NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (XII)
Nga Ajaz Emini / 06 / 10 / 2023
Fillimi i luftimeve në rrethin e Kumanovës – Maqedoni
Gjatë Prillit 2001 pritej shpërthimi i luftimeve kundër forcave sllavo maqedonase edhe në fshatrat e Kumanovës. Tani në të gjitha anët po flitej vetëm se kur do të fillojnë luftimet. -Në fshatin Llojan tani unë me Shahadijen po kalonim çdo vikend, sepse aty kisha vajzat dhe të gjithë familjen. Sipas të gjitha bisedave atje po planifikohej që sulmi i parë kundër forcave maqedonase të fillojë në fshatin Llojan, atëherë kur do të kthehej patrulla policore me autoblindën e tyre nga kufiri Llojan-Miratoc. Mirëpo siç u tha nga bisedat se për shkak të armatimit jo të mjaftueshëm në Llojan, vendosen që sulmi të kryhet në fshatinVaksincë.
Luftimet në mes të UÇK-së dhe forcave maqedonase kishin fillu qysh herët në fshatinTanushë, mirëpo konflikti filloi më 22 Janar 2001kur forcat e UÇK-së kishin sulmuar stacionin policor në fshatin Tearcë të Tetovës, ku kishin vrarë 1 oficer policor dhe kishin plagosur 3 të tjerë. Pas këtij aksioni siç duket, fillojnë përforcimet e UÇK-në rajonin e Kumanovës të rriten. Në këtë pjesë të banuar kryesisht me shqiptarë, tani kishim të ardhur edhe shumë veteran të luftës nga Kosova edhe Shqipëria.
23 Nëntor 1999, Sojevë /Kosovë, takimi im i parë me Sekretaren e SHBA’s Zonjën Madeleine Albright në Kampin ushtarak Amerikan “Bondsteel”
Meqenëse ishin festat e Majit, i porositëm që për festë vajzat tona: Liridona dhe Mimoza që të shkojnë te motra ime Nergjizja në fshatin Çerkez, e kurse ne do të vinim aty të premten. Të Premten ne shkuam te motra në Çerkez, takuam vajzat tona dhe ndejtëm deri të dielën në mbrëmje, dhe para nisjes për në Bondsteel i porositëm vajzat që pas feste të ktheheshin te familja ime në Llojan. Kurse ne shkuam përsëri për në punën tonë në kampin ushtarak të Bondsteel’it, me premtimin se gjatë vikendit tjetër do të jemi me to në fshatin Llojan.
Pas kthimit tonë në kampin ushtarak në Sojevë, më 3 maj 2001 ndodhi sulmi mbi patrullën policoro- ushtarake maqedone në fshatin Vaksincë, rreth 1 km nga fshati Llojan. Në këtë sulm të UÇK-së u vranë 2 ushtarë maqedon kurse i treti ushtarë u zu rob lufte, dhe zona shqiptare për rreth maleve të Karadakut u shpall “Zonë e lirë” nga forcat e UÇK-së Po në të njëjtën ditë fillon ofensiva maqedone kundër forcave të UÇK-së, kurse fshatarëve iu jepet ultimatum që për menjëherë për t’u larguar nga fshatrat për rreth. Sulmet fillojnë nga forcat sllavo maqedone me artileri, tanke, mina hedhës si dhe helikopterët ushtarak. Së pari sulmi maqedon filloi mbi fshatrat: Vaksincë, Sllupçan, Orizare dhe Hotël. Pas dy jave lufte të rreptë të UÇK-së me forcat maqedone, fshatrat shqiptare granatohen pamëshirshëm: Llojan, Vaksincë, Sllupçan, Orizare, Likovë, Hotël, Mateç e deri në Haraçinë. Kurse më 26 Maj 2001në fshatinVaksincë vritet heroi i kombit Fadil Nimani Komandant Tigri, i cili ishte veteran i luftës së UÇK-së në Kosovë e tani kishte ardhë nga Kosova për t’i ndihmuar vëllezërit e tij shqiptarë në rrethin e Kumanovës. Gjatë kësaj kohe, rruga për në fshatrat shqiptare rrëzë maleve të Karadakut ishte mbyllur. Vajzat na mbetën në fshatin Çerkez te motra, kurse nëna e sëmurë, familjarët tjerë në fshatin Llojan.
Tani po pritej nga momenti në moment që edhe në fshatin Çerkez të fillojnë luftimet. Në një anë, rreth stacionit hekurudhorë të Kumanovës, përballë fshatit Çerkez mbi silosin e betonit shifeshin snajperistët maqedon që ishin të gatshëm për gjuajtje në popullatën e pa mbrojtur shqiptare. Ndërsa vetëm disa qindra metra më tutje, gjendej edhe kazerma ushtarake maqedone e cila ishte në gjendje gatishmërie, e kurse në anën tjetër kishte disa pjesëtarë të UÇK-së që vinin rregullisht në ndejat tona, ku ishim me dhëndërinë Sabri Asani-Drejtor Shkolle, Feriz Dervishin-Këshilltarë Komunal dhe biznesmen i madh si dhe shoqëria e tyre, për t’i kërkuar lejen e fillimit të aksionit luftarak edhe në këtë fshat. Mirëpo ishte Feriz Dervishi ai i cili rregullisht e përmbajti kontrollin e pjesëtarëve të UÇK’s po dhe të forcave maqedone, për mos shpërthimin e një lufte shumë të përgjakshme të popullatës së pa armatosur në fshatin më të madh të komunës së Kumanovës e cila është banuar kryesisht me shqiptarë, dhe pothuajse lagje e qytetit.
Meqenëse nuk mundë të shkoja në fshatin Llojan, tani vikendet po i kalonim së bashku në fshatin Çerkez te motra me dhëndërin Sabriun dhe familjen e tyre.
Gjatë mbrëmjeve sa ishim në fshatin Çerkez kohën më të gjatë po e kalonim së bashku me shoqërinë e Sabriut brenda fshatit. Prej fshatit Çerkez patëm rastet e shumta që t’i shohim edhe granatimet e pa mëshirshme të fshatrave tona shqiptare që ishin për ballë, nga forcat sllavo maqedone.
Te motra kishim edhe vajzat tona që mbetën të ngujuara në fshatin Çerkez, sepse dokumentacioni me veshëmbathjen e tyre i mbeti në zonën e çliruar të Llojanit! Gjatë vikendit vendosëm që vajzat t’i transferojmë në Kaçanik te familja e Shahadijes, mirëpo si t’ia bëjmë?! Ato nuk kishin pasaportat me vete! Tani po flitej se edhe rruga për në fshatin Çerkez do të mbyllej, atëherë në mbrëmje vonë morëm vajzat edhe u nisëm për në qytetin e Kumanovës te kushërira Mifiraja, aty kaluam natën dhe të nesërmen para darke të Dielën më 6 Maj 2001, u nisëm drejtë kufirit të Elez Hanit.
Në kufi ishte pamje e trishtueshme, kallaballëk i madh, plotë gra edhe fëmijë që më tepër i përngjante kohës kur shqiptarët po iknin dhe dëboheshin nga Kosova për në Maqedoni por tani ishte e kundërta, shqiptarët po iknin prej Maqedonisë për në Kosovë! – Në zonën kufitare unë nxora kamerën edhe po bëja disa inçizime të refugjatëve që po iknin për në Kosovë kur nga ana tjetër më bërtiti policia kufitare maqedone: “Çka je duke bërë, a e dinë se nuk lejohet inçizimi në kufi?” Unë ia prita anglisht: “Kush po të pyet ty?” Polici maqedon gati sa s’u çmendë, tani ma kërkonte kamerën që të ma marrë sepse paskam thyer ligjin e tyre. Unë i thashë se: “Kamerën nuk ta jap, kjo është e imja!” Policit gati sa nuk iu muar zëri nga piskama duke e kërkuar që t’ia japë kamerën atij, ishim të parët në kolonë të qindra makinave pas nesh, dhe kishim bërë bllokim total të trafikut kufitarë. Tani polici nuk na lejonte që të kalojmë kufirin por ai më thonte se: “Ju nuk keni për ta kalu kufirin nëpërmjet kësaj pike kufitare, por tani ju duheni të ktheheni në pikën kufitare të Tabanocit”. Unë ia ktheva se: “Unë kamë për të kaluar vetëm këtu e askund tjetër”, atëherë polici hyri brenda edhe e thirri shefin e tij i cili ishte një polic tjetër i cili na u afrua edhe më pyeti se çka është problemi? I thashë “Nuk e kuptojë se çka është çmendur ky kolegu juaj, e s’po don me na lënë që të kalojmë në rrugën tonë për në punën tonë në Bondsteel.” Polici u afru edhe po i tregonte si unë kisha inçizu brenda kufirit, unë ia prita: “Nuk është aspak e vërtetë, eja shife aparatin, ky është aparat fotografik e jo kamerë inçizuese”! Shefi i policisë u afrua edhe e pa se ishin foto që kisha fotografu në vende tjera, edhe mu drejtua me fjalë të mira; “ Të lutem ta kesh parasysh e mos fotografo në zonën kufitare sepse është e ndaluar. E shef atje shenjën më largë ku të tregon se është zonë e ndaluar për të bërë foto këtu”, edhe na e hapi krahun e rrugës edhe kaluam në anën tjetër të kufirit, në anën kosovare, pa pasaportat e Liridonës dhe Mimozës. Sa për kamerën, ajo ishte në realisht kamerë që kisha bërë incizime, por kishte edhe pullën tjetër që të bëja edhe vetëm se fotografi. Ato të cilët edhe ia tregova shefit të policisë në kufi!
Ky ishte fati jonë, sepse po theja të gjitha ligjet, po bëja kalimin ilegal pa dokumente si dhe inçizime brenda zonës së ndaluar kufitare. Si duket uniformat dhe kartelat tona ushtarake të Armatës Amerikane po e bëjnë të veten.
Në pjesën kufitare të Kosovës na qëlloi një polic i Kaçanikut i cili njihte familjen e Shahadijes, pasi se na pa se kush ishim filloi të na pyes se si po kalonim, dhe kur na pa me uniformën e Ushtrisë Amerikane as që na kërkoi dokumentet e udhëtimit, as për ne e as për vajzat tona, përveçse që na përshëndeti dhe dëshiroi rrugë të mbarë.
Pasi kaluam kufirin shkuam në Kaçanik në shtëpinë e vëllaut të Shahadijes, mikut Maksut Hoxha, aty ku tani ishte duke e shfrytëzuar shtëpinë djali i hallës së Shahadijes Haki Raka me familjen e tij, i një familje të madhe intelektualësh. I lamë vajzat tona aty dhe ne vazhduam për në kampin ushtarak të Bondsteel’it. Kjo na ishte një ditë që nuk do të harrohet kurrë, dhe me shumë fate…
04 Qershor 2001 Kaçanik /Kosovë, gjatë vizitës së së vajzave Liridona dhe Mimoza Emini.
Në ditën e shtunë më 23 qershor 2001, derisa po udhëtoja me makinë prej Sojeve për në fshatin Çerkez të Kumanovës, menjëherë pas daljes nga qyteti i Shkupit në autostradën për në Kumanovë tek urat mbi autostradë, pashë shumë turmë njerëzish të mbledhur dhe kohë pas kohe po rrihnin shuplakë. Pasi kalova hotelin “Belevue”, aty pashë edhe shumë makina. Disa qindra metra më tutje edhe unë dola në të djathtë nga rruga kryesore dhe parkova makinën anash dhe dola jashtë makine për të parë se ç’po ndodhte. Disa qindra metra më tutje në fushën përballë me vreshta, kishin qenë disa tanka të renditura në formë harkore të cilat kohë pas kohe po gjuanin në mënyrë të sinkronizuar në drejtim të fshatit Haraçinë i cili fshat shihej në anën e majtë të rrugës kryesore disa kilometra më tutje rrëze kodrinave të fshatit. Përveç sulmit me tanke që po sulmohej Haraçina, po sulmohej edhe me artileri të rëndë si dhe nga ajri sulmohej me dy helikopterët luftarak MI-24 që sapo i kishin marrë Maqedonia nga Ukraina. Çdo herë që gjuhej nga artileria apo helikopteri luftarak i forcave maqedone, e gjithë turma e atyre njerëzve kërcenin dhe rrihnin shuplakë nga gëzimi, kurse në anën tjetër pas çdo krisme shifej tymi dhe pluhuri ku qëllohej fshati Haraçinë. I gjithë fshati ishte në një pozitë të tillë që dukej sikurse të pozicionohej në shuplakën e dorës. Në atë vend qëndrova i ngujuar dhe i habitur për 10-15 minuta, dhe pastaj hyra në makinë dhe vazhdova rrugën në drejtim të Kumanovës. Gjatë rrugës po mendoja dhe po i bëja pyetje vetëvetes a thua si do të shpëtojnë pjesëtarët e UÇK-së dhe fshatarët e pa fajshëm që të gjitha këtyre granatimeve të çmendura të ushtrisë dhe policisë maqedone?
Në të arritur te motra në Çerkez i tregova Sabriut (dhëndrit) se ç’po ndodhte, dhe menjëherë e dhezëm televizorin dhe pamë se në orën 15:00 i kishin ndërpre luftimet sepse në Hotelin “Belevue” të gjitha ato makina që i pashë, kishin qenë udhëheqja maqedone në pritje të Javier Solanës, Përfaqësues i punëve të Jashtme të Bashkësisë Evropiane.
Gjatë këtij takimi ishte bërë edhe marrëveshja për ndërprerjen e të gjitha luftimeve, dhe ishin marrë veshë me emisarin special të SHBA’s Peter Feith, që pjesëtarët e UÇK’s së bashku me të lënduarit dhe të vrarët, si dhe me armatimin e tyre të ndihmohen nga pjesëtarët e Armatës Amerikane që të tërhiqen në zonën e tyre të lirë, në fshatin Nikushtak!
Evakuimi i pjesëtarëve të UÇK-së nga pjesëtarët e Armatës së SHBA-së filloi në të njëjtën ditë në orën 17:00, dhe brenda një kohe të shkurtër që të gjithë luftëtarët e UÇK-së u larguan nga fshati Haraçinë. Të nesërmen trupat maqedone hyjnë në fshatin e boshatisur, pa asnjë pjesëtarë të UÇK-së .
Në lidhje me këtë fenomen i kemi disa kontradikta ku thuhet se Kryetari maqedon Trajkovski kishte frigën se po fillonte një luftë civile në Maqedoni, ky ishte një verzion, por sipas tjetrit thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Lord George Robertson kishte thënë se sulmi maqedon kundër UÇK-së në fshatin Haraçinë ishte “çmenduri” dhe “krejtësisht i pa imagjinueshëm” dhe i kishte tërheqë vërejtjen se “Maqedonia ishte në prag të një lufte të përgjakshme civile.”
23 Mars 2001 Gjilan /Kosovë, takimi me Komandant “Remin” Rrustem Mustafa në kazermën e TMK’s në Gjilan /Kosovë.
Meqenëse trupat e UÇK-së ishin të rrethuar në tre anët e fshatit, dhe tani nuk kishin as ushqim dhe as municion sa duhet, mendohej se ata tani për sulm do të përdorin mortajat120 mm. dhe nga të cilat do të arriheshin caqe të sulmit si: aeroporti, rafineria, stacionet policore si dhe të gjitha pikat më vitale në Shkup, duke përfshi edhe Parlamentin e Maqedonisë. Ky ishte kërcënim të cilin ia kishte bërë qysh në fillim të luftimeve Komandant Hoxha, komandant për Forcat e UÇK-së në fshatin Haraçinë.
Edhe kjo luftë e UÇK-së me shtetin maqedon, nuk ishte aspak e barabartë. Për derisa forcat e UÇK- së kishin ushtarë nga popullata lokale me një numër të kufizuar të luftëtarëve, gjithashtu edhe të luftëtarëve të ardhur nga Kosova dhe Shqipëria. Thuhet se që të gjithë përbënin rreth 6.000-7.000 ushtarë, dhe me armatim të thjeshtë: Kallashnikov të vjetër dhe disa minahedhës. Kurse pala maqedone përbëhej prej ushtrisë së rregullt, rezervistëve ushtarak, policisë, luftëtarëve nga Ukraina, Serbia dhe Bullgaria e që numëronin rreth 15.000-20.000 ushtarë dhe police që kishin armatim shumë më të sofistikuar si: artileri të ndryshme, tanke, autoblinda, automjete ushtarake dhe helikopter luftarak, si dhe kishin ndihma të mëdha në armatim dhe personel edhe nga Bullgaria, Serbia, Ukraina dhe Turqia.
Kthimi pas tre vjetëve në Amerikë nga Kampi Ushtarak i Armatës së SHBA’së në “BONDSTEEL” të Sojevës në Kosovë
Gjatë të gjithë kësajë kohe sa ishim në Ballkan përjetuam shumë ndryshime! Pas bashkëngjitjes tonë në Armatën Amerikane, kishim edhe qëllimin dhe planet kryesore që të mbetemi në Ballkan. Mirëpo duke i parë rrethanat në Kosovë dhe Maqedoni, na u deshtë që të anulojmë planet dhe vendosëm që përsëri të kthehemi në shtëpinë tonë në SHBA-së prej nga kishim ardhur gati se para 3 vjetësh, në shtëpinë që ia kishim pas lënë në shfrytëzim refugjatëve tanë.
Shahadija me vajzat: Liridonën dhe Mimozën vendosëm që të ktheheshin më së voni deri në fillim të Shtatorit 2001, me qëllim që të arrijnë regjistrimin me kohë në shkollat përkatëse në Cleveland, Ohio të SHBA-së. Kurse për mua, vendosëm që të vazhdoja punën me Armatën Amerikane në Kosovë edhe për një kohë të pacaktuar, me qëllim që të shohim edhe më tej se si po rrjedhin gjërat në këto anë.
Shahadija me Liridonën dhe Mimozën u kthyen për në Amerikë gjatë ditëve të kobshme të tragjedisë së 11 Shtatorit, një rrugë e cila kishte qenë mjaftë e mundimshme!-Më 11 Shtator 2001, atëherë19 militantët e islamistëve ekstrem të quajtur Al-Queda, kidnapuan aeroplanët me udhëtarë. Dy prej tyre u përplasën me qëllim në katin e 88 të kullave binjake 110 katëshe mu në zemër të Manhatanit në qytetin e New York’ut për të shkaktu sa më tepër viktima. I treti aeroplan u përplas në Pentagon jashtë Washingtonit, kurse i katërti aeroplan ra në Shanksville, në fushat e Pensilvanya’s!
Gjatë këtij sulmi patëm 2,996 viktima, me 19 terroristët e Al-Qaeda’s dhe mëse 25,000 të lënduar!…
Ishte një ditë që do të mbetet në faqet e historisë së njerëzimit, ishte një ditë kur gjithçka do të ndryshonte për gjithmonë! Tani edhe udhëtimet e sidomos ato me aeroplan do të ndryshojnë rrënjësisht me kontrollet e tyre të pa numërta…
Me largimin e Shahadijes dhe vajzave nga Kosova, tani edhe për mua filluan shumë gjëra që të më bëhen monotone. Kështu që nga fundi i Shkurtit 2002 vendosa që edhe unë ta përfundojë misionin tim me Departmentin e Mbrojtjes së SHBA-s dhe të kthehem te familja ime në Amerikë!
Nga fundi i Shkurtit 2002 kërkova lejen e udhëtimit për kthim në SHBA nga zyrja e TRW, e cila ishte përgjegjëse për përkthyesit në Bondsteel të Kosovës. Kërkova lejen sepse sipas kontratës që kishim, para kthimit në shtëpi na duhej që neve së paritë kthehemi në bazën e Armatës Amerikane në Fort Benning të Georgisë, prej nga u nisëm për në Shqipëri dhe Kosovë për të bërë nënshkrimin e prishjes së kontratës me to si dhe dorëzimin e pajisjeve ushtarake që na kishin dhënë. Gjithashtu duhet edhe kryerja e kontrollës mjekësore pas kthimit…
AKTIVITETET PAS KTHIMIT NË SHBA
Pas kthyerjes tonë në shtëpi, për një kohë të shkurtër nuk u morëm me asgjë, përveçse që po mundoheshim të stabilizoheshim në shtëpinë që kishim blerë para 3 vitesh.
Disa muaj më vonë, duke na parë se ende nuk kishim filluar asgjë, një i afërm i familjes tonë Sadat Inal mu lut që ta zëvendësoja atë në biznesin e tij që kishte të bënte me shitblerjen e makinave. Kërkoi për shkak se e kishte dasmën e motrës së tij në Turqi. E pranova lutjen e tij, dhe gjatë verës e zëvendësova atë për derisa të kthehej.
Pas kthimit të tij, Sadati mu lut që të vazhdoja të punoja edhe më tej me të përderisa të vendosi unë se me çka do të merrem! Meqenëse ende nuk kisha ndonjë plan konkret vazhdova këtë punë edhe për disa vite derisa vendosa që të hapi biznesin tim personal, po në të njëjtin profesion që po e bëja aty, në shitblerjen e automjeteve të ndryshme- profesion që edhe sot po zhvillojmë.
Pas disa vitesh hapa edhe dyqanin e dytë të të njëjtit biznes, disa kilometra më larg nga i pari po me të njëjtin emër: “ALB USA AUTO INC.”
Në këtë biznes punësova edhe vajzën time Liridonën, e cila bëri punën e menaxheres për disa vite, derisa iu kyç shkollimit universitar si studente e rregullt në Cleveland State University, për çka i jemi shumë mirënjohës dhe i dëshirojmë suksese në profesionin e sajë.
Përveçse punës në profesionin tregtarë makinash (Car Dealer), gjatë kësaj kohe vazhdova edhe më tej në profesionin edhe të përkthyesit, por tani jo si punë të rregullt pasi se kisha hapë biznesin tim.
Punën e përkthyesit e vazhdova edhe për Departmentin e Emigracionit, të cilët që kishin të bëjnë me disa lëndë të kriminelëve serb nga krimet e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, – ish Jugosllavi! Detyra kryesore e Departmentit të Emigracionit ishte kapja e kriminelëve të krimeve të Srebrenicës, Potoçari dhe vendeve të tjera në Bosnje dhe Hercegovinë ku ishin masakruar më shumë se 8,000 boshnjak mysliman.
Këto masakra kishin ndodhur gjatë 11-22 Korrikut 1995, dhe pas luftës shumica e këtyre kriminelëve kishin emigrua edhe në SHBA, për një jetë më të mirë, e që kishin shfrytëzuar rastin dhe kanë ardh në Amerikë kinse edhe ata ishin viktima të asaj lufte. Por në realitet, ata vetë ishin kriminelët që kishin shkaktuar të gjitha ato krime mbi popullin boshnjak mysliman!
Në lidhje me krimet serbe nga Bosna dhe Hercegovina u angazhova dhe punova së bashku me oficerët e emigracionit në qytetin Tampa dhe Clearwater të shtetit të Floridës, si dhe në Chicago dhe Rockfort të shtetit të Illinois në SHBA.
Më vonë të njëjtën detyrë e bëmë edhe në qytetin e Detroit në Michigan, ku kësaj here në bashkëpunim kishim edhe gazetarin e mirënjohur, tani të ndjerë Sulejman Gashin dhe kolegun e përkthyesin e Gjeneralëve nga Bondsteel’i në Sojevë të Kosovës Mentor Hajdarin, me të cilët patëm marrëdhënie shumë të mira.
Në këto qytete, më vonë unë edhe u thirra disa herë nga prokuroria edhe si dëshmitarë i shtetit, që të dëshmojë në lidhje me përkthimet që kisha bërë me palët mbrojtëse, edhe para gjykatave ku po mbahej gjykimi i këtyre të akuzuarve serbë, të cilët më vonë pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë ishin vendosur këtu në tokën e SHBA-s edhe me identitetet e rrejshme…
(FUND)
© Pashtriku.org
_____________
NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (I)
Nga Ajaz Emini