XHEVAT BISLIMI: SHQIPTARËT NUK DUHET TË MBURREN ME BASHKËJETESËN, HARMONINË E TOLERANCËN NDËRFETARE, SEPSE JEMI NJË POPULL ME 3 FE DHE KJO HARMONI ËSHTË E NATYRSHME!

Viti, 12. 01. 2015 -Po të ishim tre popuj të ndryshëm (me gjuhë, me kulturë, me histori…) edhe mund të “mburreshim” me “bashkëjetesën”, “harmoninë” dhe “tolerancën” ndërfetare, ndërnjerëzore, etj. Por, të mburresh se populli ynë, populli me i lashtë në Evropë e më gjerë, po “bashkëjetoka” e se paska “tolerancë” ndërfetare është vërtet groteske…

***

Edhe në shek XXI politika, media, inteligjencia, publicistika, shoqëria civile, paria e besimeve… vazhdojnë të mburren dhe të shesin dengla me “tolerancën”, “bashkëjetesën” dhe “harmoninë” ndërfetare-ndërshqiptare…! Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkoi edhe në Paris për t’i “argëtuar” francezët dhe botën perëndimore më këtë “harmoni” ndërfetare…! Dhe ku?! Në Francën laike, në Francën e vlerave republikane, në vendin që e ka ndarë fenë (kishën) nga shteti që në vitin 1905! Vërtet qesharake! Të vetreklamohesh, të vetëmburresh, të vetproklamosh e të vetpropagandosh pa masë, pa kriter dhe vend e pa vend (që nga mëngjesi e deri në darkë) “bashkëjetesën”, “harmoninë” dhe “tolerancën” ndërfetare si vlerë të shqiptarëve është vërtet budallallëk! Është diçka që po na bënë dëm… Duke u munduar t’i vemë vetulla, po i nxjerrim sytë, thotë fjala e urtë shqiptare.
– Pse?
– Kujt po i duhet ta mbajë të gjallë këtë ndasi, këtë budallallëk?
– Kujt po i duhet që një vlerë shumë normale dhe krejt të natyrshme ndërshqiptare ta bëjë të jashtëzakonshme?!
– Ҫfarë ka të jashtëzakonshme këtu?
Populli shqiptar, siç e kanë thënë edhe shumë të huaj, nuk e ka lidhur asnjëherë jetën e tij me besimet (dogmat) fetare, me religjionet dhe ideologjitë e tyre. Uniteti, bashkëjetesa, harmonia, mirëkuptimi ndërshqiptar është ndërtuar, ka qëndruar dhe qëndron në gjuhën e tij, në traditat e tij, në kulturën e tij shpirtërore dhe materiale, në flamurin e tij, në tokën e tij, në qiellin dhe diellin që e ka ngrohur dhe e ngrohë, në heronjtë, ngjarjet dhe figurat e shquara historike dhe aktuale… Madje, edhe besimet fetare janë «shqiptarizuar» në masë të madhe, duke marrë «fytyrën », gjuhën, sjelljen… shqiptare. Përkatësia dhe ekzistenca e disa feve te shqiptarët tregon shpirtin demokratik-popullor të shqiptarit, shpirtin pluralist të popullit tonë… Një përqindje e mirë e shqiptarëve besojnë në zot, por shqiptarët nuk u besojnë feve dhe klerit që ushtron zanatin për ta fituar bukën e gojës… Asgjë e jashtëzakonshme !

Mburrja e Edi Ramës!

Po të ishim tre popuj të ndryshëm (me gjuhë, me kulturë, me histori…) edhe mund të “mburreshim” me “bashkëjetesën”, “harmoninë” dhe “tolerancën” ndërfetare, ndërnjerëzore, etj. Por, të mburresh se populli ynë, populli me i lashtë në Evropë e më gjerë, po “bashkëjetoka” e se paska “tolerancë” ndërfetare është vërtet groteske… Afirmimi i kësaj “vlere” na bënë dordolecë në sytë e botës… T’i thuash botës se ne shqiptarët “bashkëjetojmë”, jetojmë në “harmoni” dhe “tolerancë” është gjëja me e pavlerë… Njesoj sikur t’i themi botës se partitë politike, komunitetet e ndryshme kulturore, artistike, profesionale, krahinore në vendin tonë jetojnë në harmoni dhe tolerancë!! Pse, si duhet të jetonin?! Në konflikte, në dhunë, vrasje e përgjakje?!!
Me këto tam-tame të “bashkëjetesës”, “harmonisë” dhe “tolerancës” ndërfetare (ndërshqiptare) sikur po duamë t’i ndajmë e t’i përçajmë mbi këtë bazë shqiptarët që nuk u ndanë dhe nuk u përçanë kurrë për punë feje…! Sikur dikujt po i pengon bashkëjetesa, harmonia dhe mirëkuptimi ndërshqiptar…!! Ka popuj që « identifikohen » me religjione të caktuara dhe kanë mosmarrëveshje, konflikte, luftëra… Por, këtë problem nuk e kishte kurrë populli shqiptar. Paria politike, institucionale, inteligjencia dhe shoqëria shqiptare (në mbarë Shqipërinë e jo vetëm në Republikën e Shqipërisë) kanë për detyrë kombëtare që këtë shpirtgjerësi ndërfetare ta institucionalizojnë e jo ta shpërdorojnë për nevoja politike ditore… ! Kanë për detyrë që bashkësitë shqiptare islame (si shumicë) t’i unifikojnë në një Bashkësi të vetme Shqiptare Islame, pastaj të themelojnë edhe një Këshill Kombëtar Ndërfetar në shkallë kombi… Po ta bënin këtë edhe mund të « mburreshin »…
Pastaj, edhe më e vështirë është që brenda një populli ta ndërtosh dhe ta ruash “bashkëjetesën”, “harmoninë”, “mirëkuptimin” dhe «paqen» midis të pasurëve dhe të varfërve të një populli… Këtu duhet të ketë kujdes politika, media, inteligjencia dhe shoqëria shqiptare: ta ruaj paqen sociale, t’i siguroj strehë, bukë (ushqim), veshmbathje, shkollim, përkujdesje shëndetësore… të gjithë shqiptarëve. Kjo është çështja dhe kjo është VLERA e një shteti, e një qeverie dhe e një vendi… Të tjerat janë budallallëqe, marrëzira dhe shpikje të atyre që duan ta largojnë vëmendjen e shqiptarit nga jeta e rëndë dhe nga nevojat e hallet e përditshme…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura