QEMAJL KRASNIQI: PARAGJYKIMI DHE PASOJAT E TIJ

Rahovec, 19. 03. 2014 – Paragjykimi është mendim i gabuar dhe i pambështetur, i ngulitur nga njohja jo e plotë e dukurive të botës dhe e shkaqeve të tyre. Është pikënisja e dikujt për të gjykuar veprimet e tjetrit, në kundërshtim me dijen e arsyen. Paragjykimi formohet si shprehi nën ndikimin e shoqërisë e të mjedisit dhe jo nga njohja e përvoja e jetës. Po ashtu është mendim i padrejtë, që është formuar që më parë për dikë a për diçka pa e njohur mirë dhe që pengon për ta vlerësuar atë me paanësi.
Në shoqërinë kosovare, paragjykimet janë pjesë përbërëse e jetës, ndërsa gjykimi personal dhe i pavarur është cilësi e njerëzve të ngritur intelektualisht dhe profesionalisht. Individi i ndodhur në një mjedis të tillë, paragjykues, e ka shumë të vështirë të dëshmojë vlerat e veta në dobi të shoqërisë. Në këtë përditshmëri, individualiteti nuk paraqet asnjë vlerë, sepse të qenit ndryshe nga të tjerët është herezi. Pra, individi nuk “guxon” të dallojë nga të tjerët, porse duhet të jetë pjesë përbërëse e masës gri, pa pasur të drejtë t’i kundërvihet rrymës dhe se duhet të lundrojë në kursin që i përcaktojnë të tjerët.

Kjo dukuri është më e theksuar në zonat ruralo-qytetare, pasi që njerëzit vështirë heqin dorë nga mënyrat konvencionale e të menduarit, e të vepruarit dhe e të jetuarit. Ambienti rural nuk i duron njerëzit me personalitet dhe të pavarur në aspektin intelektual e moral. Të tillët në të shumtën e rasteve janë të paragjykuar si egoistë, interesaxhinjë, abuzues, të pandjeshëm, përfitues, amoral dhe lloj-lloj etiketash denigruese. Prandaj, orientimi i tillë i individit në një shoqëri të lirë, të hapur dhe demokratike, në fakt paraqet kundërvlerë që konsiderohet e dëmshme për një mjedis të ngarkuar me paragjykime.
Në rrethana të tilla, intelektualit kreativ, atij që jep ide dhe pikëpamje personale për çështje të caktuara shoqërore, i ngushtohet hapësira e të vepruarit dhe kreativiteti i tij ngulfatet. Personi i tillë ka familje, ka fëmijë dhe nuk dëshiron që jeta e tyre të vështirësohet, duke ju nënshtruar një hakmarrjeje banale nga ana e mësuesve, shërbyesve civil, eprorëve në administratë, mjekëve, infermierëve, policëve, grupeve të caktuara të shoqërisë civile që janë në shërbim të grupeve politike, si dhe një mase më të gjerë paragjykuesish egoistë.
Kjo sjell pasoja të dëmshme për tërë shoqërinë dhe i hap rrugë vendimeve arbitrare, familjarizmit, abuzimit me pushtetin, abuzimit me pozitën shoqërore, krijimit të një shoqërie ku askush nuk i beson askujt, gjë që mund të ndikojë në thellimin e dallimeve, e që në fund të fundit sjellin edhe konflikte të hapura shoqërore. Gjenerimi i konfliktit përmes mendimeve paragjykuese shkatërron jetë njerëzish, gjë që nuk përkon me pikëpamjet humaniste e përparimtare.
Rrjetet sociale dhe luftimi i paragjykimeve
Të mësuarit është obligim parësor në shoqërinë moderne, ndërsa intelektualët këtë e kanë detyrë themelore. Në kohën tonë kur zhvillimi teknologjik po e ndryshon jetën rrënjësisht, ky obligim bëhet më kompleks. Përdorimi masiv i rrjeteve sociale në internet ka përparësitë e veta, mirëpo ka individë që nuk hezitojnë ta përdorin këtë rrjet për të fyer, poshtëruar e përbaltur njerëz me ndikim në shoqëri, duke mos zgjedhur as mjetet e as gjuhën. Madje ka raste kur të vetëquajturit intelektual e keqpërdorin turpshëm të drejtën e fjalës dhe shprehjes së mendimit, duke përdorur gjuhë banale dhe aspak të denjë për profilin e intelektualit të mirëfilltë. Individi i përgjegjshëm, i ndodhur përballë këtij presioni të ulët, parapëlqen heshtjen. Heshtja vret.
Fjala publike në rrjetet sociale ju shërben si mjet për të luftuar rivalët, por jo edhe si mundësi për shkëmbim të ideve e pikëpamjeve, gjithnjë në rrafshin e një debati publik të kulturuar dhe në respekt të ndërsjellë. Pavarësisht dallimeve që mund të hasen, debati publik duhet parë si mundësi për sheshimin e problemeve e shqetësimeve shoqërore, e mbi bazën e këtij komunikimi mund të propozohen ide për tejkalimin e vështirësive. Gjuha e urrejtjes dhe poshtërimit nuk i kontribuon shoqërisë, përkundrazi lë shije të hidhur dhe ndikon në thellimin e ndarjeve e konflikteve. E kontributi i secilit, varësisht nga ngritja profesionale e intelektuale, është më se i nevojshëm. Nëse duam një shoqëri më tolerante dhe më liberale për fëmijët tanë, atëherë duhet të japim kontributin tonë sot. Rrjetet sociale janë për t’u socializuar dhe jo për t’u polarizuar shoqëria njerëzore.

=============================

 SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

PARAGJYKIMET NË DABAT!

– Prof. Matthew Kramer – 

Prof.Matthew Kramer, Profesor i filozofisë politike dhe i së drejtës në Universitetin e Kembrixhit, dhe njëkohsisht drejtor i Programit për filzofi politike dhe filozofi të drejtësisë në këtë universitet – në librin e tij: “Teoria politike, teoria e drejtësisë dhe dekonstruksionalizmi” ka trajtuar gjerësisht çështjen e paragjykimeve në debat. Ai ka thënë, se paragjykimi nuk lejon koncentrimin në fuqinë e argumentit, dhe prandaj, përfundimet dhe rezultatet e debateve përcaktohen nga paragjykimet e jo nga argumentet dhe logjika. Prof. M.Kramer, lidhur me rregullat dhe parimet etike në dialog dhe debat shkencor është shprehur: “Para se të fillojmë debatin shkencor duhet të shohim se athua palët janë të gatshme për një debat të tillë dhe të tejkalohen të gjitha paragjykimet, sepse paragjykimet janë ato që në të shumtën e rasteve përcaktojnë rezultatin e debatit por këto rezultate nuk konsideorhen shkencore dhe nuk ndihmojnë në zhvillimin e shoqërisë”.Prof.M.Kramer, gjithashtu ka nënvizuar, se palët që shprehin gatishmërinë të debatojnë për një fenomen, duhet të lejnë të hapur ambientin dhe t’i kushtojnë vëmendje argumeneteve dhe sqarimeve të njëri tjetrit. “Njëri ndër kushtet dhe kriteret parësore të debatit është që personi që shprehë gatishmërinë të hyjë në debat duhet të jetë i formuar dhe i përgatitur mirë për temën që debatohet dhe të largojë nga mendja dhe zemra çdo paragjykim dhe urrejtje për bindjet, mendimet dhe argumentet e tjetrit”, – ka thënë, Prof. Matthew Kramer.(Sh.B)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura