NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (I)

NJË JETË KUSHTUAR ARDHEUT – DITAR LUFTE (I)

Nga Ajaz Emini

Jetëpërshkrim dhe ngjarje që nga lindja ime

Unë Ajaz Emini jam i lindur në fshatin Llojan të Kumanovës (Dardania e dikurshme), fshat që ndodhet në pjesën më veriore të Maqedonisë së Veriut.

Linda në një familje bujare nga nëna Sadia dhe babai Hamidi, të cilët njiheshin si njerëz të matur dhe të dashur ndaj të tjerëve. Linda në një familje që ndihmoi e ndau edhe kafshatën e bukës me ata që i kishte kapur skamja e madhe e kohës, e sidomos atyre që i kishin ikë terrorit dhe shtypjeve sllave nga ana e Karadakut të Preshevës dhe Gjilanit. Këta bashkëkombës të cilët kishin lëshuar vatrat e tyre nga presioni i madh sllav, kishin ardhë dhe ishin vendosë në këtë fshat mikpritës dhe bujar.

Shumica e këtyre bashkëkombësve ishin në ikje nga tokat e tyre stërgjyshore të Dardanisë që zgjatën gjatë tërë historisë së tyre, e sidomos në kohën e gjak- pirësit serb Rankoviqit. Po, atëherë në atë kohë kur bëhej dëbimi i shqiptarëve për në Turqi me aksionin e mbledhjes së armëve nga shqiptarët autokton, e që i detyronin të lëshonin tokat e tyre dhe të ikin drejt shkretëtirave të Anadollisë së Turqisë.

Linda në pranverën e vitit 1954 në tokën e Dardanisë, atëherë kur ishte vala e dëbimit të popullatës shqiptare nga dora gjakatare sllave. Kështu siç më ka treguar nëna.

Gjyshi im, Bajram Dema ishte i mirënjohur në këto anë jo vetëm si një burrë punëtor, por edhe i zellshëm dhe bamirës i madh për të cilin asnjëherë nuk munguan fjalët e mira nga të tjerët që e njohën. Ai ishte atdhedashës i madh që disa herë klika pushtuese e kishin kërcënuar me jetë: si pushtuesit bullgar, po edhe ato sllav.

Mua, qysh në moshën pesë vjeçare më vdiq babai nga një sëmundje e rëndë që e kishte marrë përderisa ishte në shërbimin e domosdoshëm të ushtrisë jugosllave, ku kishte qenë i angazhuar si ushtar i rregullt. E ku? Ku tjetër pos atje ku kanë dërguar shumicën shqiptare, në mbrojte të kufijve të Sllovenisë së Jugosllavisë së atëhershme.

Atje në ushtri gjatë asaj kohe ku nuk i kishin pasur kushtet aspak të volitshme e në veçanti për shqiptarët. Pas ardhjes nga shërbimi ushtarak sëmundja ia vështirëson jetën edhe më tepër, ku në moshën 31- vjeçare vdiq në një moshë mjaft të re…

Pas vdekjes së babait, mbeta me nënën Sadien, motrën më të madhe Nergjizen dhe vëllain Murtezanin, nën kujdesin e axhës Emin i cili ishte më i riu ndër tre vëllezërit Demiri dhe Hamidi. Ai gjatë tërë jetës së tij nuk kurseu asgjë asnjëherë, vetëm e vetëm për t’i rritë fëmijët e vëllait të tij Hamidit dhe për t’i siguruar kushtet sa më të mira që ishte e mundur. Për këta gjëra i jam shumë mirënjohës.

SHKOLLIMI IM DHE PRIRJET E MIA

Shkollimin fillor e kam kryer në vendlindje, në shkollën “Rilindja” – Llojan, aty ku isha nxënës shembullor, por që kisha për mësues një plejadë të njohur të mësimdhënësve. Gjatë viteve të fundit në shkollën fillore inkuadrohem në grupin letrar të organizuar nga arsimtari i gjuhës dhe letërsisë shqipe Hysen Këqyku. Aty fillova me shkrimet e mia të para në prozë dhe poezi, ku me këto punime së bashku me grupin letrar shkuam dhe i lexuam para nxënësve në shkollën fillore të Miratocit dhe Sllupçanit. Më vonë gjatë shkollës së mesme disa prej punimeve të mia botohen edhe në gazetën e kohës “Rilindja” dhe revistat “Zëri i rinisë”,“Shkëndija” që shtypeshin në Prishtinë.

Shkollën e mesme e fillova në gjimnazin “Skenderbeu” të Preshevës dhe pastaj u transferova në gjimnazin “Skenderbeu” të Kaçanikut legjendar. Po, aty ku trimi i Karadakut të Preshevës Idriz Seferi me luftëtarët e tij nga Presheva dhe Kumanova i kishin ardhë në ndihmë vëllezërve të tyre kosovar dhe kishin thyer ushtrinë Osmane më 1910 (në Grykën e Kaçanikut), kryengritje që njihet si një ndër më të përgjakshmet e asajë kohe.

Në gjimnazin “Skenderbeu” të Kaçanikut, unë me shumë shokë të tjerë të rrethit të Kumanovës u mirëpritëm nga drejtori i atëhershëm prof. Latif Nallbani me patriotët e mëdhenj si: Dr. Fadil Raka edhe prof. Bedri Kyqyku. Në Kaçanik për mësim- dhënës pata disa fytyra të ndritshme të çështjes kombëtare të asaj kohe siç ishin: prof. Bedri Kyqyku, Prof.Dr. Fadil Raka nga Kaçaniku, e më vonë edhe prof. Naim Ibrahimi nga Kumanova, prej të cilëve mësova përveç lëndëve mësimore që kishim edhe atdhedashurinë. Aty u njoha me shumë shokë të rrethit të Kumanovës të cilët po përbënin një paralele në vete në këtë shkollë, bashkë me disa bashkëkombës të fshatrave të rrethit të Kaçanikut. Unë me shokët e e rrethit të Kumanovës erdhëm në Kaçanik, pasi na ishte mohuar e drejta e shkollimit në gjuhën amtare shqipe nga pushteti sllavo-Maqedon në Jugosllavinë e atëhershme. Në Kaçanik u njoftova edhe me shokë, që më vonë do të njihen si patriotë të mëdhenj të çështjes kombëtare si: vëllezërit e Komandant Ismet Jasharit: Xhemal dhe Murat Jasharin nga fshati Orizare e Kumanovës, Hysen Shurdhani, Xhemal Krivanjeva, Abdullah Çallakun, Ismajl Raka nga Kaçaniku, Nuri Rexhepin, Salim Zulfiu nga Likova e Kumanovës dhe shumë e shumë të tjerë. Në Kaçanik njoftova edhe shoqen e jetës, tani bashkëshorten Shahadije Hoxhën, të bijën e Kemal Hoxhës. Shahadija ishte mbesa e patriotit të mirënjohur Kaçanikas Ismail Hoxha, (i njohur, Mulla Ismaili) i cili më 8 Shtator 1944 kishte ngritë flamurin kombëtarë shqiptarë për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në stacionin hekurudhor të Kaçanikut, i cili për këtë akt patriotik do të pësojë maltretime dhe tortura të pa para, për çka dhe detyrohet të shpërngulet në Turqi nga pushtuesi serb. Më vonë për shkak të vdekjes së birit të tij, ai kthehet që të kujdeset për fëmijët e të birit të tij, i cili në moshë të re kishte ndërruar jetë. Mulla Ismaili e kishte dashur pa masë shkollimin, ku pas kthimit në Kaçanik me mundin e tij ia arrin të shkollojë nipin Maksutin dhe mbesat: Ajnishahen, Shahadijen edhe Naimen.

Dy vitet e  fundit  të  shkollës  së  mesme  me iniciativën e Dr. Prof. Ramiz Abdylit, Prof. Dr. Asllan Selmanit, Prof. Avni Deharit edhe Prof. Naim Ibra- himit së bashku me të gjithë shokët e rrethit të Kumanovës, gati e gjithë paralelja Kumanovare u transferuam që të vazhdojmë mësimin në gjimnazin “Goce Dellçev” të Kumanovës, me qëllimin kryesor të hapjes së paraleleve edhe në gjuhën shqipe në këtë shkollë, aty ku mohohej mësimi shqip për të gjithë neve shqiptarët e Maqedonisë! Mësimin në fillim e filluam jashtë objektit të gjimnazit për shkak të refuzimit maqedon, por ne filluam mësimin në objektin e shkollës fillore ‘’Bajram Shabani”të Kuma- novës. Ky objekt shkollor aspak nuk i përmbushte kushtet e shkollimit. Një vit më vonë me iniciativa të ndryshme na lejohet që të vazhdojmë mësimet në objektin e Gjimnazit “Goce Dellçev”, ku përsëri shumica e lëndëve po zhvilloheshin në gjuhën maqedonase edhe për shqiptarët, por me shpresë dhe qëllim që të hapnim paralelet e mësimit edhe në gjuhën amtare shqipe.

Në Kumanovë për kujdestar klase dhe mësim- dhënës kishim bashkëvendësin, historianin e mirë- njohur dhe patriotin e madh: Dr. Prof. Ramiz Abdylin, i cili ishte i vendosur që mësimi për nxënësit shqiptarë të zhvillohet vetëm se në gjuhën amtare shqipe edhe në këtë gjimnaz të Kumanovës për nxënësit shqiptar të qytetit dhe rrethinës së Kumanovës. Pas të gjitha peripetive dhe pengesave që patën Prof. Ramizi me kolegët e tij nga pushteti sllavo-maqedon, ata ia arritën qëllimit që të realizojnë dëshirën e shumë- pritur të gjithë popullit shqiptarë .

Më vonë me kalimin e kohës, shumica e këtyre profesorëve dhe nxënësve shqiptar do të arrestohen dhe ndëshkohen me burgim dhe tortura më çnjerëzorë nga pushteti sllavo-maqedon, vetëm e vetëm pse kërkonin të drejtat elementare të njeriut që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën e tyre amtare “SHQIP dhe vetëm SHQIP”!

Pas kryerjes së gjimnazit, unë përveç shkrimeve pëlqeja pa masë edhe aktrimin. Meqenëse shkollë aktrimi shqip nuk kishte, konkurrova në fakultetin e teatrit dhe filmit në Zagreb. Atje mbeta i dëshpëruar sepse nuk ia arrita qëllimit që të regjistrohem, ku shkaku ishte konkurrenca jashtëzakonisht e madhe prej mese 200 kandidatëve të paraqitur, ku u pranuan vetëm se 9 studentë! Pas monologut që kisha për provim pranues, komisioni më propozoi që të shkojë të regjistrohem në Shkollën e Lartë të Aktrimit në Prishtinë, duke më thënë se studentët shqiptarë që pranohen këtu zakonisht vijnë me propozim nga teatri apo Shkolla e Lartë e Aktrimit në Prishtinë! Me vonesë për regjistrim në drejtime të tjera që i pëlqeja, unë prej Zagrebit u ktheva në Universitetin e Prishtinës pas afatit të regjistrimeve. Në Universitetin e Prishtinës aty më ndihmojnë që të regjistrohem e dashura ime Shahadija, me të cilën njiheshim nga gjimnazi në Kaçanik, e cila kishte dajën e sajë Dekan të Fakultetit Juridik Prof. Hajredin Hoxhën, një patriot i madh i cili menjëherë intervenon edhe arrin që të më regjistrojë në Fakultetin Juridik dega e Drejtësi- Gazetari. Në Fakultetin Juridik kisha edhe dajën Muharrem Shaljanin që studionte drejtësinë, një aktivist poashtu i njohur i çështjes shqiptare, të cilin më vonë pas një kohe të shkurtër pas diplomimit dhe punësimit do ta arrestojnë, torturojnë dhe dënojnë me 5 vjet burg si armik i popullit dhe shtetit jugosllav!

Asnjëherë nuk më pëlqeu mua drejtimi i drejtë- sisë, por kisha synimin për të kaluar në drejtimin e gazetarisë që më vonë të merrem edhe me shkrime.

Gjatë dy viteve të para të fakultetit juridik kisha shumë ndihmë edhe nga daja im Muharrem Shaljani, me të cilin jetonim së bashku në të njëjtën banesë. Gjatë vitit të parë të studimeve banonim në një banesë private, ku aty kushtet ishin minimale për jetesë! Gjatë vitit të dytë të studimeve dajës tim Muharremit si student i mirë, iu nda një vend në konviktin e studentëve pasi se Muharremi ishte absolvent në vitin e fundit të studimeve, si dhe për shkak të kushteve të vështira ekonomike që kishte. Qëndrimi im në kon- vikt ku po banoja ishte ilegal, edhe pse isha te daja im Muharremi. Ishte tepër vështirë të fitohet e drejta e banimit për një fillestar të studimeve, sepse numri i shtretërve në konviktin e studentëve ishte tepër i kufizuar! Gjatë kësaj kohe unë me Muharremin ishim në përcjellje edhe nga UDB-ja jugosllave për aktivitet dhe realitetin jetësor që po e bisedonin me të tjerët, e si duket bisedat e realitetit shqiptarë në jugosllavi dikujt nuk i kishte pëlqyer. Pas një kohe, pas një shpërndarje të afisheve edhe shkrimeve anti- jugosllave në muret e konvikteve të studentëve në Prishtinë, që të dy unë së bashku me Muharremin u arrestuam dhe na dërguan  në stacionin policor të Prishtinës për hetime. Që të dy u arrestuam në një ditë herët të mëngjesit aty rreth orës pesë, derisa ishim në gjumë. Pas arrestimit dhoma jonë bastiset dhe që të dyve së bashku na dërguan në stacionin policor të burgut të Prishtinës. Atje u morëm në pyetje dhe na kërcënuan me tortura dhe burgosje në lidhje me shkrimet dhe afishet që u  gjendën në konviktin  e studentëve. Dikur vonë në mbrëmjen e po të njëjtës ditë, që të dy u liruam. Gjatë studimeve sigurimi i shtetit na kishte në sy dhe kishin angazhuar edhe bashkëpunëtorët e tyre të bëjnë përcjelljen në të gjitha tubimet dhe bisedat tona, si edhe kishin angazhuar edhe disa studentë që i kishin pas shokë të mirë, e të cilët edhe në shumicën e rasteve i kishim ndihmuar atyre.

Më vonë pas arrestimit dhe gjatë dënimit të dajës Muharremit, kuptuam se ata që i kishim pasur shokë, kishin qenë dëshmitarët dhe informatorët (kodoshët) kryesor në dënimin e tij!

Muharremi pas diplomimit si jurist fillon punën në Kumanovë, ku dhe më 03 shkurt 1980 para- burgoset. Më 02 prill 1980 bastiset shtëpia ime dhe vëllait Murtezan Eminit, Muharrem Shaljanit, Haxhi Maliqit dhe Ismet Memetit. Të gjithëve na zihet edhe merret material propagandistik siç i thonin: libra që ishin botuar në ish Jugosllavi dhe Shqipëri, dhe tanimë ishin të ndaluara: revista “Shqipëria e Re” dhe disqe të ndryshme muzikore në shqip (disqe gramafoni, sipas raportit policor në dosjen e Muharrem Shaljanit) ku edhe arrestohen që të gjithë të lartë përmendurit.

Më 02 Gusht 1980, Murtezan Emini vëllai im lirohet nga paraburgimi, kurse Muharrrem Shaljani dënohet me 5 vjet burg, Haxhi Maliqi dënohet me 3 vjet burg dhe Gani Sylaj dënohet me 6 vjet burg për veprën penale si: “Armiq të popullit dhe shtetit jugosllav”, sepse me veprimtarinë e tyre patriotike paskan pas punuar për bashkimin kombëtarë.

Shumë kohë para se të ndodhë arrestimi i Muharremit, unë veçëse kisha lëshuar kufirin jugosllav. Së pari ika në Zvicër, ku pas disa javësh kalova në Austri. Në Austri në fillim u strehova te axha im Emini në qytetin e Vjenës të cilin e doja pa masë, sepse ai ishte edhe personi kryesorë që në të gjitha mënyrat na kishte ndihmuar qysh nga mosha e fëmijërisë sime 5 vjeçare, atëherë kur kishte vdek babai im dhe kishim mbet jetim me vëllain Murtezanin dhe motrën Nergjizen.

Nga Austria përsëri u ktheva edhe një herë vetëm për disa ditë në vendlindje, edhe atë më tepër që ta njoftoja dhe të merresha vesh me të dashurën time Shahadijen për planet e largimit. Shahadija nuk e mirëpriti këtë lajm në lidhje me planet për të ikur në Amerikë. Kështu që me zemër të thyer u ktheva prej nga kisha ardhur, pra për në Vjenë të Austrisë. Gjatë kësaj kohe, pas tre ditë bredhjesh Maqedoni-Kosovë, duke e ditur problemin me pushtetin e atëhershëm jugosllav, i ika edhe njëherë kurthës policore të cilët tani ishin në kërkimin tim. Të nesërmen menjëherë pas largimit tim për në Austri, policia maqedonase shkojnë për të më arrestuar në shtëpinë time në Llojan, ku edhe kryejnë bastisjen e shtëpisë time. Kësaj here ishin me vonesë, pasi unë vetëm se isha larguar dhe isha jashtë kufirit jugosllav.

Tani po iu paraqes disa dëshmi nga libri “Dosja” e Muharrem Shaljanit, e cila është e tërë dosja policore (UDB-së) e Muharrem Shaljanit e botuar nga  vetë Muharremi, aty ku shihen shumë qartë shkrimet nga dosja për përndjekjen tonë të përbashkët. Në dosjen e tij bëhet fjalë për arrestimin dhe burgimin, si dhe për aktivitetet e Muharremit të botuar më 2016. Aty kuptojmë se me Muharremin në ndjekje isha edhe unë me vëllain Murtezanin, prej ku tani po shkëpus disa pjesë nga ky libër. Në faqen11, në raportin e përpiluar të datës 19 Prill 1976; marrë nga origjinali.

-Vlerësimin e Punëtorit Operativ- nga Inspektori Haki Bediu

–“Bashkëpunëtori (kodoshi me nofkën BIMI- Milazim Bislimi- shok, student nga fshati Llojan) është aktivizuar tash, të cilit iu dhanë përveç detyrave të përgjithshme edhe disa detyra konkrete, gjegjësisht të takohet me Ajaz Eminin dhe Muharremin, që të dy studentë në Prishtinë, për të cilët kemi të dhëna se veprojnë në baza nacionaliste.

Nga kjo çka na solli bashkëpunëtori mundë të konstatohet se Muharremi paraqet interes te ne, në shërbimin e sigurimit shtetëror. Biseda u krye vetëm në mes atyre të dyve, për atë edhe nuk mundë të vërtetohet, por prap e marrim si të saktë, sepse kodoshi nuk e ka vetinë që të gënjejë ose që t’i zmadhojë gjërat. Për Muharremin edhe nga e kaluara kemi njohuri për disa veprime të ngjashme: flamuri kombëtarë, harta e Shqipërisë së Madhe, fotografitë e Enver Hoxhës etj. Por, deri tani nuk është marrë në bisedë informative.

Në bazë të asaj që u tha dhe asaj se për Kumanovën Muharremi ka pasqyrë totalisht të gabuar për barazinë e shqiptarëve.

-Në faqen 22 të Dosjes shkruan; “Vura re nën dritare, në murishte parulla “VDEKJE OSE LIRI” me laps kimik dhe shkrimi ishte i Ajazit”. E datës 26 Qershor 1976.

Pas dy muajsh qëndrimi me axhën Eminin, i cili ishte me punë të përkohshme në Vjenë të Austrisë, një ditë vendosa që t’i tregoja qëllimin atij se pse kisha shkuar aty! I tregova axhës tim se po planifikoja për ikje në SHBA, atje ku kisha edhe familjen e dajës tjetër Shaip Amidit me djemtë e tij Feratin dhe Sedushin të cilët ishin moshatar të mi! Në fillim axha im u mërzit shumë nga ky lajm, ishte prekur shumë duke men- duar se nuk ia kishte arrit qëllimit që të m’i plotë- sonte të gjitha kushtet, ndaj më lutej dhe insistonte që unë assesi mos të largohem, por të kthehem të kryejë studimet në Prishtinë. Ai më premtoi se do të më plotësojë çdo dëshirë që do të shprehja, duke më premtuar se do të më blejë edhe veturë, ku për jetën studentore në atë kohë ishte diçka thuajse e pa imagjinueshme, vetëm e vetëm që të qëndrojë afër tij…Gjatë kohës sa isha në Vjenë të Austrisë, në fillim fillova të punoja në një kopshtari me një të afërm timin që po punonte atje. Vjena njihej si metropol botërorë me shumë monumente historike. Pos punës që bëja aty vizitova shumicën e pallateve të bukura mbretërore që datonin qysh nga mbretëria Austro- Hungareze, si dhe Muzeun Historik (Kunthistori- sches Museum) në qendër të qytetit, aty ku gjendej origjinali i përkrenares dhe shpatat e kryetrimit legjendar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Në Vjenë vizitova edhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, atje ku u prita shumë mire në mënyrë vëllazërore nga stafi i ambasadës me të cilët edhe bëra një marrëveshje për shfaqjen e filmave shqiptarë për punëtorët e komunitetit shqiptarë nga Jugosllavia, që ishin me punë të përkohshme në Austri. Gjithashtu bëmë marrëveshje edhe për furnizimin e tyre me libra dhe revista nga Shqipëria! Mirëpo, pasi u takova me punëtorët shqiptarë në klubet jugosllave që ishin atje, gjatë  bisedës  me  to,  ata  më  këshilluan  që  mos  ta zhvilloja këtë aktivitet sepse do t’i bëja shumë telashe vetes dhe punëtorëve shqiptarë me regjimin jugosllav i cili me degët e tyre të UDB’s shumë gjëra po përcilleshin në lidhje me të gjitha lëvizjet shqiptare në vendet perëndimore! Shumica e këtyre klubeve të punëtorëve ishin më tepër edhe si klube përgjimesh për punëtorët shqiptarë nga Jugosllavia. Pas një kohe në Vjenë të Austrisë, iu bashkova shokut tim Kumanovarë nga studimet Hamzi Veseli, me të cilin herët kishim planifikuar arratisjen nga Jugosllavia. Pas ardhjes Hamziut, disa ditë më vonë që të dy së bashku shkuam dhe u paraqitëm për statusin e refugjatëve në Kampin e Traiskirchen’it, i cili ndodhej rreth 20 km. në jug të qytetit të  Vjenës, qytetit të kulturës dhe historisë Europjane. Në pamjen e parë kampi ishte me të gjitha rrethojat dhe rojen, që më tepër i përngjante një burgu i cili ishte në një fushë të gjërë dhe i rrethuar me shumë vreshta. Ky kamp u kishte shërbyer shumicës së të ikurve politik nga vendet e ndryshme të lindjes, të sistemit komunist. Sipas informacioneve ky kamp ishte themeluar që nga kriza Hungareze e vitit 1956. Në Kampin e Trai- skirchen’it ishin vendosur të ikurit nga mese 30 shteteve komuniste si: Shqipëria, Jugosllavia, Polonia dhe e gjithë Evropa Lindore. Aty ishin të vendosur njerëzit me bindjet politike, po edhe fetare që nuk pajtoheshin me sistemet në vendet e tyre. Kishte edhe të atillë që kishin ikur për shkaqe ekonomike dhe në kërkimin e punës jashtë atdheut. Kishte nga ato që kishin arsyen e shkollimit, mirë po këtu paraqiteshin si të përndjekur politik, për çka edhe kërkonin azil për të drejtë jetese diku në vendet perëndimore. Që të gjithë që ishin aty, kishin një qëllim. Ata donin një jetë të re jo vetëm për ato, por edhe për të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Jeta në kamp nuk ishte e lumtur, ku më tepër i përngjante një burgu demokrat që nuk ushtrohej dhunë. Kushtet në kamp nuk ishin aq të mira, për të cilën edhe ishin kritikuar nga Amnesty International për kushte jo të volitshme për refugjatët. Unë me grupin e shqiptarëve që takova atje, ishim të mbyllur në katin e dytë, në një dhomë sikur në kazermat ushtarake. Aty ishim vendosur 12 shqiptarë. Të gjithë ishim nga Jugosllavia, mirëpo të paraqitur si të ikur nga Shqipëria për shkak se më lehtë përfitohej leja e vendqëndrimeve nëpër shtetet perendimore. Për t’u ushqyer duhej shkuar në katin e parë, por gjithmonë të shoqëruar nga garda policore e kampit . Pas dy muajsh qëndrimi në Kampin e Traiskirchen’it, ne u dërguam në Kampin e Bad- kreuzen’it në një fshat malor afër Lincit. Kushtet në këtë kamp ishin shumë më të volitshme dhe më të mira. Në kamp kishim një dhomë për vetëm dy veta, me pastërti në nivel të mirë, por edhe ushqimin shumë më të mirë dhe më cilësorë. Në Kampin e Badkreuzenit kalova edhe gjashtë muaj të tjerë, në ndërkohë mora ftesat për interesim nga aplikimet e bëra më herët për vendet e dëshiruara për emigrim. Ato ftesa i kishim bërë më herët për në disa shtete të ndryshme. Kërkesa e parë e imja ishte Amerika, e pastaj për Australi dhe Kanadë. Ftesa e parë që na u bë ishte ajo nga Ambasada e Australisë, që na aprovoi vizat që të  dyve, mua Ajazit dhe Hamziut për të emigruar në Australi! Pas një jave na erdhi edhe ftesa e dytë për intervistim në Ambasadën Amerikane, të cilën po e prisnim me padurim, për të cilën donim të aprovohet më së tepërmi. Intervista shkoi ne rregull për mua, aty mu dha leja për emigrim në SHBA, kurse shokut tim Hamziut iu refuzua lutja! Pas intervistës unë me Hamziun u morëm vesh: unë të shkoj në Amerikë, kurse Hamziu për Australi, me shpresë që ku të jetë më mirë atje të bashkohemi përsëri. Kjo nuk u realizua asnjëherë…

ARDHJA IME NË AMERIKË

Më 21 qershor 1979, unë u nisa rrugës për në tokën e premtuar, tokën e shpresës dhe lirisë në Amerikën e largët atje përtej Atlantikut. Në aero- portin e Vjenës të Austrisë, më përcollën axha Emini me një shok, bashkëvendas i yni. Ata u mërzitën pa masë edhe pse iu premtoja se me çdo kusht do të kthehem pas 3-4 vjetësh, e që edhe sotë pas 40 vjetësh mbeta këtu në SHBA. Nga aeroporti i Vjenës, destinacioni ynë ishte për në metropolin botërorë, pra në Nju Jork, atje ku po më priste një përfaqëues i organizatës CARITAS.(CARITAS, nga latinishtja don të thotë “Dashuri në mes të Kombeve”)- e që është organizatë katolike që ndihmon refugjatët dhe ata që kanë nevojë. Personi apo përfaqësuesi që takova më dha $100 kesh dhe më udhëzoi për në fluturimin tjetër vijues nga Nju Jorku (New York) për në Klivlend të Ohajos (Cleveland, Ohio) ku po më prisnin familja e dajës Shaip Amidit të ardhur nga fshati Likovë të Kumanovës. Pas arritjes  në Cleveland, në fillim u vendosa te familja e dajës Shaip të cilët më mbajtën dhe më ndihmuan derisa fillova punën dhe jetën time në Amerikë. Fillimisht u punësova në një fabrikë për përpunimin e metaleve te djemtë e dajës Farati edhe Sedushi. Pas dy muajsh me ndihmën e një shoku që kishte ardhur shumë vite më herët nga Shkupi, e që quhej Agim Bajra, kalova në një fabrikë tjetër ku po punonte ai, e që kishte pagesën dhe me kushte më të mira. Mirëpo pas dy vjetësh pune filloi kriza Amerikane pas problemeve në Lindjen e Mesme në mes të SHBA-së dhe Iranit. Pas kidnapimit të stafit të

Ambasadës Amerikane në Teheran gjithçka po vështirësohej. Me të shpejtë kishim ramjen drastike të industrisë, fabrika ku po punonim shkonte drejt mbylljes dhe na liruan shumicën e punëtorëve. Nga fabrika u detyrova të kaloja në një profesion krejtësisht tjetër, në atë të gastronomisë. Si shumica e posa të ardhurve në Amerikë, ashtu edhe unë fillova punën në restorant. Punën e parë që fillova aty isha enëlarës në lokalin e një shqiptari. Pas një kohe të shkurtër me aftësitë që tregova, më ngritën pozitën dhe më dhanë punën e ndihmës kamerierit. Pas disa muajve edhe pse ende nuk e përvetësoja gjuhën angleze sa duhet, mirëpo ishte theksi im që po e pëlqenin myshterinjtë që iu shërbeja, ku me të cilët më vonë u bëmë edhe shokë e miq. Ata gjithnjë rezervonin vendet në restorant ku po punoja unë, me qëllim që t’ju shërbeja unë! Me punën time të palodhshme, pas një kohe më emëruan menaxher të restorantit aty ku po punoja. Restoranti quhej “The Glass Garden Restaurant” i cili ishte i veçantë dhe në periferi të qytetit. Restoranti ishte me renome në këtë rajon, ishte shumë i njohur me specialitetet e ushqimeve franceze dhe italiane. Kishte një dekor të natyrës së gjallë me lisa dhe lulet e ndryshme në brendësi. Përroska uji dhe ujëvarat e vogla me lloje të ndryshme të peshqve që notonin si dhe akuariumet e ndryshme të peshqve ia jepnin bukurinë dhe veçantinë. Gjithashtu kishte edhe shumë kafaze me lloje të ndryshme të bilbilave dhe papagajve. Me kalimin e kohës dhe eksperiencën që përfitova aty, vendosa më vonë që të blejë biznesin e restorantit dhe për çka mora të drejtën që të bëhem edhe pronar restoranti.

Derisa isha i punësuar nëpër restorantet e ndryshme, pata rastin të takohem, të njihem dhe shoqërohem me personalitete dhe njerëz të ndryshëm me profesione të ndryshme dhe me famë. Gjatë kësaj karriere pata rastin që të shoqërohem dhe punojmë së bashku edhe me aktorin tani me famë botërore Robert Patrick. Me Robert Patrickun përpos punës së kamerierit, kur kishim kohë të lirë ushtronim edhe profesionin e modelit të sfilatave dhe veshë- mbathjeve të ndryshme! Si model u angazhova në shumë sfilata mode për shtëpitë më të mëdha tregtare të qytetit të Klivlendit, si: “May Co.”, “Higbees” e shumë të tjerave. Gjatë kësaj kohe pata fatin të reklamoja e të bëja edhe shumë fotografi për katalogje dhe albumet e fotografistëve më të njohur që vepronin në qytetin dhe rrethinën e Klivlandit. Gjithashtu bëra një mori fotografish edhe për shtëpinë më të madhe botërore të kartave të ndryshme festive për “American Greetings”, si kartat festive të Këshën- djellave, Ditën e Shën Valentinit e tjera. Gjithashtu bëra disa reklama të ndryshme televizive për restorante, për shtëpinë më të njohur të mobiljeve ‘’Thomasville”, si dhe u zgjodha të përfaqësoja veshë- mbathjet e “Raulph Lauren” në reklamat lokale si dhe shumë promovime të ndryshme filmash dhe kozmetikë.

Derisa ushtrova profesionin e kamerierit, pata rastin të takohem edhe me: bokserin e njohur Muhamed Ali, promotorin e boksit Donald King, aktorët Antony Quin, Richard Dreffus, Alec Baldwin, pjesëtarët e grupit Rolling Stones, Police etj.

Gjatë viteve derisa po punoja nëpër restorante, pata fatin që t’u vijë në ndihmë dhe të punësojë shumicën e shqiptarëve të ardhur në këtë qytet të Amerikës. Ndihmën time fillimisht e drejtova drejtë bashkëkombësve tanë këtu në rrethin ku veproja. Shumica e posa të ardhurve shqiptarë që po vinin në qytetin dhe rrethin e Klivlendit nga tokat shqiptare, si pikë fillimi e kishin restorantin ku po punoja unë, e pastaj me eksperiencën dhe mësimin e gjuhës secili e gjente veten aty ku e pëlqenin. Në Klivlend gjatë asaj kohe numri i shqiptarëve ishte shumë i vogël. Edhe ata që ishin në këtë qytet, ishin prej emigracionit shumë të hershëm. Në përgjithësi edhe këta të rinjë që kishin ardhur më vonë, shumica prej tyre ishin shumë pro-jugosllav apo pro-grek me të cilët edhe nuk shoqërohesha aq shumë.

Veprimtarinë time patriotike e vazhdova më tepër në mënyrë vetiake pasi e përvetësova deri diku gjuhën angleze. Me kalimin e kohës fillova të bëjë edhe lidhjet sado të pakta edhe me shqiptarët e Detroitit dhe të Nju Jorkut. Në fillim aktivitetet patriotike i fillova pasi u anëtarësova në gru- pin “Amnesty International” të Klivlandit (Cleveland, Ohio), këtu në SHBA. Ky grup kishte për qëllim që t’u dalë në ndihmë të përndjekurve politik nga e tërë bota, e në veçanti të sistemit komunist. Ky grup i Amnestisë ne Klivlend kishte rreth10-12 anëtarët e rregullt, ku të gjithë ishin në moshë të shtyer. Shumë prej tyre ishin edhe të pensionuar, si dhe ishin me profesione të shkollimeve të larta. Nga ky grup unë isha më i riu vetëmse 25 vjeç, dhe i vetmi unë isha emigrant i posaardhur në SHBA në këtë grup. Ky grup i Amnestisë kishte marrë përsipër të ndihmojë disa emra të njohur të burgosurve politik siç ishin: disidenti i aparthajdit në Afrikën e Jugut Nelson Mandela i cili kishte mbajtur 28 vjet burg, disidenti i Çekosllovakisë Vaclav Havel, disidenti shqiptar që po dirgjej burgjeve të Jugosllavisë Adem Demaçi i cili kishte mbajtur mbi 28 vjet burg, dhe më shumë se 100 shqiptarëve të tjerë si Robert Rasaj, Hava Shala, Muharrem Shaljani, Axhi Maliqi, Gani Sylaj edhe shumë e shumë të tjerë, kryesisht në Jugosllavi. Puna më kryesore e grupit tonë të Amnestisë ishte që secili prej nesh të merr përsipër disa persona, dhe në emër të Amnestisë nëpërmjet letrave të shkruara të njoftojmë për të burgosurit politik kryesinë e shteteve përkatëse ku mbaheshin të burgosur. Duhej të njoftonim me letra të shkruara anëtarët e Kongresit dhe Senatit Amerikan, gjithashtu edhe liderët tjerë eminent e shtetërorë dhe botërorë. Që nga viti 1980 kur isha anëtarësuar në Amnestinë Internacionale të grupit të Klivlendit, kryesisht punova në zbardhjen e fatit të burgosurve politik shqiptarë, dhe çështjen e rëndë të shqiptarëve në Jugosllavi. Letrat tona patën shumë efekt, ku për shkak të tyre çështjet e shqiptarëve shumë herë u diskutuan edhe para Kongresit dhe Senatit Amerikan, nga të cilat më vonë rezultojnë në një numër rezolutash që u kaluan në këto instucione për shkeljet brutale kundër të drejtave shqiptare në Jugosllavi. Ndër temat më të njohura të cilat ishin të dokumentuara nga unë ishin: keqtrajtimet dhe torturat ndaj të burgosurve politik shqiptar, vrasjet e të rinjëve shqiptarë në kazermat e ushtrisë jugosllave, shuarja e demostratave paqësore në mënyrat më brutale, helmimet masive të nxënësve shqiptarë në shkollat e ndryshme të Kosovës, rrënimi i rrethojave (mureve) të shtëpive shqiptare në Maqedoni nga pushteti jugosllav, si dhe montimet e ndryshme gjyqësore ndaj shqiptarëve të pafajshëm. Për këtë aksion të suksesshëm flasin edhe një seri letrash të ardhura në emrin tim nga shumë kongresmen dhe senator amerikan siç ishin nga senatorët: Robert Dol, Alfonso D’Amato, John Glen, Howard Mezembaum, Richard Blumenthal, si dhe nga kongresmenët: Tom Lantos, Eliot Engel, Susan Molinari dhe shumë e shumë të tjerë.

Gjatë kësajë kohe  isha edhe pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në demonstratat e shumta në Nju Jork, Detroit dhe disa qytete tjera të SHBA’së.

Të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi ishin tepër të zymta, ato shkeleshin në të gjitha sferat e jetës. Sipas statistikave për të drejtat e njeriut në Kosovë, prej vitit 1989 ishin vrarë mëse 150 të rinj shqiptarë nga forcat policore serbe (jugosllave).

Vetëm se në vitin 1996 ishin vrarë 14 të rinj për shkak se po demonstronin në mënyrë paqësore aparteidin e regjimin jugosllav. Që nga pranvera e vitit 1981, pas demonstratave të famshme studentore kishte mbi 66 të rinj shqiptarë që ishin vrarë në rrethana shumë të dyshimta derisa po shërbenin në ushtrinë jugosllave.

Gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 1996, më shumë se 3,657 shqiptarë etnik u maltretuan, u rrahën dhe u torturuan në mënyrat më brutale. Deri në fund të po atij viti ky numër u rrit në mbi 5000 shqiptarë të ndëshkuar!

Në fillim të vitit 1997 u vranë 5 shqiptarë nga policia serbe (e Millosheviqit), dhe brenda një jave u arrestuan mbi 100 shqiptarë të tjerë të  cilët u ndëshkuan dhe u dënuan pa kurrfarë faji, vetëm se ishin shqiptarë.

Mes viteve 1981 deri në vitin 1993 mbi 3,200 shqiptarë u dënuan prej një viti deri ne 20 vjet burg për shkaqe politike, dhe mëse 30,000 të tjerë të burgosur shqiptarë u dënuan me nga 60 ditë burg, dhe mbi 80,000 shqiptarë të tjerë ishin marrë në hetime nga policia serbe pa kurrfarë arsye, vetëm se që ishin shqiptarë!

Gjatë kësaj kohe nga pushteti serb u përjashtuan prej pune më shumë se 147,300 punëtorë shqiptarë, që donë të thotë se mbi 80% të punësuarve shqiptarë u larguan dhunshëm nga puna. Gjatë kësaj kohe mbi 450 kompani shoqërore u vunë nën administrimin emergjent serb, mbi 4,000 biznese të vogla u mbyllën prej 6 muajsh deri në 1vit. Mbi një milion shqiptarë mbetën pa kurrfarë të ardhurash, ku nuk kishin as kushtet elementare për ekzistencë, mbi 80% të shërbimeve shëndetësore ishin nën masa të veçanta, dhe dhjetëra ambulanta nëpër fshatra i kishin mbyllur krejtësisht. Më tepër se 2,400 punëtorë shëndetësorë (mjek, motra medicinale dhe stafi i tyre) i kishin larguar nga puna që po punonin, 157 prej tyre ishin prej stafit të mësimdhënësve në Fakultetin e Mjeksisë, mbi 70,000 nxënësve shqiptarë iu ndalohet hyrja në ndërtesat e shkollave të tyre, ndërsa mëse 22,000 mësuesve të tyre nuk iu ishte bërë pagesa e punës për më tepër se 7 vite. Gjithashtu 837 profesorë me asistentët e tyre ishin pushuar nga puna e tyre në universitete, e që donë të thotë se 95% e stafit mësimorë dhe administrativ që përfaqësojnë pra ishin të pushuar nga puna. Jeta e shqiptarit në Jugosllavi ishte bërë e pa durueshme, ajo ishte që na shtyri neve dhe shumicës që e ndienim veten shqiptarë të bëjmë gjithçka që është e mundur për njerëzit tanë dhe vendlindjen tonë, edhe larg prej këtej Atlantikut! Dhimbja për njerëzit tanë dhe atdheun, ishte ajo që na shtyri të lobojmë dhe bëjmë protestat gjithëkund ku ishte nevoja, e që për fat të mirë ia arritëm qëllimit, që të bëjmë shumicën e udhëheqësisë Amerikane që të dëgjojnë zërin dhe dhimbjet tona!

Gjatë qëndrimit tim në Klivlend të Ohajos, isha vazhdimisht i përndjekur edhe këtu nga qarqet jugosllave, ku me ndihmën e një punëtorit të tyre shqiptar që kishin në Konsullin jugosllav në Klivlend, i cili më vonë më dorëzon edhe ftesën për paraqitje të Shërbimit Ushtarak në Armatën e Jugosllavisë, të cilës ftesë asnjëherë nuk iu përgjigja, edhe pse sipas ligjit jugosllav secili qytetar i lindur në Jugosllavi ishte i obliguar që të kryente edhe këtë shërbim të mallkuar ushtarak jugosllav, për të cilin gjithmonë e kisha urrejtje të madhe.

Shërbimit ushtarak i kisha ikë derisa isha në Jugosllavi, për shkak të shkollimit tim universitarë që na pritnin që pas mbarimit të studimeve të kyçemi edhe në obligimin e kryerjes së shërbimit ushtarak. Gjatë kohës derisa unë isha në studime, vendosa dhe ika jashtë shtetit jugosllav, në fillim shkova në Zvicër, dhe pastaj në Austri, e më vonë erdha këtu në Amerikë.

Pas ardhjes në Amerikë, në fillim u regjistrova në kursin e emigrantëve të posa ardhur në Amerikë për gjuhën angleze, pasi se nuk e njihja aspak këtë gjuhë. Gjatë këtij kursi mësova gramatikën dhe vetëm se gjërat më elementare të gjuhës angleze. Mirëpo më vonë me ndihmën e shoqërisë, por edhe nga interesimi im personal për të mësuar gjuhën arrita që ta e përvetësojë gjuhën angleze deri diku, e cila më lehtësoi edhe shumë më tepër jetën time këtu në Amerikë. Pas përvetësimit të gjuhës angleze, në fillim tentova që të regjistrohem në Fakultetin e Drejtësisë në “Cleveland State University” me qëllim që t’i transferojë disa nga provimet e kaluara nga Universiteti i Prishtinës. Mirëpo që në fillim mbeta shumë i zhgënjyer sepse prej të gjitha provimeve që kisha dhënë më pranohej vetëm se një provim, edhe atë ai Statistikës, po edhe ai ishte në pikëpyetje! Arsyeja e mospranimit të provimeve nga Universiteti i Prishtinës ishte se në Jugosllavi ishte sistemi i drejtësisë komuniste, për çka më vonë e ndërrova drejtimin dhe u regjistrova në kolegjin e Lakeland’it aty ku vazhdova studimet e inxhinierisë. Edhe këtë kolegj u deshtë që ta ndërpreja pas disa semestrave për shkak të orarit të punës në departamentin që më bënë. Isha i obliguar që të punoja në tre ndërrime (ç’do dy javë ndërronim nga një ndërrim në tjetrin ndërrim të punës, nga i pari në të dytin dhe pas dy javësh në të tretin e kështu me radhë. U detyrova të  ndërpres studimet për një kohë, sepse puna që po bëja ishte e vetmja që më mbulonte shpenzimet e jetesës, por edhe për ndihmën sado modeste që i bënim familjes. Më vonë, pas disa vitesh përsëri vazhdova studimet në mënyrë të çrregullt dhe arrita të diplomohem me sukses në Administratën e Biznesit.

(VIJON)

© Pashtriku.org

————————————-

NJË JETË KUSHTUAR ATDHEUT – DITAR LUFTE (II)

Nga Ajaz Emini

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura