(Prizren, 26. 01. 2013) – Në jetën e përditshme ndodhin befasira të hidhura, por edhe të këndshme. Jeta ka sfida të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Gjatë kohës sa po qëndronim në kazamatet e federatës së atëhershme jugosllave, nga gjithë ata shokë që po vuanim dënimet e shqiptuara nga gjyqtarët dhe prokurorët shqipfolës, nuk na kishte vajtur në mendje se edhe pas tri decenjesh sërish do të diferencohemi, do të injorohemi dhe do të atakohemi me epitete fyese.
Vajza ime Rilinda ishte valltare e grupit të valleve në lagjen ku edhe jetoj unë, e kjo është Arbana. Koncerti mbahej në Kala. Atje merrte pjesë edhe vajza ime. Dëshira e saj ishte që ne prindërit e saj të ishim aty gjatë shfaqjes së koncertit. Në hapsirën e rrafshtë të Kalasë së Prizrenit të bukur ishin vendosur edhe ulëse. Meqë isha i rraskapitur nga lodhja duke u ngjitur në të përpjetëzën vendosa të ulem.
– Xhaxhi, nuk mund të ulesh këtu sepse këto ulëse janë të rezervuar për stafin e kryetarit, – më tha një djalosh i sigurimit. Në atë kohë ishte në qeverisje lokale LDK-ja dhe në krye të saj Eqrem Kryeziu.
Thash atëherë e po them edhe sot, vallë më me rëndësi qenka që të ulet stafi i LDK-së dhe ca anëtar të përcaktuar të kësaj partie në pushtet apo unë – një ish i burgosur politik, i përvuajturi për kauzën kombëtare?! A duhet të “luftoj” për t’u ulur në një karrige?! I mallkova këta qeveritarë dhe këta qeveritarë dështuan në zgjedhjet pasuese.
Binomi i Prizrenit: Ramadan Muja & Eqrem Kryeziu.
U angazhova në PDK. Si parashutist më emruan kryetar të nëndegës në Arbanë. Po vazhdonim me qeverisje lokale me profesorin atëherë të nderuar z. Ramadan Muja.
Në qershorin e parë të qeverisjes lokale për përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit së bashku me gruan time, njëherësh edhe ish e burgosur politike dhe profesoreshë e Letërsisë dhe gjuhës shqipe, dashamirëse e rilindasve, nuk po na lejonin të hynim brenda në oborrin e objektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Këta si më të “kulturuar”:
– Jo zotëri nuk lejohet hyrja për gjithkend.
Në atë moment vrapoi një punëtor, këtë herë punëtor i komunës dhe pikërisht anëtar i devotshëm i LDK-së, dhe u tha:
– Po nëse nuk hyjnë këta, kush tjetër e meriton më shumë?!
Ai na e hapi derën, mirëpo këtë herë hyra për hatër të gruas sepse brenda ndodhej edhe atdhetari dhe veprimtari më aktiv i çështjes kombëtare z.Kadri Osmani, që është babai i gruas time.
Kjo histori më ka ndodhur me mua dhe ajo po vazhdon të më ndjek me nënçmime të tilla. Kulmi po arrinte kur në PDK, në degën e Prizrenit filluan përqarjet e para.
Një grup nismëtarësh të PDK-ës, në të gjitha nëndegët pa prezencën e kryesisë së degës në Prizren po merrnin nismën për pajtimin e kryetarit me anëtarët e kryesisë. Dhe kur ne po mendonim se i rrebeluari duhej të ishte Zafir Berisha doli e kundërta, sepse të rrebeluarit ishin anëtarët që nuk e dëshironin prezencën e Zafirit në Kryesinë e degës në Prizren.
Si anëtar i atij këshilli pajtimtarësh isha edhe unë.
Zafiri na pati thënë:
– Meqë ju po këmbëngulni dhe po mendoni se unë jam fajtor edhe pse i atakuari jam unë, çfardo që ndërmerrni unë do të pajtohem, por do ta kuptoni se unë nuk jam përqarës.
Dhe pikërisht ashtu doli. Unë u atakova brutalisht nga dy anëtarët e krysisë me inicialet H.H dhe tjetri H.H. Njëri kërkoi nga unë që të tërhiqem nga partia demokratike, ndërsa tjetri kërkoi që unë të shkruaj një deklaratë se po tërhiqem nga Partia Demokratike e Kosovës.
– Çfarë anomalie???!!!
Unë e di se në burgun e Dubravës së Istogut më ka detyruar gardiani të shkruaj deklaratë se më pati zënë të shtrirë në shtrat, gjë e cila ishte e ndaluar. Shkrimin e deklaratave të tilla e ka kërkuar ish partia komuniste nga anëtarët e vet, që për gabimet e lëshuara të shkruajnë deklaratë – për viktimizimin e vetvetes.
Këtë viktimizim tonin e dëshirojnë disa anëtar të PDK-së, që dikur kanë qenë anëtar të devotshëm të Partisë komuniste të Jugosllavisë. Kjo nuk është histori vetëm e imja.
Kjo histori u përsërit tri ditë më parë, kur një ish i burgosur politik, i ndjeri Enver Nimani, u varros pa kurrfarë ceremonie mortore të oraganizuar nga komuna, alias kryetari tani më “I NDERUARI” Ramadan Muja dhe as nga institucionet tjera që po e “ndotin” ambientin tonë të mbytur në mëkate. Zoti “i shpërbleftë” qeveritarët e Prizrenit!!
……………………………………………..
(Nuhi Bytyqi i denuar në grupin e Fronitit…Gazeta “Rilindja” e datës 20.11.1992)