NUHI BYTYÇI: NË KUJTIM TË SULEJMAN GASHIT, GAZETARIT DHE MISIONARIT TË SHTETIT TË KOSOVËS NË AMERIKË

Prishtinë, 13 shtator 2020: Lajmi për ndarjen nga jeta të intelektualit, gazetarit të përmasave ndërkombëtare, kolegut dhe mikut tonë të dashur, Sulejman Gashit, na ka tronditur rëndë të gjithë ne kolegëve, por edhe mbarë opinionin shqiptar. Ai iku në botën tjetër pa u përshëndetur me ne, duke na lënë pa buzëqeshjen e tij të sinqertë, pa raportet dhe pa intervistat profesionale dhe gjithnjë me mesazh të qartë për të ardhmen e popullit tonë. Syla përherë, edhe në kohë të vështira, kur nuk shihej fare drita në tunelin e gjatë, përmes punës së tij prej gazetari të aftë profesionalisht përçonte mesazhin e optimizmit për lirinë dhe perspektivën e ndritur të popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Kam pasur rastin dhe nderin që ta njoh që në fund të viteve të 80-ta, kur Sulejman Gashi u pranua gazetar në Televizionin e Prishtinës. Gjatë kësaj periudhe, kemi bashkëpunuar me qëllim të informimit sa më objektiv të opinionit lidhur me zhvillimet e atëhershme shumë dramatike në Kosovën, që synonin lirinë dhe demokracinë. Ishte koha kur populli, sidomos rinia, punëtoria dhe intelektualët sapo kishin filluar që të zgjohen dhe të vetëdijësohen edhe më shumë në aspektin kombëtar, kishin filluar procese të reja, kishte dalë alternativa shqiptare dhe përfundimisht edhe populli i Kosovës i kishte dhënë goditjen e fundit komunizmit jugosllav, një sistemi që kishte bllokuar popullin shqiptar të Kosovës në rrugëtimin e tij drejt lirisë e pavarësisë. Në këtë periudhë gazetari Sulejman Gashi bashkë me brezin e ri të gazetarëve të Televizionit të Prishtinës, por duke bashkëpunuar ngushtë me kolegët më me përvojë të këtij mediumi të vetëm televiziv në Kosovë, të cilët e kishim thyer censurën komuniste, kemi arritur që TVP-në nga një medium i kontrolluar plotësisht, ta shndërrojmë në televizion të hapur dhe të besueshëm në shërbim të publikut dhe të interesave të popullit shqiptar të Kosovës. Do të vijnë pastaj shumë ngjarje të rëndësishme historike për Kosovën, nga të cilat do të raportonim bashkë me Sylën dhe kolegët e tjerë të Televizionit të Prishtinës.

Gazetari Sulejman Gashi

Mbaj mend, kur para 2 korrikut të vitit 1990, në mbledhjen e redaksisë së politikës së brendshme të TV të Prishtinës, udhëhequr nga redaktori Muhamet Mjeku, e bëmë planin e detajizuar të raportimit nga mbledhja e Kuvendit të Kosovës, i caktuam detyrat konkrete për secilin gazetar. Në atë mbledhje Sulejmani, pasi që e njihte shkëlqyeshëm gjuhën angleze, mori për sipër që të zhvillojë intervista me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare, që kishin paralajmëruar përcjelljen e kësaj mbledhje. Dhe, pikërisht më 2 korrik 1990, kur delegatët shqiptarë e të tjerë u penguan nga milicia serbe që të hyjnë në sallën solemne të Kuvendit të Kosovës, para dyerve të Kuvendit të Kosovës ishin edhe avokatja e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë, zonja Eva Brendli dhe me përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë. Syla me këtë rast zhvilloi intervistat me ta në mënyrë profesionale dhe dha kontribut konkret përmes prezentimit të sugjerimeve dashamirëse të përfaqësuesve ndërkombëtarë, që kishin dhënë për delegatët e Kuvendit të Kosovës. Opinionit tonë sigurisht se i kujtohet mesazhi dhe sugjerimi i Eva Brendlit, që rrjedhi nga intervista që zhvilloi kolegu Sulejman Gashi: „nuk është me rëndësi që mbledhja të mbahet vetëm në sallë, ajo mund të mbahet edhe para dyerve dhe dikund tjetër, por me rëndësi është që në mbledhje të ketë kuorum dhe vendimet të merren me shumicë votash“. Kështu edhe ndodhi. Pasi që delegatët shqiptarë dhe të tjerë nuk u lejuan të hyjnë në sallë, ata me shumicë votash, me votat e 111 delegatëve miratuan Deklaratën e njohur kushtetuese, sipas të cilës Kosova nga kjo datë është njësi e barabartë në kuadër të ish-federatës së atëhershme të Jugosllavisë. Intervistat e Sylës dhe intervistat që i zhvillova unë dhe kolegët e tjerë, u transmetuan pa censurë në Ditarin qendror të Televizionit të Prishtinës dhe kështu arritëm që edhe ne të bëhemi pjesë e kësaj ngjarje historike pët Kosovën. Deklarata kushtetuese siç dihet pat jehonë të jashtëzakonshme edhe në opinionin ndërkombëtar, duke dëshmuar se populli shqiptar i Kosovës po hyn në një etapë të re të sfidave në rrugëtimin drejt pavarësisë nga regjimi okupues serb.
Pas mbylljes së Televizionit të Prishtinës, si shumë kolegë të tjerë, edhe Sulejman Gashi u detyrua që të largohet përkohësisht nga Kosova dhe të punojë në gazetari në Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri në qershor të vitit 1999, kur Kosova u çlirua përfundimisht. Ai u kthye në Kosovë pësëri si gazetar dhe ishte shumë aktiv me intervistat e tij me personalitetet më të larta ndërkombëtare dhe të insticucioneve të Kosovës së re, të zhvilluara në Radiotelevizionin e Kosovës.
Me hapjen e Radiotelevizionit publik të Kosovës, u shpall edhe një konkurs publik për gazetarë. Me që Programi satelitor, redaksia për Kosovën, pjesë e së cilës isha edhe unë dhe pasi që kishte përfunduar misionin e vet me sukses, vendosa që të aplikoj për të punuar në RTK. Duhej që t‘i nënshtrohem testit me shkrim. Në komisionin për pranim të gazetarëve ishte edhe Sulejman Gashi bashkë me Avni Spahiun. Ndonëse kisha përvojë në gazetari dhe në redakturë, kjo ishte një sfidë e re për mua, pasi që konkurrenca ishte shumë e madhe dhe numri i atyre që duhej pranuar ishte i kufizuar. Mirëpo, falë përkushtimit profesional, arrita që ta kaloj me sukses edhe këtë sfidë dhe për pranimin tim, si kam kuptuar më vonë, rol të madh kishte luajtur edhe vlerësimi pozitiv i Sulejman Gashit për mua dhe profesionalizmin e dëshmuar në kohë të vështira.
Pas angazhimit të përhershëm në RTK kemi pasë rast që të bashkëpunojmë ngushtë me Sylën, që të konsultohemi për disa tema dhe emisione që ishin me interes për opinionin dhe gjithherë kemi ardhë në përfundim se në rrethanat e Kosovës së lirë, shtet i pavarur e demokratik, rol të jashtëzakonshëm ka edhe informimi i paanshëm, objektiv e profesional. Syla për shkak të familjes, shkollimit të fëmijëve të tij, të cilët i donte shumë, u detyrua që të kthehet sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga atje të raportojë për shikuesit e Radiotelevizionit publik të Kosovës lidhur me zhvillimet në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres, në Senat, në Pentagon, në OKB dhe në institucionet e tjera amerikane dhe ndërkombëtare lidhur me Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Në këtë mënyrë, Sulejman Gashi vërtetë ishte jo vetëm gazetar, por edhe misionar i fuqishëm në paraqitjen dinjitoze të shtetit të ri të Kosovës para institucioneve kredibile amerikane dhe ndërkombëtare. Raportimet e Sylës dhe intervistat përmbajtësore me zyrtarët e lartë të administratës amerikane dhe të Kombeve të Bashkuara përherë shprehnin optimizmin për mbështetjen e fuqishme nga shteti mik dhe më i fuqishëm në botë për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës dhe të ardhmen e ndritshme të qytetarëve të Kosovës.
Pasi që edhe familja ime, babai Malushi dhe xha Alushi, kishte lidhje të hershme me familjen e Sulejman Gashit, familjen e babait të tij, arsimtarit Sherif Tafil Shabanit, pasardhësit të pleqnarit dhe patriotit të njohur – Ramadan Shabanit të Kjevës, edhe unë kisha obligim që të vazhdoja miqësinë me birin e tyre – Sylën. Kështu, pas një vizite private në Dallas, në fillim të janarit të vitit 2013, vetëm për të takuar kolegët dhe miqtë e mi Sulejman Gashi dhe Muhamet Mjeku, kam udhëtuar enkas nga Dallasi për në New York. Çdo takim me Sylën ka qenë i këndshëm, të mbushte energji pozitive për punë në shërbim të vendit, prandaj edhe ky takim në Bronx, në restoranin e familjes Jahjaga bashkë me Sylën, bashkëshorten e tij Tonen, me Muhamet Mjekun dhe bashkëshorten e tij Ylberen, darka që shtruan ata enkas për mua ishte vërtetë e paharrueshme. Bashkëbisedimi i hapur, i ngrohtë, i sinqert me shokët e mi të vjetër që nga TV i Prishtinës, shakatë për ato kohë të vështira, por shumë interesante, na bënë që ta kalojmë bashkë në një atmosferë tejet të këndshme edhe për kolegët e ALBTV në New York, familjen Dreshaj dhe Jahjaga, të cilët na shoqëronin në darkë.
Kthehem në Kosovë, duke lënë kolegët e mi në Amerikë. Mirëpo, në mars të atij viti – 2013 në Amerikë shkon për vizitë zyrtare biri im, Arianiti, në krye të një delegacioni të drejtorëve të komunikimit publik të Qeverisë së Republikës së Kosovës në kuadër të programit „International Visitor Leadership Program“ organizuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA-ve. Me këtë rast, Arianiti gjatë kësaj vizite takohet me kolegun tim Sulejman Gashin, i cili ishte ngarkuar nga Stejdepartamenti amerikan që ta shoqërojë delegacionin nga Kosova në të gjitha takimet në institucionet kryesore amerikane në Uashington dhe në shtetin e Karolinës së Veriut. Arianiti kur u kthye nga kjo vizitë më rrëfeu me entuziazëm për mbresat që i kishin lënë aftësitë e jashtëzakonshe intelektuale e politike të Sylës, parasëgjithash figura e tij prej njeriu e personaliteti të vërtetë dhe unik. Në shenjë kujdesi e respekti ndaj meje, Syla kishte blerë një kollare elegante dhe në foljen e saj kishte dërgur edhe një letër të vogël, që mban datën e 5 marsit 2013, me një tekst shumë domethënës për mua dhe familje time, ku mes tjerash shkruante: „Përshëndetje Nuhi, të uroj shëndet dhe suksese në punën tënde të dalluar. Dua të të them se Ryva dhe ti kishit një djalë shembullor. Arianiti jo vetëm që ishte mburrja dhe krenaria juaj këtyre ditëve në Amerikë, por ishte edhe krenaria e Kosovës“. Vlerësimin e Sylës e çmova shumë për faktin se ishte kujtuar që në mënyrë të veçantë dhe civilizuese ta shprehte mendimin për birin e shokut të tij. Këtë letër e kam ruajtur në arkivin tim dhe e kam lexuar disa herë me emocione edhe pasi kam marrë lajmin e hidhur, tejet të rëndë për ndarjen nga jeta të kolegut, mikut tim shumë të çmuar Sulejman Gashit.
Vërtetë mungesa e Sulejman Gashit është humbje e pakompensueshme, jo vetëm për familjen, por për Kosovën dhe veçmas për gazetarinë shqiptare. Vepra dhe kontributi i tij do të përkujtohen gjithmonë, si shembull i një intelektuali të mençur, vizionarit dhe misionarit të shquar që vazhdimisht ka punuar në afirmimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Lamtumirë miku im i shtrenjtë, Sulejman Gashi!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura