RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së … (1)

Nga Asllan Muharremi

…Tani Hefest, ti duhet të zbatosh         

Atë që do yt atë: e mbërthe       

Këtë rebel mbi shkëmbin e thepisur,   

Aty shpejt lidhe me vargonj të fortë

E të pathyeshëm. Ai ta vodhi zjarrin,

Burimin e çdo mjeshtërie, stolinë tënde

Plot me shkëlqim, dhe njerëzve ua dha.

Për një mëkat të tillë atë hyjnitë

Do ta ndëshkojnë rreptë: të mësojë

Si tiranisë së Zeusit t’i përulet

Dhe dashurinë për njeriun ta harrojë!

ESKILI  “Prometeu i mbërthyer”

***

PARATHËNIE

Jam i lindur dhe rritur në një familje që brez pas brezi e ka derdhur gjakun për çlirimin e Shqipërisë. Gjyshi dhe xhaxhai i tim atë, me pushkë në dorë, kanë luftuar kundër pushtuesve turq dhe serbë.

Edhe unë bëra përpjekje të ecë gjurmëve të stërgjyshërve dhe të vë një gur në murin e kështjellës që i vuri themelet Gjergj Kastrioti.

Në prag të njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ( qershor 1978), u  vura në kontakt me veprimtarë të organizatës çlirimtare Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ).

Në nëntor të vitit 1979, për shkak të zbulimit të veprimtarisë së Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, jam arrestuar dhe përballur me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror Jugosllav (UDB), kësaj vegle të regjimit antipopullor dhe antishqiptar të Jugosllavisë së Titos.

Me shpërthimin e demonstratave të pranverës së vitit 1981, së bashku me shokët e Organizatës sime politike (LNÇKVSHJ), jemi bërë pjesë e zërit dhe vullnetit të popullit shqiptar të Kosovës dhe me gjithë fuqinë tonë e kemi mbështetur kërkesën që Kosovës t’i njihej statusi i Republikës në kuadër të Federatës Jugosllave.

Ashtu si edhe shumë të tjerë, në prill të vitit 1981, jam arrestuar dhe mbajtur në burg me vendim të Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme. Autoritetet jugosllave, prangosjen time dhe të shumë të tjerëve, e quanin “qëndrim në vend të caktuar”.

Në dhjetor të vitit 1981, i kam bërë telefon  Jusuf Gërvallës dhe e kam njoftuar se do ta prisnim “Zërin e Kosovës” në Bled të Sllovenisë, ashtu siç ai ishte pajtuar me Xhafer Durmishin, i cili ato ditë, me porosi të tij, kishte ardhur në Kosovë.

Me 7 prill 1983, UDB-a dhe një grusht policë, ma rrethoi shtëpinë time, por nuk më arrestoi dot. U “hap toka” e më “futi në gjirin” e saj dhe sapo policia u larguan nga oborri i shtëpisë, unë mora bekimin e nënës: le të piqen pemët kur të kesh ardhur serish1

Që nga 7 prilli 1983, unë që kisha fajësinë e Prometeut, bëra jetën e gurit, që rrokulliset e nuk gjen vend! Disa muaj pas rrethimit të shtëpisë, bëra jetë ilegali nëpër Kosovë. Ilegal isha edhe në Turqi, Bullgari, Rumani, Hungari, Austri, Gjermani, Zvicër (gjersa e kam shtruar kërkesën për strehim politik), Francë, Danimarkë dhe Suedi (gjithashtu gjersa e kam shtruar kërkesën për strehim politik).

Që në javët e para të vendosjes sime, të përkohshme, në Mynih, nisi përplasja në mes të udhëheqjes së “Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi” (LRSSHJ). Kjo ishte sfida ime e parë, përballë një realitet të ri, që e gjeta në emigracionin tonë politik.

Në verën e vitit 1987, për herë të parë, e kam vizituar Shqipërinë. Vizita përmbysi shumë nga ëndrrat dhe pritjet që kisha për Shqipërinë, por nuk i mori me vete ëndrrat e lirisë dhe idealet, që kisha, për një botë të re dhe të drejtë.

Lufta për liri, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, më gjeti dymijë kilometra larg atdheut, e megjithëkëtë, me mendje e zemër isha përkrah luftës nacionalçlirimtare të popullit tim.

Kosovën e lirë, e kam vizituar për herë të parë pas çlirimit të saj. Fshatin tim të lindjes dhe Kosovën në përgjithësi, e gjeta të djegur dhe më me shumë plagë, por të lirë e pa policë dhe ushtarë serbë.

Për herë të parë, pas rreth shtatëmbëdhjetë vjetësh, jam takuar me shumicën e personazheve të këtij libri kujtimesh. Në verën e vitit 1999, edhe familja ime, bënte jetë refugjati, brenda territorit të Kosovës. Shokët kishin zbritur nga malet dhe kishin rinisur ndërtimin e Kosovës së lirë.

Autori

(VIJON)

© Pashtriku.org

__________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (2)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura