Në 34 vjetorin e shuarjes nga jeta të Fadil Vatës, më 25 prill 1990
NJË ANALIZË POLITIKE E FADIL VATËS
Në përvjetorin e 26 të vdekjes së veprimtarit të Lëvizjes, Fadil Vata, TherandaPost ka botuar një analizë (raport) të gjerë të tij me titull: ‘’Situata Politike në Kosovë e më gjerë dhe vija e OMLK në të ardhmen’’, të botuar në nëntor të vitit 1989, në gazetën PARAROJA, organ i OMLK-së. Rrjedhat politike, ekonomike, shoqërore, strategjitë e vendeve në Ballkan e Europë, situata e brishtë në Jugosllavi, situata politike në Kosovë dhe rrjedha se si duhet të shkojë situata më tej, janë disa nga pikëvështrimet e kohës, të shkruar në këtë Analizë nga Fadil Vata.
- Fadil Vata (10 janar 1962 – 25 prill 1990)
Në 34 vjetorin e vdekjes këtë Analizë e boton portali pashtriku.org.
————————————————————
Nga Fadil Vata
R A P O R T
Situata Politike në Kosovë e më gjerë dhe vija e OMLK në të ardhmen’
I. SITUATA NDËRKOMBTARE
Situatën aktuale ndërkombtare e karakterizon thellimi i mëtutjeshëm i kundërthënieve themelore të imperializmit. Lufta e papajtueshme midis imperializmit dhe revolucionit, e cila po manifestohet si luftë e popujve për çlirim nacional e klasor gradualisht po i afrohet përfundimit. Popujt e Amerikës Latine heroikisht po kacafyten me juntat në pushtet, të cilat s’janë gjë tjetër pos duar të zgjatura të imperializmit amerikan; popujt e shtypur në botën arabe, afrikën e Jugut, Lindjen e largët e gjetiu janë të vetëdishëm se kurrë për domosdonë e fitores mbi imerializmin.
Edhe përkundër shtendosjes momentale në marrëdhënjet ndërbllokiste, plagët që shkaktohen nga fërkimi i interesave të tyre mbesin vazhdimisht të hapura. Planeti ynë po lëngon nën superpeshën e superfuqive! Pesha e kolonizmit dhe e neokolonializmit, pesha e eksploatimit të egër, degjenerimit, dhunës, pesha e skamjes po rëndon sot mbi supet e popujve, mbi supet e proletariatit, e fshatarësisë së varfër, rinisë.
Kapitali botëror si përbindshi Prokrust mundohet sot me çdo kusht ta mbajë njerëzimin në shtratin e tij famëkeq. Forca prodhuese të cilat kanë arritur një shkallë kolosale të zhvillimit nuk mund të përparojë më tutje në kushtet e një sistemi të kalbur kapitalist. Ekzistimi i mëtutjeshëm i këtij sistemi mund të shpjegohet vetëm me aplikimin e gjenocidit dhe terrorit të hapur, aplikimin e formave më brutale fashiste e raciste kundër popujve dhe forcave revulucionare.
Kur është fjala për revulucionin (socialist dhe demokratiko-borgjez) duhet konstatuar se vatra e lëvizjeve revulucionare është shpërngulur prej qendrës në periferi, nga Europa Perëndimore dhe SHBA, ku kapitalizmi ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit, në Amerikën Latine, në Azi, Afrikë dhe tani së fundi në disa pjesë më pak të zhvilluara të Europës (Spanjë, Portogali, Jugosllavi etj.) Zinxhiri këputet aty ku është hallka më e dobët.
Përkundër asaj se shtetet Perendimore e kanë futur në forma të ndryshme varshmërie pjesën tjetër të botës dhe kështu sigurojnë pre të mëdha nga e cila ndonjë pjesë ndahet për ta korruptuar proletariatin dhe inflacionin që i kaplojnë këto shtete, janë dëshmi të kalbëzimit të kapitalizmit.
Ndërsa, kriza e thellë ekonomike që ka përfshirë shtetet revizioniste, pamundësia për t’u mbajtur si të tilla nga njëra anë dhe frika nga shpërthimi i revulucionit në anën tjetër, u imponon këtyre shteteve lidhjen edhe më të fortë me kapitalin e huaj dhe restaurimin e plotë të kapitalizmit.
Problemet e ndryshme që ishin grumbulluar gjatë dekadave të sundimit të tillë, si eksploatimi klasor e shtypja nacionale nga ana e borgjezisë rusomadhe, nuk mund të mbaheshin gjatë, prandaj si rezultat i drejtëpërdrejtë i kësaj janë acarimi deri në konfliktet e hapura në mes të kombeve në BS si dhe shenjat e para të decentralizimit brenda kampit “socialist’’. Kjo e fundit vërehet sidomos nga disa procese në Hungari, Rumani etj.
Socialimperialistët sovjetik pas humbjeve të mëdha ushtarake e politike u detyruan të largohen me turp nga Afganistani si rezultat i luftës heroike të popullit afganë, shkallëzimit të problemeve ndërnacionlae dhe paknaqësive nga kjo luftë brenda BS, presionit të opinionit përparimtarë ndërkombtar si dhe acarimit të rrethanave në Ballkan.
Ristrukturimi në BS, i njohur si perestrojka, has në përkrahje të madhe në botën kapitaliste, por në jetën politike, ekonomike e nacionaliste të BS lindën edhe tendeca më radikale në sferën e këtyre reformave; krahas kësaj në skenë po del edhe krahu më raksionar i borgjezisë rusomadhe i përfaqësuar nga Boris Jelcini – Millosheviçi rus.
II. GJENDJA NË BALLKAN
Të gjendur përball superfuqive, interesat e të cilave gërshetoheshin e gërshëtohen edhe sot në këto troje, popujt e Ballkanit u detyruan të krijojnë me shpatë në dorë historinë e tyre. Fati dhe kushtet e njejta në të cilat gjalluan, bënë që këta popuj të vegjël ta kuptojnë domosdonë e bashkpunimit e harmonisë fqinjësore. Shprehja më e mirë e kësaj janë përpjekjet e forcave demokratike të shteteve ballkanike për të krijuar një klimë bashkpunimi e miqësie. Përkundrazi – cenimi i çdo njërit popull do të thoshte varrim i stabilitetit dhe i sigurisë në këtë rajon.
Në kundërshtim me procesin e afrimit e të bashkpunimit në mes të popujve ballkanikë, në Jugosllavi ka marrë hov një proces i kundërt – hegjemonizmi serbo-madh është në ofanzivë. Synimet e verbërisë së tij shoviniste shkojnë shumë më larg se sa është robërimi i popullit shqiptar në Jugosllavi. Politika ekspansioniste e cila pasohet nga tanket e avionët po cenon sot gjithë popujt e Jugosllavisë, po rrezikon popujt dhe shtetet fqinje. Duke qenë i lidhur kryekëput me BS, me këta “perandori të kalbur ruse” siç e quajti këto ditë populli gjeorgjian, borgjezia hegjemoniste serbe po i hap shteg një konflikti të ri me pasoja të pa parashikuara në Ballkan e më gjerë. Prandaj në emeër të humanitetit e demokracisë, në emër të paqes e lirisë popujt e Ballkanit duhet të dënojnë politikën shoviniste, politikën e terrorit, të reprezaljeve e gjenocidit në Kosovë.
Klani fashist serbomadh, i cili autonominë e Kosovës e zëvendësoj me tanke e avionë, me forca ushtarako-policore, nuk ngurron ta fajsoje Shqipërinë socialiste për “nxitje të trazirave”, kur populli shqiptar u ngrit për të mbrojtur të drejtat e veta të garantuara me kushtetutën e RSFJ.
Serbomdhenjët po trumbetojnë me të madhe që të rishikohet politika Jugosllave ndaj PPSH, e madje të kalohet në ofenzivë. Pas këtij “rishikimi” fshihet ëndërra e kahmotshme e serbomdhenjëve dhe e borgjzisë jugosllave në përgjithësi për të gllabëruar Shqipërinë.
Shqipëria socialiste, që po ndërton socializmin me forcat e veta, është bërë sinonim i jetës së lirë e të pavarur, prandaj kjo po pengon të gjitha forcat reaksionare në Ballkan e më gjerë.
RPSSH e udhëhequr nga Partia e lavdishme e Punës ka ndjekur kurdoherë një politikë parimore, një politikë që çon drejtë miqësisë e bashkpunimit të popujve, prandaj përkrahja internacionaliste dhe vëllazore që po i bënë popullit shqiptar në Jugosllavi, në luftën e tij për të drejta të barabarta me popujt tjerë të Federatës, është e ligjshme. Kjo përkrahje e drejtë e ka burimin te ndërtimi i socializmit dhe vija marksiste-leliniste e PPSH, në krye me shokun Ramiz Alia dhe te mësimet e pavdekshme të shokut Enver Hoxha, të cilat rritën prestigjin e Shqipërisë në botë dhe busullë për ndërtimin e përparimin e vazhdueshëm te socializmit në Shqipëri.
III. SITUATA NË RSFJ
Si pjesë e pandarë e botës kapitalisto-revizioniste, të cilën e ka përfshirë kriza në çdo segment të jetës: në fushën ekonomike, politike, nacionale, kulturore e artistike etj., edhe Jugosllavia po lëngon nga të njejtat plagë, natyrisht me specifikën përkatëse.
Kriza që po mbretëron e që po thellohet çdo ditë e më tepër në Jugosllavi, nuk ka lindur vitëve të fundit siç mundohen ta shpjegojnë ideologët revizionistë, por është një kurorëzim i ligjshëm dialektik i proceseve që po zhvillohen këtyre 40 vitëve të fundit.
Pas LDB, entuziazmit dhe proceseve pozitive që patën marrë hov ua ndërprenë rrugën e zhvillimit masat që ndërmorrën renegatët e marksizmëm-leninizmit Titoja me kompani, në fillim në mënyrë të hapur, për të dalë ashtu në ballë të tradhtisë së idealëve të revulucionit e të socializmit.
Udhëheqja revizioniste jugosllave u kujdes që kalimi në taborrin e tradhtisë së idealëve për të cilat kishin luftuar popujt e Jugosllavisë, të bëhej në mënyrë sa më perfide. Ajo vendosi që si formë të zhvillimit ekonomik e politik të proklamojë të ashtuquajturin ‘’ vetëadministrim i punëtorëve’’, pikëpamje kjo anarkosindikaliste, që me vonë u dëshmua se është teori dhe praktikë kapitaliste. Rrethanat e atëhershme Jugosllave, trashëgimi i problemëve të shumta nga e kaluara, dallimet e mëdha klasore, zgjidhja nacionaliste e shoviniste e çështjes kombtare, reforma jo e plotë agrare, lufta jo konsekuente ndaj mbeturinave të sistemit të mëparshëm etj., bënë që vetëqeverisja të jetë e dëshmuar që në fillim të përligjes së saj. Të gjitha vërejtjet që ia bëri Byroja informative KQ të LKJ u treguan largëpamëse dhe u vërtetuan plotësisht nga koha.
Gjatë themelimit të restaurimit të kapitalizmit në Jugosllavi, zhvillimi jo i njejtë dhe kundërthënës çoi deri te kundërthënjet e hapura në mes të dy klaneve Brenda territorit kundërrevulucionar, klanit liberal kroatoslloven dhe atij unitarist serbomadh. Këto klane ishin dhe janë në luftë të përhershëm për pushtet. Kontradiktat mes tyre po thellohen çdo ditë e më shumë. Ata janë unik vetëm në luftë kundër klasës punëtore, kundër kërkesave të saja politike e ekonomike.
Pas LDB, respektivisht pas vitit 1948 dominoi klani hegjemonist serbomadh, ky dominim zgjati deri në gjysmën e viteve të gjashtëdhjeta.
Periudha liberale e viteve 66-80, e cila ishte periudhë dominimi e klanit kroato-slloven, ndikoi shumë në forcimin e epërsisë ekonomike të republikave veriore. Rritja e kësaj epërsie implikonte fuqimisht edhe nevojën për një decentralizim më të madh të organeve federative, si dhe të ushtrisë, e cila kishte mbetur e paprekur nga reformat e mëparshme borgjeze. Kështu e centralizuar ushtria Jugosllave ishte dhe është kërcnim i vazhdushëm për republikat veriore për shkak se vendet kyqe në komanden e saj i zënë eprorët serbo-malazez. Meqenëse armata dhe organet e centralizuara të klanit unitarist, gjatë tërë periudhës liberale vazhdoi lufta ndërklanore, gjatë tërë periudhës liberale vazhdoi lufta ndërklanore, mirëpo ajo mbulohej me ombrellën e kompromisit. Një situatë e tillë, kur Jugosllavia ishte ‘’ajo për çka merrej vesh kombet dhe kombësitë (kupto klane) e saj’’ (Bakariç) nuk mund të zgjasë shumë kohë.
Thellimi i vazhdushëm i krizës ekonomike, e cila për një kohë të gjatë ishte mbuluar me jorganin e kredive të huaja, krijonte kushte të bënte ndryshime kualitative në kokat e masave punonjëse, kërcnonte, pra, rehatinë e sundimit borgjezo-revizionist; ky rrezik i cili shprehej përmes grevave të shpeshta të punëtorëve si dhe paknaqësive nacionale, e shtyri klikën titiste që të ndërprejë rrjedhjen e mëtutjeshëm të decentralizimit. Me këtë akt kjo klikë pushoi të jetë përfaqesuese e denjë e interesave të borgjezisë dhe e shtresave tjera kroato-sllovene, interesa këto të cilat ishin të lidhura jetësisht me këtë proces. Në mes të vitëve 1978-81 thellimi i krizes ekonomike u bë aq drastik sa që humbën përfundimisht jo vetëm gjasat, por edhe iluzionet e krijuara për rimëkembjen e ekonomisë nën kushtet e marrdhënjeve kapitaliste në prodhim. Interesi klasor i klikës titiste i formësuar si ‘socializëm specifik’’ doli i zhveshur dhe humbi të gjitha kreditë te klasa punëtore, prandaj ekzistonte rreziku i madh që boshllëkun e krijuar vetëdija klasore e proletariatit. Kjo (për këtë janë të vetëdishëm të gjithë borgjezët jugosllavë) do të ishte apokalips e rendit kapitalist në Jugosllavi. Krahas kësaj pësoi debakël të vërtetë edhe ‘’zgjidhja më adekuate e çështjes nacionale në botë’’: populli shqiptar, duke qenë i paknaqur me zgjedhjen gjysmake të çështjes së tij kombtare dhe duke parë rrëzikun e ringjalljes së lugetërve rankoviçianë, u çua në mbrojtje të të drejtave të tij më elementare dhe përmes parullës “Kosova-Republikë” kërkoi të jetë i barabart me të gjithë kombet tjera të Federatës. Kapitali, pra, ishte në rrëzik! Këto rrethana e detyruan ta tregojë fytyrën tjetër, atë të vërtetën – despotizmin. Gjendja kaotike, kriza dhe padëgjushmëria duheshin mposhtur.
Kështu vetë logjika e zhvillimit capitalist në mënyrë spontane stimuloi forcimin e klanit serbomadh. Vdekja e tri personalitetëve kryesore të klanit kroato-slloven Tito-Kardel-Bakariç ndikoi në shpejtimin e këtij procesi, mirëpo kurrë nuk e shkaktoi atë. Ai ishte, pra rezultat i vetë zhvillimit të ecurive kapitaliste në Jugosllavi. Siç u tha më lartë, gjendjes kaotike i nevojitej një ‘’dorë e fortë’’, po kush mund të jetë më kompentent për një gjë të tillë se sa klani serbomadh, klan tradicionalisht, militar, ‘’popull shtetformues’’ siç kanë qeft ta quajnë veten përfaqësuesit tipik të këtij klani.
Prej fillimit të viteve 80-ta krahas themelimit të krizës shohim edhe formimin e vazhdueshëm të klanit serbomadh. Meqense kushtetuta e vitit 1974 ishte sanksionim juridik i disfatës së tyre, serbomdhenjët kërkuan ndryshimin e saj. Dhe objektivisht kushtetuta duhej të ndryshohej. Derisa ky ndryshim, ky varrim i statuskuosë, në Slloveni shkoi në drejtim të pluralizmit (sistemi shumëpartiak), në Serbi u zhvillua një unifikim i tipit nacionalist!
Ku janë shkaqet?
Ligjshmëria e zhvillimit të kapitalizmit jugosllav populli veriun dhe jugun jugosllav, të cilat për shumëçka i ngjajnë Veriut dhe Jugut amerikan të shekullit XIX. Ekonomikisht Serbia dhe dy republikat vazale të saj, Mali i zi dhe Maqedonia, qëndrojnë shumë më dobët e më mbrapa se republikat veriore. Prandaj “konkurenca e lirë”, që domethanë konkurenca thjesht ekonomike, për të nuk është e favorshme. Në kushtet e një konkurence të tillë, pa ndërhyrjen e forcave subjektive (kupto: organet administrative-shtetrore), si dhe sistemit të hapur kolonialist ndaj popullit shqiptar, monopolet e tyre do të binin shpejt. Si kusht i domosdoshëm i ekzistencës së monopoleve serbo-malazeze në luftën e ashpër në tregun jugosllav është dhuna joekonomike, pra dhuna administrative, ushtarako-policore. Në Serbi vetë natyra e monopolit nuk lejon pluralizëm, pra as demokraci borgjeze.
Forcimin e unitarizmit serbomadh jo vetëm e ndihmoi, për më tepër ishte edhe njëri prej faktorëve kryesor që kushtëzoi, mungesa e forcave të organizuara revulucionare në gjirin e popullit serb. Dihet mirëfilli se kriza e thellë ekonomiko-shoqërore në kapitalizëm tejkalohet vetëm me revulucionin socialist, të cilin nën udhëheqjen e proletariatit (udhëheqje kjo e cila realizohet jospontanisht, jo në mënyrë të paorganizuara, kriza pjellë diktaturën fashiste).
Arsyeja e mungesës së pararojes marksiste-leniniste në gjirin e klasës punëtore serbe duhet kërkuar në tradhëtinë e hapët që i bëri socializmit klika titiste në vitin 1948. Pjesa më e madhe e komunistëve dhe popullit serb e malazez i dhanë përkrahje Byro-së informative kushtuar gjendjes në Jugosllavi. Kur krahasohet ky fakt me gjendjen e tanishme të forcave revulucionare te këta dy popujt, del i qartë terrori dhe masakrat që bëri diktatura fashiste e vendosur në Jugosllavi menjëherë pas vitit 1948.
Duke shfrytëzuar një gjendje të këtillë të mungesës së forcave të organizuara revulucionare, borgjezia serbomadhe e vuri në lëvizje një makineri të tërë propagandistike përmes së cilës në një masë të madhe ia arriti që të kanalizojë revoltën e masave të gjera serbe (të shkaktuar shfrytëzimi i egër kapitalist) në interes të saj klanor, këtë e arriti duke ngjallur e krijuar mite, duke nxitur pasione nacionaliste, duke shpikur apo më mirë duke rishpikur armikun kujdestar – popullin shqiptar, i cili vazhdimisht atakon jo vetëm kulturën e shtetësinë, por për më tepër edhe qenien kombtare serbe. Në fakt ajo që atakon kulturën dhe qenin kombtare serbe është vetë borgjezia serbomadhe e cila me politikën e saj kriminale, nën maskën e “revulucionit antiburokratik”, po shtyn popullin serb kundër popujve të tjerë (veçanarisht kundër popullit shqiptar) edhe kështu shkakton hendek të thellë mes tij dhe popujve të tjerë.
Serbomdhenjët do të shkaktojnë konflike në gjithë Federatën për të krijuar gjendje anarkike dhe për të vendosur pushtetin fashist ushtarak, ku do të rritet dhuna, persekutimi, diskriminimi e terrori mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë, po veçanarisht mbi popullin tonë.
Por, megjithatë, një gjë është e sigurt: përkundër marshëve fashiste e shoviniste, përkundër ndoshta edhe fitores momentale të diktaturës fashiste serbe mbi tërë Jugosllvinë, populli serb (dhe në radhë të parë klasa punëtore serbe) më herët a më vonë (kjo do të varët nga shumë faktorë) do ta kuptojë se cili është armiku i tij i vërtetë, do ta kuptojë se kush u përpoq ta çojë atë, do ta kuptojë se kundër kujt duhet drejtuar revoltën e tij të arsyeshme nga shfrytëzimi kapitalist.
IV. GJENDJA POLITIKE NË KOSOVË
Terrori dhe presionet shkombtarizuese që ishin përdorë në regjimet e paraluftës në Jugosllavi, poashtu u përdorën edhe në Jugosllavinë e pasluftës. Pas LNÇ jo vetëm nuk u korrigjua padrejtësia historike për çka ishte thirrë në luftë populli shqiptar, por Kosova u ripushtua e u coptua mes tri republikave (Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi) dhe nuk ia njohën as të drejtat që i gëzojnë pupujt të tjerë. Një kthesë sado pak pozitive u bë në vitin 1968, kur krahinës shqiptare nën Serbi iu njohë statusi i autonomisë.
Por, ky process qe jetëshkurtër, pasi që procesi regresiv që po ndodh me fuqizimin e unitarizmit serbomadh, ndaj popullit shqiptar shprehet me shovinizëm të tërbuar dhe në revanin antishqiptar gjithëçka po kthen pas.
Më parë, më 1968 e sidomos në vitin 1981, populli ynë doli në rrugë me kërkesën kryesore “Kosova – Republikë”, e cila shprehte kërkesën që populli ynë, i cili jeton në trojet e veta autoktone në Jugosllavi, të njihet si komb që Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi të konsituoen në një republikë. Ngjarjet revulucionare të viti 1981 ngjallën interesim të madh në opinionin ndërkombtar. Ato u përkrahën nga opinion përparimtarë. Çështja e popullit tonë shkoi duke u afirmuar në arenën ndërkombtare, ndërkohë që prestigji i Jugosllavisë shkonte duke rënë gjithnjë e më tepër në sy të popujve të botës. Me që shumë vende ushqenin iluzione se në Jugosllavi nuk kishte problem nacionale, pasi që çështjen nacionale e kishte zgjidhur më së miri në botë Jugosllavia, e cila më parë shtihej sikur dënonte dhunën e terrorin mbi popujt e ndryshëm, iu përgjigj me tankse kërkesave tona të ligjshme duke vrarë e plagosur me qindra njerëz ashtu siç vepronin e veprojnë cionistët izrealitë ndaj popullit palestinez ose racistët jugoafrikanë ndaj popullësisë autoktone zezake.
Pas vitit 1981, filloi një histeri e paparë antishqiptare, ku çdo gjë përparimtare në historinë, kulturën dhe traditën tonë ju nënshtrua një kriteri të ri çoroditës të vlerësimit dhe u shpallë si antiserbe, antijugosllave, kundërrevulucionare, antisociliste, antikomuniste etj.
Më 1986 u bë i njohur për opinionin jugosllav memorandum i ASHAS, i cili përcaktoi qartë qëllimin e klikës shoviniste e hogjemoniste serbomadhe ndaj Kosovës e ndaj tërë Jugosllavisë, duke u bërë kështu busullë e planeve unitariste e qarqeve reaksionare serbe të cilëve Kosova u shërbente si shkas për të pushtuar jugosllavinë.
Viti 1981 ishte vit i provës së madhe që po kalonte shteti jugosllav, pasi që pas fitores së klikes se Millosheviçit mbi klikën e Ivan Stamboliçit, klani unitarist serbomadh kaloi në ofenzivë. Si aradhë sulmuse e serbomëdhenjëve ishte lëvizja çetnike, e nxitur dhe e organizuar nga klika e Millosheviçit, e cila me anë të demostrimeve e mitingjeve bënte presion ndaj popullit shqiptar e atij hungarez dhe i provokonte haptazi, me qëllim që të shkaktojë konflikte ndërnacionale, përmes parullave vdekje shqiptarëve, na jepni armë, ushtria në Kosovë etj. Përkundër këtyre kërkesave të hapta antishqiptare, përkundër provokimëve publike, populli ynë i iku konfliktit me masat e manipuluara serbomalazeze dhe me këtë tregoi një pjekuri të madhe politike, me këtë tregoi se sa mirë i dallon armiqët e vërtetë të cilët fshihen pas masave të manipuluara.
Vjeshta solli debatin për kushtetutën e Serbisë. Gjatë diskutimeve populli ynë kudo kundërshtoi synimin serbomadh për të suprimuar autonominë krahinore të Kosovë dhe u deklarua që populli ynë të bëhej i barabartë me pupujt tjerë.
Mirpo kur vullneti i popullit tonë jo vetëm s’u përfill nga Serbia, po përkundrazi – u ngrit zëri shovinist serbomadh dhe trumbetoi se diskutimet ishin antiserbe. Shihej qartë se serbomdhenjët në heshtje po përgadisnin plane antishqiptare për ta suprimuar autonominë. Prandaj në fund të nëntorit (1988) në Kosovë erdhi te tumbimet masive të protestës që i zhvilloi populli ynë kundër diktatit serbomadh antishqiptar.
Këto ngjarje kishin gjenezën sidomos në këto tetë vitet e fundit të cilat kishin grumbulluar rreth popullit shqiptar një gjendje të padurueshme shpifjesh, sulmesh dhe presionesh parmanente që ishin mbajtur ndonjëherë në Kosovë. Në Prishtinë gjatë atyre pesë ditëve e netëve të ftohta të nëntorit, erdhën qindra mijëra njerëz, pleq e të rinjë nga të gjitha anët e Kosovës. Nuk ishte kjo përkrahje e politikës së Azem Vllasit me shokë, të cilët janë fajtorë për gjendjen e krijuar, por ishin emrat e tyre, si funksionarë autonomistë, përmes të cilëve populli po kundërshton diktatin serbomadh.
Këto tubime si dhe diskutime kushtetuese kushtëzuan që në Kosovë të filloj një rezistencë më e organizuar e intelektualëve, e punëtorëve, e udhëheqësve politikë dhe e gjithë atyre që deri dje në një mënyrë kishin heshtur.
Parullat që më së shumti u degjuan gjatë manifestimit të nëntorit ishin “Barazi e jo tradhti”, “ Besa-besë besën kemi dhënë, për Kosovë jetën kam e dhanë”, “Kosovë po se po, Metohi jo se jo” etj. Dje nuk kishe asnjë parullë kundër ndonjë populli.
Periudha prej protestave të nëntorit e deri te greva e shkurtit (1989) është periudhë që më së shumti i ndihmoi popullit tonë për betejat e ardhshme që e prisnin. Elementet revulucionare e ata demokratikë shfrytëzuan këtë situatë për ta bërë edhe më të vetëdishëm popullin tonë për domosdoshmërinë e ngritjes së rezistencës në një shkallë më të lartë organizimi.
Duke qenë se nuk u përfill vullneti i popullit tonë që u shpreh gjatë protestave të nëntorit dhe për më tepër serbomdhenjër dolën krejt haptazi me imponimet e tyre të dhunshme për të suprimuar autonominë, populli ynë kuptoi se është e domosdoshme që edhe më me vendosmëri të rezistojë. Minatorët e Stari-Tërgut u hodhën në grevë urie duke mos pranuar për të dalur nga galeritë pa plotësimin e 10 kërkesave të tyre, të cilat u bënë kërkesa gjithëpopullore. Me minatorët trima u bashkuan, tërë klasa punëtore, studentët, nxënësit, intelegjencia e fshatarësia, me një fjalë të gjitha klasat e shtresat popullore me çka filloi greva e përgjithshme e shkurtit. Kështu u rrit uniteti kombtar i popullit tonë, u forcua besimi e aleanca e klasave dhe shtresave të tjera me klasën punëtore.
Greva gjenerale, uniteti e vendosmëria e popullit tonë, bënë që të thelloheshin ndasitë e kontradiktat midis forcave kundërrevulucionare në Jugosllavi. Çështja shtrohej të përkrahej greva gjenerale e popullit tonë me kërkesa të drejta apo të përkrahej shovinizmi serbomadh që kishe synim t’i suprimonte popullit shqiptar çdo të drejtë? Opinioni demokratik në Slloveni, Kroaci e gjetiu doli në anën e popullit tonë, përkrahu grevën gjenerale dhe me këtë faktikisht kundërshtonte e i kundërvihej klanit unitarist serbomadh, i cili kishte paralajmruar edhe kurs antidemkratik, antislloven e antikroat. Kjo përkrahje e opinionit demokratik të grevës gjenerale dhe kërkesave të popullit shqiptar e diskreditoi shovinizmin serbomadh jo vetëm në Jugosllavi, por edhe në mbarë botën, pasi që asaj ju bë e qartë se populli ynë nuk kishte kërkesa antijugosllave sikurse trumetonin serbomdhenjët, por rezistenca ishte e drejtuar në ruajtjen e të drejtave që ishin të sanksionuara edhe me Kushtetutën në fuqi dhe prandaj edhe opinioni demokratik në Europë e më gjerë doli në përkrahje të grevës gjenerale.
Nga ky diskreditim dhe disfatë politike, serbomdhenjët nuk u mbeti tjetër vetëmse të mbështeteshin në dhunën shtetrore. Prandaj u vendos gjendja e jashtëzakonshme, pra pushteti ushtarako-policor, me qëllim që me anë të këtij pushteti të mbytej zëri i rezistenëc së popullit tonë, të bëhej presion dhe të kërcnohej populli me forcat ushtarako-policore, me manovra e demonstrime të agresivitetit. Por, si kurdoherë, populli ynë gjeti forma e metoda se si të vazhdojë rezistencën: minatorët edhe pas daljes nga zgafella nuk punonin fare, kurse punëtorët, nxënësit e studentët bënin greva e bojkot pasiv.
Pushteti ushtarako-policor, masat represive, ndjekje, arrestime e burgosje, pushimi nga puna e qindra e qindra punëtorëve, mësimdhënës, nxënës e student – jo vetëm nuk trembën popullin tonë po ai u revultua edhe më shumë. Revolta arrinte kulmin kur populli kujtonte mashtrimin që iu bë me dorëheqjen e tre tradhtarëve me damkë derisa u ndërpre greva gjenerale dhe pastaj ata mbetën po në ato poste, e për më tepër ata ishin edhe bartës të ndryshimeve kushtetuese për suprimimin e autonomisë krahinore.
Në këto situara, populli priste nën ankth ditën kur do të shtrohej në Kuvendin Krahinor aprovimi i suprimimit të autonomisë. Dhe kur më 23 mars (1989) ky Kuvend aprovoi amandamentet antishqiptare nën diktatin e pushtetin ushtarako-policor, të tanksave e të pushkëve, revolta shpërtheu së pari ne Ferizaj e Prishtinë e pastaj edhe në çdo qytet e në shumë fshatra të Kosovës.
Populli ynë, punëtorë, fshatarë, student e nxënës doli në rrugë për të protestuar në mënyrë të qetë kundër heqjes së autonomisë, por pushtuesi i ktheu këto në demostrata të përgjakshme, duke shtirë me armë zjarri mbi masat që s’kishin vetëmse gurë për t’u mbrojtur, duke vrarë, burgosur e plagosur me mijëra. Edhese i paarmatosur e sypatrembur; punëtorë, fshatarë, studentë, nxënës, gra, pleq e fëmijë u përleshën fytafyt me hordhitë e Beogradit që ishin të armatosur deri në dhëmb. Ata që ranë deshmorë dhe të plagosurit demostruesëve u rritnin moralin dhe u jipnin forcë për qëndresë, për përleshje; gjaku i derdhur u bë betim i mbarë popullit për ta vazhduar rezistenën deri në triumf.
Jugosllavia e tregoi edhe një herë fytyrën e vet të vërtetë; ftyrën prej xhandari ndaj kërkesave të ligjshme të popullit tonë. Bota e dënoi këtë krim ndaj lirisë e demokracië, duke e vënë Jugosllavinë e para së gjithash Serbinë në bankën e të akuzuarit.
Dhuna e terrori që u përdorën gjatë marsit (1989) kundër popullit tonë, bënë që të humbin edhe iluzionet e fundit te një pjesë e popullit se çështja jonë nacionale mund të zgjidhet në rrugë institucionale. Kështu u krijuan rrethanat objektive që rezistenca jonë kombtare të ngritet në një shkallë më të lartë dhe të pasurohet edhe me forma të reja të luftës.
V. VIJA E OMLK-së NË TË ARDHMEN
Krahas luftës së pandërprerë të popullit tonë, u forcua dhe u masovizua edhe OMLK-ja. Me gjithë arrestimet, dënimet e persekutimet e shumta, ajo arriti të ruaj vazhdimësinë e saj, me vijën e qartë politike, ideologjike e organizative.
Vija e drejtë markiste-leniniste ishte udhërrëfyese e pagabueshme e Organizatës sonë.
Rradhët tona të organizuara morën pjesë aktive në të gjitha manifestimet, protestat, grevat e demostratat që i zhvilloi populli ynë, duke përçuar frymën e Oraganizatës në to, për aq sa lejonin mundësitë tona organizative.
Në planin ideologjik u luftua fryma sektare e liberale, si dhe çdo shfaqje antimarkiste-leniniste që mund të minonte luftën tonë.
Duke marrë për bazë gjendjen e keqësuar të popullit tonë pas suprimimit të autonomisë, demostratat e marsit të këtij viti (1989) dhe acarimin e kontradiktës populli shqiptar – pushtues serbo-maqedono-malazez, para OMLK-së dalin këto detyra kryesore:
- Të organizojë edhe mëtutje rezistencën popullore me ato forma që më së miri u përshtaten rrethanave të krijuara me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, si greva, demostrimet, sabotazh ekonomik e bojkot tregtar dhe format tjera popullore. Këto forma të luftës na imponojnë rrethanat e krijuara tani, ndërsa me ndryshimin e këtyre rrethanave e adekuat me to, OMLK duhet të aplikojë edhe format më të tjera të rezistencës, për ta rritur në shkallë më të lartë luftën tonë. Pra, sikurse na mëson shoku Enver Hoxha “kumunistët duhet t’i frymëzojnë masat por njëkosisht duhet të jenë në krye të tyre”.
- Të konsolidojë e organizojë radhët marksiste-leniniste në Kosovë e në viset e saja.
- Të udhëheq punët në organizimin e këshillave popullore brenda e jashtë vendit; mandej objektivë tjetër është organizimi më vete i rinisë, i punëtorëve dhe i grave etj., me të cilat forma të organizimit do të manifestohej forca e popullit, lidhja me masat dhe do të ngrihej në shkallë më të lartë vetë lufta.
- Të organizojë shtypin ilegal brenda vendit.
- Rëndësi të veçantë t’i kushtojë zgjerimit të aktivivetit tonë në radhët e klases sonë punëtore, si kusht themelor të suksesit të luftës sonë.
Vetëm me një vijë të drejtë ideologjike, politike e organizative lufta e popullit tonë do të triumfojë.
Lavdi dëshmorëve tanë që ranë për liri!
Rroftë OMLK!
Rroftë LPRK!
Rroftë internacionalizmi proletar!
Lavdi Jetës e Veprës së pavdekshme të shokut Enver Hoxha!
Lavdi marksizëm-leninizmit!
KOSOVA – REPUBLIKË!
[Botuar në gazetën ’’Pararoja’’ (organ i OMLK-së), Nëntor 1989]
_____________________________
Trokitje…! Dokumentar kushtuar Heroit Fadil Vata.