftës dhe dëshmorëve dhe mospërfshirja e një numri të madh i atdhetarëve të rënë në fushën e nderit në forma të ndryshme të rezistencës për liri e pavarësi, ka shkaktuar e po shkakton një pakënaqësi jo të vogël tek anëtarët e Lëvizjes Kombëtare Ilegale të Kosovës, tek familjet e të vrarëve shqiptarë në Kosovë, nëpër demonstrata, në ushtrinë e ashtuquajtur jugosllave e në burgjet jugosllave, e deri në fillimin e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj, për këtë arsye e për këtë qëllim ne familjaret e bashkëveprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare jemi tubuar këtu në këtë kuvend të kërkojmë që të gjithë anëtarëve të Lëvizje Ilegale Kombëtare, të burgosurve politikë, djemve e burrave shqiptarë të vrarë nga policia e ushtria serbe për çështje politike e atdhetare t’iu njihet statusi i dëshmorëve, të invalidit dhe veteranit. Lavdi emrit jetës dhe veprës së heronjve dhe dëshmorëve të kombit!
Naim Zhitia, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (SHFHDK)
Prishtinë, 21.11.2015