NJË JETË NGA ATO QË JA VLEN TË TREGOHET

NJË JETË NGA ATO QË JA VLEN TË TREGOHET

Nga Shpendi Topollaj *) Tiranë 30 dhjetor 2021

Duke qenë se për një kohë shumë të gjatë kam shërbyer në radhët e ushtrisë dhe si i tillë i njoh mirë vlerat dhe virtytet e oficerëve tanë, pikëllohem pa masë kur shoh apo dëgjoj se ndonjeri prej tyre, duke kryer me nder e trimëri detyrën e ngarkuar, largohet nga kjo jetë, nga ndonjë dorë kriminale. Por edhe ndiej krenari të ligjshme kur mësoj se vepra e tyre nderohet, emri i tyre zë vend në Panteonin e Dëshmorëve të Atdheut apo dikush i përjetëson ata duke shkruar ndonjë libër monografik. Kjo ngjau edhe kur miku dhe shkrimtari i nderuar, Hamdi Hysuka, më solli qysh në dorëshkrim librin e tij kushtuar birit të paharruar të Matit, Musa Bajram Skura, shefit të seksionit të Hetimit dhe Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë së këtij rrethi.

Të pikon në shpirt kur sheh mbi pllakën e zezë prej mermeri të varrit, fytyrën e pastër të një burri simpatik që ju pre jeta në mes, ende pa mbushur pesëdhjetë vjeç. Të një bashkëshorti besnik, një babai të tre djemve, një kolegu të sinqertë e një qytetari shembullor. Gabriel Garcia Markez dikur është shprehur se “Jeta nuk është ajo që u jetua, por ajo që kujtohet për t’u treguar”. Dhe kishte plotësisht të drejtë; ashtu sikurse me të drejtë edhe Hamdiu ka zgjedhur për të skalitur veprën e atij që si ndjekës i Epikurit kishte për moto porosinë e tij: “O, kurrë mos u lodh për ndihmën që i jep Atdheut”.

Vetë jeta është e mbushur me shumë të papritura. Ca më shumë ajo e atij që ka zgjedhur profesionin e vështirë dhe plot sakrifica të atij që thjeshtë e quajmë ruajtës i rendit. Historikisht, bashkëjetesa sociale, krahas të mirave të saj, i ka pasur si bashkudhëtare edhe të këqiat. Asnjëherë, ndofta vetëm në librat e utopistëve, nuk ka ngjarë që krahas njerëzve të ndershëm, të mos kenë dalë edhe monstra; vrasës, vjedhës, mashtrues, hileqarë, zhvatës, rrëmbyes, dhunues e deri përdhunues. Prandaj, në organizimin shoqëror të çdo rendi, nuk kanë munguar asnjëherë ata që janë zgjedhur nga ligji si ruajtës të qetësisë, lirisë dhe të drejtave të masës së gjerë. Në të kundërtën, mes nesh do të sundonte kaosi, rrëmuja, padrejtësia e pasiguria. Dhe për këtë, njerëzimi i ka respektuar, madje dhe shpërblyer, ata që janë vënë në shërbim të tyre, pa parë kahet politike apo simpatitë dhe antipatitë e të fortëve, apo të të pushtetshmëve.

U kujtohet Zhaveri i Hygoit; ai nuk donte t’ja dinte se cila forcë politike binte e cila vinte në drejtimin e shtetit. Ai gjithmonë ishte në ndjekje të shkelësit të ligjit, pra të kriminelit. Ja, të tillë na e paraqet edhe autori i librit “Çmimi i jetës”, Musa Skurën, i cili kishte bërë një betim; t’i shërbente popullit të vet, qoftë edhe duke rrezikuar atë të tijën. Ai, si edhe të gjithë shokët e tij që i kanë hyrë këtij profesioni sa delikat aq edhe të nderuar, e dinin mirë se në çdo ditë, për të mos thënë në çdo orë, jeta e tyre mund të ishte e kërcënuar. Ca më shumë në kohën që po kalojmë tani në demokraci, se është ashtu siç e ka thënë dikush, Orson Welles, se “vetëm në një shtet policor puna e policit është e thjeshtë”. Por ata vazhdonin sikur nuk do të ndodhte asgjë. Jo vetëm që nuk e njihnin frikën në planin fizik e psikologjik, por edhe duhej të mos ndikonin për keq në moralin e masave. Kemi përjetuar situata mjaft të tensionuara, ku roli i policisë nuk ka qenë aspak i lehtë. U është dashur të përballen edhe me turma të axhituara, apo të frymëzuara politikisht, me vandalë e keqbërës të çdo lloji. Është trishtuese kur mendon se janë jo pak, por plot dyqind e njëzet e pesë të rënë në krye të detyrës, deri tani që po shkruaj këto radhë. Dhe pse ju muar atyre jeta?

Pse i lanë fëmijët pa babá?

Pse ua vranë atyre, bashkëshorteve, prindërve, motrave e vëllezërve gëzimin për gjithmonë?

Vetëm pse ishin në krye të detyrës, duke zbatuar me rigorozitet ligjin. Kjo është shumë e rëndë, shumë çnjerëzore, edhe pse Vinjia e quante nderin për të cilin ata u flijuan, poezia e detyrës. Natyrisht, një njeri si Musai, dhe kuadër drejtues me përvojë si ai, do ndiente poezi në subkonshiencën e tij, atë ditë kur u nis për të goditur grupin e trafikantëve të armëve dhe municioneve. Ishte mësuar me përplasje të tilla dhe i quante normale ato. Nuk e shkonte ndërmend se pikërisht kur në qendër kremtohej 100-vjetori i krijimit të armës së Policisë, ai do flijohej vetë. Ishte një rastësi fatkeqe, sikur donte ta çonte deri në fund ritualin e ceremonisës së atyre që mbronin jetën e të tjerëve.

Ai kishte mençurinë, urtësinë, vetpërmbajtjen e trashëguar nga pararendësi i tij, pajtuesit të gjaqeve, Kros Skura, ndaj nuk u nxitua të shkrepte armën drejt shkelsave të ligjit. Diktuar nga errësira dhe mundësia e largimit, Musai u doli përpara tek ai “Përroi i Keçit” pranë fshatit Suç, pa ju dridhur qerpiku, duke u ndeshur trup me trup me ‘ta, gjersa krimineli e shkrepi armën në trupin e tij. Të bën përshtypje se edhe para kësaj ndodhie të rëndë, trupa e policisë gjeti forca të ndihmojë shokun dhe të kryejë të gjitha veprimet e duhura për kapjen e autorëve të krimit.

Por shkrimtari Hamdi Hysuka nuk ka lënë pa përmendur edhe kujdesin e shtetit për t’i shpëtuar jetën Musait dhe për t’iu gjendur familjes së tij pasi ai ndërroi jetë. U bë e pamundura, duke e dërguar deri në spitalin e specializuar të Italisë me avion të posaçëm, por s’qe e thënë… Dhe më tej, vijuan nderimet, të cilat në libër shoqërohen edhe me kujtimet dhe vlerësimet e kolegëve për Dëshmorin e Atdheut, Musa Skura. Fjalët e tyre të dala nga zemra, janë pjesë e dhimbjes së madhe që ata ndiejnë për humbjen e shokut.

Dhe janë sa prekëse aq edhe domethënëse impresionet e të birit, Florit, tani oficer policie si i jati, i cili sikur betohet: “Do të luftojmë për ty, për shokët që ke pranë dhe mbi të gjitha do të luftojmë ne për një tjetër, që të jemi sado pak të lumtur e të na buzëqeshë fytyra në çdo kohë”. I betohet ai çiltësisht babait, që duke na parë drejt e në sy nga pllaka e varrit, me atë fytyrën e bukur që shpreh aq vendosmëri, sikur na kujton ato fjalët e filozofit Seneka, se “Jeta është si një anektodë. S’ka rëndësi sa e gjatë është, por sa është e vlefshme”. Një jetë nga ato që ja vlen të tregohet!

*) shkrimtar, studiues, kritik letrar

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura