Nga arkivi i LRSSHJ-ës, 1985
NJOFTIM KOMITETEVE DREJTUESE TЁ LRSSHJ LIDHUR ME BASHKIMIN E RI PRILL 1985
KOMITETEVE DREJTUESE DHE KOMITETEVE TË RRETHEVE TË LRSSHJ-së
Shokë dhe shoqe,
Kohëve të fundit, në KQ të LRSSHJ-së, nga grupe individësh në botën e jashtme kanë ardhur kërkesa (gojore e me shkrim), me dëshirën për të ardhmen deri te një bashkim.
Këto grupe gjatë viteve 1982 e 1984 dolën nga LRSSHJ dhe një pjesë e tyre nxori organin “Punëtorët” e një pjesë tjetër nxori në Suedi gazetën me të njejtën emër si të organit të LRSSHJ-së – “Zëri i Kosovës” duke formuar një “Lëvizje” të re për Republikën e Kosovës.
Të gjithë ata që po kërkojnë bashkim nuk kanë shtruar asnjë kusht.
Duke e ditur dëshirën dhe vullnetin e mirë të elementëve dhe kuadrove të shëndoshë, patriotëve dhe revolucionarëve, posaçërisht nga radhët e klasës punëtore që punon dhe vepron këtej, si dhe duke e parë të nevojshme dhe parimore që secilit që dëshiron për të luftuar në një front të përbashkët për realizimin e kërkesave të popullit të Kosovës, t’i krijohet mundësia për t’u bashkuar në organizatën gjithëpopullore – LRSSHJ, KQ është i mendimit që t’i marrë parasysh këto kërkesa që janë bërë dhe, juve, shokë e shoqe, po ua paraqesim si PROPOZIM për diskutim këto KUSHTE që do t’u parashtronim këtyre grupeve për BISEDIME rreth bashkimit:
1. Grupet që kanë kërkuar bashkimin, a janë grupe me celula apo pa celula. Nëse janë grupe pa celula atëherë nuk mund të shtrohemi për bisedime si me palë.
2. Nëse këto grupe me celula, e konsiderojnë veten organizata (pavarësisht se këto dikur qenë ndarë nga gjiri i LRSSHJ-së), le ta dëshmojnë ekzistencën dhe punën e tyre si organizata duke treguar rrjetin e tyre organizativ, si jashtë ashtu dhe brenda.
(Këtë punë verifikimi duhet ta kryejë një komision i posaçëm i LRSSHJ-së dhe pastaj të shtrohemi apo të mos shtrohemi për bisedime).
Gjatë bisedimeve rreth bashkimit si kushte do t’u paraqesim këto:
1. Të dënohet bashkimi i 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, i cili ishte një bashkim krerësh e jo organizatash dhe nuk ishte aspak bashkim e organizim i masave.
Një bashkim dhe organizim i masave, si jashtë ashtu edhe brenda, e patën shtruar drejt në verën e vitit 1981 OMLK në “Teza rreth Frontit Popullor për Republikën e Kosovës” dhe në përpjekje e sipër për t’i vënë në jetë ranë shokët: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Këto “Teza…” u shkelën pikërisht një muaj pas rënies së tyre, në bashkimin e 17 shkurtit 1982.
2. Të definohet se çfarë organizate po ndërtojmë: Parti a organizatë të masave apo front popullor i gjithë masave.
3. Të ndërpritet agjitacioni e propaganda si dhe veprimet kundër marksizëm-leninizmit – veprime këto që shkojnë në dëm të unitetit dhe luftës sonë për Republikë.
4. Në bisedime të marrim pjesë nga tre përfaqësues prej secilës palë.
5. Në bisedime nuk mund të marrin pjesë krerët e bashkimeve të 17 shkurtit dhe 15 majit 1982.
6. Ndonjë bashkim eventual mund të bëhet dhe shpallet vetëm si bashkim i emigracionit përparimtar jashtë Kosovës dhe i organizuar në kuadër të një dege të jashtme të LRSSHJ-së që duhet të ndërtohet, zgjerohet dhe funksionojë brenda në Kosovë.
Nëse këto kushte, që do t’u vihen për bisedime atyre që po kërkojnë bashkimin do të diskutohen, plotësohen dhe të bëhen vërejtje dhe orientimet e nevojshme edhe nga ju (që të aprovojmë unanimisht), ne do t’u hymë bisedimeve për bashkim; në të kundërtën duhet t’u themi qartë përse nuk duam as bisedime, as bashkim!
Përshëndetje revolucionare
KQ i LRSSHJ
Prill, 1985
Sheradin Berisha © Pashtriku.org, mars 2025
———————
NË SHTATOR TË VITIT 1985, LRSSHJ U EMËRTUA „LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS” (LPRK)